Gazeta Nacional Albania

ARBËR AHMETAJ, “UNI INDIVIDUALIST”, BRENDA KODIT POETIK POSTMODERNIST, NË POEZINË E TIJ

Shenim për libri e ri me poezi të Arbër Ahmetajt, “Poezi” (Ahmetaj: 2022)

Nga Emrije Krosi. “Autori operon përmes autonomisë së tekstit (ose ajo që postmodernizmi e quan teksti “i mbyllur”) dhe për përcaktueshmërinë e kuptimit të tij, teksti postmodern është “i hapur”, pasi është pjesëmarrja e lexuesit që mendohet të jetë i parëndësishëm për tekstin në modernizëm, por lexuesi është vendimtar për tekstin në postmodernizëm (Lyotard: 1979), se poezia postmoderne është më e përkushtua.”

Shpirti është si një muzikë mendimesh: aty ku është shpirti, janë edhe ndjenjat, që kanë frymuar mijëra saga poetike të rrymave dhe modeleve të ndryshme, se vetë poezia është arsyeja sublime e bashkuar me filozofinë dhe përvojën jetësore/morale, duke formësuar një unitet të përjetshëm, duke lëvizur brenda kohëve foljore, metaforizmin e veprimeve të padukshme sesa reale përmes:
– tekstit të hapur dhe vlerave të papërcaktueshmërisë poetike,
– dallimit teorik midis një letërsie të përkushtuar ndaj varësisë së tekstit,
– pjesëmarrjes së lexuesve dhe një letërsie me mesazhe përmbysëse,
– thelbit të autonomisë absolute,
– argumentit historiko- letrar dhe përpjekjes për të ndryshuar ekzistencën dhe zhvendosjen
e vëmendjes ndaj tekstit të hapur poetik.
Brenda këtij këndvështrimi duhet përimtësuar edhe libri i fundit me poezi i Arbër Ahmetajt, me titull: “Poezi” (Ahmetaj: 2022), një poet që “luan me gjuhën” përmes vargjeve: kur isha ujk i ri/ me gjak blu/ (eh, ato ditë të largëta!)/ mblidhja manaferra/ në fund të rrezeve të diellit/ aty ku piqeshin/ majat e gjinjve të tu/ i mbytur në dritë/ me frymë ndizja shkarpa të lagështa, ku “loja fonemike dhe morfemike” supozohet të bëjë lexuesin zbulues të kuptimit të tekstit. Por nëse ne mund të shohim shkëputjen e gjuhës nga arsyeja, është e vështirë për të parë se çfarë e bën këtë liberalizim të gjuhës të llogaritet si (më)përtej “arsyeja”. Duke qëmtuar brenda ciklit poetik, që nga poezia e parë, “Dashuri në kishë” rezistenca ndaj poezisë, duke përfshirë të gjitha thyerjet e gjuhës, si perceptime të qarta të të gjitha situatave subjektive përmes vargjeve: në kishë flitet për dashuri,/ për mëkate që falen!/ Ti m’ulesh në prehër,/ hapur si pupël e butë reje/ nga rrezja./ Shoh burrin faqe pa rruar,/ Birin e Virgjëreshës Mari,/ rrëshqas në ty,/ i kryqëzuar!/ Kështu ecet drithëruar drejt besimit!/ Pllakave të gurta/ pikon dyllë prej qirinjve, një libërth me haiku të vjetër kinez,/ mbështjellë me beze,/ si bibël,/ zogj në kupolë/ dhe arabë të hutuar./ Ne bëjmë dashuri në kishë,/ se s’ka vend më të qetë,/ në qytetin e sirenave./ Ti m’puth
e lutja ime kalon/ përmes mushkërive të tua:/ Oh Zot, të dua!/ Dridhet ajri mbi altar…shtrirja kohore dhe haspsinore (gjeografike) përmes ndërtekstorisë (ndërfutjes së elementeve biblike),
si një afinitet më elitar, midis fuqisë së poezisë dhe artit më me shumë përgjegjësi dhe me energjitë, që janë jashtëzakonisht trans/progresive, me energji të fshehura duke mposhtur fuqitë e errësirës (Blake:1982). Në udhëtimin mespërmes poezisë, shpalohet uni individual, liriko-social, sidomos tematikave të njëkohësisë: jua harrova adresat,/ numra telefoni s’kishit atë kohë,/ Facebook e Facetime jo e jo./ Mbanit përparëse shkolle e bishtaleca,/ fjongo, jaka e bluza të bardha,/ të brendshme pambuku/ e mbajtëse gjinjsh të thjeshta, në poezinë: “Ish-të dashurave të mia të dashura” një temë globale, njohjesh përmes platformave sociale, si intekste (mesazhet sms) dhe hapsira virtuale e matjes së kohës jetësore me kohën elektronike, nëpërmjet komunkimit elektronik, ka ndryshuar jo vetëm modelin e ndërveprimit, një botë me hapsirë “digital natives”, si një ëndërr irreale, ku “liria e rreme” në botën virtuale është në varësi (jo)kimike me sjelljen, trupin, fiziken dhe shpirtin, se idenë se bukurinë estetike (në art dhe komunikim) mund ta shprehim si paraqitje tjetër, as përmes ironisë dhe satires, që janë elemente postmoderniste në vargjet e mëposhtme: ti e di, e dashur,/ ciganët,/ miqtë tanë buzë ujërave,/ luten:/ “Peshkun dhe dashninë e sotshme, falna o Zot!”/ Luten edhe për ne:/“Jepu, o Zot, koka-kola, telefona të shtrenjtë,/ Spitalin Psikiatrik dhe Ministrinë e/Brendshme,/ mos i lër, të lutem, pa policë e fatura. Poeti sugjeron nga jashtë, së është në gjendje të zotërimit anti/demonik, atëherë ndoshta një poet i tillë mund të çlirojë narratorin, përmes një teksti kanonik që zëvendëson zbrazëtinë e lënë nga prishja e teologjisë kristiane, si një lloj teksti teologjik zëvendësues (Stenier: 1997). Poeti herë hidhet në përshkrime pejzazhesh, (mjellma, zogjtë, mali, shiu, uji, alpet etj.,) herë hidhet në përtejbregun imazhist , herë tjetër në malet e hermetizmit: pemëve/ ua shoh molekulat e ujit,/ rrezet e diellit nëpër qeliza,/ uzinën e vogël të fotosintezës,/ kripërat minerale,/ pompat qelizore që prodhojnë oksigjen/ dhe djersët në formë arome, ndërmjet pejzazheve mendore, përthyreja e vargut të lirë, tejkalon format klasike /neoklasike, si një kërcënim të thelbit human të njeriut bashkëkohor përballë pushteteve tjetërsuese postmoderniste (Tufa: 2019).
Shumë poezi nuk kanë tituj, por dashuria është rrafshi ku bleron realja dhe surreajla përmes vargjeve: grua e bukur,/ e padashuruar,/ është e papranueshme,/ duhet nisur nga e para., sepse dashuria është vetëm një pjesë e materiales, jo e materies të qenies shpirtërore. Dashuria është një e “burgosur”: mos harroni:/ hapni një klasë puthjesh te burgu i vrasësve! Burgun e kemi brenda kafkës;/ puthjet janë jashtë nesh,/ të druajtura,/ si viktima para vrasësit! Lundrimi nëpër titujt si: “Gruaja”, “Absurdi”, “Librat e mi të pashitur”, “Uqrit e mi”, “Ulkonja” “Përkulet burri i Alpeve!” autori ka shestuar “kodin e vendlindjes”: kishte akoma peshk kinez në Tropojë/ e dinamit/sovjetik/ për trofta t’Valbonës,/ kishte boll këlyshë kurvash,/ si këlyshë qensh,/ që këndonin në kor/ këngën e kurvarëve;/ ata ishin në krye,/ u prinin të pareve, ku realja dhe superrealja, stimulohet nga e vërteta, përmes ironisë/ alegorisë,/parodisë sesi poetikat postmoderniste “thyhen” përmes metanarratives (Hassan: 2001). E do të puth aty ku do të varej kryqi,/nëse do ta mbaje,/në do t’më lejohet!/Do shkoj në qershor në Shkëlzen,/do u lutem zotave, me disa tendenca atipike letrare dhe kulturologjike, sepse vështirësitë e të kuptuarit të poezisë ishte një mister, se ka edhe gjendjeje hipnotike, si në aktin e krijimit ashtu edhe në atë të receptimit, një lloj sui generis, se poezia lexohet dhe shijohet, por interpretimi ka vështirësitë që dihen, si njësi e unitetit tekstor (Culler: 2002) . Kodet që ndeshen në këtë tekst poetik janë në funksion të:
 funksioni i kodeve tematike metaforike dhe simbolike,
 leximi/interpretimi procesual i një teksti konkret,
 realizimi funsional i kodeve simbolike,
 kodet operacionale (në tekt) që mbivendosen si shumësisë së kodeve të tjera,
 aktivizimin i kodeve të rrjetit të diskursit surreal/absurd/hermetik/posmodenist etj.
Në paskthimin e poetit, lexohet tronditja, dhembja, por edhe harrimi nga e shkuara, për varfërinë e atdheut të tij me qytetet-burgje: ju lexonit fjalime me sintaksë/ zinxhirësh e rropullish!, ku dyvargori përmes alegorisë dhe sarkazmës, na paraqet mjerimin epokal migjenian të shqiptarëve prej gjysëm shekulli: ushqeheshim me lakra,/ me laskra,/ visheshim zhveshur me lecka,/ hijeshia ish shpallur e ndaluar,/ kishte veç shëmti,/ spitale/ dhe njerëz të skaduar, se krijuesi është në kërkim të mbinjeriut niçean, për të mbijetuar në realitetin, jo vetëm ahmetjan, por edhe më përtej, duke rrokur skepticizmin, përmes “zhvarrimit të metaforave” (Sokoli: 2003). Edhe poemat janë pjesë e këtij korpusi poetik: fryn erë/ e m’i lëkund metaforat./ Zogjtë lodhen,/ bletët flenë,/ lulet kërrusen si muzgje./ Në inventarin e paktë të lumturive të mia:/ liqeni dhe mjellma,/ lulet,/ mjalta e yjeve,/ syri i zogut / dhe druajtja e vjollcave,/ që të ecin në lëkurë,/ gjithçka që ka aromën tënde,/ sekonda që përkulet si urë,/ deri tek ti më sjell/ veç djersa e pyjeve!
Tekstet postmoderne zbulojnë skepticizëm në lidhje me aftësinë e artit për të krijuar kuptimin, aftësinë e historisë për të zbuluar të vërtetën dhe aftësinë e gjuhës për të përcjellë realitetin. I gjithë ai skepticizëm çoi në histori të fragmentuara, të hapura, vetë-refleksive që janë interesante intelektualisht, por shpesh të vështira për t’u kuptuar. E teknikat stilistike të postmodernizmit përfshijnë përdorimin e shpeshtë të interseksualitetit, metafiction, shtrembërim të përkohshëm, realizmi magjik, fraksionit, përfshirja e lexuesit dhe teknikat minimaliste të zvogëlimit, mosveprimit dhe sugjerimit (Lathan: 2015). Autori operon përmes autonomisë së tekstit (ose ajo që postmodernizmi e quan teksti “i mbyllur”) dhe për përcaktueshmërinë e kuptimit të tij, teksti postmodern është “i hapur”, pasi është pjesëmarrja e lexuesit që mendohet të jetë i parëndësishëm për tekstin në modernizëm, por lexuesi është vendimtar për tekstin në postmodernizëm (Lyotard: 1979), se poezia postmoderne është më e përkushtuar:
a) për të përshkruar (më)pëtej vetvetes,
b) si një mohues i modernizmit,
c) për shfuqizimin e çdo dallimi midis kulturës së lartë dhe të ulët,
d) mbi idetë e rendit, sekuencës dhe unitetit, që veprat e artit ndonjëherë i braktisin,
e) përmes pasqyrave të realitetit të fluksit dhe copëtimit të jetës njerëzore,
f) për skepticizmin për aftësinë e artit për të krijuar kuptimin,
g) përmes paaftësisë së historisë për të zbuluar të vërtetën,
h) apo edhe paaftësia e gjuhës për të përcjellë realitetin.
Postmodernizmi sfidon supozimet bazë të “modernizmit” në lidhje me rolin e mendimit, racionalitetit ose arsyetimit shkencor në drejtimin e të kuptuarit tonë të gjendjes njerëzore. Në kontrast me modernizmin, postmodernizmi (Ashtin: 2005), hedh poshtë idenë e marrëdhënieve të qëndrueshme midis shenjës dhe të shenjuarve, duke pretenduar se ekzistojnë vetëm shenjuesit, apo edhe interesimi i vetë poetit për ekologjinë, historinë, ndjeshmërinë dhe një interesi të thellë për të eksploruar. Dëshira për të kapërcyer kufijtë e postmodernizmi, përmes transcendencës, është një integrim i përvojës njerëzore në universin global, ku poezia është anija që na shpëton nga asimilimi ynë human.

Së fundmi: për të kuptuar trajtën postmoderniste të poezisë së Arbër Ahmetaj, mjafton të lexojmë këto vargje:

Me etjen e kuajve në sy
nisem drejt lumit
që je ti
e mbush enët e gjakut
me avuj blu