Gazeta Nacional Albania

Arben Shehu: VETEM PER NJE FOTOGRAFI, Tregim

Me një zë ndryshe, pak si të shkundur, si gjethet e blirit, i tha taksistit që ta ndalte, ja aty, te kthesa, në hyrje të një rrugice me kalldrëm, që gurët i feksnin nga vesa e parë e mëngjesit.
-Po ju sikur më thatë, afër Konsullatës,- i tha taksisti, një burrë, paksa i moshuar, që mbante ngjeshur, deri te sytë e vegjël dhe të mugët, një beretë ngjyrë të purpurt, të cekët dhe pak të gjerë?!
-Jo, jo, s’ka gjë, më lini këtu! Dua ta bëj, një copë udhe, me këmbë, ta heq mërzinë dhe angushtinë e gjumit të natës!
-Si të doni, nuk ua prish qejfin!
Mbajti frenat. Vetura bëri një kolpo të rëndë. Për pak, sa nuk hypi mbi trotuar. Kastrioti nxorri monedhat nga portofoli i meshintë, një kafe në të errët.
-A ku i keni, deri te konsullata! Jemi në rregull!
_Në rregull mik! Udhë të mbarë! Mbarofsh punë sa më shpejt!
Pas pak, vetura u nis me vrik. Ai mbeti, në trotuar. I vetëm me mëngjesin, që akoma nuk donte të quhej mëngjes. Dritat, anës udhës, ende nuk ishin fikur. Kishin një topitje të lagësht ajri dhe jepnin ca reflekse të vonuara, ku u mungonte krejtësisht ngjyra. Frynte pak erë. Ndjellëse,deri në kockë, deri te rrënja e flokëve.
Shfryu pak me vete, sa për të vendosur, një lloj ekuilibri gjethor te vetja. Në fillim, hodhi hapat kuturu, pa ndjekur rrugicën, përgjatë blirëve. Rrugica qe, pothuaj bosh. Vetëm për vetëm, me një shall ere, që s’dinte kë qafë të mbështillte, apo t’i shpështillej më parë. Një trumbë aromash lulesh, të ngarkuara nga shiu i rrëmbyer i mesnatës, vërdallosej,në ajër, pa një drejtim të caktuar. Kontakti i pjesshëm me dritat, që nuk donin të fikeshin, krijonin dashur pa dashur, një shkërmoqje të djegshme që përcëllonte nuhatjen e rënduar të drurëve të lagur. Mori pak më djathtas. Kapërceu udhën, në krahun tjetër, aty, ku trotuari qe pak më i gjërë dhe të jepte mundësinë, të ishe më i qetë dhe më i lirshëm.
Në fund, i futur midis ca pemëve të larta, i fshehur disi me kujdes, qe një kafene. Qe e hapur, plot 24 orë. Quhej “ Sonata e Hënës”. Më parë, kishte ardhur, disa herë. Për një kafe të rastit, apo një pije aperitive. Qe një qetësi e tejskajshme që vetëm, drita e kursyer e hënës, mund të ta japë. Një zgjua hëne, që thith nektarin e dritës, në pafundësi.
Hapi derën. Pa njëherë, rreth e rrotull. Dy-tre veta, qenë ulur në tavolinat përkatëse. Dikush lexonte, i mbërthyer mbas gazetës, dikush rrufiste kafenë a një gotë rraki. Ca tinguj të dobët radioje, i zbukuronin këndet bosh të dhomës, me ca pambuqe bore dhe yje të fashitur, në xhamat me brymë. U ul, andej nga fundi, ku xhamat e mëdhenj kristali, akoma dukeshin se kullonin. Porositi një kafe dhe një konjak. La çantën e zezë, pranë karrikes, veshur me një meshin llustrafine kafe. I shtriu këmbët, paksa që poshtë tavolinës. Ndjeu një qarkulli të plotë gjaku, në pulpat e liruara. Porosinë ia sollën shpejt. Qe një vajzë e re, brune, truplastar, me flokë të prerë kapelon. Dha një buzëqeshje të lehtë dhe të ndrojtur. U kthye për të banaku, duke tërhequr pas tabakanë, me njërën dorë.
Ndenji, një copë herë, me vështrimin e mbërthyer, pas degëve të pemëve, që era i përplaste me një gërvishtje të lehtë, mbi xhama. Sikur donte që kujtesa, te xhamat, të mos ishte e rrafshët, të gëlonte te bulëzat, që mblidheshin në fund.
Rrufiti kafenë me nge. Shpirti, sikur i erdhi në vend. Dritat, jashtë në rrugë, akoma nuk qenë fikur, por ndriçimi, qe zbehur krejt. Qielli qe bërë i plotë, në kthjelltësinë e tij. Dielli, në skajin fundor, qe si një vezë syskë, që e rrufisnin buzët e një vajze të vogël që ende fërkonte syçkat, nga gjumi i vonuar, i natës. Tundi kokën, ndezi një cigare, që ta bënte pritjen më të përballueshme.
Konsullata donte edhe 20 minuta që të hapej. Ndoshta s’do ishte i pari që do priste, po do qe njëri midis tyre. Vazhdimisht, nxirrte dorën mbi tavolinë dhe i hidhte një sy të shpejtë orës. Minuta ecnin ngadalë, ngadalë, si plakat e ngarkuara me torba ushqimesh. Befas, një vrundull ere, i shkundi xhamat nga letargjia e brymës. Ai kapi veshët me duar. Mbylli qepallat dhe i shtrëngoi fort. Aq fort, sa ca cifla gëzimi dolën pa jetë. Gati u përmend te një pikëz vese, që qëndronte stoike mbi një gjethe stermadhe,përtej xhamave. Ç’fryu buzët. Donte ta thithte të tërën. Po pastaj hoqi dorë. Vari kokën më një anë si të ngelte te çengeli i tingujve, që breronte dhomën, me një butësi të pavrarë klithmash zogjsh.
Ndenji një copë herë ashtu. Pa e vrarë mëndjen. Në një pezull, që e shtyn horizontin me thembër. Ktheu gotën e konjakut me një frymë. Kapi ballin me dorë. Shtrëngoi tëmthat. Kafshoi pak buzën e sipërme. Dhe prapë pa orën. Nuk u besonte syve. Akrepat s’po lëviznin fare. Një ngerç kohor gëlltiti në fyt. Sa eshtë data sot, sa?! Qe një pyetje, që i erdhi nga pavetdija më e errët e shpirtit të trazuar. Si sot, 7 muaj më parë, mbaroi lufta. Ai, bashkë me shokët e tjerë, u kthyen nga malet fitimtarë. Po qyteza, ku ai qe lindur dhe rritur, qe rrafshuar, pothuajse krejtësisht. Edhe shtëpia e prindërve, qe djegur dhe shkrumbuar me themel. Edhe shkolla, ku jepte mësim, kishte pësuar të njëjtin fat. Trarët e çative kudo, ngjanin me skeletet e djegura. Krematoriumi i luftës qe i tmershëm. Ai mbeti, në qiell të hapur. Nuk kishte ku të fuste kokën. Kështu, si edhe disa luftëtarë të tjerë, qenë të detyruar të strehoheshin, përkohësisht, në një konvikt. Sesa, askush nuk e dinte me saktësi. Gjithsesi, në tërësinë e tyre, ndërtimet kishin filluar gjithandej, me një vrull dhe optimizëm të panjohur më parë. Edhe shkolla, ku ai kishte dhënë mësimin e matematikës, qe në përfundim e sipër. Edhe pak, ohh fare pak dhe ai do i bindej verbërisht, përsëri, ziles së shkollës, rregjistrit të notave dhe zërave çamarrokë të nxënësve. Qe një ndjesi që, pas shumë kohësh,po ndjente një vagull të ngrohtë, në shpirtin e gufmuar. Qeshi, disi lehtë, me vete, siç mund të qeshte vesa e plotë, në xhamin e zhgarravitur nga degët e zhveshura.
Qielli iu duk më i largët. Sikur e tërhiqte me vete një balon, që i kishte lënë ngjyrat, te një predhë e hapur, në kodrën e zhveshur,matanë përroit. Ik e ik tutje, në ca rrëmbime kohore, që përcaktohen, përfundimisht, në ca humbje të imagjinuara. Liturgjitë e disa portreteve, sikur zgjoheshin befas, te lëkurët e rrudhura të drurëve të njomë. Topitja e dritave, sikur fashitej, te tëmthat e atyre portreteve, me nje ngadalsi jo të zakonshme. Një varrezë sqepash, po rëndonte në brëndësi të tyre.
Pa orën shkarrazi. Erdhi koha të ngrihej. Por, befas, qe në një pështjellim, kur malli iu frynte reve, deri në mosegzistencë dhe shpirti që pajtonte ujrat, deri në mërgimin e ylbereve pa adresë. Furia e brëndshme ia shtynte brinjët, në pragjet që nuk ia harronte dot emrat. Pragje gjaku dhe rrënkime eterne.
U ngrit. Monedhat i la mbi tavolinë, bashkë me një bakshish të vogël. Doli jashtë. Ajri qe me dy mëndje. Peshoret i kishte hequr nga mesi. Gjithçka rëndonte, në hapat e vendosur të tij. Edhe fryma, që i dilte nga goja, kishte cm e hapave në ajër. U drejtua nga legata. Nuk qe larg. Aspak. Rreth 150 m më tutje. Vetëm pritja aty, kushedi sa km do të duhej të ishte. U mbush me frymë dhe vazhdoj më tej. Matanë, vallzimi i gjetheve, kishte një pushtet drithërues, mbi pushin e ngjeshur anës udhës. Fërgëllimat e padukshme qenë flaute të ajërt, në buzët e reve bredharake që i aviteshin qiellit, mespërmes. U ndal pranë një peme. Nxorri paketën dhe rrasi, midis buzëve, një cigare. Tymi, sipër kokës, sikur i ndolli një fytyrë të njohur. Shumë të dashur. U mbështet te pema dhe ngriti kokën, gjithë ndrojtje. E mbajti,një çast ashtu. Puliti qepallat disa herë. S’po iu besonte syve. Po, po, qe Era. Kishte një vështrim hepues dhe pyetës. Kishte një qortim, te ajo shkëndijë ndezëse. “ Po pse nuk erdhe, në shtëpinë time, po shkove dhe u struke në atë konvikt të braktisur”?! Një pyetje, që s’i dha asnjëherë, një përgjigje të saktë. Një driblim fjalësh, në një fushë të përcaktuar, me vija të qarta. Gjithnjë i dukej vetja, në pozicion jashtë loje. U gëlltit dhe hodhi cigaren, në tokë. E shtypi me thembrën e ngjeshur. Lëvizi nga vëndi. Në kurriz ndjeu një pllangë lagështire, që kishte formën e një ishulli trapeizodal, thellë në mish. Duart nuk hiqte nga xhepat e thellë të pantallonave, prej stofi të errët në gri.
Iu afrua Konsullatës. Hyri brenda. Kishte disa njerëz. Sidoqoftë, mendonte se do ishin shumë më tepër. Disa mbanin formularë në duar. Disa qenë përkulur, mbi ca tavolina të vogla dhe shkruanin, duke mos e ngritur kokën fare nga vëndi. U mbështet te cepi i derës. Pikërisht, sot qe dita që priste vizën. Por ndjente një ngacmim të brëndshëm, që nuk e linte të qetë, deri në fund. Disa nga pyetjet nuk qe i sigurtë që i qe përgjigjur saktë. Një qind për qind jo dhe linin vend për saktësime të mëtejshme. Beri një lëvizje me dorë, disi nervoze. “ çu bë u bë, të shohim më tej”!
Sytë nuk ia shqiste sportelit. Përtej xhamave, një grua e re, me një fytyrë ovale, flokë gështenjë, si përtej një flete radiografie, i dukej se po skanonte mërzinë dhe pritshmërinë e zgjatur të tij. Qe një shkrepje refleksive, me nuanca që atij iu dukën të paqarta. Ndjeu një rrënqethje rroposëse në trup. Mbylli sytë menjëherë, në një dremitje pa frena. Ashtu ndenji, nuk e di, për sa kohë. Papritur, u thirr emri i një gruaje. Një karrike u shkund nga vendi. Një trup u ngrit. Nxitoi hapat. U paraqit te sporteli. Pas pak, vuri duart te goja, I ndritën sytëe mëdhenj. “ Uah e mora, e mora, s’më besohet akoma” ! U turr nga dera, me një nxitim mornice. Ndjeu një lehtësim, që i shkrydhi gjymtyrët.
Jashtë frynte pak më tepër, aq sa për t’iu bërë më të ndjeshme drithërimën xhamave. Dielli qe akoma ne cep të skajit. Po projektonte parabolën, në qiellin e shkarrë. Dita kishte rritur gjatësinë e vet. Befas në buzë iu zvarrit një fërshëllimë. Pasta, menjëherë, e ktheu në një këngë të brëndëshme mbytëse. Qe pa rrokje. Një gurgullimë, që po kërkonte shtratin e brinjëve. Përgjumja e gjetheve të lagura mbi shkëmb. Gudulisja e currilës, me një emër të veçantë femëror. Eh, çfarë vërshimi i rrallë kujtimesh e pushtuan, atë çast! Një gardh ndjesish, me trandafila të këputur.
U thirr një emër. Një heshtje përpirëse pushtoi dhomën. Asnjë nuk lëvizi. Kastrioti u përmënd pak. Shqeu sytë. U trondit paksa. Pa, rreth e rrotull. Emëri u përsërit prapë. Iu mek goja. Fjala mbeti pa prindër. Syri i shkrepëtiu. Po, po qe emir i tij. Pa pikë dyshimi. Eci drejt sportelit. Në ecje sipër, u rregullua disi. Sportelistja i zgjati pashaportën. Sytë i kishte të ftohtë. Drita i kishte ngrirë në një pikë. U kthye shpejt me shpinë. E hapi. Iu errësua shikimi. Në ato fletë, gjëndej boshësia e humnertë. “ Jo, jo e pamundur! Nuk e besoj! E pamundur, një gabim njerëzor! Asgjë tjetër!”
U thye nga sporteli.
-Më falni! A mund ta di, pse nuk ma keni dhënë vizën?!Sportelistja mbylli paksa sytë dhe ngriti supet.
-Nuk e di çfarë të them! Gjëra që ndodhin.
-Si ndodhin?! Po pse pikërisht mua,- i tha ai, krejt i zbehtë.
-Short është, ndodh.
Ai u rrotullua në vend. Bëri ca ece jake të shkurtra.
-S’ka mundësi! Nuk mundeni të ma refuzoni, nuk mundeni! Sportelista shfry lehtë, nën buzë. Faqet iu varën, pak më poshtë. Vështrimi iu guruzua.
-Më falni, këtë e vendosën ata aty, brënda! Jo unë. Kështu e gjykuan.
-E kanë gjykuar gabim! Shumë gabim!
-Ju lutem hapuni! Lërini rradhën tjetrit!
-Mirë do iki! Po më parë kam edhe një kërkesë!
-Çfare?! Thuajeni!
Gruaja e vështroi, pas xhamit me ca sy të akullt, jo pa një lloj besdie të heshtur.
-Dua një takim me sekretarin e ambasadës! Thjesht një takim. Sa ta sqaroj, për diçka thelbësore!
-Tani nuk mundem!
-Ju lutem, ju duhet ta bëni! Njoftojeni!
Sportelistja nguroi, një çast. U ndje ngushtë. Për të mos thënë kaq! Fytyra e tij e vagullt kishte një erëfryrje, që vinte nga tjegullat e vrara, nga breshëri i mesnatës. Këmbëngulja e tij, aq sa e cuditshme, qe aq dhe paksa edhe anormale. Gjithsesi, dukej që kishte një bindje dhe një arsye të fortë. U ngrit pak me zor, pak me përtesë. Hapi derën dhe hyri. Nuk qëndroi gjatë aty. Doli me një çehre, disi më ndryshe, më të celur.
-Po ju pret sot! Në orën 16.
-Shumë faleminderit!
U kthye. Ndjeu një puhizë erëmimi, që e pështolli të tërin dhe e degdisi, përtej çdo paragjykimi, që kishte një fytyrë, gjysëm të errët. Doli jashtë. U mbush me frymë. Sytë e zmadhuar, i dhuruan ditës një piramidë me nuanca të papërputhshme…
Në orën 4, qe pranë Konsullatës. Hyri në oborrin e mbushur me pemë të gjithfarëllojshme. Kishte një boshësi të grinjtë. Mungonin zogjtë. Qe një tabllo e braktisur, nga cicërimat. Priti pak aty. Ngriti kokën nga qielli. Kishte një shtegtim pa pendë aty, në hapësirën që kishte formën e një sqepi të kthyer gjigand. E thirrën në emër.
-Zoti Kastriot, hyni ju lutem!
Ai u zhvendos para. Hypi shkallët e mermerta. Hyri brenda.
Gjëja e parë që pa,qe një burrë i ri, me syze të errëta, me skelet të hollë ngjyrë ari. Rrinte në këmbë, pranë tryezës.
-Uluni ju lutem!
I tregoi me dorën e zgjatur karriken. Kastrioti u ul. Kishte një vështrim të ngulët dhe pyetës.
-Dokumendtin dhe formularin tuaj e pamë me kujdes. Po kishte disa paqartësi. Në disa pyetje të veçanta, që nuk u jepnim dot një shpjegim të saktë.
Ai e ngriti kokën. Në bebëzën e tij, drita që vinte nga xhamat, kishte bërë një fileto të ngushtë që nuk e nxinte plotësisht, hamëndjen e tij.
Sekretari po shfletonte, ca fletë të rastit. Qëndroi te tavolina e punës dhe hodhi shikimin jashtë.
-Përshëmbull, ku si?!
Sekretari u kthye. Kishte një vështrim të vëmëndshëm, të matur, aspak dyshues. Vuri dorën, sipër mjekrës të gjatë dhe ovale.
-Ku banoni?!
-Përkohësisht, në konvikt.
-Nuk keni shtëpi?!
Ai tundi kokën. Sytë iu bënë më të vegjël dhe iu futën brënda.
-Me kë jetonit atje?!
-Me babën dhe motrën e madhe.
-Ku janë tani ata?!
-Baba u vra nga një predhë. Motra u strehua te shtëpia e të fejuarit.
Sekretari heshti, një copë herë. Lëvizjet në dhomë, u rralluan krejt. U ul. Mbështeti krahët mbi tavolinë dhe zgjati kokën para.
-Ku punoni?!Kastrioti qeshi hidhur me vete.
-Kam qenë mësues. Tani jo. Shkolla është rrafshuar krejt.
-Ashtu?!
Ai pohoi me kokë. Papritur zëri iu fik, si një fije shkrepëse në terr.
-Sa të holla keni me vete?!
-Aq sa për të kaluar, vetëm tri ditë.
Sekretari iu duk teje i menduar dhe shikimin e hodhi poshtë këmbëve.
-Me kë?!
-Kastrioti u trand. Diçka u shëmb brënda vetes. Fryma iu ngjit lart. Një fontanë emocioni i shpërtheu, nga sytë gjysëm të mbyllur.
-Me nënën time.
-Me nënën the?!
-Pikërisht, me atë!
-Pse nënën e ke jashtë?!
Ai pati një mallëngjim të skajshëm, sa sytë i perënduan, pas një telajo të blertë.
-Iku,pak kohë më parë, se të fillonte lufta.
-Po ku rri tani?!
-Te motra e saj.
Sekretari hodhi sytë nga xhamat, ku era vërdallisej me djallëzi. Kapi vetullat me gishta dhe I tërhoqi poshtë.
-Ka shumë vite, që motra e saj banon tek ne?
-Rreth 30 vite.
Sekretari heshti, një copë kohe. Lëroi kollaren nga qafa e hollë dhe diçka mërmëriti me vete. Sytë e kthjellët e të kthjellët, herë i afroheshin një herë qiellit, me pjesën më të ndjeshme, herë i afroheshin detit me tallazitjen e valëve në shpërthim.
-Pra ti do vesh të takosh nënën?!
Ai përkohësisht heshti, si kërcelli që pikon vesën, në fundin e vet.
-Po, patjetër! Po dua të të them edhe një sekret! Është arsyeja kryesore që dua të shkoj!
-Pa thuaje!
Kastrioti nguroi një hop. Morri frymë thellë. Sytë iu zgjeruan. Morën një nuancë, nga ferri që i shkakton zjarri dhe nga muzgu që pjell agimin e vet të purpurt.
-Thjesht, po shkoj të bëj një fotografi!
-Me kë?!
-Si me kë?! Me nënën time. Shtëpia u dogj krejt. Iu vu flaka nga të gjitha anët.
-Dhe?!
-Dhe albumet janë bërë shkrumb. S’kam asnjë fotografi me nënën. Ky është një tmerr i vërtetë. E pazakontë.
Sekretari pjerrësoi shikimin. Vuri gishtat te hundët dhe I thithi pak. Pas pak, ndjeu një tronditje të thellë në shpirt. Se kishte përjetuar kurrë më parë.
-Kjo është arsyeja e vetme?!
-Vetëm kjo!
-Më jep dokumentin!
Ai ia zgjati me dorën e shtrirë.
-Eja mere nesër! Udhë të mbarë!