Gazeta Nacional Albania

Basri Çapriqi: DERVISHI I VERBËR , poezi

Ka lindur në Ulqin në vitin 1960. Ka mbaruar shkollimin e mesëm në Ulqin. Në Universitetin e Prishtinës ka studiuar letërsi shqipe, ku ka marrë gradën magjistër i shkencave filologjike në vitin 1988. Në vitin 2004 merr gradën shkencore PhD në Prishtinë në fushën e shkencave filologjike. Punon profesor në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëron lëndët; Stilistikë, Semiologji dhe poezi bashkëkohore. Poezitë e tij janë përfshirë në shumë antologji të poezisë shqipe dhe në antologji të poezisë bashkëkohore në gjuhë të ndryshme. Poezitë i janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht, polonisht, serbokroatisht, turqisht, arabisht, maqedonisht. Është Kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe njëherit themelues në vitin 2004. Ka qenë Kryetar i Bordit të Universitetit të Prishtinës, kurse nga viti 2012 është anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.
Shkruan poezi, kritikë letrare, ese, publicistikë. Ka botuar shtatë përmbledhje me poezi dhe pesë libra me kritikë letrare dhe studime. Librat më të njohur me poezi janë: “Ulli me dymijë unaza”, “Ma qet gjuhën”, “Frutat bizare”, “Zbutja e gjarprit”, “Përkryerja e shiut”. Librat me kritikë: “Mikrostruktura e tekstit”, “Simboli dhe rivalët e tij”, “Paradigma kadareane” etj.
Ka marrë disa çmime letrare për poezinë e tij: Çmimi i Mitingut të Poezisë në Gjakovë (1996, 2007), Çmimi Vjetor i Art Club, Ulqin, Çmimi Lasgush Poradeci, Shqipëri (1992), Medalen e Argjendtë, në kompeticionin për poezi në Internacional Saloon of The Academie Europeenne Des Arts, Bruksel (2007)

___________________________

TË KANË PARË TEK U LEXON VARGJE ATYRE NË HAD

Ali Podrimjes

E kam ditur Ti
S’mund të vësh kokë mbi jastëk
Kur merr rrugë aq të largët
Për me gjet të bardhën
As një gur nën kokë si suliotët
Nuk vë

Unë e kam ditur
Ti do lidhje duart pas koke
Do e shtrëngoje fort
Fort derisa ushtimë e vargut
Të pëlcasë

Gjithë ata gurë të ngulur brinjave
Deri te Uji i madh Një rrjedhë uji
pranë një pylli
t’i sjell te koka për me t’ba gjamën

Vetëm yjet do mbajtur në dorë
Asgjë tjetër s’të lënë
Atje në fund të asaj rruge në fund
Të pyllit
e rrugë tjetër s’ka me mbajt dritën ndezur

Të kanë parë
Kah u lexon vargje tash atyre në Had
Ti i njëjti
I ke sharë si mund të nguleni këtu përgjithnjë
Mor të mjerë

E ke vendosur
T’i ngresh ata nga gjumi
Ku kanë rënë
Përulësisht

Te lumi Styks të kanë parë Ti
I njëjti si mbi Dri
Një dallëndyshe ke gjuajtur nga lartësitë
në atë lumë të fryrë përmbi brigje
Ai lumë i vështirë

REVOLUCIONI I BARDHË

Sheshin ku dikur derdheshin vetëm gjera të kuqe flamujt valonin
të kuq gjuanin me ngjyrë të kuqe që përdorej për mbrojtjen e
hekurit nga korrozioni e shumë ngjarje të tjera të kuqe që mund
t’i quanim edhe revolucion Fabrikat e qumështit e bënë sa çel
e mbyll sytë Atë shesh të bardhë derdhën kovat e mëdha në mes

të sheshit më në fund thamë: një shesh i butë si kadife me
shkumë të bardhë cep më cep dhe prej sot thane: do bëjmë
historinë filloi revolucioni i bardhë i qumështit me shumë shkumë
në mes të sheshit përreth shatërvanit mund të bëjmë shkuma party
haram u qoftë qumështi që kemi derdhë për ju Sheshi i madh u err

i kuq e u zbardh i zi ditë e bardhë për fëmijët që s’ kanë parë kurrë
qengja të butë e të bardhë në sheshin e tyre të revolucionit Grafiti
i madh u shkrua me shkronja të bardha të shtypit Tha plaka: valla
na keni nimu nanën na e keni qi Stop importit të qumështit
prodhime vendore e pikë Ata dy që putheshin te pub Republika

preknin me buzë makiato me qumështin e bardhë me shkumë
Shikonin qumështin të derdhej sheshit dridhnin trupat e bardhë
me ritmin e këngës Fuck you Fuck you Fuck you imitonin ardhjen e
rrëshqanorëve grandiozë në një shkuma party Në sheshin e madh
do vinë krokodilët e bardhë e ne do u hipim lakuriq Ashtu
shaluar do marshojmë në kahjen tjetër kah rrëshqet vala që
mbledh fëmijët e vet humbur diku nën shkumë

DERVISHI I VERBËR

Kur ra terri mirë e mirë
Dervishi i verbër mori fenerin me dorën e djathtë duel
në rrugë e u nis
i pari që e pa tha: dervish ç’e do atë fener po ti i verbër
i dyti që e pa tha: dervish ç’e do atë marifet ti i verbër
i treti që e pa tha: i verbër dervish ç’luan me atë dritë
Dervishi kah ecte tundte kokën tha: e mbaj për ju
Për ju e kam

PËRMBYTJA

Toka po hapej
Plasaritjet futeshin thellë nëpër lugina lumenjsh kishin nisur
të formonin harta të çuditshme Figura me barka të mëdha
mbërthyer me dërrasa me gjallesa shtëpiake Ngarkuar
mbi një tokë të djegur për ujë

Kur të gjithë po flinin me dyer e dritare të mëdha hapur
Hapur për të hyrë ndoj fije fresku ndoj aromë e largët uji nga
bjeshkët përmbi Ashtu dukeshin
sikur kishin vënë pushtet të zjarrtë mbi atë luginë
kur

filluan të lëvizin kovat e bërë gati të pritnin shiun
litarët e lidhur për kova nisën të lëvizin si gjarpinjtë e ujit përfundi
shtretërve

Një ujë i madh që po vinte me furi po fuste nën sipërfaqen me shkumë
Gjithë ato lagje gjithë ato shtëpia prej betoni e qelqi gjithë ato qenie
të gjalla prej mishi
e gjaku

Njerëzit u zgjuan nga gjumi I madh kur toka kish mbyllur humnerat e veta
e ish ngopur

Kur ata hipën lart atje lart qe te jene sa me larg rrezikut qe vinte nga
sipërfaqja e bukur e tokës mbushur plot plehra të vet e plehra të lagjes që
po futeshin gjithandej dritareve të mëdha e që I kishin lënë me hy drita
me ferkun e mëngjesit

Thirren
Ngriten duart lart të gjithë dhe me fytyrën nga kupa plot e qiellit
Thirren
Lanë poshtë barkat plot thasë plastmasti lidhura për shtylla të dyerve
Thirrën ndihmo o Zot ujë
Na ço ujë
veç ujë na ço se tana i kemi me tepri
po prapë ujë s’kemi
Me hjekë etjen e madhe qe kemi për ty
Se u dogjëm

PERËNDIM DIELLI

E
Shtroi qilimin e kuq
Mbi ujin e zi

Mbylli perdet e errëta dhe
Na ndau nga kjo ane

Mund te shtrihen ngadalë
Ata qe s lakmuan drejt portalit

Ne u dyndem ne anën tjetër
Të zëmë vendet
Para se të shohë hëna

Ai lëmsh i kuq me
Gjithë atë zjarr te mbyllur brenda
Po behej gati te prekte ujin

Një etje e madhe
Po shuhej nën yje

PESHKU I BUKUR

Kokën e prerë ia hodhën në qiell
Të përplasej rëndë mbi dhe

I vjen era nga koka si nga hera

Ata që prisnin në rend mprehnin thikat
Me do rrota guri mbi pjata dheu
Pështynin mbi barin përreth
Zbardhur nga luspat e lojbës

I vjen era nga
Koka i vjen

Mbanin hundët damat
preknin lehtë pirunët me majë të
Gishtërinjve
Prisnin bishtin që dridhej përpjetë
Ta lëpinin me majë gjuhe

Peshkatarët larguan rrjetat
Mbushur me barishtet e qullura
Do bjerë koka
Mbi atë qelbësirë

Ju që hani kokën peshkut të bukur
Do hani mishin tuaj
Posa të bjerë nata
murmuritnin nëpër kasolle peshkatarët
e Bunës

PREKJET E ZJARRTA ME TOKËN

Ai zjarr i thelle e i kuq qe
Valëvitej drejt gojës sime të kaltër
U zhduk
Poshtë barkës sime
Në ujin e gjerë
Të gjerë e të gjerë

Nga gjithë ai hi mbeti
Shija
Që thanë gjithë bimët
Në atë krah të reve

Në rrëpirën tjetër
Vesa miklonte qerpikët e saj
Duke mbyllur ngadalë sytë
Përpara vullkanit të trazuar

Bota ishte e shurdhët dhe me hi kur
Drita hapi humnerat e syve një e nga një
Mbuluar me hirin e asaj nate
Djegur nga prekjet me tokën

TERRI

Kam zgjatur duart
Kam ecur mbi rërë
Më gjete
Portokallen e humbur
Te një breg që e hante uji
Gjithë natën e lume

Në një shteg që
S’e shoh unë
Hyn gjithë ai zë
Që ulet nga qielli

Ku mund të hapet
Kjo zbrazëti
Me mbushë pak shpirtin
dritë

Portokallja që s’shihet dot
Shtrydh pa ja da
Pika të ëmbla mbi buzët e egra
T’atij bregu që hante uji

Kur u ngrit terri lart aq lart portokallen
Sa s’preket më me dore as me sy
Një zë që vjen nga larg
Kishte shtrydhur portokallen që mbaja në shuplakë

TOPI I MADH

Një top të madh bore po e
Vinin në mes të sheshit
Të madh e të bardhë

Argatët mblidhnin karota gjigante
Kush do hipi mbi këtë çudi
Të nguli karotën e parë
e të shpallë armëpushimin

Kur dielli shpoi qiellin
Ujërat nisën të rrjedhin rrëke
Këtu poshtë

Zogjtë u ngjiten mbi kurora
Pemësh
Me këndu hatanë

Po sheshi i madh s’mbet shesh
Fshesën e madhe s’guxoi kush ta prekë
Me heq plehrat

ZËRAT E UJIT

E zymtë
Shpella pret të mbushë
Qetësinë e përjetshme
Me zërat e ujit

Vala ndjek valën
Mbi shkëmbinj të thepisur derdhen
Stërkalat e bardha u nisën
Kah qielli

Era që fryn nga Mavrijani
Bën lutjen e fundit
Para se të digjet dheu

Ai zjarr na mban gjallë
Ai zjarr
Që i lëpin buzët e trasha asaj ere

Dhe zërat e ujit
Që mbushin humnerat
Nën qiell

Lakuriqët e natës rrahin krahët
Për herën e fundit
Nëpër velat e barkave t’paqueme
Nxitojnë
të hedhin plafin n’humnerë
Me mbulu gjymtyrët asaj
Para se të dalë gjuhë e diellit