Gazeta Nacional Albania

BREZAT ÇAM. POEZI NGA ALMA MEHMETI

 

 

Kisha një baba e kisha një shok,

Herë ma fshinte lotin, herë ja fshija,

Sa herë kujtonte të shkretën tokë,

Sytë i kthente tutje nga Çamëria.

 

Kisha një gjysh e kisha një mik,

Kisha një Osman Takë në valle,

Vlente më shumë nga më i shtrenjti çiflig,

Fjala e tij me peshë të madhe.

 

Kisha stërgjyshin,  ilaçin tim,

Si mund ti harroj përkëdheljet e tij?

Emrin e babait më la si kujtim,

Atje ku shpirti, i “fle” mbi Çamëri,

 

Shkuan vitet, dhe  shtohen brezat,

Lëndimi shkruar në histori,

Bashkë me to rrojnë edhe shpresat,

Çamët të kërcejnë në Çamëri,

 

 

Fluturon shpresa, fusha dhe male,

Kapërcen detit në Gumenicë,

Të lutem hapin në Vrastov ndale,

Ulu në çilte, në krie të shtëpisë,

 

Kur ikën,  kliçe nuk vunë,

Hapur lanë dier e parathire,

Që malli të vejë e të pushojë,

Në atë tokë të bukur plot hire.

 

Sa të vogël të njoha se mbaj mënd as vetë,

Por sytë e tu të bukur, çponin si shiqetë,

Tabelë qitje zemra jote shkretë,

E imja  me pendimin në heshtje flet e flet,

 

Me krahë dhe flakë unë si dragua,

Shpirtin ta thërrmova e pa ndiera grua,

Ku i gjete prangat që u lidhe me mua,

Kush magji e zezë të dënoi a s’më thua?

 

Dhe nëse kohën do ta pikturoja në mur,

Unë dragua do isha si dikur,

Dhe ti e njëjta kufomë që frymë merr,

Je aromë lulesh që unë me këmbë shkel,

 

Si e vogël,,, dhe e madhe,,, e ëmbël gjithmonë,

Ti që ylberin në qiellin plot re kërkon,

Por krahët e mi dhe atë e mbuluan,

Në fund mbeta krahë thyer, flakë shuar,

 

Në qiellin blu nuk shoh më yje,

As zogj, flutura, drenusha në pyje,

Zemra dhe sytë më mbetën të verbuar,

Po zemra jote vallë a është shëruar?

 

Të shoh tek shkon, por s’të shoh kur flë,

Drenush kokë lartë, por e imja s’je më.

 

 

  1. Kushtuar prindërve të larguar në këtë kohë pandemije

 

Gjirin me gjumësht blete,

Lotin tretur në mërgim,

Aroma jote s’më ngopi,

Tani s’thahet loti im,

 

Ike me shpirt të lënduar,

Zërin, syrin nuk ma pe,

Dhe atje rri e vajtuar,

Nuk të hodha një dorë dhe,

 

Nënë moj nënë ku të gjej,

Të kërkoj çdo natë në ëndërr,

Ike sy i pa mbyllur,

Dojë të më shihje dhëndërr,

 

Emigrim qofsh i mallkuar,

Në të mirë e në te keq,

Zemrat tona pa qetësuar,

Njëra qan e tjetra heq,

 

Ti moj dorë e fshehtë tinzare,

Të gjorët për jetë na ndave,

Nëna shkoj me buzë të tharë,

Syri im mbeti pa parë.

 

 

DUART ZGJATUR UNË E TI

 

Udhëtimin me ty nisa,

Bija ime copëz shpirti,

Nga ti sot më pak, isha,

Kur jeta emrin nënë më ngjiti,

 

Unë u rrita, ti u rrite,

Bjer e ngrihu gjunjë coptuar,

Shumë herë harruam në vite,

Jeta është vijë e lakuar,

 

Dy planete unë dhe ti,

Toka e rëndë me halle shumë,

Ti je Hëna që veç më ndrin,

Ndalon shiun me furtunë,

 

Edhe çadër u bëre shpesh,

Më ruajte nga shi e borë,

Trishtimim në errësirë më xhvesh,

Gjithmonë gjej të zgjatur një dorë,

 

Shikimi ynë përplaset horizontit,

Rrethrrotullimin se ndalim kurrë,

Duart shtrëngojnë kalimthi çdo ditë,

Mes nesh i shëmbur gjithmonë ky mur.

 

 

 

KJO TOKË QË DYERT E FERRIT HAP…

 

Kjo kohë e marrë, qytetin zhveshur,

Nga qethet e vjeshtës verdhacake,

Tapet rrugëve të ngushta ngjeshur,

Nga pemët e vjetra dhe ato shkurtake.

 

Ky qytet i shkretëtuar, zaptuar nga kafshë,

Njerëzinë mbyllur në kafaz hermetik,

Ligësia ka mposhtur me të sajin afsh,

Pa menduar për botën e vogël asnjë çik.

 

Ky det që shtrihet hapësirës tokë,

Si gjarpër gëlltit çfarë s’është e tij,

Sikur me djallin është bërë shokë,

Rehat, komod mysafir na rri.

 

Ky mal që vjell zemërim të zjarrtë,

E djeg pemën shumë vjeçare,

Të kuq kthen qiellin diamantë,

Ta vjedh shtëpinë pa pyetur fare.

 

Kjo tokë që dyert e ferrit hap,

Rrëmben gjithçka me dëshirë të saj,

Dëshpërimin e njerëzimit bëri zap,

Për shpirtrat që vodhi su ndije në faj.