Site icon Gazeta Nacional Albania

Bashkia e  Pogradecit  promovon  vëllimin poetik “Për Ju” të Alida Stamo Pojanit

 

“Mbrëmja poetike, e organizuar nga Bashkia e Pogradecit, mblodhi shkrimtarë, artistë dhe artdashës, të cilët vlerësuan dimensionin human, elegjiak dhe estetik të poezisë së autores, ku kujtesa, familja dhe dhembja shndërrohen në art poetik me frymë universale. Në emër të Botimeve “Nacional”, që kishin publikuar edhe librin, Dr. Mujë Buçpapaj vlerësoi vëllimin poetik “Për Ju” si një tekst lirik me vlera të spikatura emocionale, estetike dhe antropologjike, ku përvoja individuale e autores ngrihet në një dimension universal e human”.

 

 

Në një atmosferë të ngrohtë artistike dhe shpirtërore, në qytetin e liqenit, u promovua vëllimi poetik “Për Ju” i poetes Alida Stamo Pojani, në një mbrëmje letrare të organizuar nga Bashkia e Pogradecit, nën kujdesin e nënkryetares së bashkisë, zonjës Entela Gusho, dhe shkrimtarit Dhimitër Pojanaku.

Veprimtaria mblodhi së bashku poetë, shkrimtarë, artistë, intelektualë, artdashës dhe qytetarë të shumtë, si edhe familjarë e miq të autores, të cilët vlerësuan dimensionin human, ndjeshmërinë lirike dhe vlerat estetike të kësaj krijimtarie poetike. Libri është botim i Shtëpisë Botuese “Nacional” në Tiranë.

Gjatë promovimit, autorja Alida Stamo ndau me të pranishmit emocionet e saj më të thella shpirtërore dhe burimet frymëzuese që kanë ushqyer këtë vëllim poetik, duke theksuar se poezia e saj lind nga përjetime të vërteta njerëzore, nga kujtesa, dashuria dhe dhembja e jetës. Me një emocion të dukshëm, ajo u shpreh:

“Tek ky libër gjeta flladin e liqenit tim, fëmijërinë time, njerëzit që më duan dhe që i dua. Është një udhëtim i gjatë i jetës sime, një manifestim i shpirtit tim dhe i vetë familjes sime.”

Një vend të veçantë në vëllim zënë elegjitë kushtuar vajzës së autores, ndarë tragjikisht nga jeta në lulen e rinisë — poezi të mbushura me dhimbje, mall dhe një dritë të brendshme humane që e ngre përjetimin personal në një dimension universal.

Nënkryetarja e Bashkisë së Pogradecit, Entela Gusho, vlerësoi librin si një dëshmi të ndjeshmërisë femërore dhe të forcës shpirtërore që letërsia arrin të përcjellë tek lexuesi. Ndërsa shkrimtari Istref Haxhillari u ndal tek veçoritë artistike të poezisë së Alida Stamës, duke theksuar natyrshmërinë e figuracionit, autenticitetin emocional dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me lexuesin.

Poeti Dhimitër Pojanaku foli për lidhjen organike të autores me Pogradecin, me peizazhin liqenor dhe kujtesën e fëmijërisë, elemente që përshkojnë gjithë universin poetik të këtij libri. Edhe folës të tjerë nënvizuan rëndësinë që kjo poezi ka për letërsinë bashkëkohore shqipe, si një zë i sinqertë, human dhe estetikisht i realizuar.

Në emër të Botimeve “Nacional”, Dr. Mujë Buçpapaj vlerësoi vëllimin poetik “Për Ju” si një tekst lirik me vlera të spikatura emocionale, estetike dhe antropologjike, ku përvoja individuale e autores ngrihet në një dimension universal e human. Ai theksoi se kjo poezi komunikon me ndjeshmëri temat themelore të ekzistencës njerëzore — dashurinë, humbjen, kujtesën, familjen dhe mbijetesën shpirtërore — duke e shndërruar dhembjen personale në reflektim poetik me përmasa universale.

Sipas tij, poezia e Alida Stamo Pojanit mbështetet mbi sinqeritetin e ndjenjës, fuqinë komunikative të vargut dhe një ligjërim poetik të kthjellët, larg hermetizmit artificial, por pranë emocionit autentik njerëzor. Ai vlerësoi gjithashtu dimensionin etik dhe kulturor të kësaj krijimtarie, ku familja, vendlindja dhe memoria kolektive shfaqen si themele të identitetit dhe vazhdimësisë shpirtërore shqiptare.

Mbrëmja poetike vijoi në një atmosferë të mbushur me emocione, kujtime dhe interpretim artistik të vargjeve të autores. Poetë dhe pjesëmarrës të ndryshëm lexuan poezi nga libri “Për Ju”, duke krijuar një komunikim të ngrohtë mes poezisë dhe publikut. Çdo varg sillte copëza malli, dashurie, humbjeje dhe reflektimi, ndërsa të pranishmit ndanin vlerësimet e tyre për autoren dhe universin e saj poetik.

Ishte një takim i veçantë me shpirtin e poezisë, aty ku fjala artistike u kthye në urë komunikimi njerëzor dhe emocional. Një mbrëmje që dëshmoi edhe një herë se letërsia mbetet një nga format më të larta të kujtesës, ndjeshmërisë dhe dinjitetit njerëzor.

Në përfundim, të pranishmit falënderuan autoren Alida Stamo Pojani për këtë libër të ndjerë dhe për zgjedhj

 

 

Exit mobile version