Site icon Gazeta Nacional Albania

Ardi Omeri, poet: Riorganizimi, ose rikrijimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë është detyrë e jonë kombëtare

 

  1. Si mund të ndërtohet një organizatë e re që të jetë realisht demokratike, pluraliste dhe transparente, duke shmangur çdo ndikim ideologjik, politik, krahinor apo klanor?

-Riorganizimi, ose le ta quajmë rikrijimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë është jo vetëm e nevojshme, por detyrë e jona karshi një armate të madhe krijuesish dhe artistësh në mbarë kombin. Sot, kur në rrjetet sociale fjala poet apo artist përdoret kuturu, madje edhe për ata që nuk kanë asnjë lidhje me këtë titull fisnik, del si detyrë imediate riorganizimi dhe vënia në themele të pastra e të qarta e këtij emri. Artistë dhe poetë/shkrimtarë nuk mund të jetë kushdo, me tekat apo qokat popullore të rrjeteve sociale. Ka disa kritere profesionale që pa dyshim një Kuvend Kombëtar duhet t’i sanksionojë dhe përcaktojë qartë. Anëtarët e kësaj Lidhjeje duhet të jenë njerëz të denjë për këtë emër dhe kjo anëtarësi varet vetëm nga veprimtaria krijuese e secilit, pa përkatësi politike, race apo klani. I vetmi përcaktim duhet të jetë krijimtaria personale e individit dhe kombësia shqiptare.

  1. Cili duhet të jetë roli i një Lidhjeje moderne të krijuesve: thjesht një shoqatë simbolike, apo një institucion aktiv që negocion standarde profesionale, kontrata dinjitoze, politika botimi dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit?

-Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve duhet të jetë institucion i cili bazohet në kuotizacionin e anëtarëve, nga donacionet private dhe shtetërore (që janë të detyrueshme për shtetin shqiptar) dhe nga të ardhurat e botimeve dhe buletineve (të cilat duhet të përcaktohen nga Kuvendi dhe më pas Kryesia e Lidhjes).

Të drejtat e autorit duhet të jenë ekskluzivitet i Lidhjes dhe çdo institucion tjetër të quhet i paligjshëm. Në bazë të marrëveshjeve që do të lidhen më pas me Shtetin Shqiptar, këto të drejta dhe ndarja e tyre sipas përkatësive dhe meritave i takon dhe duhet të jetë vetëm e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Një departament i veçantë i Lidhjes duhet të ngrihet vetëm për këtë dhe, pasi të kenë kaluar përqindjet tek artistët, një pjesë e të ardhurave kalon në buxhetin e Lidhjes.

  1. Në një kohë kur ekonomia kreative është sektor strategjik në shumë vende, pse në Shqipëri mungon një strukturë e unifikuar që të artikulojë kërkesat e shkrimtarëve dhe artistëve përballë shtetit dhe tregut kulturor?

Pjesa e marketingut dhe tregut është më shumë në dorë të secilit dhe nuk mund të kontrollosh tregun. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve s’ka përse të merret me marketing personal. Por, nëse të gjithë bien dakord, mund të ngrihet një komision që të funksionojë brenda departamentit të marketingut për të sugjeruar ose vlerësuar oferta dhe të ndihmojë autorë të ndryshëm në botimet e tyre sipas mundësive personale. Kjo nuk mund të jetë kurrsesi (mendimi im) një kushtëzim për botime. Tregu është dhe duhet të mbetet i lirë (natyrisht duke kontrolluar qokat e institucioneve letrare të Ministrisë së Kulturës, që për interesa të caktuara japin çmime për të favorizuar X apo Y shtëpi botuese me qëllim drejtimin e autorëve në botime drejt këtyre shtëpive botuese).

  1. A nuk është koha që krijuesit shqiptarë të kenë një zë të përbashkët institucional për të ndikuar në politikat kulturore kombëtare dhe për të promovuar në mënyrë më të organizuar letërsinë dhe artet shqiptare brenda dhe jashtë vendit?

-Sic e shpreha më lart, sot institucionet e librit në Ministrinë e Kulturës funksionojnë me baza klani e lobimesh. Klani mafioz që është krijuar tashmë në sektorin e librit është ndër më të rrezikshmit që ka pasur Shqipëria ndonjëherë. Ky klan kontrollon botimet nëpërmjet çmimeve kombëtare dhe fondeve të përkthimit. Këto juri të QKLL, të cilat janë vetë juri e vetë fitues e përcaktues, drejtojnë autorët të botojnë në shtëpitë botuese Albas, Onufri, Toena, Dituria, Pegi e pak të tjera. Këto ndajnë mes tyre edhe qokat në çmimet kombëtare, në fondin e përkthimeve dhe promovimet. Pa folur për panairet, që pjesën e luanit e marrin të njëjtat shtëpi botuese. Mjafton të shikosh shpërndarjen e “terrenit” në Panairin e Librit në Tiranë për të kuptuar se kush janë “shefat” e mafies së librit. Duke qenë se, pas rikrijimit, Panairi duhet të organizohet nga Lidhja e Shkrimtarëve, çdo gjë duhet të bëhet transparente dhe tarifat e pozicioneve në panair po ashtu. Gjithashtu, edhe pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare duhet të jetë me votim dhe me kontribute. Me meritokraci e jo me qoka e tarafe. Çmimet kombëtare duhet të jenë ditë feste për autorët dhe çmimet të jenë transparente nga juri që duhet të punojnë gjithë vitin për të ndarë ato çmime. Le të jenë edhe të paguar për të lexuar krijimet tona, por ama të lexojnë, jo si juritë aktuale që një anëtare jurie thotë: “Unë lexoj 100 libra, fillimin, mesin dhe fundin”, sepse kështu kuptoj “brumin” e krijuesit. Të tillë “Zeus” ne nuk duam më.

  1. A jeni dakord që të thirret një Kuvend i ri i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, mbi baza statutore, transparente dhe gjithëpërfshirëse, gjatë këtij muaji, me qëllim riorganizimin dhe riaktivizimin e saj si shoqatë funksionale në shërbim të krijuesve shqiptarë?

-Besoj se këtë përgjigje e kam dhënë në çdo paragraf të përgjigjeve të mia në këtë pyetësor. Jam i lumtur që do të jem pjesë, edhe pse për arsye shëndetësore, jo pjesë fizikisht, por shpirtërisht do të jem aty dhe do të jap ndihmesën time për mbarëvajtjen e këtij Kuvendi, që duhet të jetë një ditë feste për të gjithë artistët, poetët dhe shkrimtarët në mbarë kombin. Duhet të jetë Kuvendi i Artistëve dhe Shkrimtarëve. E nënvizoj këtë jo më kot. Në amullinë e madhe të përcaktimeve të këtij emri të madh dhe fisnik duhet të ketë vetëm një kriter: krijimtaria fizike (jo virtuale) dhe meritokracia. Unë nënvizoj që emrat e shkrimtarëve të shquar dhe artistëve të shquar të kombit s’duhet të jenë në kryesi, por senatorë të Lidhjes, të cilët të kenë të drejtë vetoje kur nuk janë dakord me vendimet e Kryesisë. Unë mendoj se nuk mund të jenë aktive shkrimtarë dhe artistë të mëdhenj që janë në moshë 85-vjeçare, por ata janë nderi ynë dhe duhet të jenë në podiume dhe në krye të Lidhjes si senatorë të përjetshëm. Ndërsa Kryesia dhe Kryetari të zgjidhen çdo 2 ose 3 vjet.

Ju falënderoj për pyetjet e rëndësishme dhe shpresoj që më dt. 20 Maj e gjithë Shqipëria të ketë këtë lajm të mrekullueshëm.

+++

-Pyetjet i bëri dr. Mujë Buçpapaj, Gazeta letrare dhe kulturore Nacional, Tiranë.

Shënim: Të gjithë ata që dëshirojnë të përfshihen në këtë debat janë të mirëpritur, pa asnjë dallim, të dërgojnë përgjigjet e tyre sa më të përqendruara dhe profesionale në adresën: bucpapaj@yahoo.com, nacionalalbania@yahoo.com, në WhatsApp dhe FB. Përgjigjet do të publikohen në gazetën letrare dhe artistike Nacional (në variantin e printuar), në Nacional Online, si dhe në platformat mediatike të rrjetit Nacional: në faqet e Radios Nacional, TV Nacional Online, në podcastin Albanosfera, që transmetohet në bashkëpunim me platformën televizive TIBO, në emisionin “Qëndrim” të Albanian TV Community në SHBA, si dhe në të gjitha rrjetet sociale ku transmetojnë mediat Nacional, me një audiencë të gjerë mujore me rreth 10 milion ndjekës.

 

 

Exit mobile version