Site icon Gazeta Nacional Albania

Bardhyl Maliqi: BIR I BEKUAR I HISES SË DIELLIT, poezi

 

 

 

DUA TA DINI

 

Një gjë dua ta dini

në qoftë se unë shoh hënën kristal

dhe yjet si rrush në degën e kuqe të manit,

në qershorin e artë në dritaren time,

në qoftë se unë të prek

me zjarr të ëmbël

fyejsh,

ose shpirtin e rrudhur ta nder

në shëllë të diellit

ta çlodh

çdo gjë më mbart mua tek ju,

sikur çdo gjë që ekziston:

aromat, dritat, petalet,

dhe vela anijesh,

anijesh të vogla që shkojnë,

ndaj këtyre ishujve të tu që më presin

të vij te ky arkipelag bukurie, që thirret “Ksamil”,

megjithatë,

në qoftë se pak nga pak që të më kallet dashuria

mua thellë në zemër, në arterie, në gjak;

unë do nuk do të rrresht së dhëni  dashuri pak nga pak.

Nëse papritmas harroni,

se unë ekzistoj diku,

mos më kërkoni.

Unë tashmë e kam bërë

thelb të ekzistencës

të falurit dashuri!

 

Nëse ju mendoni se gjerat funksionojnë ndryshe,

Se dashuria ime e gjatë dhe e çmendur

era e nanuritëse e saj,

që kalon nëpër jetën time

dhe ju vendosni

për të më lënë mua në bregun

e zemrës ku kam rrënjët,

atje në Çamëri,

mendoj se atë ditë,

atë çast,

unë do të ngre krahët

dhe rrënjët e mia do t’i shkul

për të kërkuar një tjetër vend,

si dikur gjyshërit e mi,

gaboni,

se unë sërish në Konispol do të mbij!

Ndoshta do të bëhem qeparis në kopshtin tim,

ndoshta një rrënjë ulli,

por

nëse çdo ditë,

çdo orë

ju mendoni se janë të shkruara për mua

me ëmbëlsi të paepur,

nëse çdo ditë bukuria

në buzët e tua çel një lule për mua,

oh, dashuria ime, është aty,

brenda meje në zemër, në tru, zjarri është përtëritur,

tek  unë asgjë nuk harrohet apo shuhet,

dashuria ime ushqehet me dashurinë tuaj, o të dashurit e mi.

Dhe për sa kohë ju jetoni,

doni apo s’doni, mua do të më aromoni,

unë do të bëhem karafil në thilenë e xhaketës,

tek unë do t’i ndjeni aromat,

mua do të më mbani në duar

si bibël dashurie,

oh atëherë,

atëherë do të më besoni!

 

 

BIR I BEKUAR I HISES SË DIELLIT, BEKIM!

Kushtuar aktorit me famë botërore, Bekim Fehmiut

 

Bekim,

bir i bekuar i një kombi të vogël,

bir i bekuar i një familje të madhe,

bir i bekuar i hises së diellit tim – Bekim!

 

Për ty kishte vlerë çdo gjë që të kujtonte

rrugicat e fëmijërisë,

ku edhe tigani i shtëpisë cingëronte shqip,

ku tringëllinte shqip dhe breshëri në dritare,

ku edhe kërcejtë e gjelbër të hardhive

përdridheshin si shkronjat e vogla të alfabetit,

ku shqiptarisht sofra shtrohej,

dhe bora në male, nderej shqiptarisht!

 

Ndaj s’qe çudi që ti s’e pranove

një emër tingëllues anglosakson,

por në Hollivud, shkurt e qartë the:

“Unë jam Be-kim Fe-hmiu, nuk mund të ripagëzohem,

pasi më tingëllon mjaft bukur emri im!”

Çuditërisht, Brankës i ndenji për shtat ky qëndrim,

ajo si Bekim të pat njohur,

e për të i bekuar do të ishe për jetë,

se ti si dielli ja mbushe ditën  plot dritë,

mes jush do të qëndronte dashuria, familja, fëmijtë!

Pa ty, oh pa ty, Beogradi,

nga qytet i bardhë,

do t’i dukej, gri, i përhimtë!

 

E bekuara juaj më kujton një Brankë tjetër Bekim,

bashkëshorten e një poetit shqiptar në Zagreb,

të shenjtëruarit Shahin Hasani Shkoza,

që ka bashkëpërkthyer në gjuhën kroate librin tim.

Branka dhe Shahini, kur ndodhte të vonoja,

merrnin në telefon të shqetësuar Shqipërinë,

Avioni erdhi, Bardhyli jo!

Branka, që më ka bërë sa herë byrekë,

mirësisht me dashurinë e saj të madhe.

Brankat tona mbase nuk njihen, Bekim,

por i solli rasti bashkë të rrinë në dashuritë e mia njerëzore,

se midis tyr qëndronit ti dhe miku im Shahin,

që të njihnin të gjithë dhe të adhuronin paqësisht.

 

Njeriu nuk duhet të fajësojë të tjerët për diçka që i ndodh

pasi njëra nga tragjeditë tona është

se ne kemi mësuar nga njëri – tjetri,

vetëm të keqen

thoshe ti për hapësirat ballkanike.

Dhe kishe të drejtë,

Ne, në shembullin tënd të bukur edhe tash,

mezi kemi mësuar të gërmëzojmë

alfabetin e dashurisë njerëzore,

të bashkëjetesës në të njejtin reliev të brishtë.

Kjo ka qenë arsyeja,

që fillimisht kam fluturuar me drojtje

mbi qiejt tanë ballkanikë,

megjithëse qielli, s’i pranon kufijtë,

nga dritarja e avionit ato dukeshin njësoj,

nga lart, kuptimi mbi shtetet tjetërsohet,

aty ka vetëm hapsira diellore, re të bardha pulpore,

dhe poshtë tokë, male, fusha të gjelbra dhe ujra,

lumenj që bredhin kaltërsisht nëpër dhera

dhe dete që s’ndahen me gjerdhe.

Prej qiellit edhe qytetet, trenat dhe uzinat

duken si lodra fëmijësh.

Ndaj gjithmonë më është kujtuar

porosia jauj profetike:

“Mësoni dashurinë!”

 

Shembullin e madh të kapërcimit të hapsirave ballkanike

e gjetjes së të mirës mes nesh, e dhe ti vetë,

ti ishe materja njerëzore e kryqëzuar,

mes genit shqiptar dhe shkollimit serb,

sa vizionar ishin ata që ta akorduan bursën,

megjithëse ti nuk dije serbokroatisht,

aktrimi yt famoz i nderoi kombet tona të vogla,

ndërsa martesa jote me Brankën vulosi një bashkëlidhje të madhe,

që pseudopatriotët nuk arrijnë dot as sot ta lexojnë denjësisht.

 

Ti prehesh në Lumbardhë të Prizrenit Bekim,

në Lumbardhë të Çamërisë ndoshta një ditë

do të mbillen si në një ëndërr eshtrat e mia,

prej humbjes tënde e mësova mirë,

se mes dy Lumbardhash shpërfaqet Shqipëria!

 

 

BABI NUK ËSHTË THJESHT NJË BANKOMAT

 

Emri im si baba nuk lidhet me Shën Josefin,

siç thonë katolikët në kodikët e artë,

as me Presidentin Nikson ,

as me minierat e Virxhinias në Amerikën e largët.

Nëse jam prindi yt, më ndje si atë,

biri im,

nuk dua të më ndjesh si bankomat!

Shpirti im nuk është në portofol,

as  zemra ime nuk janë veç paratë…

Të kujtohet kur të mbaja mbi supe,

kur ti kapje yjet dhe xixëllonjat nëpër natë?

Po kur të çoja në shkollë ngarkuar me çantë,

a thua u regjistrova sërish në klasën e parë?

Nuk të detyrova kurrë të punoje për mua,

as nuk të fshikullova kur ti gaboje për natë,

ku ishte njeri libër, tjetri nuk ndodhej,

as fletoret e punës me shkrimet si patë.

Ikën vitet si uji në mullirin e artë

duke bluar yjet në vend të grurit,

ike dhe ti larg nga babai. Tani del me vajza,

jep dhe provime.

Për mua kujtohesh kur të mbarojnë paratë,

u rrite biri im dhe kjo më lumturon,

por mos u sill me mua si me një bankomat!

 

 

 

 

KU TË TË GJEJ?

Ku të të gjej? Ku të të gjej?

Trokit e zgjo në këtë natë!

Qielli është varur prej resh të ndera,

ullishtat shkrihen dhe bëhen njësh me ty,

ti me cellular në dorë kërkon thirrjet e humbura,

unë të kërkoj sërish e s’të gjej përsëri.

 

E di se monument natyre ti je bërë

apo rend Çamërisë në mjegull e në shi,

qëndron si lis i djegur rrufesh atje lart

apo sërish si zog ngarend në fluturimin e ri?!

 

Me natën të veshur si perçe të zezë,

me shpresën e bardhë më prêt përsëri,

se dielli nuk perëndon dot përgjithmonë,

se dita s’ka  xhepa ku të të fshehë ty.

Albtelekom, albtelekom, thirrje të humbura,

lajmëtare e jetës, vallë ku je ti ?!

MANEKINËT KANË VDEKUR

Vdekja e manekinëve është e pabesueshme,

Si mund të vdesë diçka që nuk gjallon?!

Këto dy studente që ndodhen në butik,

më thonë se as syri, as shpirti nuk gabon.

 

Vishen e zhvishen përditë manekinët,

Me sy statujash na shohin verbërisht,

Se hirin e nurin vajzëror s’e arrijnë,

Ndaj përditë pranojnë të vdesin denjësisht….

 

Exit mobile version