Gazeta Nacional Albania

Aventurë semiologjike si hyrje në fenomenologjinë e zisë (I).   Nga Enver S. MORINA  

 

 

Skedat ditore të shkruara nga përjetimi i mërzisë si dhembje

 

“Ditari i zisë” i Roland Barthes doli në dritë si i tërë 30 vjet pasi është shkruar, afër 30 vjet pas vdekjes së autorit! Barthes ka shkruar dhjetëra studime po aq fondamentale e monumentale sa edhe (që tashmë këto janë edhe në shqip) “Shkalla zëro e shkrimit” (1953), “Mitologjitë” (1957), “Elementet të semiologjisë” (1964), “Shkrimtarë dhe shkarrashkrues” (1964), “Kritikë dhe e vërtetë” (1966), “Vdekja e autorit” (1967), “Retorika e vjetër” (1970), “Aventura semiologjike” (1974), etj. Derisa Nëna i vdiq në shtrat dhe tashmë ishte përjetësuar në vargun e fletëzave të pazhubrosura të të birit, Barthes vdiq aksidentalisht në moshën “e përkryer”. Referenca sentenciale si një pikë udhëkryqi ku thellohet më tej mesazhi universal që sjell autori me anë të veprës. 33 thënie si 33 lloj sentencash kuptimore. Muzeu dhe ditari: kujtimi i ngërthyer në muze dhe pikëllimi i përjetuar në shkrim (ditari), a materializimi i një rrëfimi dhe idealizimi (një pikëllimi “material”) i qenësisë. …

 

 

Teoriku i letërsisë frënge, filozofi, linguisti, kritiku dhe semiologu i njohur francez Roland Gérard Barthes (1915-1980) në gjuhën shqipe ka ardhur 30 vjet më parë me “Aventura semiologjike” (Rilindja, Prishtinë, 1987) përkthyer nga origjinali nga Rexhep Ismajli. Në mesin e veprave fiksion mbetët vepra e botuar për herë të parë në vitin 2009 në Paris “Journal de debil” (përgatitur dhe komentuar nga Nathalia Legér), që në shqip vjen në vitin 2016 nga Shtëpia Botuese “Buzuku” (përkthyer nga frëngjishtja nga Anila Xhekaliu). Së bashku edhe me “Mitologjitë moderne” (përktheu Persida Asllani) është kjo vepra e tretë e Roland Barthes botuar në shqip.

Emrin e semiologut francez për botën shqiptare e hasim tek biografitë e kritikut e shkrimtarit Ibrahim Rugova, ky i fundit si nxënës i të parit (Rugova qëndroi gjatë një viti akademik 1976-1977, në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Për koincidencë në prag të vdekjes së nënës të Barthes).

Më vet rrjedhën e krijimit dhe më pas botimit “Ditari i zisë” është një vepër e dyanësisë post mortum. Përgatitja dhe botimi 30 vjet pas vdekjes së autorit është përkujtim shkrimi, rizgjim teksti në një botë e kohë tjetër. Megjithatë, ne kemi “nevojë për të folurit e tij” (fjalia e fundit e ligjëratës “Aventura semiologjike”-vër. e. s. m.).

Nëse apriori Barthes “ka shkruar libra për kënaqësi” (“Aventura semiologjike”, në shqip faqe 20-21) janë skedat ditore që i shkruan nga pikëllimi si shkrim, nga përjetimi i mërzisë si dhembje, nga ndjenjat e “ëndjes” për të hyrë në sistemin e të shenjuarit semiologjik. Shkrimi i “Ditari i zisë” e bënë autorin pragmatik në aventurën e tij për të hyrë dhe dal në thelbin e një ndërlidhjeje tashme shkencore të semiologjisë autoriale.

Nëse Marcel Proust (i cituar më së shpeshti nga Bart) a André Gide vinin e hynin në “Ditari i zisë” si të përkryer në udhëtimet e tyre në “kohërat e humbura”, Barthes ndërton me mjeshtëri shkrimin post mortum në një biografi shkencore shënjuese për pikëllimin. Dyzet vjet më pas arrijmë ta bashkëjetojmë ëndrrën për ekzistencën e Nënës në formatin tonë, fal leximit të ditarit barthesian.

Të shkruash për Nënën në pamjen e parë është lehtësisht e kapshme, apriori e pritshme. Që nga mitologjia e deri në kohën moderne personaliteti i Nënës vjen e bëhet një ndër personazhet dhe figurat “kyçe” në historinë e civilizimit, në arte e kulturë. Umberto Eco në veprën “Historia e bukurisë” sjellë edhe antologjinë e formësimit model të bukurisë së gruas (nga Venera e Vilendorfit, Zonja e Okserit, etj. e deri te Brizhit Bardo a Anita Ekber). Në “të kundërtën” e Eco-së, Barthes nga ana e brendësisë shpirtërore si “model” i ekzistencializmit prindëror, me “Ditari i zisë” i ka dhënë lexuesit personalitetin e Nënës deri në imtësi. Krejt kjo me shkas në kohë: pas ikjes së saj!  Autori nuk bënë përpjekje të krijoj një ide, një botë për pikëllimin, zinë. Ai i vë në letër gjendjen e tij dhe kujtimin për më të dashurën, Nënën. Është një aventurë tjetër semiologjike për të hyrë në fenomenologjinë e zisë.

Është domethënës botimi në shqip. Ndërvarësia me leximin e sotëm në ekran, atij lexuesi të përditshëm jashtë dhomës “së vetmisë” e ambienteve bibliotekare, edhe më i dhembshëm bëhet dija për “statistikat” e leximit të sotëm. Mësimdhënësit e katedrave universitare edukative qëndrojnë në zonën e parahyrjes në dyshimin për ta lexuar a jo “Mitologjitë moderne”?! Profesorët e mastëreve dhe studimeve postdiplomike “kanë thyer” dyert e tempullit akademik për të tejkaluar edhe veprën monumentale të ardhur në shqip 30 vjet më parë (1987) “Aventura semiologike”!? “Koketëria intelektuale” s’ka të ndalur qoftë edhe kur “teksti është tekst”, “kontekstualiteti është intertekstualitet”, “ditari i ahengut është ditari i festës”, kujtimi është Kujtesë, “Borges-i është Borges”, etj. deri të Vaso Pashë Shkodrani (1825-1892) është Pashko Vasë Shkodrani! Nëse dikur kemi pasur Histori civilizimi sot mund të kemi vetëm Histori! Nëse dikur kemi pasur Letërsi Jugosllave sot mund të kemi Letërsia të Evropës Juglindore! Nëse dikur kemi pasur Studim i veprës letrare në shkollë të mesme orientuese kulturologjike (sa kam debatuar me një shok shkolle se ishte lënda i “veprës” a i “vlerës) sot kemi Shkrim Akademik në katedra universitare!

Derisa Roland Barthes nis rrugëtimin e tij shkencor e letrar nga “praktika shënjuese” e “strukturimit”, në “punën e futur në lojë” për të arritur në aktin parafinal si “vëllim gjurmësh në zhvendosje”, Ne vazhdojmë të mbetemi tek ingranazhi i teksteve që duhet lexuar, në asnjë mënyrë, fatkeqësisht, jo si studim por vetëm si edukim për citat!

Kohëve të fundit (fal edhe rrjeteve sociale të komunikimit modern) ka vërshuar lloji i shkrimit “përfundimtar” baraspeshues, qoftë edhe të përballjeve me një shkrim militant (në 100 vjetorin e Revolucionit të Tetorit). Një jetë më parë (65 vjet më parë) si jetë pune aktive, në Paris, Roland Barthes shkruan: “… ende kemi të bëjmë me shkrime etike, kur ndërgjegja e shkruesit (nuk mund të thuhet më e shkrimtarit) gjen përfytyrimin ngushëllimtar të shpëtimit kolektiv.” (“Aventura semiologjike” botimi shqip, faqe 45).

Vepra e Roland Barthes “Ditari i zisë” si një krijim autobiografik shkruar në një nga periudhat më të rëndësishme të jetës së njeriut, humbjes së Nënës, në këtë rast të mam. të autorit, ndahet në tri pjesë dhe në fund hyjnë edhe dy shtojca. Në të vërtetë “Ditari i zisë” është një vepër, një ditar sentencial ditor i cili ka një rrjedhshmëri me shkas nga vdekja e Nënës dhe botohet në tërësinë e tij tematike (vazhdim i ditarit, vazhdim i ri, disa pjesë pa datë dhe disa shënime për mam.) që përbëjnë pesë pjesë në unitetin e tyre.

 

Komentet, nënteksti i frazës dhe intertekstualiteti i citatit

 

Një nga kuptimesimet shtresore të një vepre është edhe ajo e formimit dhe nxjerrjes së sentencës. Sentenca herë lind vetvetiu, herë gjatë procesit krijues. Herën e parë si pikënisje, herën e dytë si pikëmbërritje. Analiza sentenciale e përgjithësimrrëfimit apo komenti sentencial, si mikrostrukturë e tekstit letrar është i vështirë për dy arsye: Sentenca është qëllim shterues i kredos letrare të shkrimtarit dhe veprës dhe sentenca është pikëqëllim i një shtjellimi krijues letrar të një krijuesi dhe të një vepre. Komentet, nënteksti dhe intertekstualiteti i një citati mbetet në nënvetëdijen e çdo lexuesi duke e “dërguar” mesazhin dhe porosinë tek shtresat me të thella të receptivit, pritjes.

26 tetor 1977

Nata e parë e martesës.

Por gjithashtu dita e parë e zisë vallë? (faqe 9)

Skeda e parë, shënimi i parë i Barthes në “Ditari i zisë”, në ditën e parë pas vdekjes së Nënës. Henriette Berger ishte martuar në vitin 1913 me Louis Barthes. Fëmija i saj i vetëm do t’i lind në vitin 1915. Një vit më pas i vdes bashkëshorti. Do të jetojë me djalin, të pandarë, deri në vitin 1977 (25 tetor) kur edhe vdes. Roland Barthes kishte 62 vjeç. Martesë me një lindje. Bashkëshortësi e shkurtër. Vetëm dy vite martesë (“Nata e parë e martesës”)! Lindja e fëmijës, vdekja e bashkëshortit dhe 62 vjet të pandarë me djalin Roland është “dita e parë e zisë”?! Ikja e Nënës në botën tjetër si nata e parë e martesës dhe dita e parë e zisë? Është kjo “përsosmëria” e një rifillimi të një ditari të së ardhmes për të kaluarën. Po të mos vdiste dje (e hënë 27 mars 2017) Luani (Balidemaj) a do t’i ndjeja ndryshe  vargjet, mendimet e Barthes në ditën e dytë të zisë për nënën, nga “Ditari i zisë”?! Edhe zitë ndryshojnë në kohë dhe në hapësirë. Ambientet e pikëllimit të ngulfatin në periudhën e heshtjes!

Citati 1 (thënie si semantikë hyrëse, prolog): Kur vdes dikush, ndërtesa shastis në të ardhmen (ndryshime mobiljesh, etj) … (12)

Citati 2 (thënie si semantikë krahasimi): … zija (depresioni) është krejt tjetër gjë nga sëmundja.” (14)

Citati 3 (thënie si semantikë përgjithësuese): Të gjithë njerëzit e çmojnë – e ndiej – shkallën e forcës së një zie. (16)

Citati 4 (thënie si semantikë shpjeguese): … kurajë do të thotë dëshirë për të jetuar dhe atë e kemi me tepri. (47)

Citati 5 (thënie si semantikë përvoje): Zi: një vend i pamëshirshëm ku nuk kam më frikë. (60)

Citati 6 (thënie si semantikë autoriale)… shkrimi në kulmin e tij nuk është aspak tjetër veçse i papërfillshëm. Depresioni do të vij kur, nga thellësia e pikëllimit, nuk do mundem më të varem tek shkrimi.  (68)

“ … “Je keq, je ulur keq” … ” (72)

Përmasat e thjeshtësisë së krijimit arrihen përmes shkrimit për spontanitetin dhe kuptimin e saj në kujtim, ritregimin e Nënës, urdhrin e saj në çastet e vuajtjeve të saj kur i thotë të birit “Je keq, je ulur keq”. Në atë zbrazësinë (“thellësia e vetëdijes së saj të dobësuar”) e të moshuarve shpërthen kujdesi për fëmijët, për më normalen, më të përditshmen. Fëmija i saj, trashëgimtari është ulur në stol dhe për prindin është një brengë. Ajo donë ta shoh sa më të rehatuar.

Citati 7 (thënie si semantikë parafrazimi): Pikëllimi nuk rrëmben asgjë përnjëherë – përkundrazi, nuk shteron. (77)

Citati 8 (thënie si semantikë përsëritjeje): Zija: nuk shteron, nuk është objekt shterimi, nuk i nënshtrohet kohës. (78)

“… “çast” pikëllimi …”,“ … gropë pikëllimi …” (81, 82)

Autori kupton zinë e tij, pikëllimin. Dhe këtë për herë të parë. Sa herë vizitoj Shqipërinë është një “çast” pikëllimi barthesian sepse përherë udhëtimi për në AQSHF (në Tiranë), në Amfiteatrin e Durrësit,  familjen Vërria në Vlorë, 1000 dritaret e shtëpive në Berat, shtatoren e Violeta Manushit në Tushemisht, shtëpinë e Lasgushit në Pogradec (pas takimit me Koço Krëste), Dhomën Muze të Jakov Xoxës në Apolloni, Kështjellën e Sopotit (Kalaja e Borshit), Manastirin në Ardenicë i njohur si sheshxhirimi i pjesës së tretë (“Meçua”) të filmit “Kur zbardhi një ditë”, Kinema “Kadri Roshi” në ish-Qytetin Stalin, etj. janë udhëtime për herë të parë. Dhe kjo ndodh pikërisht kur e kuptoj dhe kujtoj njëkohësisht atë çastin e mosarritjes të babait për ta vizituar atdheun, Shqipërinë. Sa është çast pikëllues është çast kënaqësie që nuk e harroj, domethënë e shpreh për të tjerët, e ndjej në vete. (…) Autori nga “çasti” i pikëllimit ka rënë në gropën e pikëllimit. Çasti është veprim, gropa është vend, hapësirë që ka ardhur nga një kohë dhe vepron. Parantezë alogjike: “Gropa” e Kosovës është më fantastike se pampa ameriko-latine në të ashtuquajturin Ballkani Perëndimor!