Gazeta Nacional Albania

Basir Bushkashi: Noeja i ndritur jetoi aq gjatë, poezi

Poezi nga Basir Bushkashi për botim, 25 dhjetor 2022

ALFRED ÇAPALIKUT

“E para ish fjala”
Thuhet në Bibël.
Vargjet e tua:
dritë për çdo libër…

Rrjedhin e vijnë
që nga lashtësia:
“Xhamadani vija-vija
Është Kosova, është Shqipëria…”

Vargje të përjetshme
Sa qielli, sa toka
Me tinguj hyjnorë
Nga i rralli, Zef Çoba.

Flakërijnë në gjak
Jehojnë nëpër zemra
Me të zjarrtin zë
Ndez nga Shkurte Fejza…

Si kurorë për kombin
Fatlumi, Alfred!
Në jetë të jetëve
Kënga thellë buçet…

DIKË PRES PËRDITË

Dikë pres përditë:
Të njomë,
Të ëmbël,
Të trëndafiltë,
Me lule-tek buzët
Me valë-tek sytë…

Me shekuj e shekuj
Kam pritur e pritur,
Por ende
S’ka mbërritur…

Veçse e di
Se pa mbyllur sy…
Do të vij patjetër
Patjetër do të vijë…

BORA E PARË

Malli për tokën
E paska marrë
Borën e parë.

Sillet aq lehtë
Ngadalë-ngadalë
Si fluturbardhë.

E zbrazet qielli
Krejt pareshtur
Mbi tokën e heshtur…

Nusëron e ëndërrt
Si në përrallë
Argjendshpërndarë…

…Pastaj nga malli
Zë e shkrin
E tokën përtrin…
19 shtator 2016

A S’E NGRE NJË MAL NË SHPIRT?
“O shpirt, sa të du
Megjithëse m’je largu”
Popullore

Mik i dhembshur që s’të njoha kurrë,
Që të digjet zemra zhurë,
Për një vajzë, për një lanete
Që të mbushi plot me derte…

A se ngre një mal në shpirt?
Edhe ngjitu mu në majë…
Ngjitu për inat të sajë!
Dhe pastaj zbrit prap në pllajë…

Hyr në zemra çiltërsie!
Plot me ngjyra dashurie…
Dhe zgjidh miken më të rrallë!
Miken që të fal beharë…

FOSHNJAT

Kur lindin
Foshnjat
Botës mbarë:
Lindin
Duke qarë…

Se dolën
Nga oazi
Parajsa vetë…
Po i tremben
Siç duket,
Jetës së sertë…

ENDE E NDIEJ

Petalet bien
Prehërit të kumbullës
Siç binin dikur…
Kur i rrëmbeva
Buzët së bukurës
Një muzgu pa zhurmë…

Petale të bardha
Bien e bien
E sillen nëpër erë…
Unë ende e ndiej
At’ puthje të ëmbël
N’atë pranverë…

ERËRAT E KOHËS

Plot zhgënjime e brejnë njeriun,
Për vete dhe të tjerë
Dhe s’ndjehet i qetë…

Se erërat e kohës
E gërryejnë me dhimbje,
Siç gërryejnë dhe shkëmbin
Më të sertë…

KËRCEN NJË ZOG

Kërcen një zog
Tuk-tuk
Mbi çati.
Kushdi se ç’gaz
Brof brenda tij.
Magji prej zogu
Prej zogu magji.

Dhe zemra ime
Kërcen me të
Dhe gati-gati
U shkrimë në një…
Dhe ëmbël mëngjesi
E përkëdhel atë…
Prato (Itali), korrik 2018

ULE SHPATE

Në këtë tokë të lashtë
Sa lashtësia…
Ranë mijëra e mijëra
Me shpatë në dorë…
E duart zgjasin
Që nga thellësia
Me shpatat e blerta,
T’lavdisë, kurorë…

BRENGA E NOES
Nga Shkrimet e Shenjta

Noeja i ndritur jetoi aq gjatë:
Nëntëqind e pesëdhjetë vjet.
Bekuar si shenjt nga perëndia,
Për varkën e famshme, varkën e shenjtë…
Që sërish mundi t’rilindë botën
Dhe bota të mbushej plot gaz e jetë…

Peunoi tokat, Noeja, mbolli vreshtat
Dhe bëri verë me famë
Që nga mëngjesi, gjer në mbrëmje
Shijonte jetën me të tërë…
Veç vuri re se nëpër vite,
Po shtohej njeriu i lig,
Ndaj dehej shpesh, aty në tendë
Herë-herë dhe lakuriq…

Ndaj syti i mbylli brengaplot
Se s’mundi dot n’pleqërinë e thellë,
Të ndërtonte sërish një varkë tjetër,
Siç e ndërtoi njëherë…
T’i mblidhte e në ujëra
T’i hidhte të ligjtë:
Që bota të ish krejt e bukur
Parajsë për të gjithë…

E, SI TË QESHIM?!

Rrallë, tepër rrallë
Na qesh buza,
Na qesh shpirti:
Se ndjehemi si të vrarë…

E, si të qeshim,
Më thoni, si,
Kur qielli i shpresës:
Zi e më zi…?

Eh, këtë vend,
Të shenjtin vend,
E deshëm të lumtur,
Për mua dhe gjithëkënd…

Epo, ç’të themi,
Ç’të themi tjetër:
Kur nën lëngatë,
Jeta është mekur…?!

INTIME

Unë i thashë: Të dua!
(Se më vlonte e digjej zemra)
Kur ajo heshti,
(Gjaku më ngriu në rrema)
Kur u purpurua…
(Ndjeva një ngazëllim)
Kur më tha se m’donte
(Mora fluturim)
E kur dogjëm buzët
(Zjarri na përfshiu)
Sa nata flokëlëshuar
(Flakëve xixëlliu).

JAM KREJT I DEHUR

Jam krejt i dehur
I dehur,
I dehur,
Ju lutem, shumë,
Mos ma vini re:
Kam puthur një vajzë
Eh, një vajzë!
Që dhe të vdekurit
Nga varri i ngre…

SA NJË GOGËL

Nga trupi-i vogël,
Nga shpirti-i vogël,
N’pyllnajën
E jetës:
Sa një gogël…!