Friedrich Nietzsche (Fridrih Niçe; Röcken, 15 tetor 1844 – Weimar, 25 gusht 1900) ishte një filozof, filolog, poet dhe eseist gjerman. Një mendimtar origjinal dhe novator, prodhimi i tij filozofik ndikoi në botën kulturore perëndimore që nga shekulli i njëzetë. Filozofia e tij përfaqëson një shkëputje nga e kaluara dhe një hapje konsekuente ndaj mënyrave të reja të të bërit filozofi, e karakterizuar nga përdorimi i prozës letrare dhe aforistike, por mbi të gjitha me elemente provokuese. Vepra e tij e shumanshme ka në fokus moralin, besimin e krishterë dhe fatin e individit bashkëkohor të humbur në nihilizmin modern, i cili duhet ta kapërcejë atë pas përfundimit të fesë. Vetë Niçe gjeti hapësirë për eksperimente filozofike dhe letrare, duke shkruar vepra poetike, filologjike dhe një autobiografi, përveç eseve filozofike. Mendimi i tij do të ishte revolucionar për filozofinë e shekullit të ardhshëm dhe do të ndikonte gjithashtu në romancierët, poetët dhe artistët.
KËNGA E DEHUR
Njeri! Ndal këtu!
Ç’po flet mesnata e thellë kështu?
“Fjeta, kam fjetë –
tash sa jam zgjuar nga ëndërra ankth: –
E thellë bota,
Dhe më e thellë se dita ç’mendon kuturu
E thellë vojtja-
Nepsi – më i thellë se çdo makth
Vojtja thot’ – Ik tash!
Por nepsi do përjetësi prap –
Përjetësi të thellë, të thellë do prap!”
NËPËR DETET E REJA
Dua të shkoj atje; dhe unë
I besoj qëllimit tim dhe vetes.
I hapur është deti, në blunë
E tij rend anija ime gjenoveze.
Gjithçka më e re dhe fringo më lëbyr,
Mesdita fle në kohë dhe hapësirë -:
Vetëm syri yt, duke lemerisur
Më shikon mua, pafundësirë!
PISHA DHE VETËTIMA
Unë u rrita mbi njeriun dhe bishën këtu;
I flas gjithkujt – dhe nuk më flet askush.
U rrita shumë e vetmuar dhe shumë lart –
Unë jam duke pritur: çfarë po pres vallë?
Retë më janë ulur tashi pranë fare,
Unë jam duke pritur vetëtimën e parë.
ECCE HOMO
Po! Unë ia di vetes prejardhjen!
I pangopur, krejt ngjaj me flakën
Digjem dhe e shkrumboj veten.
Bëhet dritë gjithçka që kap
Thëngjill është çka lë pas
Flakë jam unë jo gjë tjetër!
ZOGU ALBATROS
Oh çudi! Fluturoka ende?
Ai ngrihet lart dhe flatrat rrinë pushim!
Çfarë e ngre dhe e bart atë aq epër?
Cilin ka ai qëllim, lëvizje dhe frenim?
Fluturoi shumë lart – dhe qielli
Fluturim e ngre fitimtarin prore:
Tash ai po pushon dhe po rri pezull,
Duke harruar fitues dhe fitore.
Si yll dhe si përjetësi
Jeton tash lartësish, përvjedhur jetës,
Zilia vetë e ka atë zili:
Fluturon dhe kush e shikon atë aq epër!
O zog albatros!
Lartësive një impuls përjetësie më grish mua!
Mendoj për ty: dhe lotë mbi lotë
Më rrëkëllehen – po, unë ty të dua!
MIDIS ARMIQVE
(sipas një proverbi cigan)
Andej sfurku, këndej litari
dhe mjekra e kuqe e xhelatit.
Njerëz rrotull dhe sy plot helm –
Por për mua s’është gjë e re!
I di për këtë njëqind marifete,
Ua përplas talljen në surrete:
“Mua të më varni? E keni kot.
Unë nuk mundem me vdekë dot!”
Ma lakmoni, ju lypsarakë,
Atë që kurrë s’keni me e pasë:
Vërtet vuaj, unë vuaj kështu!
Por me vdekë, vdisni veç ju!
Edhe njëqind herë me shkue në litarë
Unë prapë jam dritë, frymë e flakë –
“Mua të më varni? E keni kot?
Unë nuk mundem me vdekë dot!”
ZOGU KAÇAK
Kështu qëndroj mbi këtë gemb të shtrembër
Lart përmbi det e përmbi kodra:
Një zog tek më ftoi mysafir të vetin –
E ndoqa fluturim e paskëtaj rri në prehje
Dhe i përpëlit këto flatrat e mia t’vogla.
Deti i bardhë ra të flerë, e tashti
Edhe në mua fle çdo uh e ah.
Harruar kam çdo cak dhe qëllim,
Harruar frikë dhe lavdërim dhe dënim:
Tash me çdo zog unë fluturoj vetëm lart.
Vetëm vendumëro – kjo nuk është jetë!
Këmba mbi këmbë të lodh edhe të mpin!
Unë e lëshoj veten në mëshirë të erës
Krahët të lirë dua që t’i kem përherë
Dhe të rend pas çdo zogu fluturim.
Arsyeja? – Ajo është punë koti:
Arsyeja dhe gjuha shpesh bëhen çapraz!
Fluturimi forcë të re më dhuroi
Dhe zeje më të mira më mësoi,
Këngë dhe lojëra gazmore dhe shaka.
Të mendojmë vetëm – gjë e zgjuar thjesht.
Të këndojmë vetëm – gjë e marrë!
Mbajeni thënien time vath në vesh
Dhe mblidhuni tek unë në një rreth,
Rrotull meje, zogj të vegjël e të mbarë!
KOLOMBI I RI
Mike! – tha Kolombi – kurrë
Mos beso tek një gjenovez!
Përherë në kaltërsi ai sytë i ngulë –
Atë gjithnjë largësia e magjeps!
Unë e çmoj më shumë gjënë e huaj!
Sa është, sa nuk është Gjenova –
Zemër, bëhu gur! Mbajeni timonin duar!
Përpara vetëm det – po toka? – po toka?
Qëndrojmë ne në këmbë drejt!
Kurrë nuk kthehemi dot pas!
Shohim përpara: prej larg na përshëndet
Një vdekje, një lavdi, një fat