Trtegim nga Bedri Çoku
Dita më e gëzueshme për të burgosurit politikë të burgut të Burrelit, në diktaturën komuniste, ishte dita e Marsit, kur në qelinë e tyre, pa pritur dëgjoheshin cicërimat e dallëndysheve të para …..Sepse bashkë me to vinte aroma e pranverës, cicërimat e jetës së lirë, vinte vrulli i fuqisë qiellore, pse jo dhe i dashurisë njerëzore…
E ndërtonin folenë brenda në qeli dhe çfarë tjetër më e gëzueshme e njerëzore se kjo ishte për ata, që vite e vite mes katër mureve dëshironin të shikonin qenie ndryshe, që të mos trembeshin prej tyre, që të mos i përçmonin pse ndodheshin në atë vend të mallkuar…
Se, kur vinin ato, njerëzit uronin me gjithë shpirt njeri- tjetrin :
“ Qoftë viti i lirisë e i çlirimit të Shqipërisë !”
As festat e Bajramit e të Pashkëve, as festa e Pavarësisë nuk sillnin gëzimin e shpresën për të burgosurit e etur për liri e demokraci, siç ua sillnin ato, dallëndyshet e para….
Nga ajo ditë fillonte jeta, ëndrra dhe ata, të burgosurit, të ngeshëm deri në çmenduri, mbështeteshin në kurriz, duke vrojtuar orë të tëra, net të tëra, ditë e javë të tëra, si fillonte dhe ndërtohej çerdhja e bukur, nga çifti i zellshëm i familjes së ardhshme….se si ata, prindërit, ndërronin njeri – tjetrin për të ushqyer dhe ngrohur të vegjlit e tyre, si vigjilonin për të mbrojtur shtëpinë e pasurinë ….si grindshin e pajtoheshin për fëmijët që cicërinin për të ngrënë …Dhe kjo ishte gjithçka që u mungonte njerëzve të ngujuar nën tavanin e betonuar ushtarakisht : familja, fëmija, puna dhe sakrifica për të ndërtuar të ardhmen e tyre…..
Por, një ditë e një herë, çuditërisht ra në krevatin e një të burgosuri i “vogëli” i folesë….
“Oh, ç’fatkeqësi !”
Sepse askush s’ mund ta rikthente në folenë e vet…tek e ëma …tek vëllezërit e motrat e veta, në kushtet e atij burgu të tmerrshëm komunist….
Mjerisht, si do të jetonte “ i vogëli” aty, poshtë, me fatkeqit, me njerëzit e dënuar për të qenë të mbyllur vite e vite, pambarim…
Por, jo !
Më i moshuari dhe njeriu më autoritar i dhomës, dom Nikoll Mazreku, urdhëroi :
“Zogthin e vogël do ta quajmë “Princ i Lirisë“, me status : “ I pavdekshëmi”!…. I cili do të jetojë e do të rritet që të jetë përsëri i lirë në qiellin e pamat, edhe pse një dorë e padukshme e ka sjell këtu, poshtë….me ne, të burgosurit pa liri. !”
Vendimi tjetër ishte ky :
“ Të gjithë të burgosurit e qelive, pa dallim feje, krahine dhe ideje, të gjithë për një qëllim : të shpëtojmë “Princin e Lirisë”, duke grumbulluar çdo minutë, çdo orë, çdo ditë …miza, insekte dhe çdo gjë tjetër që është e dobishme për të ushqyer të “Pavdekshmin”, i cili, si një ogur i mirë, erdhi nga foleja e tij në dorën tonë….”
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë !
“Vdekja e Tradhtarëve, liria e Shqiptarëve !”
Ai rrinte me të gjithë, lozte me të gjithë, hante me të gjithë, flinte me të gjithë….rritej me të gjithë. Edhe në ajrosje dilte me të gjithë….Ishte ai, fjala e parë dhe e fundit e ditës…Fëmija i vetëm dhe i shtrenjti i të gjithëve.
Ishte jeta dhe dinjitetit i njerëzve të burgosur…
Edhe kur u rrit, iku, fluturoi nëpër qiell për të parën herë, të gjithë të burgosurit lotuan nga gëzimi, por edhe trishtimi, njëkohësisht…Princi i Lirisë s’do të ishte më midis tyre, por ata s’do ta harronin kurrë, do të flisnin vazhdimisht për të dhe sytë nuk do t’i largonin nga qielli, atje ku ai fluturonte i lirë, së bashku me lirinë e tyre, i gëzuar, së bashku me gëzimin e tyre, i trishtuar, së bashku me trishtimin e tyre…. Do të kalonte male, fusha, dete dhe oqeane…. do të shkonte edhe në Amerikë…..në Shtëpinë e Bardhë…do të fliste me Presidentin….me njerëzit e lirë të Botës demokratike dhe do të tregonte atyre për …
Por jo, ai, Princi, u kthye përsëri tek ata nga Qielli i Lirisë, mbi duart e të burgosurve në tokën e robëruar, duke qarë e qeshur nga gëzimi,…
Ai s’u nda …nuk iku, siç dëshironin të gjithë ata që vuanin…
Pikëllimin e të burgosurve për “Princin e Lirisë” që u kthye nga qielli i pa matë, e mësoi edhe Komanda e burgut, e cila menjëherë urdhëroi :
“ Në emër të Popullit, Princi i të burgosurve politikë, të kapet e të ekzekutohet !”
Një ditë, ndërsa ai kthehej nga fluturimi i largët, i zakonshëm, lodhur e malluar, por edhe i gëzuar për lajmet e reja e të gëzueshme që sillte, komanda e burgut i mbylli të burgosurit nëpër qelitë e tyre dhe e mbushi oborrin e ajrosjes me ushtarët e karakollëve. Urdhëroi që ushtarët të çonin duart lart, siç bënin “ata”, kur “Princi” donte të zbriste nga qielli… Dhe e arrestuan. E ekzekutuan. Por të burgosurit, megjithatë, pritën e pritën me shpresë që Princi Tyre i Lirisë, një ditë, të kthehej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës….
Dhe shpresojnë ende….
FUND

