Në prag të mitingun të poezisë, të 56-tit më radhë, prezentojmë poezi të poetit, prozatorit të shquar dhe dramaturgut brilant të letërsisë bashkëkohore shqipe, Teki Dervishi! Tekiu, u dalluar për qëndrimin e tij atdhetar e intelektual dhe individualitetin e tij unik letrar! Mirënjohje të përjeteshme!Muharrem Kurti
I VARUR ME VARGJE PËR DRURIN E BLERTË
Gjithmonë do të këndoj për pendesën e thellë
Për një nënë që nuk ia di të birit as varrin
Për një nënë tjetër që nuk di se djalin e lindi
Poet dhe zemër të huaj që varet me këngët e veta
Për fjalët e ngrohta në ndarje për harresën
Për kafenetë e nxira dhe për violinat e ciganëve
Për verën e rrushit të zi për erën e kikirikave
Për rrugët dhe ekipazhin e një cirkusi të verdhë
Për gëlltitësit e tij të zjarrit dhe për palaçot
Për një epitaf në një varr t’rrafshuar kaherë
Për një vatër të fikur nga shirat e stinëve t’zisë
Për një dashuri të humbur për shumë dashuri
Të humbura dallgëve te shqetësuara të mërisë
Për ditën kur shterren fontanat në qytetin time
Për pritjet e gjata dhe për drurin e blertë.
BREGU I PIKËLLIMIT
Tim atë – Shaip Dërvishit
Njëzët vjet i vdekur mysafir të erdha
Radhën e ke i vdekur vizitën të na kthesh
Eja se më gjen në konakun tim të përbotshëm
Të pret urna ime e derdhur kurbetit me kobër
Eja e mos prit shtegun të ta çel pranvera
Se mal jam unë ku bora e zë borën.
FJALËT E FTOHIN ZJARRIN
Heshtja e fsheh krimin
Fjalët e ftohin zjarrin e kokës
Latues mermeri me daltë
Godit pirgjet e larta t’botës
Me ngjyrën e amshuar
Me fjalën e zjarrtë
Në skenë pas perdes
Paloço
Pa emër pa datë.
Eshtrat t’i sjellin me anije
Deti çohet dallgë.
LETËR RRUSHE REXHES
Kush do të gjejë shteg
Në shkretëtirën e shpirtit tim
Unë vetë jam kthyer i etshëm
Nga gurrat e lirikës sime
Në parajsin solemn
Më kanë goditur më pjata yjsh
Kurse bukuria vret
Barkun dhe mendjen
Me dyllin që mbeti
Figurën time latoj.
SMUNDJA E SHPLUAR
I kujt është pylli trevjecar
Kush më bëri kaq të bukur
Të eger
E të padukshëm
Thuaj këmbës le të ecë
Sëmundja s’mund të më ndalë
Brenda lëkurës sime
Po qe se jam larë në dru e gdhendur
Mund t’më latojë edhe me dyllë
Po sytë? Ku t’m’i gjeni
Sytë s’behen prej zymryti
Ballsamoni rrapullitë e mia
E vidhi afroditat e mermerta
E lermani shenjën e kainit në ballë
Po unë do të kthehem
Me Hijen time , me Ujërat, me kohërat
Dhe do ta mbuloj atërisht
Sëmundjen e shpuar në shtratin tim
Po qe se s’kthehem
Ndokush do të më tregojë.