Ishim në atë moshë, që ndan pragun e fëmijërisë nga mosha më e bukur e njeriut, ajo moshë, që vjen vetëm një herë në jetë, rinia. Ishim në atë moshë, kur vajzave iu shkurtohen shpejt fustanet dhe djemtë nuk mbajnë më pantallona të shkurtra. Ishim në vitin e parë të shkollës së mesme.
Nuk kuptonim ende ç’po ndodhte në trupin tonë e përsëri diçka ndjenim të ndodhte brenda nesh. Ne vajzat mundoheshim të fshihnim atë ç’ka bulëzonte te gjoksi ynë dhe djemtë e klasës kishin filluar pothuaj të gjithë të vinin me flokë të posalagura e të krehura me kujdes. Çamarrokëria e viteve të shkollës shtatëvjeçare sikur kishte humbur rrugën…
Hektori, Tori, siç e quanim shkurt të gjthë, ishte nga më të heshturit e klasës dhe nga ata që kishin hedhur shtat më shumë se mesatarja e shokëve. Mbiemri i tij të kujtonte menjëherë një nga familjet më fisnike dhe të pasura të qytetit, që tani pushteti “popullor” iu kishte marrë gjithçka. Tori, nuk dallohej për ndonjë pjesmarrje të madhe gjatë orës së mësimit, biles shpesh dukej indiferent ndaj tij dhe mësuesit mjaftoheshin, me një “mirë” në vlerësimin e tij ose “mjaftueshëm”. Ai “shkëlqente” vetëm në gjuhën frënge dhe luante bukur në kitarë. Herë herë në pushimin mes orëve të mësimit e shihnim tek mbante ritmin e ndonjë kënge duke rrahur lehtë me të dhjetë gishtat bangën e tij dhe së bashku me Makun këndonin duet me gjysëm zëri ndonjë këngë të shtetit fqinj.
Kjo ndodhte rrallë, shumë rrallë dhe kur ndodhte, zërat e tyre i ngjanin më shumë një pëshpëritjeje, se sa një të kënduare. Me natyrën e tij të tërhequr, Tori dukej sikur hynte e dilte në shkollë sikur të mos ishte në të. Rastiste, që dikush nga mësuesit “ta kapte” duke lexuar ndonjë roman, por ai përsëri mes librave të shkollës e sillte atë të nesërmen. Ato libra e kishin lidhur atë me Anën, shoqen time të bankës. Shpesh të dy shkëmbenin romanet në gjuhën frënge. Të dy ishin bij intelektualëshn dhe atë gjuhë prindërit ua kishin mësuar qysh fëmijë. Flitej mes shoqesh, se Tori dhe Ana dashuroheshin. Mund të ishte dhe ashtu, por kur e pata pyetur Anën, se ç’e lidhte aq shumë me Torin, kjo më ishte përgjigjur, se ishin miqtë e tyre të përbashkët, librat dhe se Tori në shtëpinë e tij kishte një bibliotekë të pasur.
Tori ynë i urtë! Tori i thekur pas librave në frëngjisht! Tori kitaristi i gjimnazit! Ndoshta kështu do ta kujtoja atë përgjithmonë, sikur një ditë…
x x x
Atë ditë pranvere me diell të butë, që lëvizte kalldrrëmeve të qytetit tonë, ai, Tori ishte qethur bukur dhe nuk i lëvizte, siç i thonë fajlës , asnjë qime floku në kokë dhe prapa qafës në fund, ato formonin një vizë të drejtë. Kishte veshur një këmishë rozë me lule të bardha, që me siguri do ta kishte blerë me njëmijë e një mundime nga dikush, që kishte marrë ndonjë pako nga jashtë shtetit.
“Hektor!” E thërriste me një lloj admirimi emrin e tij profesori i historisë. Pastaj vazhdonte:”Pse të thërrasin këta Tori? E di çfarë emri historik e të madh që ke?!”
Profesor Niko, një nga profesorët më të hershëm të shkollës sonë, me shkollë dhe kulturë perëndimore, ishte i vetmi që shprehte një lloj simpatie për atë djalë të heshtur dhe të mbyllur në vetevete. Tori buzëqeshte një çast dhe lagte me majën e gjuhës buzët e thara nga emocioni.
“Hektor! A e di me kë ke luftuar?! Me gjysmëperëndinë Akilin dhe sikur ta dije, që pika e dobët e tij ishte thembra, do ta kishe fituar dyluftimin, o i madhi Hektor!”, vazhdonte profesor Nikua.
Dhe ja “dyluftimi” i Torit tonë erdhi pikërisht atë ditë të bukur pranvere, kur ai për shigjetë do të kishte atë vijën e flokëve prapa qafe dhe si mburojë, këmishën rozë me lule të bardha, ku zbulohej pak gjoksi i tij dhe ajo rini, që ende s’kishte lëshuar pushin burrëror.
“Akili” do të ishte ai, “shoku” drejtor, i ardhur para ca vitesh në qytetin tonë jugëlindor, nga veriu i Shqipërisë.
“Kush nuk vjen fiks në orën shtatë e gjysëm për gjimnastikën e mëngjesit, mos m’i dali ma përpara!”, thërriste ai para gjithë nxënësve të shkollës të grumbulluar në oborrin prapa asaj godine të vjetër ngjyrë gri. Kur i thoshte këto fjalë, nuk e di pse fytyra i rrudhosej vetëm nga ana e djathtë dhe syri i kësaj ane i mbyllej. Ishte rreth të tridhjetave dhe ndryshe nga mësuesit e shkollës sonë, që vinin të veshur me kostum dhe kravatë, ai vinte i veshur thjesht me pantallona e këmishë të bardhë, jaka e së cilës , kur vinte xhaketën i zbardhte mbi të. Kështu e mbanin jakën gjithë punonjësit e komitetit të rinisë së rrethit dhe ndonjë sekretar i partisë së rrethit në qytetin tonë. Ishte si të thuash një lloj mode partie.
Drejtori kishte një zë të mprehtë si bajonetë dhe gjithmonë kur mbante atë “fjalimin” e mëngjesit para gjithë nxënësve të rreshtuar si një armatë ushtarësh të bindur, dukej sikur shkumbëzonte i tëri. Goja i mbushej me një lloj jarge të badhë, që i shpërndahej e i mbetej në dy anët e cepave të buzëve, kur thoshte atë shprehjen e pëlqyer prej tij “mos m’i dali ma përpara!” Këto fjalë mua më mbeteshin në vesh gjer të nesërmen e ditës tjetrër, sa më bëhej sikur i dëgjoja edhe pasi ai u largua nga qyteti ynë “me një transferim nga lart”.
Po, ja, atë mëngjes, ai që nuk duhej t’i dilte “përpara” dhe i doli, ishte Tori ynë, i heshtur dhe i tërhequr nga çdo shaka e moshës.
Sa kishim hyrë në klasë dhe profesori i historisë, ashtu i gjatë dhe i hollë, me pamjen fisnike dhe me atë veshjen e tij elegante, me hartat dhe shkopin e gjatë në dorë, po zinte vend pranë katedrës së tij, hyri pa trokitur me një vrull inati, ai, drejtori i shkollës. Fytyra sikur i ishte shtrembëruar më shumë se zakonisht, por këtë herë sytë i kish të dy më të hapur se kurrë. Pa i kërkuar leje profesorit, që mbeti si i ngrirë nga kjo ardhje e tij, filloi të kalojë nga banga në bangë duke kapur nga prapa qafe çdo njërin nga djemtë e klasës sonë. Më në fund arriti tek banga e Torit dhe s’priti më, por një shuplakë prapa qafe dhe pesë gishtat e dorës së drejtorit skuqën atë qafë të pafajshme djaloshi pesëmbëdhjetëvjeçar! Vija e flokëve e bërë me kujdes nga berberi dukej si shenjë zie dhe koka e Torit sikur mbeti e varur për një çast aty. Por, “shoku” drejtor, s’u mjaftua me aq. Tërhoqi Torin egër nga krahu dhe duke e shtyrë dhe goditur vijën e flokëve, sikur të donte ta zhdukte me ato goditje, e nxorri Torin para gjithë klasës. Profesori, sikur të mos ishte aty, kishte hedhur sytë nga dritarja dhe kishte humbur larg…
“Do ndjekësh modën e gagarelëve ti, ha?!”, shfrynte drejtori dhe “bamb” pëllëmba mbi qafën e atij djali të ri, që s’lëshonte zë dhe ngrinte kokën e shihte i përhumbur nga ne. Këmisha rozë dhe fytyra e Torit e kuqe…Papritur drejtori hodhi sytë nga këmisha dhe sikur të kishte harruar diçka, vështroi atë nga jaka deri tek rrypi i pantallonave, ku ajo rrinte futur brenda. “Ç’qenë ato lule të bardha, që kishin hyrë pa leje në klasat e shkollës së tij?! Këmisha e nxënësit duhej të ishte në mos e bardhë, e zezë jo, se jo, por të paktën njëngjyrëshe!”
“Po këtë, ku ma ke gjetur?! S’të pëlqejnë këmishët e dyqaneve tona, ty, a? Gagarel!” shpërtheu drejtori dhe me të dy duart kërkoi t’ja nxjerrë atë nga pantallonat, ku rrypi i tyre si për inat të drejtorit e mbante këmishën rob. Vetëm një cep i saj nga përpara mundi të lirohej dhe të varej si një dorë pa faj. Duart e drejtorit dridheshin mbi copën rozë me lulet e bardha. Ai donte ta shqyente atë, t’i vinte flakën…Një nga kopsat lart kërceu dhe para syve tanë u zbulua pak gjoksi i Torit. Lëkura aty ishte skuqur si fytyra e tij…Buzët i ishin tharë më shumë, se zakonisht dhe maja e gjuhës, si dukej kësaj here e tharë, s’mund t’i njomte…Për një çast pashë që sytë e tij u drejtuan tek banga ime, ku rrija ulur me Anën, shoqen e tij të librave. Kjo e fundit uli kokën e vuri atë mes duarve dhe vazhdoi të qëndrojë gjatë ashtu.
Pas atij çasti sytë e Torit u ngulën diku në fund të klasës dhe na shihnin dhe s’na shihnin ne, bashkëmoshatarët e tij të strukur në dhimbjen për të. Po profesor Nikua? A do të mundte më pas kësaj t’i përmendte Hektorin legjendar?! Hektorin, luftëtarin e Trojës, të cilin Akili pasi e vrau ia tërhoqi tri herë zvarrë trupin rreth murene të qytetit të tij. Po këtu para syve tanë, që s’kishin parë asnjë lloj lufte, ç’Hektor dhe ç’Akil kishim patur ne?!
Hektori, Tori ynë, s’mund të luftonte dot me atë palo drejtor, që as që mund t’i vije emër atë të Akilit. Më në fund siç u shkreh me Torin tonë dhe e shtyu për të zënë vend në bangën e tij, drejtori na u drejtua ne të gjithëve: “T’ju bëhet mësim kjo e këtij gagareli!”
Kur ai doli nga klasa, Ana ngriti më në fund kokën e saj, ku qëndronin të thurur bukur dy gërsheta. Sytë i kishte me lot. Kthehu pastaj kokën dhe pa nga banga prapa, ku ishte ulur Tori. U panë sy më sy…Edhe unë ktheva kokën dhe pashë Torin tonë. Ai sikur nuk ishte në klasë. Sytë i kishte përhumbur diku andej nga dërrasa e zezë. Profesor Niko, zuri vend pranë katedrës dhe nuk foli asnjë fjalë gjatë gjithë asaj ore mësimi. Vështrimi i tij mbeti i mbërthyer për gjatë asaj ore përtej qelqeve të dritares…
x x x
Do të ishte mbyllur me aq ajo ditë pranvere sikur “shoku” drejtor mos të kishte dashur ta zgjaste deri të nesërmen…
Ishte një mesore mësimi, kur sekretari i rinisë së shkollës, pasi kishte trokitur në derën e klasës sonë dhe i kërkoi të falur profesorit të anatomisë, thirri me emër Emilin. Ky doli jashtë klase së bashku me të. Nuk shkoi shumë pas daljes së tij dhe u dëgjua përsëri një e trokitur e lehtë në derën e klasës dhe nga gjysmëhapja e saj u duk Emili me kokën e qethur zero! Një mërmërimë kaloi nëpër klasë. Askush nga nxënësit nuk qeshi me pamjen e Emilit. Pas tij u thirrën “për zero” gjithë djemtë e klasës. Dilnin një nga një sipas “listës” së sekretarit të rinisë dhe kur ktheheshin, secili vinte duart në kokë sa ulej në bangë dhe ashtu kokëulur s’guxonin të shihnin veçanërisht nga ne vajzat.
“Unë kokën e le të ma presin, por flokët jo!”, kishte thënë një ditë Maku, kur dikush i tha se drejtori do qethte koka, por ja, “viktimë” e fundit e tij ishte ai…
Pas asaj ore mësimi, erdhi pushimi i madh. Ne kujtuam, se drejtori ishte “hakmarrë” vetëm me klasën tonë, si klasë e Hektorit, por ç’të shihje?! Nga klasa jonë e parë dhe deri tek maturantët, shkolla ato çaste i ngjante një kazerme rekrutërish!
Më ngushtë nga të gjithë e ndjenin veten ata të klasave të larta, në veçanti maturantët. Kishte prej tyre, që dashuroheshin me vajzat e klasës së tyre, por kishte dhe nga ata që dashuronin ndonjë nga vajzat tona. Ja për shëmbëll Marjeta, ne e dinim që dashurohej me Pandin, atë maturantin biond, që tani koka i kishte marrë pamjen e një kungulli të bardhë. Maturantit Koço, tani sikur i ishte zvogëluar koka, ajo kokë që deri pak
më parë mbante flokë të dendur kaçurrela. Ne e dinim, që dhe ai ishte i dashuruar me moshataren tonë, në klasën paralele, Lorin. Po kështu me rradhë, Ladi me Natashën dhe të tjerë, që ende nuk i kishin shpallur ndjenjat e tyre, ato çaste në korridorin e gjatë të shkollës, sikur kërkonin të fshiheshin pas kurrizëve të shokëve të tyre. Të gjithë ishin ndëshkuar keqas nga drejtori. Të gjithë me siguri ndjeheshin të poshtëruar prej arogancës dhe egërsisë së tij.
Kishim hyrë në jetë dhe ky ishte mësimi i saj i parë: I përkisnim një brezi “të qethur”, jo vetëm në flokë…
2005