KUR KULTURA KRIJON RRJETE NË BOTË: SUKSESI NDËRKOMBËTAR I EDICIONIT TË IX TË “ÇMIMIT RADICI – RRËNJËT

KUR KULTURA KRIJON RRJETE NË BOTË: SUKSESI NDËRKOMBËTAR I EDICIONIT TË IX TË “ÇMIMIT RADICI – RRËNJËT”

 

Mes  mbështetësve dhe e mediave partnere që përqafuan “Çmimin Radici – Rrënjët”  ne Itali  nga Shqipëria ishte e përjavëshmja prestigjioze shqiptare Gazeta Nacional, e përfaqësuar nga drejtori i saj Mujo Buçpapaj, i cili është gjithashtu President i Shoqatës Kombëtare të Artistëve dhe Shkrimtarëve të Shqipërisë.

 

Përktheu: Angela Kosta

 

 

Ekziston një fije e padukshme, por jashtëzakonisht e fortë, që sot lidh Kalabrinë me qarqet më të rëndësishme letrare dhe gazetareske të botës. Këtë e dëshmoi me një elegancë të jashtëzakonshme Edicioni  IX i “Çmimit Radici – Rrënjët”, i cili u zhvillua më 24 tetor 2026, në mjediset prestigjioze të Teatrit Alikia në Cirò Marina (Kalabri). I organizuar nga shoqata historiko-kulturore RADICI – RRËNJËT, e themeluar dhe e drejtuar në nivel ndërkombëtar nga shkrimtarja Francesca Gallello, në bashkëpunim të ngushtë me seksionin qytetar, të kryesuar nga avokati Michele Sabato, si dhe me shtëpinë botuese VELIERO Aps, eventi nuk ishte vetëm një kremtim i vlerave të spikatura të territorit, por edhe dëshmia konkrete se sa i rëndësishëm është sot krijimi i rrjeteve përmes kulturës. Një mbrëmje elegante dhe e mbushur me emocione, e bërë e mundur edhe falë mbështetjes së çmuar të sponsorit zyrtar Tenuta Iuzzolini, si dëshmi se bashkimi mes sipërmarrjes dhe promovimit kulturor mbart çelësin kryesor për ringritjen e Italisë së Jugut.

 

Një përqafim global në hapje të mbrëmjes

 

Thelbi i dimensionit ndërkombëtar të Çmimit u shfaq që në çastet e para. Në hapje të mbrëmjes, këshilltarja e eventit Mariasole Cavarretta, përcolli një sërë mesazhesh vlerësimi, mbështetjeje dhe përshëndetjesh, të dërguara nga partnerë, botues dhe institucione kulturore nga çdo skaj i botës.Këtë moment e bëri edhe më mbresëlënës regjia vizuale e realizuar nga Melania Guzzi, e cila, në ekranin e madh të Teatrit Alikia, shoqëroi leximin me projeksionin e një videoje emocionuese: një varg pamjesh me logot e mediave partnere dhe portretet e personaliteteve me peshë të jashtëzakonshme kulturore dhe ndërkombëtare, të cilët dëshironin të dëshmonin afërsinë dhe mbështetjen e tyre për Francesca Gallellon dhe për këtë nismë.Lista e gjerë e mbështetësve dhe e mediave partnere që përqafuan “Çmimin Radici – Rrënjët” krijoi një hartë të vërtetë të dialogut ndërmjet popujve: Nga Shqipëria dhe Kosova: e përjavëshmja prestigjioze shqiptare Gazeta Nacional, e përfaqësuar nga drejtori i saj Mujo Buçpapaj, i cili është gjithashtu President i Shoqatës Kombëtare të Artistëve dhe Shkrimtarëve të Shqipërisë; regjisori, aktori dhe gazetari Dibran Fylli, drejtor i revistës ORFEU, si dhe revista letrare shqiptaro-italiane Miriade, e drejtuar nga shkrimtarja dhe promovuesja ndërkombëtare Angela Kosta, e cila është gjithashtu botuese e revistës italiane Spettro.

Nga Greqia dhe Shtetet e Bashkuara: Dr. Yannis Fikas, drejtor i Akademisë së Farsalës në Greqi, si dhe gazetari profesionist Demetrios Kannavos, drejtor i Hellenic Global Media në Los Anxhelos. Nga Shtetet e Bashkuara erdhi gjithashtu mbështetja e Nuances on Panoramic e The Lanterns of Global Poetry, së bashku me mesazhe të përzemërta nga Koreja e Jugut. Nga Spanja dhe Bota Arabe: një urë letrare e fuqizuar nga Hassane Yarti, drejtor i revistës së mirënjohur Barcelona Abadia (Literary Barcelona), e cila botohet midis Spanjës dhe vendeve arabe, së bashku me revista të tjera prestigjioze arabe dhe me Saturno Magazine.

 

Salloni i Alikia-s: protagonistët dhe të vlerësuarit e mbrëmjes

 

Pas hapjes ndërkombëtare, skena e Teatrit Alikia u shndërrua në një sallon të ngrohtë letrar dhe kulturor, ku të vlerësuarit rrëfyen historitë e tyre me çiltërsi, të intervistuar drejtpërdrejt nga Francesca Gallello dhe nga Kryetari i seksionit, Michele Sabato.

 

Botimet dhe gazetaria që rrëfejnë Jugun

 

Një hapësirë e veçantë iu kushtua botës së informimit cilësor, me vlerësimet që iu dhanë Domenico Madulit, President i Grupit Pubbliemme dhe themelues i LaC Network, i nderuar për vizionin e tij sipërmarrës largpamës, të aftë për të krijuar vende pune dhe inovacion në Italinë e Jugut; si dhe Franco Laratta-s, Drejtor i Përgjegjshëm i LaC News24, i vlerësuar për gazetarinë e tij të angazhuar dhe për formatet e suksesshme televizive, përmes të cilave rrëzon stereotipet dhe i jep vlerë identitetit kalabrez.

Një vlerësim i përzemërt iu kushtua edhe gazetarit dhe shkrimtarit Vinicio Leonetti, autorit të romanit të shumëçmimeve “Seppellitemi qui – Varrosmëni këtu!”.

 

Sipërmarrja, shkenca, shëndetësia dhe arsimi

Mbrëmja kremtoi përsosmërinë e prodhimit të verës së Tenuta (Prona) Iuzzolini, me çmimin që iu dha sipërmarrësit Pasquale Iuzzolini, të cilin, me krenari, e tërhoqi në emër të tij bashkëshortja, prof. Lucia Nicastri.

Në qendër të vëmendjes ishte gjithashtu angazhimi qytetar, mjekësor dhe arsimor, me çmimet që iu akorduan doktoreshë Letizia Tiano-s, Drejtoreshë e Njësisë Operative Komplekse të Psikiatrisë pranë ASP Crotone-s, dhe doktor Antonio Vaccaro-s, Koordinator Shëndetësor; kërkueses në fushën e Onkologjisë Mjekësore Translacionale, doktoreshës Katia Grillone; si dhe pedagoges Teresa Caligiuri.

Iu kushtua gjithashtu hapësirë edhe rezistencës mjedisore dhe sociale, me prezantimin e librit “Ndrysho kursin”, të autorëve Giovanni Buscema dhe Simona Tricoli.

Dy momente prekëse dhe thellësisht emocionuese bashkuan të gjithë të pranishmit në një përqafim të gjatë. I pari iu kushtua prof. Luigi Ruggieros, pedagogut të nderuar dhe poetit të rafinuar, tashmë të ndjerë, i cili u përkujtua përmes leximit të vargjeve të tij, interpretuar nga sekretari i Cimit Radici, Secondo Carlino. Për të tërhequr çmimin në skenë u ngjitën vajza e tij Filomena, nipi i vogël dhe dhëndri Giuseppe Dell’Aquila.

Homazhi i dytë solemn nderoi Anselmo Terminellin, kronistin e paharruar të Vatikanit, drejtorin e parë të Faro di Roma dhe birin e shquar të Cirò Marinas, i cilësuar nga kolegët si “gazetar fisnik”. Çmimi i tij u tërhoq me emocion të madh nga vëllai i tij, Nino Terminelli.

 

Finalja madhështore me argjendarinë e lartë dhe kërcimin

Mbyllja e mbrëmjes iu besua artit të shenjtë dhe argjendarisë së lartë të mjeshtrit argjendar Michele Affidato, i njohur në të gjithë botën për veprat e realizuara për papët dhe për trofetë e Festivalit të Sanremos. Ai u vlerësua së bashku me të birin, Antonio Affidato, skulptor dhe argjendar.

Këtë moment magjik e vulosi një sfilatë spektakolare në pasarelë: nëntë modele të mrekullueshme, ndër të cilat gjashtë nxënëse të Étoile Academy të Claudia/Chiara Liotti, prezantuan bizhuteritë e çmuara dhe kurorat historike të mjeshtrit. Në përfundim, vetë ai u dorëzoi personalisht modeleve nga një pergamenë përkujtimore.

Krijimi i rrjeteve për të ndërtuar të ardhmen

Në përfundim të mbrëmjes, të gjithë drejtuesit e eventit Radici, ku bënin pjesë edhe nënkryetari kombëtar Carmine Ruggiero, këshilltaret Mariasole Cavarretta dhe Amelia Cavallaro, këshilltari Salvatore Principe, sekretari Secondo Carlino, arkëtari Gennaro Marino dhe menaxherja e mediave sociale Melania Guzzi, u ngjitën në skenë për të përshëndetur publikun e shumtë.

Pjesëmarrja e gjerë e intelektualëve, gazetarëve dhe botuesve nga kontinente të ndryshme, e bashkuar me vlerën e jashtëzakonshme të protagonistëve kalabrezë të vlerësuar, konfirmon se kultura nuk njeh kufij gjeografikë.

Nën drejtimin e Francesca Gallellos, “Çmimi Radici – Rrënjët ” dëshmon kështu se është shumë më tepër se një ceremoni: është një laborator i përhershëm miqësie ndërmjet popujve, ku rrënjët kalabreze zhyten thellë në histori për të ushqyer degë që sot përhapen dhe përqafojnë të gjithë botën.