Site icon Gazeta Nacional Albania

BANKA E GJONIT. Tregim nga Vasil Premçi

Dielli ka ndezur furrën dhe rrezet e tij përvëlojnë gjithçka. As gurët nuk i bëjnë dot ballë, lëre më lëkura e njeriut! Bën një zheg përvëlues, që të merr frymën. Zheg–zhag–zhig! Mos më ra vallë. dielli në kokë dhe po flas përçart si një i marrë?
Është 25 qershor, ora 15: dita e takimt që caktuam për t’u mbledhur ne maturantët e dikurshëm të Teknikumit të Ndërtimit. Atëherë ishim tridhjetë djem e vajza, truplastarë me sytë plot dritë. Po sot? Sa kemi mbetur? Sa prej nesh ka korrur kosa e vdekjes?
Po cili ishte ai që e propozoi i pari këtë datë dhe orë? Mos ishte Mondi apo Leta? Ah, jo? Tani m’u kujtua dita e diplomimit kur u mblodhëm për herë të fundit pas katër vitesh studimi dhe mësimi kokë-ulur mbi ato banka prej druri nga mëngjesi deri në mbremje!
Ishte Gjoni, Gjon Anamali, nga fshatrat e Mbishkodrës, ai që doli në katedrën ku qëndrojnë mësuesit dhe na u drejua me zjarrin e moshës:
– Të dashur vëllezër e motra, – propozoj që çdo vit, në 25 qershor, në orën 15, të mblidhemi këtu. Dhe pastaj të përqafohemi dhe shmallemi me njëri tjetrin. Secili të tregojë në një kohë prej pesë minituash, çfarë kemi bërë deri atë atë ditë në kantieret e atdheut. Po përse të mos flasim edhe për jetën tonë personale. Me siguri do të jemi të shoqëruar nga bashkëshortet dhe bashkëshortët tanë. Ja, të gjith ju, vëllezër e motra më dukeni si ca gonxhe lulesh në shpërthim! Cili mund të na e ndalë vrullin e jetës! Unë ju premtoj të vij vitin tjetër me bashkëshorten time. Por pas dhjetë vitesh, ama, ju sguroj se do të vij sëbashku edhe me pesë fëmijët e mij! Por për një gjë nuk mund t’ju siguroj, nëse do të jenë pesë vajza, pesë djem, apo dy vajza dhe tre djem – ashtu siç ëndërron nëna ime!
Ujëvara e kujtimeve për atë djalë fisnik e zemër bujar m’i mbushi sytë me lot. Gjoni ishte djali i vetëm i nënë Fatimes e cila vinte shpesh ta takonte të birin në Qytetin e Nxenësve në Tiranë. Takonte edhe shokët dhe shoqet e Gjonit.
‘’juve jua dua si djalin tem,-na drejtohej ajo,-sepse jeni vllaznit dhe motrat e tem biri’’
Gjoni kishte një trup të fuqishëm që kujtonte një copë shkëmbi të shkëputur nga alpet shqiptare. Dimrit, nënë Fatimeja i sillte të birit hurma të pjekura të cilat Gjoni i pëlqente shumë. Meqenëse kishte një trup të bëshëm atë e merrte uria shpejt, ndaj për ta thyer atë, blinte një panine në një nga klubet pranë dhe e hante me hurma. Ah, çfarë gjendje e rëndë u krijua një ditë, kur Man Laperi, nga një fshat pranë Liqenit të Shkodrës, para se të fillonte ora e studimit shkruajti me shkronja kapitale në dërrasën e zezë:
‘’Sot në orën 18, pranë kinemasë së Qytetit të Nxenësve, shfaqet filmi me ngjyra dhe ekran të gjerë:
Gjon Anamali ha bukë me hurma! Askush nuk duhet të mungojë!’’
Menduam se midis dy shokëve tanë, sa hap e mbyll sytë, do të plaste sherri. Sigurisht, kjo ishte një fyerje e rëndë dhe dinake nga Man Laperi, një djalë imcak e sy kuq, por ngacmues. Na e kishte shpjeguar edhe arsyen e infeksionit të syve; zhytej në ujrat e liqenit me sy hapur. Atë orë studimi, zemërat na rrihnin fort nga frika e një sherri të sigurtë; prisnim përlasjen midis tyre. Kishim hyrë të gjithë në klasë dhe ishim ulur në banga, kur fill pas nesh hyri dinjitoz dhe me shtatin e drejt si selvi edhe Gjon Anamali. Duke parë vështrimet tona mbi atë e nuhati se kishte ndodhur ose do të ndodhte diçka që kishte të bënte me atë. Meqenëse nuk lexoi asgjë të veçantë në vështrimin e parë që e kaloi si një fshesë mbi fytyrat tona, u kthye nga shkronjat që nxinin mbi dërrasën e zezë. Ndërsa vështrimi i tij rrëshqiti mbi shkronjat e atyre fjalëve fyese, në fytyrën e tij fisnike nuk lëvizi asnjë muskul, njësoj siç nuk lëviz në zhegun e vapës përvëluese asnjë gjethe në pemë. Askush nuk e kuptoi me çfarë radari apo aftësish ai u drejtua befas nga autori i atyre radhëve. Disa nga shoqet e klasës mbyllën sytë për të mos parë se ku do t’i përplasej koka apo ku mund të fluturonin ato dy sytë e kuq të Man Laperit. Në heshtjen që mbretëroi për disa sekonda, u dëgjua zëri i fyer i Gjonit:
-Nëqoftëse uria ime ju argëton, argëtohuni atëherë, por unë nuk i kam bërë keq askujt duke ngrenë hurmat e kopshtit tim. Dhe tani, Man, merr fshirësen dhe shuaji ato fjalë që të turpërojnë! Ti je vëllai im i vogël ndaj po të këshilloj të mos fyesh kurrë më vëllezërit e tu!
Nuk e di cili shpërtheu i pari në duartrokitje nga shokët dhe shoqet e klasës, por ato mbuluan një valë herë përgëzimet e ngrohta që erdhën nga të katër anët.
-Të lumtë Gjon!
-Sa hije të paska fisnikëria, mor burrë i dheut!
Gjon Anamali u ul në bangën e tij pranë dritares dhe hapi librat sikur të mos kishte ndodhur asgjë rreth tij.
Tani portreti i Gjonit më erdhi para syve më i gjallë se kurrë ndonjëherë më parë. Ndoshta malli për atë djalë fisnik më digjte e përvëlonte prej vitesh.
Gjon Anamali u emërua në hidrocentralin e Fierzës. S’kishte kaluar as java e parë e punës kur ai humbi jetën në një aksident tragjik. Hipur mbi një makinë që transportonte pllaka të rënda metali. në një kthesë rruge, nga inercia, pllakat rrëshqitën nga kavot me të cilat ishin lidhur dhe i prenë trupin mespërmes djaloshit. Gjon Anamali vdiq brënda pak minutash duke shtrënguar dhëmbët për të mos nxjerrë nga goja asnjë britmë frike apo dhimbjeje. që siç thoshte ai, -ja hupin burrninë burrit.
Ah, Gjoni i shkretë… Nuk do të vijë më kurrë në takimet tona. As ata pesë fëmijët e tij të shumëdëshiruar!
Kur zbrita nga taksia përpara Teknikumit të Ndërtimit ‘’Karl Gega’’, i numërova një nga një pemët e oborrit të shkollës. Edhe ato pranë përroit të vjetër.Të gjitha, sikundër i kisha numëruar ditën e fundit të diplomimit. Nuk e di përse kërkoja të shihja në degët dhe gjethet e tyre thinjat e kohës. Ndoshta na nxit e shtyn kureshtja njerëzore për të zbuluar ndryshimet që kanë ndodhur në mjediset ku kemi jetuar dikur. Gati ishin të njëjtat pemë që zbukuronin dikur stinët me gjelbërimin e tyre. Por kur pashë se gjysma e drurëve të mimozave mungonin, ndjeva një dëshpërim të thellë si të më ishte ngulur një thikë në zemër. Dikur kishin qenë tridhjetë mimoza dhe shtatëmbëdhjetë akacie. Edhe sot kishin mbetur po aq drurë akaciesh, ndërsa drurët e mimozave ishin rralluar dhe mungonin, sikurse Gjoni ynë fisnik.
Ja, tani kishin kaluar dhjetë minuta nga ora pesëmbëdhjetë! Po ku kishin humbur shokët dhe shoqet e mij të klasës? Çfarë gjumi leteragjik i kishte zenë? Nuk ka mundësi ta kenë harruar këtë datë të shenjtë rinore, të gjithë ata, si ta kishin bërë me fjalë! Çfarë mund t’u ketë ndodhur?! Ja, sot është 25 qershor dhe akrepat e orës sapo kanë kaluar njëzet minuta! Sipas zakonit tonë rinor. që këshillon pritjen deri në pesëmbëdhjetë minuta, iu drejtova hyrjes së shkollës. Duke ngjitur shkallët, përse pikërisht duke ngjitur ato shkallë të shenjta, truri im i tejnxeur më buçiti në temtha dhe më kumtoi se, takimi ynë vërtetë ishte lënë më 25 qershor, por pas çdo katër vitesh?
Kisha gabuar! Kisha ardhur një vit para kohe! Tashmë këmbët u ndalën para hyrjes së shkollës. Pas dritareve dukej roja, një mesoburrë i imët, që mesa dukej, ishte zhytur në lodrat e celularit. Eh, në kohën tonë, xha Rizai qëndronte në këmbë pranë derës me xhama dhe vëzhgonte çfardo që ndodhte jashtë në oborrin e shkollës. Vetëm kur dëgjoi trokitjet e mia mbi xham, ai u hodh përpjetë dhe hapi derën:
-Urdhëroni! Cilin kërkoni!
-Më falni që po ju shqetësoj,-iu drejtova atij, unë jam i shtëpisë këtu, një ish teknikumas i vjetër, si i thonë, qysh në kohën kur qeni hante qepë, dhe nëse më lejoni të hyj brenda, e gjej vetë pa ndihmën e askujt vendin dhe personin që dua të takoj.
Një çast roja u zu ngushtë nga guximi im për përgjigjen e cila nuk vonoi:
-Ju lutem, cilin doni të takoni? Mësimi ka mbaruar para një ore dhe të gjithë petagogët po largohen nga shkolla.
-Po drejtori aty është?
-Zoti drejtor nuk është larguar ende. Në këtë orë ai njihet me raportin ditor të zhvillimit të ditës mësimore.
– Atëherë qenkam me fat. Mund ta njoftoni se dua ta takoj?
Roja trupimcak mbylli menjëherë derën dhe u largua në drejtim të zyrave të administratës së shkollës. Shpejt u kthye duke buzëqeshur si një fëmijë i gëzuar:
-Drejtori po ju pret,-m’u drejtua ai duke më ftuar ta ndiqja pas.
Ishte po ajo zyrë e vjetër e drejtorëve të asaj shkolle.
Fare pranë derës vura re një burrë trupngjeshur që u ngrit në këmbë dhe bëri dy-tri hapa drejt nesh duke më zgjatur dorën dhe njëherësh duke pyetur:
-Si mund t’ju ndihmoj? Roja më tha se edhe ju, keni qenë vite më parë një nxenës i kësaj shkolle. Kështu?
-Drejtor, sot ndodhem pranë jush falë një keqkuptimi të kendshëm, apo të gëzueshëm, quajeni si të dëshironi! Jam me të vërtetë një ish nxenës i klasës së katërt C. Në kohën time, si të them, në kohën tonë, -nisa të bëlbëzoj unë,- klasa e katërta C ndodhej në katin e tretë me dritaret që shihnin nga Kisha.
-Sa mirë e mbani mend,-më ndërpreu buzëgaz drejtori,-po edhe sot e kësaj dite e katërta C, po aty është, në katin e katërt me dritaret që shohin nga Kisha.
– Ditën e diplomimit vendosëm bashkërisht të takohemi një herë në katër vjet, me 25 qershor, në orën 15. Edhe sot, vërtet është data 25 qershor, madje sapo ka kaluar ora 15, por takimi ynë, zoti drejtor, i bie të zhvillohet vitin tjetër.
-Me një fjalë, doni të thoni se edhe takimi ynë me kaq mori fund?-pyeti ai duke më hedhur një vështim dyshues. Menjëherë i kërkova të më shoqëronte për fare pak minuta deri tek klasa e katërt C.
Me një ngurrim të natyrshëm, por ndoshta i nxitur nga kureshtja, pranoi të më shoqëronte. Ecnim në heshtje dhe pa folur, nëpër korridoret që më bëhej se dëgjoheshin ende zërat tanë. Klasa e katërt C ishte bosh. Në bangën e dytë të reshtit nga ana e murit, dikush kishte harruar një libër të hapur. Një stilolaps ngjyrë blu, kishte ndaluar rrokullimën në faqet e librit. Nxënësit ishin larguar, mësimi kishte përfunduar, vetëm drita e pasdites, që binte pjertazi përmes dritares i jepte dhomës një ngjyrë të zverdhur kujtese.
U afrova te banka e parë, nga dritarja. U përkula dhe putha kapakun e bankës. Lotët më rrëshqitën mbi mollëza sikur donin t’u fshiheshin syve të drejtorit. Vendosa mbi bankë një tufë me pesë karafila.
– Ah, sa bukur! Me siguri kjo ka qenë banka juaj, –vuri në dukje drejtori me zë të ulët.
– Jo, zoti drejtor. banka ime ka qenë, ajo atje, në fund të rreshtit të parë. Këtu qëndronte shoku ynë, Gjon Anamali. Ai vdiq aksidentalisht në punë, gjatë ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës. Ju lutem, ua tregoni ndonjëherë edhe nxënësve tuaj të rinj kuptimin e kësaj tufe me karafila.

Exit mobile version