Gazeta Nacional Albania

Barie Çupi: KAFE NËN HIJEN E QYTEZËS SIME, POEZI

VETES SIME

Ua kam prekur mendjen,
edhe vijat më të imëta të lëkurës ua kam ditur,
qënien time u dhurova,
ç’rëndësi ka ç’më patët e ç’ju pata,
as s’u njohëm,as s’më njohët,
të montoka bota.
kujtimet si ekzistenca e një hiçi
e kanë varrezën në re,
karma e jetës do jetë zgjuar,
herë vjen takon mua,
herë flet me ju,
herë inatçore përballet me ne.

në vorbullën e vetes sime,
jam shpërbërë në fletëza imcake,
frikën s’ma kishte dhuruar askush,
as ju që më qeshët,
as tjerët që më urryen,
se kur i thash shporru,
s’më doli njeri përpara,
se dhe Frojdi pinte vetë helm,
e përpiqej të shëronte të tjerët,
krijesa të dobëta,me gjendje të dyfishta.

më duhet t’i shkëpus nga hija ime,
k’ta patogjenë,
që egërsisht jetojnë në çdo lloj vrime,
trurin synet kishin bërë më parë,
sëmundje me origjinë psikike,
njëmijë vjet vetëm kishin sulmuar,
e diejt vetëm kishin qarë.

në reagimin tim fillestar,
dhe unë u stepa,
e vogël qeshë,
të mbrapshtë i gjeta.
në shekullin tjetër do ta fal veten time,
e ç’rëndësi ka tani e vërteta,
mësova arsyet,
pse ka moti s’më bindej jeta.

PA DRITË JETE

Eee moj botë si të t’përpij,
gojën helm,prej gjellës prishur,
s’më je luan e as mi,
barku yt,kazan i flliqur.

Si s’u ngope,mjaft gëlltite,
lotësh prej nëne,lahesh ndër vete,
n’terr të ferrit u shkopsite,
as e vdekur,as shenjë jete..

Më vjen keq për kët’erëbotën,
i panginjshëm zgjohet Njeriu,
“Rrugës Qumështit”syt’ia rropën,
ujin e djallit,kush i pari e piu?

AMANET TË KAM DHE UNË …

Nuk je pafat,ti qyteti im,
të shkruaj se kam mall,
për mua s’je harrim,
dielli nazeli,të ulet majë malesh,
era t’flladit ballin,luginash perqafesh,
aromë pishe e lisi t’mbushet kraharori
din të qeshesh urtë,e s’të ndalet hovi.

taksiratin tënd,ia porosita vetes sime,
pash më pash i gurtë,t”preka çdo thërrime, shkallë-shkallë d
uke ngjitur,si thoshte im atë,
jeta është e shkurtër,sa ç’duket dhe e gjatë

po s’mundët hapash,me emër e zë ndaloni,
që t’ju njohë dheu,kur t’kthehi e t’pushoni.

nuk je aq pafat ti qyteti që ndrin,
se do ketë gjithmonë,sikur babai im,
nën hije s’ta lëmë,shkëlqimin që t’dha Zoti,
s’të ulet madhështia,e shpirtin s’ta rrudh loti,
me liqenj mrekulli,damarësh mbushur lumë,
vendlindje sëkëlldi…amanet t’kam dhe unë.

nuk thyhesh shkëmbinjsh,e as të thahet kroi,
t’kam burim force,si rrëmbim përroi.

ATY…

Pata lindur njëherë qëmoti,
e pata vdekur pa e ditur askush,
më qanë për së gjallë
e nuk e dita as vetë,
më burgosën çdo qelizë
e natën ma patën bërë varr,
ndërsa shpresa më mbulonte si bar i blertë.

m’i trembën të qeshurat,ku qeshej hapsira,
ajri më qe kthyer në baladë,
kundërshtare e shurdhët ndërsyer koha,
mëshirë e akullt ligësia,
ca fjalë rrahur erërash,
një dritë përballë e ngadaltë.

pa mbërritur në fund,pashë në ëndërr,
ëndrrën time,
përplasje,
përmbajtje,
potere,
gojë që zvargeshin,
zënë myk nga zilia,
labirint i mjegullt pabesia.

m’i stërgjatën udhët,deri resh nëpër qiell,
e nuk e dita as vetë,
unë tehesh të thella,do të vdes veç aty,
aty në mbretërinë time rrethuar me diell,
tokë ku e keqja nuk pati kurrë sy,
aty pata lindur njëherë qëmoti,
…vetëm aty.

E RREJSHMJA

Njeriu iku bashkë me kohën ,
për të hënë e diell sakrifikohet,
ndërsa e rrejshmja,
nuk pati mundësi të amëshohet,
as të rreket përtej fundit,
kaloi e shkeli mbi kode,
shtrydhi kapilarët e tokës,
e Zeusit damarët e trurit,
ca të tjerëve u tregoi si pritet e durohet,
askush nuk e gjeti si shpjegim,
e askush nuk ankohet,
në të njëjtën atmosferë,i njëjti pushim,

pas natës me fenerë artificialë,
drita lind sërish,
fshehur pas të rrejshmes,
njeriu gjurmon egërsisht!

KËTA DREQ GURËSH

Më vranë këta dreq gurësh,
më vranë e m’dëgjuan kur lotësh u ankova,
heshtën sa herë përgjigje u kërkova,
përzishëm lëvizën,kur me gurë më sulmuan,
qeshën e të duroj si një gur më mësuan.

ndërruan vend çuditshëm,sikur gjurmët e mia,
gurët m’i dinë dhimbjet,më shumë se shtëpia.

gurëve në sa mote,u lashë peshën e rëndë,
gurë në pas’shpine e veç gurë nëpër këmbë,
se di ç’do të thotë,që gurët s’më harruan,
kur pata vdekur njëherë,me gurë më mbuluan.


hullive të ditës,
dremisim në këmbë me përrallat e sotit,
ca mendimesh avulluar,
ca heshtjesh të kota,
ca si fluturake të rrjepura,e glasin rrugën andej së ftohtit,
ca gërhimash memece,
mërmërisin lajmesh,
nderur telash si sorra.

prej syve të mendjes
na ndërtohen pasqyra,
kur dielli bie n’gjumë,del hëna reflekton,
si në “Varrezat e Pragës “
fole gjuhësh të fryra,
në padashje,
buzëqeshja ime,
gjoksin cave ua ngushton.

KAFE NËN HIJEN E QYTEZËS SIME.

E zhvesha çastin,si të ishte perëndim,
ia lexova sy e buzë qytezës,
zhuga dhimbjesh piva bashkë me kafenë,
një lot m’u rrokullis në murin e zemrës.

Kohës i çirrej një flakë me shije ferri,
me gjurmë larvash pa drita neonesh,
ç’zë i mungonte drithërimës së ajrit,
erës vjeshtake si pëlhurë kllounesh.

Një puls u ndal,të pushojë në rrjedhë,
borduresh plasaritur,shirash u ndotën,
së fundmi as lulet nuk qeshnin kurrsesi,
molisur aromash,se di në më njohën.

Mbi fletë gjethesh të qelibarta,
çdo ind prekur tokës,çastit e hutuar,
u zgjova si kush,a në çfarë gjinie?
gjersa dielli filloi,të më ftohet nëpër duar.

GUDULISJET E KOHËS

Muzgjet e ftohta sa vijnë e afrohen,
era gudulis perëndimet e arta,
të brymta qerpikët e mbrëmjes lakohen,
hënës nën hundë,ulet i gjegj nata.

Është e vetmja udhëtare vërtet e lumtur,
që shijon ëndrra e ju qesh dashurive,
për tjerë ësht’koha e kohës të humbur,
muskujt e rrugëve,dobësuar marrëzive.

Shira të bujshëm degdisen lumenjsh,
retë bërë shtupa,para syve të diellit,
u zgjuam të rritur,zvogëluar prej të mëdhenjsh,
në pse e përse,shtypur xhepave të qiellit .

MALL’I PËRJETËSISË

Prej qiellit ku fshihesh,kam me të gjetë,
O prekmë ballin,o dëgjomë me shpirt,
pranë të jam afrue,,edhe pse s’jam vdekë,
të mbërrij atje,m’u dashka më shumë dritë!

Mos më thuaj kthehu,lumi të më marrë,
këtu në tokë baba,më mban lutje’ nënës,
ç’prapësi njerëzore,nuk ju bëj dot ballë,
ësht’shtrat më i ngrohtë,gjumi pran’hënës.

Psherëtimë e brishtë,i tmerrshëm ky fund,
n’gojë na mbyten fjalët,si të qara fëmije,
si bora në zjarr s’do dukemi askund,
veç këngët balada,lën’gjurmë përjetësie.

Dënesë e pangopur,zbret nata misterioze,
varur sumbull heshtjet,ngrirë nën qerpikë,
n’krah zogjsh udhëtime,njëmijë vjet kurioze.
n’lot shelgjesh të arta,thotë malli më prit.

NJË DRITË MBI VARG…

Një melodi kujtimesh,
lëngimesh,
dënimesh,
ndriçon mëngjeset,
prek zgjimet,ndryshkur në kraharor,
lart Universi i heshtur,
gjurmon zëra shpirtrash,shpërthimesh.
i mbështjell me ëndje brinjëve,
udhëve të hapësirës.
…qerpikëve të padukshëm,
të kristalta ca pikla loti,
lot sikurse djersa e qiellit,
avuj ofshamash njerëzore,
nënlëkurë e ëndrrave prej gëzofi dëbore,
dhe gërma të fjetura nën brymë,
rënë pellgjeve të trurit si gjethet e vjeshtës,
tër’jetës avitur,për t’i kthyer në frymë,
frymë zjarri mbetur mbi letër.
…asgjë nuk ndryshon,
sepse nuk mundesh,
derisa ftohet boja,
plot korrigjime,
fare pakëz fuqi,
pakëz mall zemre,të kthehet energji,
brenda zarfit të kozmosit,
shkrimi im i keq thërrmohet,
tymrat e tokës vragë mbi adresë,
adresë e gabuar,
unë mes lodhjes së shpirtit dhe djersës së qiellit,
mbi fletën e bardhë,
një rrugë e shkruar,
me shkrimin tim të keq.
…një pëshpërimë e ëmbël vjen si muzë,
një turbullirë e flaktë,që vdes mbi buzë,
vështirë t’i jap një formë,
kësaj fryme endacake,
mes ditës e natës,lutjesh ecejake,
pjerrëtinave të kohës,
gjys’shekulli bërë shkumë,
sa lot e forcë mbi varg,
çelur nëpër stinë…dritë që s’shuhet kurrë.

PIK’NISJET…

Në zgjimin tim,kam harruar të zgjoj hijen tënde,
ndriçim i tërbuar i ditës,
hapur qielli si portë e tejdukshme,e largët,
e kthjellët koha,kur ia mbyll gjurmët frikës.

Në trokun e mendimit,trokitje të vona,
si xixëllonjë e dremitur isha n’errësirë,
në turbulenca shtigjesh të ngushta,
përplasje gjethesh,torturohen me dëshirë.

Në kështjellën e ngritur,qëndroj palëkundur,
pa u tjetërsuar jetë e askujt,
llogaritur në zbrazje,luft’rat pa shkak,
në pengesë e hutim,imagjinat’e gjithkujt.

Prekjesh të ndotura ,mbështjellë kujtimet,
si imazh vjeshte,me rrugë të qullura ,
ngacmoj shpirtin të kumtojë të nesërmen,
përrenjsh të fryrë,në ç’fjalë të bukura.

Pikënisjet e mia,dhe zbritje dhe shumëzim,
jo këmbësore e humbur,përgjunjur jetës,
tek mbroj çatinë e gjelbërt,me shkronja alfabeti,
në buz’mbrëmje i jap dorën,veç të vërtetës..

…NJË ÇAST,
një jetë,
një buzëqeshje,
një pendim…
brenda vetes njeriu si gjethe bie,
hapat e vegjël na nderojnë ,
kur ëndrrat marrin një kuptim…

FJALË TË PALEXUESHME

Po harrojmë dhe gëllëjkën e fundit o njerëz,
atë të nxehtën përreth buzësh,
po abortojmë gëzimet e njëri-tjetrit,
të flasim më pak,të shkurtohemi gjuhësh.

O ti qënie e butë,
që i ke vjedhur dritën hënës,
ç’ne fjalë të palexueshme,
me sy ç’kërkon a ç’don të thuash?
fluturakët kanë shqisa të padukshme.

Nuk dimë ç’të gatuajmë me k’të njerëzi,
ca mendjesh dehur si sharlatanë,
ca qortueshëm lumturohen e t’bëjnë sehir,
ca i tërheq prej vetes,e t’shtyjnë matanë.

Në djall të shkojë e vërteta ekzakte,
se dy her dy,do them bëjnë pesë,
oratorët rrugës le t’shpërthejnë damarësh,
të gjithëve,gur’i varrit,do na presë.

IRONI E FATIT

Mbi gërmadhat e zënkave tona,
nuk pati viktima,
as xhelatë fitimtarë,
ne shkatërrues të heshtur akoma.

eh,do t’i përgjigjemi çdo miti,
do t’i përshtatemi çdo gjuhe,
çdo zakoni e ligji,
do urtësohemi gjer në jehonën e gërmës së fundit,
në shpate vargjesh e ulërimash,
duke dalë nga puseta e çdo shpifësi,
trungje fjalësh do të arnojmë,
do e nxjerrim në treg shpirtin,
e di…s’do paguhemi,
do qëllohemi thikash me ironinë e fatit,
e do vritemi njëherë,pastaj do duhemi.

KOHA PA STINË….

U tkurr hapësira,
kur dielli i shkeli syrin për s’fundi,
një ngjyrë e kuqerremtë veshi qelqet e ujta,
përpëlitet drita e tendoset mbi kupola kullash të qiellta,
buzëmbrëmja,
puhi e trëndafiltë në damarët e mesvjeshtës,
flasim për ngrohje globale,
aneksohen stinët pa ditë të ndame,
dimrat janë ngjitur lart
e rrinë në ajër pa frymë,
sjellin hije stuhish,krejt papritur e fryrë,
si pështymë pëllumbash mbetur nuancat e natyrës,
barku i tokës tharë zorrësh nga etja,
vetëm shirash çelet fytyrës,
gushoret e maleve zverdhur e hedhur shpatesh,
shallin e ajërt të tetorit,
ngurtësuar bryma në palcë të globit,
pihet kupash oksigjeni veç në kodrina e fusha,
ku gëzon perëndia,plot ullinj e fruta,
kalliri i misrit përpëlitet shpuzash,
mbrëmjesh me sy të skuqur,
ndalesh e kopsit vështrimin,
kalon një vajzë e bukur,
ca tjerë njerëz,
cigaresh e shishash tymosur në lokale muzike,
e nuk ankohet askush,për ndotje akustike.
…si në të pavërtetë,po udhëton kjo jetë,
si në freski e si në t’nxehtë,
kush nervin,ditës diellnaj’ia ka gjetë,
Ç’kohë e marrë,
sikur ujrash të ndenjura,
dhe vet’erës i vjen marré
e s’lot për stinë të çmendura.

Ndërsa muzgu ka hapur fletët e argjendta,
një fllad i ngrohtë më bie ballit,
ende po djersij,
tek mërmëris mendueshëm me hapa të shpejtë,
paskam kapërcyer dy bulevarde,
e kaluar disa semafore,
unë vetëm në rrugë të drejtë.
…sikur të kapja dhe matanë një shëtitore,
por ora s’më mjafton,
fola gjatë për stinët njerëzore,
kozmosi e di që më dëgjon,
muzg vjeshtak,
ende bën vapë,
marr veten me t’mirë,tek zhurmon një kthesë,
ah,kjo météopatia,
gjunjët kanë filluar shtypjet,
ndoshta dimri…qesh e ngjesh do më presë.

NJË POETE FEMËR…

Nata e shkuar ishte pagjumë,
i rrëkëllente sytë mbi mua e unë mbi atë,
asnjëra nuk flisnim,
ajo mbushte pjatën e argjendtë si me magji,
e psoniste ëndrrat që përplaseshin me lakuriqë nate,
fryrë direku i errësirës
si perçe në mendje njerëzish,
me ego sqimatare,
ndërsa yjet pinin qumësht hëne
tek-tuk cepave të hapësirës,
ndoshta dikujt i realizohej ndonjë dëshirë,
ç’natë endërrimtare.

Ditë e re fillon në mesnatë,
orët rrinë zgjuar,
si roje të kohës së humbur,
unë kujdesem për ta,
kalimtarë në dukje të lumtur,
tek zbrazen kupash të fshehura në përgjumje që nuk lexohen,
sa fare’pak mimikash dallohen…
gllëjka e fundit e fund’natës është e hatashme,
tek lë mbi tokë si glasë zogu vesën e bardhë,
bulza avujsh në zhdukje,
bulza frymarrjesh që mezi kanë gdhirë mëngjesesh ndarë,
oratore e heshtur një poete,
zvarritet drejt vetes ,
vërteton shenja jete…
grackave të kozmosit kërkon krahët e diellit,
mugëtirash depërton e ia zgjidh nyjet edhe dreqit,
jeton e vdes në pëllëmbë të dritës,
i vë fré frikës.
…nje poete femër,
qep e shqep qiejt tej e matanë,
arnon zemra e s’ju vë emër…
konsumatorë të vjetër ikin,
të rinjt’gjithë pendesa u panë…
e shqyen sytë duke prekur rrezet e agut të vjeshtës,
veç të lehura qensh,
e ca pemë të shkundura degësh…
Eeh,tek përcolla hënën shpejt e shpejt,
çuditërisht,
mrekullisht,
milje të tëra poemash,
kopsitur mirë e krejt.