Natasha Xhelili: Rreth studimit të Timo Mërkurit “Blatime poetike të Niko Kacalidhës”

Mund të thuash se nuk mbetet më asgjë e fshehtë nga poezia e Niko Kacalidhës, pasi lexon tekstin studimor të Timo Mërkurit “Blatime poetike të Niko Kacalidhës”( botuar nga “Onufri” 2023). Para se të fillojë ta shkruajë studimin së pari ka lexuar veprën e plotë të Niko Kacalidhës, së dyti ka lexuar studime të autorëve të ndryshëm shqiptarë e grekë ( Kacalidha ka botuar vepra në gjuhën greke e shqipe pothuajse në të njëjtën masë), së treti ka mbledhur informacion të hollësishëm e të një shtrirjeje të gjatë kohore të jetës letrare, shoqërore e personale të autorit.
Pikënisja e studimit është vepra “Heraldikët e borës” që është një përmbledhje e krijimtarisë më të mirë poetike të autorit. Timo Mërkuri parashtron teza dhe pastaj i plotëson me argumente mendimet e veta pro ose kundër tyre. Ai shprehet: Niko Kacalidhën e kanë quajtur si një poet jo (shumë) social, që rri paksa i mënjanuar ndaj aktualitetit, kinse merret me zogj e drurë për të mos u marrë me njerëz, kinse arratiset nëpër epokat homerike për t’ju shmangur ballafaqimeve sociale.
Në këtë mënyrë ai parashtron tezën që duhet ( në këtë rast) t’i kundërvihet me argumentet e tij të cilët i mbron deri në fund. Si në shkrimet argumentuese ai çon përballë antitezën e tij: Niko Kacalidha është ndoshta poeti më social në poezinë bashkëkohore shqipe, poeti më modern social, me një poezi metaforike dhe simbolike.
Duke e njohur në thellësi poezinë e Kacalidhës ai arrin në përfundime që i japin këtij teksti pamjen e një vepre të mirëfilltë studimore: Niko Kacalidha është një njohës i shkallës sipërore të gjuhës shqipe dhe një mjeshtër i madh i vendosjes së fjalëve me lidhje melodioze në vargje. Ai sjell shembuj të një fjalori të veçantë që përdoret nga autori, fjalët e “rënda” shqipe vendosen në varg si notë në pentagram.
Megjithëse përshkruan me nota vlerësuese poezinë e poetit Niko Kacalidha e sheh me vend të tregojë rrugëtimin e tij poetik dhe kohën e vetmisë së madhe pas shkrimit të poezive që cenuan biografinë e tij poetike.
Autori krahason poezinë e tij me poetë të kohës duke përshfaqur guximin e tij për ta shkruar atë poezi në kohën e dimrit të artit shqiptar. Bëhet fjalë për poezinë “Lule e vetmuar”, të cilën autori e krahason me poezinë “Far i vetmuar në jug” të Agim Matos të ngjashme nga tematika, por ndryshimi i kohës së botimit sjell në plan të parë guximin e tij.
Gjithashtu ai e krahason poezinë e tij me atë të F. Rreshpes për nga niveli artistik, por shprehet se ajo është e përshkuar nga drita, gëzimi e shpresa për jetën. Ai u shfaq me një poezi metaforike surrealiste dhe afri stilistikore kishte me shumë me Fatos Arapin, ndërsa shpirtërisht ishte më i afërt me poezinë e Frederik Rreshpjes, por me një Frederik të “qeshur’ e plot dritë” , një poezi të cilës sot i qaset së tepërmi Natasha Lako. Autori guxon të krahasojë e të vlerësojë autorë të letërsisë shqipe të kohëve e rrymave të ndryshme letrare, gjë që tregon njohjen e thellë që ka Mërkuri për letërsinë e autorët e letërsisë shqipe në përgjithësi.
Ai krahason edhe poezi me tematikë të ngjashme të Kacalidhës për të përshfaqur elemente të jetesës së poetit dhe ndikimin nga kushtet ku jetonte e kohën në të cilën i ka shkruar.
Kështu autori ka shkruar dy poezi që u kushtohen dëshmorëve: poezia “Llambi Llambraqi” është nën një ndikim direkt të artit gojor me motive vajtimore, ndërkohë që poezia për Lefter Talon e ka disi të “fshehur” mes luleve këtë ndikim dhe pikëllim.
Sigurisht që ky libër është një vlerësim për poezinë e poetit Kacalidha, përpos faktit që e përshfaq atë të plotë e në evolucion: Në qoftë se shumë poetë e përdorin metaforën për të “ngritur” poezinë, Kacalidha lëvron poezinë metaforike, të cilën duhet të dish ta lexosh.
Autori ka mbledhur material të bollshëm mbi edukimin dhe ndikimin e personave dhe librave të ndryshëm që kanë ndikuar në formimin e tij si njeri së pari dhe pastaj si poet. Ai tregon rolin e madh që ka luajtur gjyshja në edukimin me frymën popullore nëpërmjet miteve dhe legjendave që u tregonte fëmijëve dhe tre librat që i ka lexuar së pari e kanë brumosur shpirtin e tij artistik: tre libra që u bënë vendimtarë e që ndikuan në formimin poetik të Kacalidhës. Këto ishin Odiseja, Ungjilli dhe Libri i Ëndrrave.
Shpjegohet edhe mënyra e ndikimit të këtyre librave në jetën e poetikën e Kacalidhës. Autori me të drejtë kërkon të sqarojë deri në fund pohimet e tij për të mos pasur keqinterpretime: Ai cilësohet “ungjillor” për shpirtin e tij paqësor, për dashurinë universale ndaj njerëzimit, për mungesën e urrejtjes në jetën dhe vargjet e tij. Këtë fakt e kanë vënë re edhe kritikët grekë, te poezia e shkruar greqisht dhe botuar në Greqi.
Dhe për ta përmbyllur mjaftojnë fjali të shkurtra që shprehin përfundimet e një studiuesi : Ai nuk është një prift me veladon, ai është një poet me shpirt dhe vizion.

Përqasje e poezisë së Kacalidhës me autorë të tjerë

Krijohen përqasje me thënie të Biblës e vargjeve të poezisë së Kacalidhës E para ishte fjala( Bibla) me: akti i parë në ngjizjen e botës do të ketë qenë puthja.
Duke lexuar dhe studiues të tjerë të veprës së Kacalidhës ai bie dakord për ndikimin e veprës letrare të De Radës në poezinë e Kacalidhës. Është njësoj sikur Niko Kacalidha të merrte te arbëreshi i madh një kalem kangjele e ta mbillte në kopshtin poetik, duke mbushur me aromë pranvere gjithë krijimtarinë e tij. Ai përdor shprehje popullore për të dhënë mendimin e tij sa më qartë.
Evidenton përngjasimin dhe ndikimin nga letërsia e arbëreshit të madh si e quan ai. Ritmin e brendshëm poetik të De Radës dhe hapësirën e gjerë të dritës, erën e malit dhe shijen e jodit të detit do ta gjeni të çdo poezi e Niko Kacalidhës. Këto janë mendime të një studiuesi të mirëfilltë të letërsisë që e njeh mirë atë dhe guxon të shprehet me qyrkun e një studiuesi.
Si një poet që shkruan dhe është i suksesshëm në dy gjuhë shqip dhe greqisht, nuk do ti mungonte librit edhe parashtrimi i veprave të botuara në gjuhën greke para dhe pas viteve 90 duke treguar suksesin dhe arritjet edhe te këto botime të cilat kulmojnë me dhënien e dekoratës vlerësuese nga kryetari i parlamentit grek gjë që mendoj është bërë shkas edhe për botimin e kësaj vepre nga Timo Mërkuri.
E quan me vend të sjell vlerësime të shumta nga autorë të rëndësishëm të letërsisë greke të cilët e vlerësojnë veprën e tij elitare dhe me nivel të lartë artistik, mbi të gjitha për gjuhën e përdorur që nuk i ngjan aspak gjuhës së një poeti minoritar, por është një autor që e njeh në thellësi letërsinë greke dhe përdor një fjalor të pasur.
Ai ka ndjekur ecurinë krijuese të Kacalidhës hap pas hapi. Ai sjell detaje nga jeta e tij si të jetë një kronikan që nuk lë t’i shpëtojë asgjë që kronika e tij të jetë sa më e saktë dhe mbi bazën e kësaj arrin në vlerësimin e poezisë e veprës së N. Kacalidhës në përgjithësi.

Vlerësimi për poezinë e Kacalidhës

Mërkuri arrin në përfundime të rëndësishme për poezinë e Kacalidhës. Ai identifikon pikënisjen e krijimtarisë së tij si një poezi moderne e mbështetur fort në traditë: Duke lexuar me vëmendje poezinë e Niko Kacalidhës sheh dhe ndjen se Bibla, mitologjia dhe Homeri janë tre limane ku ankoron për furnizime në prag të udhëtimeve të gjata anija e tij e poezisë moderne.
Mërkuri e cilëson atë një poezi që nuk i përket një apo dy kombeve, por gjithë korpusit të poezisë evropiane me nota surrealizmi e hermetizmi që mund të gabosh po ta prekësh e ti prishësh tërësinë.
“Heraldikët e borës” cilësohet me të drejtë si ungjilli poetik i Kacalidhës. Përmbledhja e poezive të përzgjedhura fiton cilësinë e një vepre letrare me nivel të lartë artistik duke e renditur Kacalidhën ndër poetët e rëndësishëm të letërsisë shqipe bashkëkohore.
Pohime të tilla si: Ajo që duhet shënuar është se Kacalidha beson te poezia më shumë se te një fe, tregon se Mërkuri e ka gjetur çelësin e leximit të poezisë së tij dhe na e sjell të rilexuar sipas këndvështrimit të tij.
Mërkuri citon vargje që tregojnë këndvështrim origjinal të perceptimit të botës si: Të shtatën ua la poetëve ta ribënin botën nga e para. Si zoti ashtu edhe poetët kanë magjinë e krijimit dhe kur zoti bëri pushim ditën e shtatë, poetët e ribënë botën nga fillimi.
Megjithëse evidenton nota autobiografike në krijimtarinë e Kacalidhës Mërkuri i tejkalon këto nota kur thotë se kjo ka ndodhur në çdo fshat apo vend të Shqipërisë. Niko Kacalidha që banon në tokë. por jeton në planetin e poezisë dhe kjo duket se poezitë e tij kanë një frymëzim sa hyjnor aq dhe jashtë kësaj bote edhe kur temat i ka tepër tokësore.
Megjithëse autori e njeh mirë letërsinë greke e në veçanti Homerin, duket se qëndron i paprekur nga përmbajtja e saj. …autori e ka në stilin dhe natyrën e tij të ngrejë poetikisht njerëzit në tempullin hyjnor dhe jo të zbresë zotat në tokë. Siç shihet ai ka një qëndrim të vetin, të pandikuar, që do të përmbush misionin e tij si “poet që ka krijuar botën”.
Ky libër është nxitës për të hyrë në portën e poezisë së Kacalidhës dhe për një lexues jo të rafinuar, është çelësi i leximit të tij. Libri është shkruar me pasion nga një autor i dashuruar me poezinë e mirë. Tregon një erudicion të gjerë nga fusha të ndryshme për të sjellë gjithanshmërinë dhe bukurinë e poezisë së Kacalidhës. Ai ka gërmuar thellë në biografinë e autorit për të zbuluar detaje. Gjurmimi në jetën e autorit krijon paralele me heronj të librave apo mistikës të cilat sjellin pamje të mrekullueshme të procesit të krijimit e perceptimit të tyre. Niko Kacalidha kërkoi dhe gjeti shpëtimin te drurët duke bërë “varka” vargjesh me drurë për të shpëtuar nga vërshimi përmbytës i soc-realizmit në art si Noa që ndërtoi varkën e tij të shpëtimit nga përmbytja e ujërave si pasojë e zemërimit të Zotit. Ndryshimi është se Noa e bëri varkën e tij me porosinë e Zotit dhe mori në të familjen bashkë me nga një çift shpesë e kafshë të gjalla, që të shpëtonte fara e krijesave të gjalla mbi tokë, ndërsa Niko Kacalidha ndërtoi një “flotije” varkash poezi dhe ngarkoi në to gjithë botën e tij moderne poetike. Në qoftë se Noa e braktisi varkën pas tërheqjes së ujërave, poeti i solli varkat në limanin e ditëve tona dhe zbriti mes nesh “Heraldikët e borës” dhe botimet greqisht në limanet greke.
Mërkuri arrin në përfundime: ai është mjeshtër i paraqitjes poetike të emocioneve shpirtërore, të cilat ai i derdh direkt nga shpirti i tij në format e artit poetik. Nëse do themi se poezia e Niko Kacalidhës është një pikturë, atëherë detyrimisht do shtojmë frazën: “Ajo është një pikturë që di të këndojë”.
Dihet se fëmijëria ndikon së tepërmi, për të mos thënë që është faktori kryesor në brumosjen e shpirtit të një poeti. Eksplorimi i elementeve biografikë, roli i gjyshes dhe rrethanave në të cilat u rrit poeti e nxitin Mërkurin të pohojë pa frikë: Poezitë e Kacalidhës janë plot dritë e ajër të pastër pyjesh malore, ku era sjell aromën e luleve dhe këngët e zogjve. Thuajse është diçka parajsore, jo reale, fantazmogorike, por fakti që poeti është i sinqertë në vargjet e tij, sa mund të themi se ai është “një poet me shpirt fëmije”…dhe si mund të shkruhej më bukur dhe më ëmbël sepse siç shkruante Tomas Man: “…në vetmi lind origjinaliteti”, ai origjinalitet që e shpie Kacalidhën në grupin e poetëve më të mirë shqiptarë.

Rëndësia e “Blatimeve” të Kacalidhës

Ky libër është i rëndësishëm për disa arsye:
Së pari ai paraqet një këndvështrim të gjerë (në fakt më shumë se një), duke hapur portat e horizontit e duke sjellë pamjen e mahnitshme që ka gjetur aty. Për lexuesin bëhet më e lehtë të shijojë magjinë e vargut të Kacalidhës.
Së dyti evidenton cilësi të qenësishme të poezisë së tij duke u bërë vepër e mirëfilltë e kritikës letrare. Thekson përdorimin e fjalëve të rënda të gjuhës shqipe në poezinë e Kacalidhës, muzikalitetin e vargjeve, e rreshton te autorët modern të letrave shqipe, poezinë e cilëson si metaforike e simbolike e krahason me poetë të tjerë bashkëkohorë etj.
Së treti nuk është thjesht një analizë për Heraldikët, por e poezisë në përgjithësi. Krahasimi i poezisë së Kacalidhës me autorë të tjerë të letërsisë duke treguar të përbashkëta e dallime, duke analizuar e përgjithësuar.
Së katërti sjell në një vepër të vetme një pjesë të mirë të kritikës letrare për poezinë e Kacalidhës duke konfirmuar gjetje të autorëve e studiuesve të letërsisë për të. Në këtë mënyrë krijon një panoramë të plotë të ekzistencës e rolit të Kacalidhës në letërsinë shqipe, por jo vetëm. Ai e sheh atë si pjesë të letërsisë bashkëkohore në përgjithësi.
Së pesti është e shkruar me pasion, me një terminologji të pasur dhe me figuracion, larg veprave të ftohta të kritikës letrare. E lexuar kështu duket si një ese e bukur letrare që të frymëzon e të mbush shpirtin me dashurinë e leximit.

Delvinë, korrik 2023