Gazeta Nacional Albania

Askush nuk po më pret as tek shtëpia e babait. Poezi nga Elvira Zeneli

NJË POEZI MEDITATIVE DHE FILOZOFIKE

Elvira Zeneli është një poete bashkëkohore shqiptare. Ajo e përdor poezinë si një mënyrë të mirë për të shprehur ndjenjat e saj, shpesh të komplikuara dhe plot shperthime. Ajo i kontribuon avancimit të poezisë meditative e konvencionale me referenca nga jeta e saj e përditshme. Dashuria, iluzioni për jetën, malli për shtepinë e babait dhe vetmia poetike shfaqen përmes metaforash të dendura, të përseritura dhe befasuese, si një stil vetjak dhe i organziuar mirë.
Kujtimet tek shtepia e babait janë të rrënjosura thellë në fëmijërinë e saj, ku shijonte jetën me dlirësinë dhe dashurinë e fortë të prindërve të saj. Ajo përpiqet të rindërtoi kujtimet e saj nga kjo kohë për të vijuar jetën e saj përsonale edhe e vetme me krenarinë dhe kujtimet e babait.
Poezia është mjeti për një shpirt të lënduar dhe të plagosur nga jeta, si një pluhur që e mbulon shpesh artin e saj, shprehur në një figuracion të errët dhe dëshpërues, si shumica e poetëve të botës ku e ardhmja vjen përmes dhembjesh dhe deshtimesh si një “mëkatar i dashurisë…”
Elvira shkruan me sinqeritet. Ajo është një poete e papërlyer me mëkatin e letërsisë së stisur, e realizuar përmes mjetesh të forta shprehëse, pasi sipas saj edhe një grua mund të ndryshojë rrjedhën e jetës me guxim dhe krenari.
Ashtu si edhe në këtë cikël që Nacional ka zgjedhur nga libri në proces i Elvirës, poezia e saj saj është meditative, e thellë dhe filozofike pasi shpesh buron nga melankolia dhe dhembja nga zhgenjimet në jetë dhe shoqëri.
Emocionet, ngandonjëherë intensive, i sjellin lexuesit kënaqësi estetike pasi ndërtohen mbi përvoja unike, fjalori të pasur e figuracioni të zgjedhur, të cilat rezonojnë paqë dhe krenari.
Poezitë e saj dallojnë për strukturën e lirë, imazhet dhe metaforat që përcjellin tek lexuesit ide të caktuara si dashuria ndaj familjes, jetës, përkushtimit familjar, si ide të rrënjosura thellë në jetën e saj.
Nëpërmjet këtyre poezive plot vlera estetike, Elvira ndikon në mënyrë intensive në audiencën e saj dhe lexuesit e saj, duke përcjellë me sinqeritet të gjitha emocionet ekstreme të saj, duke lenë gjurmë të përjetshme në komunitetin e saj letrar.
Poezia e Elvirës ja vlen të lexohet, pasi në to do të zbuloni jo vetëm talentin e saj, por dilemat përsonale, trazimet shpirtërore, forcën morale të një gruaje, por edhe pasiguritë njerëzore që na shoqërojnë në jetë.
Ju uroj lexim të mbarë!

Dr. Mujë Buçpapaj

DITË VERE E NGRYSUR

Erdhi përsëri kjo ditë vere
Dhe sa të tilla do venē e do vinë
Në oborrin e shtëpisë ku më priste babai shkova,
Pluhuri kishte mbuluar çdo gjë,
Dimri vrarë e kishte atë vend.

Kajsia para porte kishte çelur
Më thoshte eja pranë meje se unw po të pres
Lulet për ty i çela
Të kujtosh gjithmonë tët ét.

Zërin e tij aty e kishte lënë
Më vinte në vesh…shiko moj grua, dil kush erdh’
E shtrenjta e babit ma zbukurove këtë ditë vere
Oborrin ma mbushe më gëzim e hare,
Me nipin e mbesat që m’i solle…

Ooo Zot sa qetësi,
Heshtje kudo në çdo vend

E as në lagje ku heshtja ka zënë vend
si një hije e zezë dhe e rëndë.

Në pragun e derës u ula
Pluhurin e lava me lotët e mallit
Tani vetēm shkova
Fëmijët m’u rritën, kanë marrë rrugën e vet….
As zërin e mamit nuk e dëgjova
Iku dhe ajo tek bijtë e saj,
Pa prag më la, pa më pritur
Nuk e mendonte se një ditë drynit shtëpinë testament ia la.

Ikën të gjithë,
Une rri e i pres për ditë vere e ditë moti
Kujtimin e tyre marr udhës sime
Ushqim per shpirtin e përmalluar e të lodhur
As dorē njeriu që hap portën,
As Konstandin që çohet dhe merr motrën.

FJALOSJA

Me ëndrrën u fjalosa
Për dy sytë e tu
I thash ylberit
M’i fal ngjyrat ma të bukura
T’ia fal ëndrrës sime
E unë të zgjohem pranë syve të tij

I kërkova diellit rrezet
Nga gjumi i ëndrrave t’më zgjoj
Hënës lozonjare i kërkova
T’i shtrij krahët drejt horizontit të kaltër
Këngën të shpërndajë
Melodinë që kemi ne zemër…

Ti je mendimi im i fundit në çdo mbremje
Je mendimi im i parë kur hap sytë mëngjeseve
Je valë e ngrohtë që vjen e freskohesh në mua
Akullnajë që shkrin brenda syve të mi.

Ti je ëndrra që u fjalosa
Je mëkatar i dashurisë që të deshta e të dua pafund.

SUFERINË

Sa herë jeta të sprovoi
Me vështirësi,
Dhimbjen donte ta mbillte tek ti,
Me tirani.

Sa herë lumin ta sillte rrëmbyeshëm para këmbëve të tua
Sa herë borën e ftohtë e me suferinë e derdhte mbi trupin tënd
Kurrë nuk e ngrite flamurin e bardhë,
As në valët e lumit, as në dëborën me suferinë,
As në vapën e nxehtë që zhuriste
E bënte sehir…
Kjo është gruaja që nuk zvarritet …
As viktimizohet për mëshirë…
Të jesh grua, nuk do të thotë vetëm të lindësh,
Nuk do të thotë se je e dobët
Nuk do të thotë se jepesh lehtë.

Të jesh grua do të thotë se di ta duash jetën,
Dhe ngjyrën e natyres së blertë.
Të adhurosh çdo gjë të bukur,
Të mos dorëzohesh kurrë para asgjëje,
Të jesh triumfatore e fatit tënd,
Ta ndryshosh rrjedhën e gabuar të jetës që të serviret,

Ti di si është më e bukura, më e magjishmja,
Sepse ti je vetë dashuria….

DALLGË JETE

Në mendimet e mia përkundet,
Një valë e pashtershme emocionesh,
Në vetminë time, fryma më është ndalur,
Zëri më është mekur
Duke të pritur ty …

Dallgët e jetës sa bukur vijnë me shtatë ngjyrat e ylberit
E më rrëmbejnë në magjinë e dashurisë tënde
E ulur mbi një shkëmb buzë detit,
Perëndimi i diellit syrin ma shkeli
Dallgët herë më përkëdhelin e herë më godasin
Herë vijnë të etura e më rrēmbejnë në thellësi, herë të ngopura më nxjerrin në breg, me aromën e dashurisë….

Aty më prite Ti,
Mos u largo të thashë dua të takoj përsëri,
Mos lejo të përlotem
Brengat dhe lotët t’i fundos në thellësinë e detit,
Të mos rikthehen kurrē
Pranë meje të jeshTi…

BLERIM NËPËR STINË

Lisat presin të sythojnë,
Këngën e zogjve me endje ta dëgjojnë,
Mbi gjethen e parë do ulen,
Do e puthin, shtrëngojnë në gji,
Me ujin e ujëvarës do e freskojnë dhe ushqejnē,
Kujtimet me vete do i marrin si gjënë më të shtrenjtë
Në atë udhëtim ku era lëmoj
Dehjen e syve të dashuruar,
Qielli u bë mburojë e tyre…
Dielli rrezet e arta lëshon…
Deti ra mbi valë…
Eh lutem deri mbi olimp atje ku vargu yt bën dritë
Në krahët tu do jetë aroma e puthjes
Unë mendoj për të…!
Mendoj për atë magji…!
Blerim nëpër stinë
Blerim që nuk ka kthim…!

ËNDËRR E ËNDËRRT

Në çdo fjalë tënden ndjeva mall,
Dridhjet e zërit t’i dëgjova
Si telat e kitarës prej vajit të heshtur,
Po sot e ndjeva më tepër dashurinë
Që ma kishe mohuar që moti!

Pashë në ëndërr, ëndrrat e dikurshme
E rigjeta puthjet e humbura
Që më prangosën sërish në krahët e tu.

Sa shumë më paske munguar!
Ti je mungesa ime
Nën dritën e mekur të muzgut
Duke u lutur më kot
Që dielli të rilindë sërish
E ëndërra të bëhet Ti!

Jam përtej natës dhe heshtjes,
Diku aty përmidis
Ku dēgjohet zëri i shpresës.
Veten time e lashë të kapur pas dritës tënde!
Nuk dua te jem motiv i humbur
I një mallkimi të ditës pa kthim
Kur ti ike në askund!

Nën grilat e qerpikëve
Fle ëndrra ime për ty
Që më erëmon çdo natë
Duke u lutur të shohë ëndrrën tënde
Që në mëngjes të më bëhet portret ëndrre,
Ëndërr brenda ëndrrës!

MË PRIT I DASHUR!

Më prit i dashur, drejt teje do të vij,
Në ëndrrën time do të mbjell lulet me të bukura për ty,
Stuhia do t’mi valëvit flokët e argjendtë,
Dhe do të përhapë aromën dehëse të dashurisë.

E ndjej dorën tënde butësisht kur më ledhaton,
Si hark violine e ëmbël që lidh Qiellin me Tokën,
Që lidh në heshtje, Detin dhe lumenjtë, mua dhe Ty,
Një binom zemrash që tingujt bashkojnë ëmbëlsisht.

E ndjen tik-takun e zemrës në gjoksin tim?!
Si aromë jasemini në muzgun e mbrëmjes…?!
Më prit i dashur, drejt teje po vij ….!
Me zambakun e bardhë të Prizrenit,
Me luleborën e Shkodrës dhe seranatën korçare,
Duke kënduar ulur pranë zjarrit të dy…

Në oqeanin e lumturisë do zhytemi mes përqafimesh,
Pastaj do dalim veshur me këmishën e kënaqësisë,
Mos u shqetëso… me buzëqeshje do largojmë çdo mjegull,
Nuk dua të shoh melankoli dhe trishtim!

E dashuruar dua të jem në këtë botë me ty,
Do kaloj çdo pengesë pa dridhje qerpiku,
Unazat e zemrave të lidhim si melodi,
Si Romeo dhe Zhuljeta deri në përjetësi…!

TRËNDAFILIN MË TË BUKUR E KËPUTA PËR TY

Në këtë natë të ftohtë dimri,
Yjet pranë më qëndrojnë si stoli,
Muzikaliteti i ndjenjave tona harkohet,
Konkuron melodinë më virtuoze rini!

Në kopshtin e Edenit hyra papritur,
Trëndafilin më të bukur e këputa për ty,
Mbi petale thura vargje dashurie ,
Kujtimet fluturuan si meteor ndër sy.

Larg horizonteve te pafundme ëndërroja,
Mbushur me aromë mengjesi të të prisja,
E veshur me fustan mbremje ngjyrë hëne,
Fletët e poezive për ty po i grisja!

A nuk është e mrekullueshme një ëndër e tillë?
Të jesh e gjithë bota për dikë që e do?!
Atehere e kuptova se unë egzistoja….
Kur poezitë e mia plot ndjenjë i lexon!

E di, i heshtur e lexon këtë poezi,
E loti bëhet bojë mbi vargjet e mia
Se gjithçka nga shpirti im ka dalë,
Por mbi poezinë këndon dashuria!