Site icon Gazeta Nacional Albania

ARJOLA KONDAKÇIU: FLUTURZIMI

ARJOLA KONDAKÇIU ka lindur më 11.10.1979 në Fier, por vazhdimësinë e jetesës dhe punën krijuese e ka aty ku banon, në Durrës.E diplomuar në Universitetin e Tiranës për degën gjuhë-letërsi, është përfshirë prej 20-të vitesh në fushën e të shkruarit. E njohur si gazetare, kritike letrare dhe redaktore letraro-gjuhësore e 35 librave i është prezantuar lexuesit edhe si autore.Libra të botuar: “Fate njerëzore” skica letrare, 2006, “Klithmat e Shpirtit” poezi, 2008 “Ndjesia e Aromave” përjetime letrare    (recensione, kritika, këndvështrime), 2022, “Fluturzim” poezi dhe proza të shkurtra, 2024

 

 

PËRQAFIM JETËSOR

(Kushtuar femrave, që burimin e forcës e marrin nga fëmijët)

 

Atë natë të errët me rrufe që çanin qiellin

ai e ndjeu që ishte i brishtë,

dhe me frikën fëminore e përqafoi.

Si zogth u struk thellë në krahët e saj,

dhe… plot siguri e pa në sy.

Në ata sy burues frymëzimi pinte ëndrrat,

se ajo për tingullin e lotit dinte gjithçka;

dhe për ngrohjen grimcuese të zemrës

mund të bënte çdo gjë!

 

Atë natë të errët me rrufe që çanin qiellin

ai nuk e dinte që ajo, heroina e tij,

edhe pse e rritur

kishte humbur rrugën brenda vetes,

dhe ishte aq “e frikësuar”

sa e përqafonte më fort…

E duke fshehur dridhjen e zërit

nën zhurmën e tmerrshme të rrufeve,

i thoshte: “Mos ki frikë! Do të të mbroj unë!”

Atë natë të errët me rrufe që çanin qiellin

ata shpërthyen dhe frikërat

mes shkëndijash pjekurie.

Hijet lanë gjurmë ngjyrash

në mbështjelljen e zemrave.

Lotët përqafues dritësuan litarë shprese,

si forcë jetësore unike “prind/ fëmije”

 

 

ANKTHËZIM  PRITJEJE

 

Mos m’a moho një buzëqeshje të kaltër

fshehur në dobësinë tënde prej mashkulli;

në uljen e drojtur të syve përmalluar,

ku një pjesë e hedh tej buzëve që digjen nga mbyllja

e tjetrën çon sërish të zbardhur

në shpirtin e veshur me muret e seriozitetit.

 

Ty, të buzëqesh zemra: e ndiej

Të qeshin edhe sytë: e shoh

Por jo buza dridhshëm…E kuptoj!

Po edhe unë jam lodhur duke qëndruar vigjilente

për të rrëmbyer “vjedhurazi”

mozaikë buzëqeshjeje nga cepi i buzës tënde.

 

 

Ah! E dua një buzëqeshje të artë!

Një nga ato me gjithë shpirt.

Ji bujar! Dhuroma,

që të më ngrohet zemra e rrudhur nga pritja.

E di? Edhe ti bëhesh më i ëmbël kur qesh…

Ndaj, më shih në sy, e mos m’a kurse’

një Buzëqeshje të VËRTETË !

 

 

 

 

STACIONI I MENDJES

 

Vëre stacionin e mendjes te kënga,

edhe kur shpirti të qan.

Melodia ti grimon nyjet e zemrës,

dhe me ëmbëlsi të ledhaton ngadalë.

 

 

Pastaj më kërko në ëndrrat e pafjetura

aty ku dashuria është si zjarr.

Dhe me tingullin e ndjenjës unike

m’a puth zemrën plot mall.

 

 

Nëse s’më gjen dhe pyet veten:

“A do mundesh dot pa mua”?

Vëre stacionin e mendjes te kënga,

se jam unë melodia në buzët e tua.

 

PROZA

 

 

ARJOLA  KONDAKÇIU

 

 

FLUTURZIMI

(Shkëputur nga libri me të njëjtin titull)

 

Të errta e të mëdha, ato hynin tinëzisht e vallëzonin përreth saj, atij shpirti të pastër që ndriçonte përbrenda më shumë se drita verbuese e llampës. Ajo u frikësua! Për herë të parë nuk i deshi fluturat. Të errëta e në errësirën e natës ato sfidonin dritën përreth saj, dhe çuditërisht ai vallëzim i pështjelluar i sillte më shumë trishtim.

Filloi t’i sulmonte me ç’të mundte, madje edhe duke u bërrtitur që të iknin. Por ato strukeshin mjeshtërisht në ngjyrat e përafërta të orendive nëpër shtëpi e bëheshin njësh me to. Ajo mendonte se i largonte pasi s’donte ti vriste, dhe mbyllte sytë e qetë. Por një ngacmim hijeje sipër qepallave e detyronte ta vërtiste shikimin e saj të mprehtë edhe me sytë e mbyllur. Ishin prapë ato: fluturat e errta të kthyera në “tinëzare”, saqë asaj iu duk si një lojë e rrezikshme kjo. U përpoq ta largonte frikën duke fikur dritën, por përplasja e lehtë dhe acaruese e krahëve të tyre në atë vetmi vrastare e frikësoi edhe më shumë.

O Zot! Si mund ti urrente ato krijesa, kur vetë asaj i kishin thënë që ishte e bukur si flutur, e shkathët si flutur krahëshkruar, e lehtë si flutur lozonjare, me ëndrra që i vërtiteshin si flutura nëpër kokë, adhuruese e tyre si muzë në penelata, e madje kishte ndjerë dhe fluturat e dashurisë në stomak…

E vërtetë! Por këto ishin ndryshe. S’kishin as ngjyra të ëmbla që t’i ngrohej zemra, por ama as në simbolika oguresh s’donte të besonte. Ngaqë i rrinin pa leje nëpër supe, flokë e rrobe, aq sa dukej sikur ishin ato që kërkonin mbrojtje e ngrohje nga drita e shpirtit të saj, atëherë ky perceptim ia zbuti disi atë rebelim shpirti, sepse urrejtja nuk kishte vend në atë shpirt paqësor.

Ato flinin gjatë ditës, ndërsa në darkë kryenin vallëzimin e çuditshëm përreth çdo gjëje, si një ritual “pushtues”. Me kalimin e ditëve filluan edhe të shtoheshin me fluturza të vogla duke e thyer heshtjen e asaj shtëpie me muzikën origjinale të kërcitjeve të krahëve ndërsa fluturonin, dhe t’i jepnin njëfarë ekuilibri ambjentit duke e thyer tonalitetin e fortë të dritës me reflektimin ylberik në zbehtësinë e ngjyrës së tyre.

Atëherë ajo e ndjeu veten të privilegjuar, si një e pagojë që shijonte një super spektakël vetëm për të. Pa me një vizualitet ndryshe përreth asaj shtëpize të vogël e të vjetër, e cila dukej edhe si përrallore me bibliotekën e pasur dhe larmishmërinë e pikturave. Por kuptoi edhe se sa bosh ndihej përprenda; pa një dritësim shprese; pa një shigjetim ndjenje; pa një buzëqeshje zemre. Dhe e hodhi vështrimin sërish tek ato: fluturat misterioze, mysafiret e paftuara, që çuditërisht ndoshta ishin të vetmet që e kuptonin brengën e dëshirës për “fluturzimin” e saj të brendshëm. Ah, ç’lehtësim!

U përpoq që të përmirësonte prirjen mendore duke zgjeruar  botëkuptimin, për të saktësuar edhe misionin e tyre ndikues ndaj gjendjes ku ndodhej. Kështu, duke hequr gradualisht velin turbullues, filloi ti shikojë përtej ngjyrës së errët, dhe nëpërmjet lëvizjeve kuptoi gjuhën e tyre unike, por edhe qartësoi faktin që me gjallërinë e dhuruar ato e donin jetën, e s’do ti bënin kurrë keq. Ngadalë iu zhduk edhe frika absurde që e kishte gozhduar.

Ndoshta ishte e privilegjuar, që brenda natyrëzimit ngujues të shtëpisë mësoi nga fluturat sekretin e fluturzimit gjatë asaj aventure reale, derisa erdhi stina tjetër, e cila bashkë me një pjesë të shpirtit të saj i rrëmbeu me një fluturim pa kthim në mjedisin e vet natyror ato krijesa.

 

Arjola KONDAKÇIU

 

Exit mobile version