Gazeta Nacional Albania

Arben Shehu: NJË FËRSHËLLIMË. POEZI

FYTYRA JOTE

Fytyra jote
Është një pikë
Dhe unë nuk e përmbledh
Stuhinë,
Te qerpiku që bëhet
Pentagram i shiut që zgjedh
Dritaret e krisura,
Në refrene gjethesh
Të shkundura.

Fytyra jote
Është një notë,
Te katerdralja e qeshjes,
Në errësirën e vetëtimtë,
Lutja ka veshur galloshet
E stinës,
Të kapërcejë pellgjet
E sinfonive të borës.

Fytyra jote
Është një derë,
Që unë e shtyj me ballë,
Deri te kërcitja e fundit,
Buzët e tharra janë
Ditare të shkretëtirave,
Që kujtesën e kanë lënë,
Te një pikë vese,
Që fjalën e kanë harruar,
Te kumbimi i drurëve
Të lagur.

Fytyra jote
Është një gllënjkë uji,
Që mbyt vetveten
Dhe vështrimi që nderet,
Si velë e mikluar,
Te deti që i mbledh thirrmat,
Te stërkalat që zbusin
Ylberet e rrallë.
2022

NJË FËRSHËLLIMË

Një fërshëllimë
U bë patericë në sqetullat
E parruara të dimrit,
Mahnitja ndërroi tablotë,
Te qielli që numëronte planetet.

Mos pusho i thashë,
Mos pusho atë fërshëllimë,
Prej serme të ndritur,
Se ndryshe do bije,
Ne tokën e e lëkundur,
Me fytyrën e kthyer,
Nga rrathët e tërmeteve !
2022

SI MË IKE ASHTU VËLLA ?

Si më ike ashtu vëlla,
Si ike dhe më le ?
Krahum ma le bosh,
si një shpellë me stalakmite,
aty tani do fryjnë erërat
e cmendura,
breshëri dhe acarri
fërgëllitës.
Zëri më është bërë,
Si një autokombajnë e ndryshkur,
Që tashmë korr mungesat
E mungesave,
Te një tokë me kujtesë
Të sharrtuar !

2022

U PËRMBLODHËN NGJYRAT

U përmblodhën ngjyrat,
Te shqisa pa dimensione
Dhe fytyra e largoi kompasin,
Te trungjet që zhvendosin lumin,
Te vija anës buzës,
Që përmbytin gërmat,
Te katarakti,
Që i ngjan gushës
Së agimeve të bardha.
2022

RA NJË SHKËNDIJË

Ra një shkëndijë
Dhe të dogji flokballuket,
Mbi ballin e pjerrët,
Xixëllonjat u shpërndanë,
Në hapësirën e përtejme,
Duke marrë me vete,
Tiparet e natës që dyshonte,
Te vetja.
2022

NGANJËHERË

Nganjëherë,
Unë bëj be për kokën tënde,
Në kohën që fjala kishte mbetur
Pa kokë,
Trupi i dridhej,
Në ajrin e nxehtë
Dhe lumenjtë kishin
Ndryshuar rrjedhat.

Nganjëherë,
Unë bëja be
Për kokën tënde,
Në kohën që timbri
Kishte mbetur
Pa kokë,
Frekuencat lidhnin
Trupat e djersitur,
Te theksi që zhvendoste
Myshkun e drurëve,
Te shqisa që nuk flinte,
Te nata pa jelek,
Te penxherja me qeshje
Guipleni.

Nganjëherë,
Unë bëja be
Për kokën tënde,
Në kohën që syri
Kishte mbetur pa ishull
Dridhej trampolini,
Te buza e skalitur
Dhe jonet mbyllnin sytë
Me fjongot e neonëve
Dhe hidheshin tutje,
Te dallgët pa refren,
Që kishi mbetur pa direk
Rrebeshi në maja.

2022

UNE SE PERPLAS

Unë se përplas
Gotën me një gotë,
Por me tingullin e qelqtë,
Që del nga trupi.

Unë se përplas
Gotën me një gotë,
Por me një kep që fundoset,
Te e qeshura jote mëngjesore.

Unë se përplas
Gotën me një gotë,
Por te abazhuri i fikur,
Te kërthiza e ditës,
Që vë në gjumë
Ëngjëjt e erës.

Unë se përplas
Gotën me një gotë,
Por me sirenën e anijeve
Që nisen nga portet,
Që lëshojnë pëllumba
Prej gipsi,
Në parvazet e përshëndetjeve
Prej smeraldi.
2022