Xhina, ishte pronarja e bordellos së qytetit. Sapo i kishte mbushur të gjashtëdhjetat. Nuk ishte më ajo gruaja e bukur, tërheqëse dhe epshndjellëse, ku burrat linin kokën për të. E ndiente edhe vetë, që freskia e fytyrës dhe shkëlqimi i saj ishin venitur. Sytë e zinj, që dikur magjepsnin dhe ndiznin dëshirat e çmendura për të madh e të vogël, dukeshin si të shuar. Rudhat në fytyrë, megjithë truket e vazhdueshme, kishin filluar të linin gjurmë. Trupi i rregullt, me gjoksin e bëshëm dhe me këmbët e drejta e të plota, sikur të ishin punuar nga një mjeshtër në torno, dukej si një kujtim i largët. Celuliti i kishte pushtuar pjesën e sipërme të kofshëve dhe të ndenjurat i ishin trashur, duke ia humbur zhdërvjelltësinë. Prej afro dyzet e pesë vjetësh kryente profesionin e prostitutës. Kishte hyrë në atë shtëpi pa mbushur ende të pesëmbëdhjetat. Që nga hapja e bordellos, ishte e vetmja femër që kishte mundur t’i qëndronte kohës, pasi të gjitha shoqet e saja e kishin braktisur. Me kalimin e viteve, falë talentit të saj të përkryer si kurvë, mundi të fitonte zemrën e pronares, duke u bërë pronare e ligjshme e saj, kur ajo u mbylli sytë.
Xhina, tashmë e ndiente që ditët i ishin sosur. I vinte keq që mosha po tregohej mizore me të, por e pranonte si një dukuri të pashmangshme. Herët a vonë do ta arrijnë të gjithë këtë të drejtë, që i takon gjithsecilit, por jo që të gjithë e kanë, sepse një pjesë e mirë i mbyll sytë pa e shkelur atë prag. Me venitjen e saj, problemi kryesor nuk ishte se do të mbetej papunë, sepse ajo gjatë kurvërisë së saj kishte fituar aq shumë sa mund të rronte e të bënte një jetë shumë lluksoze. Atë e shqetësonte mbajtja hapur e bordellos. Donte, me çdo kusht, ta vazhdonte profesionin e saj, që tashmë ishte kthyer në traditë. I vinte keq ta mbyllte, pasi emrin dhe famën e kishte të madhe. Domosdo, ishte hapur që në kohën e luftës së dytë botërore. Xhina mendonte për njerëzit. Argëtimi dhe qejfet që bënin meshkujt aty, ishin tejet të mëdha. Madje, aq i madh ishte emri dhe fama saqë, në atë bordello kishin hyrë fshehurazi femra të veshura si burra, vetëm e vetëm për të shuar kureshtjen e tyre. Flitesh, që krahas argëtimit dhe qejfeve të shfrenuara, aty kishin ndodhur tragjedi makabre. Shumë djem të rinj, mesoburra, madje dhe burra të shkuar në moshë, qejflinj të thekur, kishin vdekur gjatë kryerjes së aktit seksual kur arrinin orgazmën. Kurvat e bordellos kishin një teknikë të përkryer dhe të paktë ishin ata që kishin mundur t’i bënin ballë.
Xhina, gjatë gjithë veprimtarisë së saj, kishte ushtruar presion dhe dhunë mbi kurvat e tjera, të cilat kishin dashur të hapnin bordello në qytet. Ajo nuk i kishte lejuar, por i vetmi nder që kishte mundur t’ju bënte, ishte punësimi në bordellon e saj. Një pjesë e mirë kishin pranuar, ndërsa pjesa tjetër ishte treguar mospërfillëse, duke e ushtruar aktivitetin e vet fshehurazi. Duhet thënë se, qyteti kishte shumë kurva dhe nuk mund të punësoheshin të gjitha aty. Xhina, duke qenë mjaft e rafinuar, kishte ditur të zgjidhte ajkën e tyre për bordellon e saj. Mirëpo, kohët po ndryshonin. Qeveria lëshoi një urdhëresë, ku lejohej hapja pa kufi e shtëpive publike. Menjëherë u vunë në garë të gjitha të përdalat e qytetit. Madje, nuk munguan as vajzat dhe gratë e mira dhe të ndershme, të cilat kishin pasur një të shkuar të pastër nga ana morale. Xhina nuk donte ta zbatonte këtë urdhër sepse e dinte që fitimet do të pësonin një rënie të madhe dhe popullarieti i saj do të binte e venitej, si petalet e një luleje kur nuk vaditet. Për këtë problem kishin menduar pronaret e bordellove të qyteteve të tjera, të cilat të mbledhura bashkë, i lëshuan një ultimatum asaj:
“Ti, ose do të lejosh hapjen e shtëpive të tjera publike, ose përndryshe ne do të shkatërrojmë!”
Kërcënimi ishte i qartë dhe i prerë. Pa, ç’pa, kurva plakë e zbatoi urdhërin që i kishin dhënë. Madje, ajo duhej ta mbyllte veprimtarinë e saj dhe të lejonte kurvat e tjera që të pasuroheshin nëpërmjet punës së tyre, duke fuqizuar në këtë mënyre ekonominë e shtetit.
Xhina u bë si e tërbuar. Duke e pasur kurvërinë nën thua, nuk mund të rrinte e të bënte sehir. I vinte plasje kur do të shikonte bijat e kurvave, që vetë ajo kishte pasur të punësuara në bordellon e saj, të cilat do të fuqizoheshin dhe do të merrnin drejtimin e profesionit më të hershëm dhe më të dashur të njerëzimit.
Për t’ia arritur qëllimit të saj, Xhina, ndërroi taktikë. Ia nisi punës me të shpejtë. Mblodhi të gjitha shoqet e saja të profesionit dhe organizoi një mbledhje të madhe në të cilën morën pjesë vajza të reja, që synonin të bënin karrierë si puna e saj. Madje, kishte edhe nga ato vajza, që mamatë e tyre nuk i kishin pasur punëtore të bordellos dhe baballarët e tyre kurrë s’kishin shkelur në atë ndyrësirë. Ky fakt, e shqetësoi paksa Xhinën, e bindur se do të haste vështirësi në administrimin e drejtimit dhe të fitimeve të bordellos. Ajo kishte besim se do ia arrinte qëllimit. Një pjesë e mirë e vajzave të reja, nën ndikimin e mamave të tyre do t’i mbanin krahun asaj. Gjatë mbledhjes pati diskutime të zjarrta dhe nga më të ndryshmet. Një pjesë donin që bordelloja e vjetër të mbyllej, por pjesa tjetër, dmth miket e Xhinës mendonin ndryshe.
Me në fund, u vendos ndërrimi i emrit të bordellos së Xhinës dhe hapja e shtëpisë së re publike.
Ky lajm u prit me shumë interes dhe me gëzim nga pjesa më e madhe e popullsisë së qytetit, sidomos e atyre që kishin qenë të ndershëm dhe nuk e kishin shkundur dhe shitur palcën e shtyllës kurrizore në atë pjatë të pangopur gojëmadhe të Xhinës. Gëzimi i tyre, përfshihej në një fakt, të cilin e quanin ndryshim, dmth që nuk do të kishte vetëm një bordello, por dy, tre, katër dhe shumë syresh do të shkonin ta vizitonin pa problem. Nuk kaloi shumë kohë, që qyteti lulëzoi me shtëpi të tjera publike. Meshkujt u turrën drejt dyerve të tyre si të babëzitur.Ç’është e vërteta, ishin më të reja, më të pastra e më të bukura. Pronaret kishin menduar për paisjen me teknologji bashkëkohore, duke futur nëpër dhoma kompjutera, televizorë, videoregjistratorë ku shfaqeshin stile dhe teknika të reja seksi të pavëna ndonjëherë në zbatim. Madje, kishin bërë goxha evolucion tek perzervativët. Nëse më parë kishte pasur vetëm një tip, një model dhe klientët ndiheshin në siklet kur nuk iu përshtatej, teknologjia e re, u siguronte menjëherë dhe u gjente numrin e saktë të kokës dhe të gjatësisë, sapo vinin këmbën në shtëpinë e re publike.
Ma hapjen e shtëpive të reja, puna në bordellon e Xhinës, ra shumë. Edhe pse kishte ndërruar emrin, fitimet ishin të pakta. Klientët, të mërzitur nga malli i njejtë që tregtohej tek ajo, u larguan, duke shkuar tek shtëpitë e tjera, që kishin mall më të bukur, më të freskët dhe më të lirë. Xhina u bë si e çmendur. Mendoi të ndjekë politikën e lashtë romake: përça e sundo! I ndërseu kurvat, njera kundër tjetrës, siç bënte atëherë kur drejtonte e vetme për të ruajtur fuqinë dhe sundimin për ndonjërën që mund të ngrinte krye dhe të hapte bordello më vete. Thërriti mënjanë disa nga vajzat e punëtoreve më besnike që kishte pasur në kohën e saj, duke iu premtuar kushte dhe pagesa më të mira. Madje, i gënjeu duke u thënë se do tu linte si trashëgimi bordellon e saj, tani që po plakej dhe nuk kishte më fuqi të ndiqte punën. Të pakënaqura me pagesën në shtëpitë e tjera, shumë punëtore të reja seksi, u kthyen në bordellon ku kishin punuar mamatë e tyre. Gjëndja e krijuar, sikur i ballancoi peshoren e cila, për pak kohë kishte rënduar nga ana e shtëpive të reja. U krijua një ç’organizim i organizuar. Një pjesë e klientëve me kthimin e bijave të mamave, iu kthye prap bordellos së vjetër. Madje, shumë klientë u dashuruan, duke dashur të martoheshin me to.
Gjatë kohës së rënies së punës, Xhina vuri në përdorim të gjithë pasurinë e saj, duke i konkuruar denjësisht shtëpitë e tjera. Shumë klientë të bordellos së saj, kujtonin me mall qejfet dhe orgjitë që organizonte dikur. “Kishte klas. Kishte finesë, ajo kurva plakë! Dinte të të sillte në qejf edhe pse na e merrte shpirtin. Na tërhiqte me atë zogun e saj. Eh, ç’kohë, ç’kohë që ishin ato!” – thonin klientët e sotëm.
Me politikën e saj dhe falë përvojës, Xhina, plaka e rafinuar e bordellos, pothuaj bëri të dështojnë shtëpitë e reja publike. U mori klientelën dhe u uli çmimet.
Madje, në gjuhën e sotme moderne, disa hotele lidhen me njeri-tjetrin duke formuar hotelet zinxhir, ku drejtohen nga hoteli kryesor. Ashtu veproi edhe Xhina. Bordelloja e saj, u kthye përsëri si bordelloja kryesore dhe rreth saj mbajti shtëpitë e reja publike, që “de facto” drejtohen prej saj. E fortë për nder. Që kur e hapi në kohën e luftës, i qëndroi kohës dhe vazhdon të jetë edhe sot, bordello e klasit të parë.
Janar 2016