Istref Haxhillari: Në ditën e promovimit të vëllimit poetik të autores Alida Stamo

Shpirt që nuk gjen prehje

 

 

Nga Istref Haxhillari

Në librin me titull domethënës “Për ju”, poetja ka renditur një tufë poezish të ndjera, nga ato që edhe po të kërkosh në lumin e fryrë të prurjeve të sotme, vështirë t’ua gjesh të ngjashmet. Me gjuhë të thjeshtë, sqimë dhe emocion, vargjet vinë si ndoca virgjëresha të qëmotit për të mbetur gjatë në kujtesë, se janë jeta e poetes derdhur në vargje, dallgët e shpirtit të saj të trazuar që nuk gjen prehje.

Poezia nuk është e përmasave të mëdha, ngarkuar me artifikse apo mbushje të tjera letrare, por edhe pse e tillë, apo pikërisht pse e tillë vjen tejet e freskët si një simfoni që të dridhmon shtatin. Ashtu siç shprehet poeti, botuesi dhe redaktori, doktor Mujo Buçpapaj, vargjet janë frymëzim i mbartur në dekada për të njohur shpërthim sidomos pas ndarjes së parakohshme nga jeta të vajzës së saj të dashur, Ada, që i ka lënë një boshllëk të madh, të pazëvendësueshëm.

Poezitë për të janë nga më të dhimbshmet dhe më të fuqishmet e vëllimit:

Kush më trokiti atë natë në ndërrimin e viteve

Në thellësi të shpirtit tim?

Ishte Ada, zemra ime

Ishte Ada, shpirti im…

Dhe folëm me zërin e shpirtit të dyja bashkë,

Folëm gjithë natën pa mbarim,

Unë flisja shpejt me zë ledhatar

Ajo dëgjonte përhumbur, në qetësi.

Lida e ka kuptuar si pak të tjerë se aktet më të rëndësishme në botë marrin shtysë nga gjërat e vogla dhe asgjë nuk e zhvlerëson më shumë poezinë se sa sforcimi, apo huazimi për të dhënë një ide të vetën.

Ajo nuk e vuan këtë mëkat të vjetër të shkrimësisë.

Pogradeci dhe liqeni, burrat dhe gratë e vendlindjes, që i përkëdhel prej vitesh me dashurinë e mëmës për bijtë e bijat e veta, popullojnë imagjinatën e ndezur të poetes. Vëllimi është rrugëtim me ulje ngritje në gëzime e hidhërime, lindje jetësh dhe perëndime njerëzore, ngjarje të sotme dhe kujtime të hershme. Në vargje cek elemente të fshehura prapa detajesh të parrokshme nga vëzhguesi i rëndomtë. Poezitë janë natyra e personalizuar prej syrit të saj, e shkuara dhe e sotmja, prindërit, motra, vëllai, familja, njeriu i thjeshtë që edhe pse i zakontë, rrezaton mendim. Në vargje shpaloset historinë e vjetër dhe e re e shpirtit të saj, histori korrekte, mbresëlënëse.

Gjithmonë bashkë të jemi moj motër

Ashtu si dikur në shtëpinë tonë

Shtrëngoma dorën fort mbas teje moj motër

Si dikur mitake që isha e vogël.

Sa shumë mësoj prej teje çdo ditë,

Sa shumë gëzoj kur ty t’i shoh sytë,

Fjalëmbël je, moj e shtrenjta motër,

Të dyja bashkë pushtojmë gjithë botën.

Me bukurinë e sinqeritetit e dhimbjes njerëzore, vargjet i ngjajnë fëshfërimës së dallgëve të liqenit në shtratin që hapin vetë si të qëllojë e ku të qëllojë. Ndodh që marrin karakter filozofik, duke evokuar thelbin e urtësisë njerëzore, ndodh që peizazhet e viseve të saj të flasin me gjuhë perëndie.

Libri ka nga të gjitha, prek plagët e njerëzve, përimton copëza lumturie, buzëqeshje. E lexon, rilexon, mediton, përfytyron ngjarje që nganjëherë këputen në mes dhe përhumbesh në mendime. E rimerr prapë dhe sa herë t’i rikthehesh, zbulon detaje të reja. Vargjet nuk janë monotone, çdokush gjen copëza të historisë familjare, farefisit, apo situata të ngjashme në jetën e vet.

Erdhi sërish maji i tretë

Me lulet dhe zogjtë shtegtarë,

Mbrëmjeve në dritare, dritën e hënës pres

Të rrijë zgjuar me mua me rrezatimin e saj.

I lutem hënës në këtë natë maji

Rrezatimin e argjendtë e sjelltë sonte tek ty

Përse sytë e mi po rrjedhin vetëm lotë?

Jemi larg bija ime, dhe nuk të përkëdhel dot!

Vëllimi poetik “Për ty” është brerore e autores, thurur me degë malli e dhimbje nga viset që i do e nuk ndahet dot kurrë. Përtej problematikës së prekshme dhe formës së veçantë që i dallojnë menjëherë vargjet të mbeten në kujtesë për ndjesinë që krijojnë, kur i lexon dhe mesazhin gjithë kohor që përcjellin.

Çdo poezi ka diçka ndryshe nga sa pret lexuesi, zgjidhje të thjeshta, pa shtirjet e zakonshme të autorëve që synojnë me çdo kusht interesanten. I shkruar me çiltërsinë e frymëzimit poezitë bëhen pjesë jetës së gjithkujt.

Ia vlen ta lexosh.

Pergezime edhe Shtepise Botuese Nacional ne Tirane qe ka botuar librin me cilesi te larte.

Istref Haxhillari

Mëngjesin e një dite maji 2026