Shtatë javë pasi ti u shtrive në spital, ndodhi diçka që as në ëndërr nuk e prisja se mund të ndodhte. Në shtëpi erdhën dy djem të rinj, të cilët në fytyra dukeshin të qetë. Njëri ishte i hollë e i gjatë, kurse tjetri pak më i shkurtër e më i trashë… Kur hynë në oborr zunë të vështrojnë me shikime të çuditshme nëpër hapësirën e tij… Mos e keni gabuar shtëpinë, i pyeta me zë të qetë. Ata zunë të më vështrojnë me një shikim zhbirues… Ku është Marisa, më tha ai që kishte trup të gjatë me një zë që më dukej sikur buronte nga fundi i një humnere të thellë. Sipas theksit shihej që nuk ishte i huaj, po yni… Çfarë pune keni me vajzën time, i pyeta me zë të lartë… Ai më trup të shkurtër më një ton kërcënues më tha: kemi një punë me rëndësi me vajzën tënde!… Derisa i vështroja më bëhejsikur edhe më parë i kisha takuar, po nuk më kujtohej ku. Ndoshta një ditë kishin qenë në spital për të të vizi tuar. Ndoshta mendja po më mashtronte… I vështrova disa çaste me një shikim zhbirues… Ai më i gjati më tha: mos ki frikë se ne jemi me një klasë me Marisën!… Dëshiroja t’u besoja fjalëve të tij, po e kisha të vështirë. Fillova të dridhem nga një parandjenjë e kobshme, e cila më mbështillej rreth qafe si një gjarpër i ngordhur… Me një zë që më dridhej nga frika u thashë: Marisa nuk është në shtëpi!… Ajo kurrë nuk më ka folur për ju!… Ata filluan të vështrohen në mes veti në mënyrë enigmatike… Ai që ishte më i gjatë më tha: duhet patjetër të takohemi me të!… Do të presim derisa të kthehet!… Ajo ka harruar që kemi për t’u takuar me të… Unë u thashë: ju lutem, largohuni nga shtëpia!… Më dukeni njerëz të dyshimtë!… Ata zunë të largohen nga oborri dhe gjatë asaj kohe ndieja një shpengim në shpirt… Sapo desha të hyj në shtëpi, kur një mendje më tha: ata të mallkuar nuk janë larguar, ata qëndrojnë afër shtëpisë duke e pritur Marisën kur të kthehet nga shkolla!… Ngadalë jam afruar te dyert e oborrit. E kam nxjerrë pak kokën jashtë dyerve. Disa metra larg shtëpisë i pashë ata dy të mallkuar si bisedonin diçka në mes veti me zë të ulët. Nga një frikë që më mbështillte të tërën këmbët m’u këputën në gjunjë. Sytë m’u mbushën me një errësirë të thellë… O Zot, thashë me vete, çfarë pune kanë këta të mallkuar me vajzën time!… Hyra në shtëpi e pastaj zura të sorollatem kuturu pa ditur çfarë të bëja. Përsëri dola në oborr e vazhdova edhe më tutje të sorollatesha si e humbur. Zemra më rrihte me ritëm të shpejtë. Vetja më dukej sikur sorollatesha nëpër një labirint pa ditur si të dilja prej tij… Në një çast që erdhi më vonë ata dy përsëri hynë në oborrin e shtëpisë… Kur i pashë mllefi zuri të m’i verbonte sytë e mendjes… Largohuni nga shtëpia, tëposhtër, u thashë me zërin që më dridhej… Ju nuk keni ardhur për të mirë!… Mos më sillni fatkeqësi të reja se mjaft na kanë rënë mbi kokë!… Babai i saj është vrarë në atdhe duke luftuar me ushtarë të huaj!… Ai që ishte më i gjatë më tha: e dimë ne si është vrarë babai i saj!… E dimë edhe si është vrarë vëllai i saj!… Djalin tënd që dergjet në spital e kemi lutur të kthehet me ne në atdhe, po ai gjithnjë gjente pretekste për të mos u kthyer në atdhe… Ai i mjeri kishte frikë se do të vritej në luftë!… Më mirë preferonte të bënte një jetë të qetë larg atdheut… Mirë ia kanë bërë shokët e tij që deshën ta vrasin!… Ai deshi të flet edhe më tutje, po unë i thashë me zë të lartë: sapo u kam parë e kam ditur se jeni të poshtër!… Në sytë e juaj e shoh një urrejtje si rritet pa pra!… Populli e di kush jemi ne!…
Ai më i shkurtri zuri të zgërdhihej me një zë të neveritshëm… Unë vazhdova me zë të lartë: pse nuk ktheheni në atdhe për ta dëshmuar trimërinë e juaj, po më lodhni me broçkulla!… Ai më i gjati më tha: ti qenke plakë e matufosur!… Këtu i shërbejmë atdheut më shumë sesa kur jemi atje!… Edhe këtu ne i luftojmë armiqtë e atdheut!… Pthu, i pështyva me një mllef që më ishte grumbulluar në shpirt… Ju jeni vrasës të poshtër!… Ai më i gjati vazhdoi me atë zë të neveritshëm: nuk largohemi pa e takuar vajzën tënde të bukur!… Duam të kuptojmë me çka merret ajo kohëve të fundit… Ti nuk e di më kë shoqërohet vajza jote!… Ti nuk e di se vajza jote ka kohë që ka hyrë në një rrugë të gabueshme… Ka një e ndoshta më shumë vite që jemi duke e vëzhguar vajzën tënde!… Aha, u thashë, ju qenkeni agjent sekret, po nuk e di për kë punoni!…Ndoshta jeni shërbëtorë të armiqve tanë… Ai më trup të shkurtër më tha: ndoshta edhe nuk e din që vajza jote e bukur shoqërohet me Ar sanin!… A e di kush është Arsani?!… Natyrisht që e di se ai është komandant i një formacioni paramilitar qëvepron në vendin tonë. Ndoshta edhe e di se me urdhrin e tij janë vrarë shumë patriotë që angazhohen për lirinë e vendit tonë… Ndoshta në mesin e të vrarëve është edhe djali yt Plasari!. Vajza jote është dashnore e vrasësit të djalit tënd!… A e kupton këtë gjë! Ai tjetri vazhdoi me zë të mllefosur: vajzës tënde disa herë i kemi thënë të mos shoqërohet me kriminelë që i kanë shkaktuar shumë tragjedi popullit tonë! Vajza jote nuk mërzitet fare pse ne e këshillojmë për të mirën e saj! Ai deshi të flet edhe më tutje, po unë i thashë: na keni nga tërruar me dikë tjetër!… Vajza ime nuk bën gjëra të këtilla!… Ajo ende është e re të shoqërohet me meshkuj! Familja jonë ka kontribuar shumë për atdheun! Ai me trup të gjatë më tha: e dimë krejt kush sa ka kontribuar për atdheun! Derisa i vështroja më bëhej sikur para meje qëndronin dy hije të çuditshme, të cilat kishin dalë nga një ëndërr e vjetër, të cilën nuk më kujtohej kur e kisha parë… Ju lutem, u thashë me zërin që më dridhej nga vaji, lëreni vajzën time të qetë!… Ata nuk folën asgjë, vetëm u vështruan në mes veti në mënyrë enigmatike…
Fryma po më zihej. Më bëhej sikur ajri mungonte. Mezi qëndroja në këmbë që më dukeshin të huaja. Ç’është kjo fatkeqësi e ky mallkim që po na përcjell prej se u larguam nga atdheu, e pyeta veten, megjithatë nuk arrija të merrja përgjigje. Të gjithëve do të na vrasin një nga një, madje duke na shpallur edhe tradhtar të popullit. Kjo është e tmerrshme! Një fatkeqësi të këtillë nuk e kemi merituar. Si u bëmë të marrë dhe u arratisëm nga atdheu! Sikur të kishim qëndruar atje ndoshta nuk do të përjetonim gjëra kaq të tmerrshme! Dridhesha derisa qëndroja në vorbullën e një pritjeje, e cila po ma hante shpirtin. Shpresoja se ato dy hije të mallkuara do të largoheshin nga oborri i shtëpisë, po ato qëndronin të shta- ngura sa fillova të dyshoj sikur kishin filluar të lëshonin rrënjë të thella në tokë. Ai me trup më të gjatë tha: trego ku e ke fshehur vajzën tënde të dashur?!… Ai tjetri më tha: ndoshta e ke fshehur në shtëpi, sepse e ke ditur që do ta kërkojmë! Ndoshta edhe para neve e ka kërkuar ndokush!… Me zërin që më përzihej me vaj u thashë: vajza ime nuk ka bërë asnjë të keqe!… Ajo është e ndershme!… E kërkoni pse është e bukur për ta dhunuar! E njoh unë sojin e juve të poshtër!… Edhe me disa vajza të tjera keni bërë kështu!… I keni akuzuar pa kurrfarë fakti se bashkëpunojnë me armiqtë e vendit tonë, pastaj i keni dhunuar pa mëshirë. Disa prej tyre edhe i keni vrarë, ngase jeni frikësuar se mund t’u hakmerren!… Ju jeni farë e fëlliqur!… Si nuk u vjen turp të veproni në këtë mënyrë kundër njerëzve të pafajshëm! Ju po i sillni fatkeqësi të madhe popullit tonë e në anën tjetër shtireni se punoni për të mirën e tij!…
Ata zunë të zgërdhihen me fjalët e mia. Ai me trup të gjatë me një zë ironik më tha: mos u mundo të tregohesh e mençur kur je krejt e marrë!… U largova prej tyre si të largohesha prej djajve. U mbylla në dhomë, e cila më dukej e errët. Gjatë asaj kohe më kaploi një frikë që zuri të më çmendte: ata të mallkuar do të hynin në dhomë e do të më dhunonin! Dyshimi zuri të ma hante shpirtin. Një mendje e marrë më thoshte: këta të mallkuar e kanë dhunuar vajzën tënde, prandaj kanë ardhur të tallen me ty!… Ndoshta edhe e kanë vrarë!… Dridhesha e tëra sikur të gjendesha lakuriq në mes të borës. Zemra mundohej të më dilte nga kraharori. Nuk dija çfarë të bëja përveç që të lutesha që vajza ime të ishte shëndosh e mirë, që ajo të vonohej edhe për një kohë të gjatë. Kisha frikë se nëse ata të mallkuar e takonin do ta dhunonin në prezencën time…
Me sytë e vagëlluar, të cilët më ishin mbushur me errësirë, i pashë si u afruan te shtëpia e pastaj hynë brenda. E fsheha një thikë nën jakën e këmishës… Nëse tentojnë të më bëjnë diçka, njërin do ta vras me duart e mia, i thashë vetes me zërin që më ngatërrohej. Ndoshta gjatë asaj kohe këmbët më dridheshin, po nuk i ndieja. Disa herë më bëhej sikur gjendesha në një ëndërr të kobshme, nga e cila kisha dëshirë të zgjohesha sa më parë… Kur ata të mallkuar hynë brenda në dhomën ku dridhesha si një lepur kur e sheh gjahtarin që ia ka drejtuar pushkën, u shëmbëllenin dy përbindëshave që lëshonin ulërima të thekshme… Nga sytë e tyre pikonte një mllef i zi… Nëse nuk e takojmë sot vajzën tënde, do ta takojmë një ditë tjetër, më tha ai që ishte pak më i gjatë. Zëri i tij më dukej i trilluar. Ai më binte në kokë si një çekan i rëndë… Ai tjetri tha me zë të neveritshëm: të gjithë ata që kanë bërë vepra të dyshimta, si vajza jote, do të përgjigjen para gjyqit të popullit!… Unë lëshova një qeshje të dhunshme… Për çfarë gjyqi më flet mua, o njeri i marrë, i thashë me një zë që më dridhej nga frika që po më mbështillte si një qefin i leckosur… Ju jeni mashtrues, hipokritë, gënjeshtar, vrasës!… Gjyqi në emër të të cilit flisni ju, nuk është i popullit! Ai është kundër popullit!…
BISER MEHMETI: TË JETOSH ME VDEKJEN, fragment romani

