Gazeta Nacional Albania

Arben Shehu: HARRESA E NËNËS, POEZI

QIEJT PUSHUAN PERKOHESISHT

Qiejt pushuan përkohësisht,
Te gjuha me pyje të prerë,
U përpëlit fjala si gjarpër
I shkelur me këmbë,
Në një shteg të harruar,
Dhe një datë u bë si shtëpi,
Buzë lumit,
Ku skelete zogish formonin
Alfabetin e munguar
Te shkrepëtimave.
Qieit pushuan përkohësisht,
Te pëllëmba e prashitur
Me erëra të ngrohta,
Lulëzuan kaktusët e frymëve,
Te gishtat që prekën
Gajzerat e syve.
Dhe fytyra u bë liman
I karafilave te këputur.
Qiejt pushuan përkohësisht.
Te qafa me vela të shqyera.
Litarët e trashë të vargjeve
Tërhiqnin supet e nxirra
Të muzgut,
U ndezën motorët e mesditave
Të ngrohta,
Te nishanet e zmadhuar,
Poshtë gjinjve të ishujve
Të vetmuar.
Qiejt pushuan përkohësisht,
Te vathët e oksiduar
Të vjeshtës se dytë,
Shtegtuan retë te hipotenuza
E vetëtimave pa drejtim,
Në sqepa të purpurt zogjsh,
Varen mantelet e ylbereve,
Në ditët që nuk iu shmangen
Dyluftimeve.
Qiejt pushuan përkohësisht,
Te zmalti i dhëmbëve te pranverës,
Buisën mollëzat e shiut,
Në fushën e kositur me heshtje
Dhe kodrat shkundën kokrrat
E pemëve.
Te prehëri përvëlues i baladave
Të gërryera.
Qiejt pushuan përkohësisht,
Te bishti i kacatorrit,
Mbi greminë
Uturima e jehonës formoi
Gërmën e fosforit në shkëmb.
Një valë u ngrit deri te qerpiku,
Ku eshte ngulur një portret,
Një valë u ul deri te buza,
Ku u mohua një monolog.
Qiejt pushuan përkohësisht,
Te fjongua që lidh dy ninëza,
Nën një katarakt,
Zmadhohet bota te tipari,
Që iu fërshëllen petaleve
Të zambakëve,
Dhe udhët skicohen te gishtat,
Që prekin thinjat e ndritshme
Të maksimave.

Tirane, 2018

HARRESA E NENES

Harresa e nënës
Veshi një palë kepucë,
Prej xhami,
Në shtigjet që nuk e njohin
As atë vetë,
As fijet barit që i mbeteshin,
Mbi fustan,
Nuk i përkëdhelin më as fjalët,
Që i kanë mbetur te gurët
E nxehur të lumenjve.

Harresa e nënës,
Magmë e ngurtësuar,
Te mollëza që nuk bie
Në kompromis,
Me pemët në shkundjen
E fatit të vet.

Qerpik i prerë mbi retinën,
Që bashkon humnerat me dritën
E vet të mekur.
Fitil i fikur te buza,
Ku stinët mbetën
Pa fytyrë.

Harresa e nënës
Një magji që nuk zihet
Më brumi.
Një cark ku zihen bishtat
E mjegullave gri,
Një tabelë e zezë ku gishtat
E mardhur mbetën pa shkumësa,
Një havanë ku thërrmohen
Cicërimat e mbetura pa hapësirë.

Harresa e nënës
Një lugë e zbrazur kafeje,
Te xhevzeja me ujë qe vlon
Mbi zjarr,
Nje appel pa listë të emrave
Të pervecëm,
Një ortografi bari e shthurur,
Pa këmbë zogjsh me vesë,
Një oxhak pa firma tymi,
Në kujtesën e qiejve.
Harresa e nënës
Një oborr me përemra
Që ngaterrojnë gjurmët aty.
Një rrafshnaltë me një mulli
Të braktisur në breg.
Një tempull i vjetërruar pa gjuhën
E këmbanës në mes.
Një trojkë dritash pa festë.
Në sheshin e qytetit.

Harresa e nënës
Një kokërr breshëri mbetur.
Në mullinë e një gjethe molle.
Një spirancë e ndryshkur,
Në ishullin që varros shtrëngatat,
Një medalion pa fotografi,
Në qafën e një fëmije të verbër,
Një lutje që nuk ka gjunjë
Të bie para një altari
Të zhveshur nga fjalët.

Harresa e nënes
Një pedale nën këmbët
E zbathura të ngricës,
Nje kanellë që ka humbur
Erën mbi një tas me ëmbëlsirë
Të mbuluar,
Një vijë hekuri mbi një
Fanellatë që ka humbur
Ngjyrat e theksuara,
Një perde e trashë e tërhequr
Me fundin e një e kolle
Të tharrë.

Tirane-2018

NJE ZE

Një zë
U bë prizë qelqi
E ndijimit pa emër,
Hiq e vur te nervi i tendosur,
Që i mbante ndezur
Mesnatat e gjata,
Kur befas trokiti
I hirtë mengjesi,
Gjumi kishte veshur
Radiografine e hapave.

Tirane-2018

NJE GJE NUK TA THASHE

Një gjë nuk ta thashë,
Te gjërat që i pashë,
Ne atë ditë tetori
Me shira të rrëmbyer,
Kur vjeshta i kish xhepat,
Te bulëzat e zmadhuara
Të kurrizit të djersitur.
Një gjë nuk ta thashë,
Te gjërat që i pashë,
Në atë ditë Tetori
Me ngrica nëpër drurë,
Kur sythi e mori fërshëllimën
E melodisë,
Te buzët e shatërvanit të tharë
Nga përmallimi.
Një gjë nuk ta thashe,
Te gjërat që i pashë,
Në atë ditë Tetori
Me radiografinë e hënës.
Në profilin e gjethes.
Kur buritë e makinave
Skiconin horizontin me qumështin
E gjirit të një nëne.
Që ushqente fëmijën në sediljen
E pasme të një reje
Një gjë nuk ta thashë,
Te gjërat që i pashë,
Në atë ditë tetori
Me solfezh të lagur,
Te parvazi i boshatisur,
Kur lejlekët e lëshonin
Qiellin e vranët,
Nga këmbët e zgjatura,
Mbi vargjet e lira
Të recitalit të bubullimave
Të thekura.
Një gjë nuk ta thashë,
Te gjërat që i pashë,
Në atë ditë tetori,
Në pyjet që cicërimat
I mbanin si fije shkrepëse
Nëpër duar,
Kur bokërimat e bardha
Ndërtonin në qëndrën e ciklonit,
Panairin e akullit ku qeshja
E humnerave skaliste shandanët
E frymës së tokës së plasaritur.
Një gjë nuk ta thashë.
Te gjërat që i pashë.
Në atë ditë tetori
Me kanatat e ngrëna të puhizave
Detare përmbi pemë.
Kur mesdita vishnin polumbarët
E elipseve.
Që bashkonin gadishullin
E një vajze vjeshtore,
Me ishullin e një djali,
Që përmbytej te vetullat
Me vreshta të krasitura.
Një gjë nuk ta thashë,
Te gjërat që i pashë,
Në atë ditë tetori
Me një tren me drita
Të fikura,
Që nuk ndalonte në asnjë
Stacion me sofizma të shkurtra,
Kur hijet e tjerrura shalonin
Një pendim të vonuar,
Në fushën e shkretë.
Ku gjysëmnetët mbjellin
Me përpikmëri,
Vetveten në kubikë
Me të qeshur korriku.

Tirane-2018

NJE SYTH

Një syth
U bë buzë
E rrjedhës
Në xham,
Unë e kalova
Lumin e pëshpërimës
Me rremat e syve
Të fytyrës që mu bë
Dallgë

Tirane-2018

NJE VIJE E BARDHE

Një vijë e bardhë,
Në hapësirën e bardhë,
Një heshtje e bardhë,
Në bardhësinë e heshtjes
Dhe qiellin e ndan me dysh
Gusha e nxjerr nga sorkofagu
I diellit.
Një vijë e bardhë,
Në hapësirën e bardhë,
Një heshtje e bardhë,
Në bardhësinë e heshtjes
Dhe qiellin e ndan me dysh
Puthja me karafila të shkërmoqur,
Në pëllëmbët e hënës së tretur.
Një vijë e bardhë,
Në hapesirën e bardhë,
Një heshtje e bardhë,
Në bardhësinë e heshtjes
Dhe qiellin e ndan më dysh
Sonata e avullit që del nga lëkura
E lagur e drurëve të mesnatave
Me gjëmime të fashitura.
Një vijë e bardhë,
Në hapësirën e bardhë,
Një heshtje e bardhë,
Në bardhësinë e heshtjes
Dhe qiellin e ndan më dysh
Koka e mbështetur te gjoksi
Me akordet e flijuara të vjeshtës.
Një vijë e bardhë,
Në hapësirën e bardhë,
Një heshtje e bardhë,
Në bardhësinë e heshtjes
Dhe qiellin e ndan më dysh
Buza që bëhet trampolinë
E fërshëllimës së flokut,
Në supet e zbuluara të mjegullave.

Tirane- 2019

NJE DIELL

Nje diell
I zi
U bë pikë,
Mbi buzët e hapura
Të tua.
Une thithja ditën,
Që nuk dinte
Të perëndonte,
As pas fytyres tende,
Prej gllenjke
Kripe.

Vlore-2019

SHINAT NE VJESHTE

Shina në vjeshtë,
Ka një emër vajze të puthur,
Në mesnatë,
Ka një amplitudë që ngulet,
Te nervi i gjethes që puthitet
Në xhamat që ka lënë peng
Virgjërinë,
Shina në vjeshtë,
Veshtull vreshti te cepi
I buzës,
Që ka humbur ylberin e fatit,
Rrudhë te balli,
Që e skalisin ujrat që rrjedhin,
Nga trungje me emra të përveçëm,
Shina në vjeshtë,
Tingull i trupit që loz me stuhitë
E shekullit të harruar.
Skelë e mallit që zgjidh
Litaret e lotit te pazgjidhshëm.
Shina në vjeshtë,
Firma e pushit mbi jakën
E një peliçeje të shkundur.
Tunel i hapur te kërcelli
I një trëndafili që ka harruar
Fizarmonikën te sumbulla e ujit.
Shina në vjeshtë
Fjalor xixëllimash që përcëllon
Gishtërinjtë e holluar
Te kontakteve,
Monolog i strehës me rrebeshin
Qe përmend vetveten,
Te gjëmimi i shkrepëtimave,
Shina në vjeshtë,
Labirinth i frymëmarrjes,
Që ndez fenere në lukthe,
Inspektor i dëshirave që trembin
Urithat e natës pa hyrjedalje.

Tirane-shtator-2019