RIORGANIZIMI I LSHA, DOMOSDOSHMËRI QYTETARE, KULTURORE DHE KOMBËTARE
Nga Hamdi Hysuka, Klubi letrar “Pjetër Budi” Mat
Debati për riorganizimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë nuk duhet parë thjesht si një çështje organizative apo nostalgji për një institucion të së kaluarës. Në thelb, ai është një debat për vendin që zë kultura në jetën kombëtare shqiptare dhe për mënyrën se si shoqëria shqiptare e trajton krijuesin.
Rëndësia e këtij debati qëndron pikërisht te fakti se ai po rikthen në qendër të vëmendjes publike figurën e shkrimtarit dhe artistit si ndërgjegje kulturore e kombit. Për shumë vite, krijuesit shqiptarë kanë qenë të shpërndarë, pa përfaqësim institucional dhe shpesh të pambrojtur përballë tregut, harresës apo indiferencës shtetërore. Prandaj, vazhdimi i këtij debati është i domosdoshëm, por ai duhet të zhvillohet me qetësi, qytetari dhe frymë bashkuese. Mbi të gjitha, ky debat duhet të shmangë konfliktet personale, ndarjet ideologjike apo rivalitetet krahinore. Një organizatë moderne e krijuesve nuk mund të ndërtohet mbi përjashtimin, por mbi respektin për pluralizmin, meritën dhe lirinë krijuese. Vetëm kështu mund të lindë një institucion që përfaqëson realisht botën letrare dhe artistike shqiptare.
Nëse ky proces do të arrijë të bashkojë energjitë më të mira krijuese, atëherë ai mund të shënojë jo vetëm rikthimin e një organizate, por rilindjen e një vetëdijeje të re kulturore shqiptare. Dhe kjo do të ishte fitore jo vetëm për shkrimtarët e artistët, por për vetë kulturën kombëtare shqiptare.
-A është e pranueshme që shkrimtarët dhe artistët shqiptarë të mos kenë sot një organizatë të fuqishme, të pavarur dhe përfaqësuese, që mbron interesat e tyre profesionale, ekonomike dhe kulturore, ndërkohë që pothuajse çdo kategori tjetër profesionale ka strukturat e veta përfaqësuese?
-Jo, kjo nuk është e pranueshme, as normale për një shoqëri që pretendon të ketë vetëdije demokratike dhe kulturore moderne. Shkrimtarët dhe artistët nuk janë thjesht individë që krijojnë në vetmi. Ata janë zëri shpirtëror dhe kujtesa kulturore e kombit. Mungesa e një organizate të fuqishme, të pavarur dhe përfaqësuese i ka lënë krijuesit shqiptarë pa mbrojtje profesionale, pa zë publik dhe shpesh të pambështetur përballë sfidave ekonomike, të drejtës së autorit dhe politikave kulturore.
Është paradoksale që krijuesit, ata që mbajnë gjallë identitetin kulturor të një kombi, të mbeten të shpërndarë dhe pa një strukturë të përbashkët kombëtare. Një organizim i shkrimtarëve dhe artistëve nuk duhet parë si privilegj, por si domosdoshmëri qytetare, kulturore dhe kombëtare.
-A përbën riorganizimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë një domosdoshmëri historike për garantimin e lirisë krijuese, mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe dinjitetit profesional të krijuesve shqiptarë?
-Po, riorganizimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë përbën sot një domosdoshmëri historike, kulturore dhe profesionale. Në kushtet kur krijuesit shqiptarë prej vitesh ndihen të papërfaqësuar dhe pa mbështetje institucionale, nevoja për një organizatë të pavarur dhe demokratike bëhet gjithnjë e më urgjente.
Liria krijuese nuk mbrohet vetëm me ligje të shkruara, por edhe me institucione që dinë ta mbrojnë zërin e krijuesit nga presionet politike, ekonomike apo klienteliste. Po kështu, e drejta e autorit mbetet shpesh e pambrojtur në praktikë, ndërsa dinjiteti profesional i shkrimtarëve dhe artistëve është lënë në mëshirën e indiferencës institucionale dhe të tregut të pakontrolluar kulturor.
Një Lidhje moderne dhe funksionale mund të shërbejë si tribunë e lirë e mendimit krijues, mbrojtëse e interesave profesionale, si urë komunikimi mes krijuesve, shtetit dhe publikut. Ajo duhet të jetë një hapësirë ku respektohen pluralizmi, meritokracia dhe autonomia e artit.
Riorganizimi i saj nuk duhet parë si rikthim nostalgjik në të kaluarën, por si një përpjekje për të ndërtuar një institucion të ri, në përputhje me standardet demokratike dhe me nevojat reale të kulturës shqiptare sot.
-Si mund të ndërtohet një organizatë e re që të jetë realisht demokratike, pluraliste dhe transparente, duke shmangur çdo ndikim ideologjik, politik, krahinor apo klanor?
-Një organizatë e re e shkrimtarëve dhe artistëve nuk duhet të jetë pronë e askujt, as zgjatim i politikës, as grup interesi, por një hapësirë e përbashkët e krijuesve shqiptarë, pa dallime bindjesh, krahinash apo përkatësish shoqërore.
Është idomosdoshëm hartimi i një statuti transparent, ku të përcaktohen mënyrat e anëtarësimit, zgjedhjes së drejtuesve, kufizimi i mandateve dhe kontrolli demokratik mbi vendimmarrjen. Çdo funksion drejtues duhet të vijë nga vota e lirë dhe e barabartë e anëtarëve, jo nga emërime apo marrëveshje të mbyllura.
Organizata duhet të garantojë përfaqësim të gjinive dhe profileve të ndryshme krijuese, duke përfshirë letërsinë, muzikën, teatrin, artet pamore, kinemanë dhe disiplinat e tjera artistike.
Ndërkohë transparenca financiare dhe publike duhet të jetë parim themelor. Mbi të gjitha, Lidhja e re nuk duhet të bëhet tribunë ideologjike apo instrument politik, por një institucion që respekton mendimin ndryshe dhe bashkon krijuesit rreth vlerave të kulturës kombëtare dhe lirisë së shprehjes. Vetëm mbi këto parime mund të ndërtohet një Lidhje moderne, e besueshme dhe me autoritet moral në jetën kulturore shqiptare.
-Cili duhet të jetë roli i një Lidhjeje moderne të krijuesve: thjesht një shoqatë simbolike, apo një institucion aktiv që negocion standarde profesionale, kontrata dinjitoze, politika botimi dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit?
-Një Lidhje e shkrimtarëve dhe artistëve nuk duhet të mbetet thjesht emër simbolik, apo një strukturë ceremoniale. Në kushtet e sotme, ajo duhet të funksionojë si një institucion aktiv, përfaqësues dhe mbrojtës i interesave profesionale, ekonomike dhe kulturore të krijuesve shqiptarë. E rëndësishme është mbrojtja e të drejtës së autorit, e cila vazhdon të mbetet një nga problemet më të ndjeshme të krijuesve shqiptarë.
-Në një kohë kur ekonomia kreative konsiderohet sektor strategjik në shumë vende, pse në Shqipëri mungon ende një strukturë e unifikuar që të artikulojë kërkesat e shkrimtarëve dhe artistëve përballë shtetit dhe tregut kulturor?
-Mungesa e një strukture të unifikuar të shkrimtarëve dhe artistëve në Shqipëri lidhet me faktorë historikë institucionalë dhe kulturorë, që për fat të keq kanë prodhuar dobësim të zërit krijues në jetën publike.
Ndryshe ndosh në shumë vende, ku industria e librit, artit, filmit, muzikës dhe trashëgimisë kulturore mbështetet me politika të qarta dhe me institucione dialogu mes krijuesve dhe shtetit. Në Shqipëri, ky komunikim ka qenë i dobët, shpesh formal. Prandaj shkrimtarët dhe artistët tanë kanë mbetur pa një zë të organizuar, që të artikulojë kërkesat e tyre për të drejtën e autorit, politikat e botimit, financimet kulturore, mbrojtjen sociale dhe standardet profesionale.
Prandaj, krijimi i një Lidhje të re nuk është vetëm nevojë organizative, por kusht për ta bërë kulturën shqiptare më të mbrojtur, më konkurruese, më të përfaqësuar në jetën kombëtare e ndërkombëtare. Se një komb që nuk organizon dhe nuk dëgjon krijuesit e vet, rrezikon të humbasë pjesën e rëndësishme të identitetit dhe zhvillimit të tij shpirtëror.
-A nuk është koha që krijuesit shqiptarë të kenë një zë të përbashkët institucional për të ndikuar në politikat kulturore kombëtare dhe për të promovuar në mënyrë më të organizuar letërsinë dhe artet shqiptare brenda dhe jashtë vendit?
-Po, kjo kohë duket e përshtatshme. Krijuesit shqiptarë kanë nevojë për një zë të përbashkët institucional që mos të mbetet vetëm në nivel deklarativ apo individual, por të shndërrohet në forcë reale ndikimi në politikat kulturore kombëtare. Një zë i unifikuar do të mundësonte mbrojtjen e interesave profesionale të krijuesve dhe orientimin më strategjik të zhvillimit kulturor.
Një organizim i përbashkët ndihmon në promovimin më profesional të letërsisë dhe arteve shqiptare jashtë vendit, duke krijuar ura bashkëpunimi, përkthimi dhe prezantimi në tregjet ndërkombëtare kulturore. Kjo do ta kthente kulturën shqiptare në një identitet më të dukshëm e më të qëndrueshëm.
Prandaj, krijimi i Lidhjes së re është hap i domosdoshëm drejt fuqizimit të kulturës shqiptare dhe rritjes së ndikimit të saj në botën bashkëkohore.
-A jeni dakord që të thirret një Kuvend i ri i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, mbi baza statutore, transparente dhe gjithëpërfshirëse, brenda këtij muaji, me qëllim riorganizimin dhe riaktivizimin e saj si një shoqatë funksionale në shërbim të krijuesve shqiptarë?
-Po, një nismë e tillë është e drejtë në parim, e domosdoshme në frymë. Por suksesi i saj varet nga mënyra se si konceptohet dhe realizohet.
Thirrja e Kuvendit të ri të shkrimtarëve dhe artistëve, mbi baza statutore, do të kishte kuptim nëse paraprihet nga një proces i qartë konsultimi me krijuesit në tërësi, jo thjesht me grupe të kufizuara interesi. Duhet garantuar që procesi të jetë i hapur. Vetëm në këtë mënyrë ai mund të fitojë legjitimitet moral dhe besim publik brenda komunitetit të krijuesve. Objektivat e një Kuvendi të tillë të jenë të qarta dhe realiste, jo thjesht ringritja formale e një emri, por krijimi i një institucioni të ri, funksional, modern, i aftë për të përfaqësuar interesat e shkrimtarëve dhe artistëve në realitetin e sotëm kulturor dhe ekonomik.
Në këtë kuptim, ideja është e drejtë dhe e nevojshme, por vlera e saj përcaktohet nga serioziteti i procesit, nga vullneti për të ndërtuar një organizatë që u shërben vërtet krijuesve shqiptarë, jo formave të vjetra pa përmbajtje. *Klubi letrar “Pjetër Budi” Mat


















