Gazeta Nacional Albania

DALLËNDYSHE, KTHEJE NDRYSHE.  Fragment nga romani Nga Nehas SOPAJ

Manualin e Zoologjisë Fantastike të H. L. Borgesit është një gja­llesë-figurë mitike të cilën Maestro e kishte lënë pa emër duke mos i caktuar Asajt asgjë, madje as gjininë. Ai që do t’ia gjejë emrin e vërtetë kësaj krijese, kishte thënë Maes­tro në një seancë publike spiritiste në mes të Pen-Clubit, do të shpër­blehet me një katarsë të paparë: atij do t’i hapen të gjitha dyert e Parnasit, ai do ta shofë të vërtetën (të vërtetën? Zotin?), kurse nëse do të dijë si t’ia lidhë kryet kësaj pune, ai madje mund të bëhet edhe kumbar i atij Manuali… Ai prandaj, s’duhet të habitet nëse çështja mund të ashpërsohet deri në atë përmasë, sa, kur ta shofë të vërtetën absolute, t’i vegu­llohet kjo figurë monstruoze, ndaj s’ka nevojë ta alar­mojë botën se Ajo nisi të ec, të lëviz e të flasë me gjithë pamjen e shëm­tuar që ka, duke mos i rënë kurrë në fije të vërtetës, sepse Ajo s’di tjetër pos që të vrasë (qoftë edhe vetëm… metafo­rikisht)! Mua, që jam një nga humbësit më të mëdhenj të kësaj bote, prej një ndjella­kobësie të kësaj shtytjeje fatkobe, një natë m’u shtir në ëndërr kjo gobi! A ishte tani kjo figurë Ajo për të cilën kishte profetizuar Maestro për ligësinë njerëzore, ose mua thjesht po më vegu­llohej e vërteta e tij profane, po nëse vërtetë kjo ishte figura e shituar, atëherë a s’ishte kjo një përligjie që po e imagjinoja, apo ishte ky një dënim që po ma përcillte Zoti Hermes në ëndërr? Megjithatë, saherë kjo figurë i shfaqej njeriut, e ai thosh:

– Ik ore Dexhall

ajo vetvetiu zhdukej. Kështu, unë veproja saherë më shfa­qej ajo. Po tash kur po e rikonstruoj ëndrrën e Maestros, unë s’guxoj t’ia për­mend më emrin se, i mjeri unë, meqë dua të jetoj edhe pak, pas fatkobësive që m’i kish profetizuar Maestro (po edhe sipas një intuite arbitrare nga ajo kohë), unë që ende po shpresoja për jetë pas vdekjes, thashë se s’dua t’ia përmend emrin Asajt. Kurrë. S’dua t’ia përmend emrin jo sepse i frikësohem metaforës së ftohtë të quajtur vdekje për së gjalli, por sepse sipas profetizimeve të pararendësve të mi (dhe sipas një parandjenje të çudiçme e të paqartë), s’kam dëshirë që katarsa të më rrëmbejë kaq të ri. Le ta jetoj jetën jetë, plasëshja i raftë, se një jetë e kemi të gjithë; ka kohë për dërdëllitje të kota siç është vdekja, larg është Edeni prej meje, larg Adi! Ndaj saherë më kujtohej pamja e neveritsh­me e gjallesës Figurë Mitike Pa Emër, në vend që t’ia përmendja emrin, si të më pickonte dikush nga prapa, bërtisja:

– Ik ore Dexhall

kurse figura mitike më zhdukej sysh. Kjo figurë prej së cilës trembeshin të gjithë krijuesit, dhe sidomos Bor­gesi, ish­te një monstrum prej të cilit e mirrnin hatanë e ikjes të gjithë ata që e dinë ç’është kukudhi, e kur më ra hisja mua ditë e m’dritë ta ndaja të mirën dhe të keqen me të, o kur ia pashë syretin me qindra mija profilet e Danjollit të Sherkës, m’u bë sikur po shihja ferrin me një kaleidoskop fotografish të pafund të vdekurish. Dhe, si me urdhër të Zotit Her­mes, unë denjova të jem binjak me krijesën më të shëmtuar të botës, krijesën e cila për Zot s’e kish të vërtetën, por falsin, rrenën, pështirosjen! Sy bote, unë dukesha binjak me të, ose Ajo dukej dytëshor imi, ec e dije tash! E, dallonim si nata me ditën mes nesh. Po kush ishte Zoti i saj se? Një­zet e sa vite rresht unë kisha vendosur mos t’ia përmend emrin nga tmerri se vetëm përme­n­dja e emrit të Saj, do të më zinte më e keqia e të këqiave, ndaj pas klithmës sime (sipas kësaj maksime të më të vjetërve):

– Ik ore Dexhall

thashë dhe ajo “binjakia” ime e tmerr­shme, zhdukej. E mësuar përmenç me marifetin e mirësjelljes sime (stereotipe, them unë tash nga distanca), me një parandjenjë puritane të parallogari­tjes prej përpara, Ajo qoftëlargia, më la rehat, më la por vetëm pas një sharje publike që ma kish bërë tash si dikur moti, në adoleshencën time të hershme. Më kish lënë, por përkohësisht. Sepse, erdhi dita kur Ajo teshë e lig lëre që s’më kish harruar, por s’kish bërë asgjë tjetër pos se më kish ndje­kur në rrugën time, hap pas hapi, si një djall i vërtetë! Ah, ç’mashtrim! Kur një ditë Ajo doli të më anatemojë me zërin piskë, ngjashëm si edhe në fëmijërinë time me lulelale, pranoj se u befasova! Sepse… harrova ç’i kisha premtuar vetes: mos t’ia përmendja emrin Asajt! Sa do që e kisha parandjerë hobe­në e tmerrshme, tash them se më befasoi rishfaqja e saj me të njëjtën neveri! Më shumë sesa befasi, kjo qe një akt-akuzë publike, e njëjtë si nga adoleshenca ku Ajo ma nëpërkëmbte dinjitetin me një rrenë tuafe dhe transparente, dhe kësaj radhe unë u gjeta si në fill të fillimit. Ajo, dorëshpërvjelësja me zë të gjyvenes, po më shpallte tash, a e dini çfarë se, të atillë çfarë faktikisht ishte ajo vetë – po pra, surrat, syret, slikë, thuaj çka të duash. Po ma përkujtonte kështu, mu atë akuzë, të ngjashme si para disa dekadash, me një dallim se dikur ajo ishte e ngjy­rës soc-realiste, po tash qe konvertuar në… lolo-de(r)mokratike! Po pra, po ma përsë­riste kjo shëmti e fytyrës-tatuazh, duke m’u vulosur mua në fytyrë! Kjo më erdh si një lugë hel­mi në gojë!!! Po më vinte po ai ves i mbrapsht i bujës së moç­me, e njëjta kreaturë të cilës s’ia zija emrin në gojë. Në kapërcyell të mileniumeve e nxor tureçkën me një syret krejt të ri dhe mu kur po pyetesha veten ç’kishte gjitari me mua, kur…

– Ik ore dexhall

i thashë, i mësuar përmenç si duhej t’i thosha Dexhallit, gjithnjë sipas bonto­nit të vjetër, kurse Ajo u zhduk… Kah e drej­ta, them ndoshta kishte pasë të drejtë lartposhërsia e Saj pa fund që firoi, se… ku ta dimë ne se ç’fatalitet fshihet në bioenergjitë tona (të secilit prej nesh, pa përjashtim) që ia zgjojmë sekëlldinë tje­­trit? E dija se s’isha vetëm unë ai që i ishte bërë halë në sy Asajt, halë në sy i ishin bërë të gjithë her(m)e­tikët, që këtu edhe unë ndër ta… Ndër rrëmujat e përmbysjes së ideolo­gjisë puritane, mes rrëmujave shqiptare, Ajo si një mazojkë e vërtetë, u ngrit edhe një herë që t’i varro­ste të gjithë shahirët, pasues të Zotit Hermes. Dhe, varrmihjen e nisi prej nga ishte më së holli, nga “arrivisti” i her(m)e­tikëve, dmth. nga unë, Maestro. Dhe, si ngahera, atëbotë kur shfaqej figura e Saj në arenë me pamje prej satrapi a kukudhi me brirë, kur Ajo shfaqej si e pa krye fare, thashë edhe unë si të gjithë shahirët që klithën në korr:

– Ik ore, se qe po vjen Dexhalli

kurse pas kësaj Dexhalli u zhduk! I ndjeri Borges! Në Manualin e tij të famshëm të Zoologjisë Fanatastike, kështu e kishte për­shkru­ar këtë mallkim të artit nga nëpërkëmbësit: në çdo kohë dhe hapësirë, anate­ma s’ka ç’bëhet tjetër pos – mallkim i zotërave sedërfyer e satrapë ndaj artistëve që marrin guximin ta thonë troç të vërtetën! Anatemojnë pseudointelektualët, shkrimtarët-xhandarë, shpirtvegjëlit galo­panë që për Zot s’njo­h­in tjetër pos… zuçkës së vetë, ah vetëm zuçkës së vetë! Këta njerëz të mje­rë që shiten se merren me himere të mëdha njerëzore (rrejnë Zotin, rrejnë kombin), në fakt bëjnë luftë të tmerrshme që ta akomo­dojnë vetëm sall anusin e tyre të ngushtë. Ata, lëre që s’e kanë mendjen fare te ajo që e deklarojnë, por janë në gjendje madje edhe ta lëpijnë atë që e pështyjnë kur e shofin ndonjë përfitim a dobi rasti; cikrrimtarë të mëdhenj të çarshisë, ata të llastuarit e moçëm të oborrit (feudo-apsolutist, a mbretëroro-komu­nist), ­të mësuar gjithmo­në me llapjen e të mirave materiale, pa fije turpi bëjnë turr në fron pas llapjes së të mirave mu si sko­rrofanca, edhe atë­herë kur është turp të afrohesh aty ku s’e ke vendin! Megjithatë, kur njeriut papritur i shfa­qet një kësi krijese pa yndyrë dhe ai harron ta pëshpërisë eliksirin:

– Tëhu! Mbërthehu ore Dexhall;

ti si taks­i­­rat­­li, mbe­tesh i ballsamosur nëse s’e bën këtë gjë! Kështu u kishte ndodhur pothuaj të gjithë mjeshtërve të mëdhenj të fjalës, kështu i ndodhi edhe Maestros së shkretë. Një natë prej netve, asaj nate fatkeqe kur e kishte parë ëndërr Krijesën Pa Kokë Pa Emër e Pa Formë (si ameba, shprehem unë tash jo edhe pa emocione), sa ia kishte përmendur emrin e përgaztë, mu në ças­tin kur ia kishte pëshpëritur troç të vërtetën, ënd­rru­esi Maestro kishte vdekur në vend! (Athua të gjithë shkri­­m­­tarët e vërtetë, një fat të mynxyrshëm e përsërisin në çdo kohë dhe hapësirë?) Ai ishte shpërngulur në një hemisferë tjetër! Po në të cilën se? Eh, paj ku ta dimë tash ne të shkretët, sidomos unë hall­exhiu, të cilin e pret hanxhari i Saj i mprehtë! I shkreti unë, kishin klithur atëbotë – Homeri, Shakespaer-i, Dosto­jevski, Borgesi (nga letërsia botërore), pastaj Ca­maj, Pashku, Dërvishi, Musliu (nga letërsia shqipe), kur u qe shtirur Figu­ra pa Kokë (shiko Manu­alin e Zoologjisë Fantastike) ose kur ia kishte behë Shkatë­rruesja e Taki­meve Njerë­zore (shiko Një mijë e një netët), që ndryshe emrin ia thonë – Vdekje, pra kush do të besonte se ky fatkeq do të isha unë, i nëmuri! Vetëm e vetëm sepse ia kisha përmendur si me humor emrin, nofkën që e përdhoste fare: zanore + bashkëtingëllore = perversion puritanesk! Hëh! Qeshem edhe tash kur e kuj­toj atë mallkim djallëzor! Kështu, në çdo kohë, në çdo hapësirë, në çdo kulturë kombëtare! Kështu

– Tëhu, tëhu ik ore Dexhall

njëzet, tridhjet a dyzet vjetë rresht s’harroja së pëshpërituri “sekretin” me zë, i mësuar përmenç si duhej të sillesha me Dexhallin saherë ndodhte t’ia kujtoja atij emrin qesharak. Në të vërtetë, kështu edhe e shpëtoja kokën! I kisha vizituar, me mendje, të gjithë zo­tat-totemë të artit (lexo: shkarra­vitësit e neveritshëm), i kisha shëtitur të gji­tha emrat, pastaj emrat e emrave deri te emrat më minorë që ekzistojnë, derisa kisha arritur t’ia njoh, në fund, Zotin Asajt. Kush mund të ishte Zoti i Saj, e kisha vrarë mendjen, me vite? Po kush mund të ishte vrasësi i artit të vërtetë, tmerri i shkrim­tarëve, lubia perfide që ua rrëmbente kokat artistëve? A s’ishte ky, për shembull, çupërr­nja­ku Andrej Zhdanov, ose pasuesit e tij, varr­mihësit e artit poetik nga të gjitha kohërat!?! Atë natë kur ndodhi ajo të cilën tash po e quaj morta ime (morta ime, varri im i gjallë?), ëndërr e pashë Figurën e Përgaztë, Zotin Katil, Ekzekutorin e Artistëve të Vërtetë. Ia pashë të gjitha flegrat, të gjitha këmbët, të gjitha duart, të gjitha dimensionet horizon­tale dhe vertikale të trupit leshatuk, ia pashë kokën pa flokë, çelenkën qesharake me trupin hemafrodit të mashkullit-femër, që po rrezatonte felat nën diell! Çfarë pallangjeshe, thashë tek e pashë. Po notoja me lundrën time drejt thellësive të oqeanit të qetë, po lundroja qetë (Qetësi para fërtyme, siç do të qeshte z. M. Kuteli p.sh. atë çast, po të më shifte), kur qe, krejt papritur, t’ia dha një tufan, një tufan i tmerrshëm nga i cili, mu si në përrallat e Njëmijë e një netve, unë mezi arrita ta shpëtoj kokën. Çfarë mazojke, çfarë pele, klitha i irituar duke ia lexuar prej përpara qëllimin napran. Si një ushujzë që vjen duke u rritur e duke u transformuar në trajtë që do të përsosej, si floçkë ose meduzë që për habi, në fund u shndërrua në pezhishkë, në sytë e Saj unë po zvogëlohesha, po ­humbesha fare, kaq shumë po tretesha sa në fund s’mbeta sa një grusht njeriu. Po kësaj here

– Ik ore Dexhall

s’thashë siç e kisha zakon të thosha. S’thashë tek e pashë atë Teshë të Lig, atë monstrum që më pë­sh­tyu e më bëri n’hall e ndytë, në sy të botës! S’thashë sado që ky zvogëlim imi kaq i madh karshi syve të Saj, Atë e bënte të fluturojë kah qielli mu si një xhind (si një personalitet pa individualitet), përballë meje që po humbisja fare, sa një mizë (një individualitet pa personalitet). E, i qenë zgjuar të gjitha flegrat (dhe felat), duke më parë mua – halë në sy! Dhe, në tërmitin e quajtur rënie e lirë, ia nisi Valles së Vdekjes së Verdhë… Koka e Saj pa flokë e me feçkë të kuqe, hunda e Saj e skuqur si penis, faqet e Saj të mërdhezura bëra mor­tuz, pas klithmës që e tha me shumë afsh

– Oh, sa të kam efsh (!), o hamshori im – që më lanë pa fjalë. Ndaj në vend të përgjigjes sime të rregullt

– Ik oj se ti s’je tjetër pos vetë Dexhalli – që duhej ta thosha, por s’e thashë, unë që s’e përmbajta gazin pas marazit që më kish rrëmbyer, duke e harruar “eliksirin” e domosdoshëm, nuk hezitova si nga­hera, s’u nëmatisa si gjithnjë, por duke ia kundruar pamjen e De­xhallit, pas “përkëdheljes” së paturpshme që po ma servirte patetika e Saj (fjalët efsh dhe epsh që kanë ndërtime të ndryshme semantike, e dija se me rotacizëm mund të lexohen ndryshe, sepse, ajo që i bashkonte është a n a t e m a), ndaj në vend të kësaj, ia ktheva:

– Ik Bukël hukatëse, mahitore, naprane, ik! Shporr­­mu sysh ndjekësja ime, varri imi i shpluar që po ec me katër këmbë mbi kufomën time! Krejt bota e di se unë kam vdekur, moti, qysh më 1982, kurse ti më deshkërke sot kështu, kufomë të gjallë! Kështu, skorrofanc i vërtetë, edhe Zoti yt ka për të të vrarë një ditë, ndaj ik, shporrmu sysh!

Pas përgjigjes sime që s’e kish pritur, sa fola, përnjëherë mua më zuri Anatema. Si në fill të fillimit, Ajo më shitoi. Mbeta me buzë në gaz si një Holandez Fluturues, një Vet­mitar i Përjetshëm a Njeri i Shtanguar që po vështronte figurën e Dexha­llit – krijesën që më kish mallkuar jo një herë në jetë, kreaturën që në vend të kokës kish brirë dashi dhe në vend të trupit, një zog turrec që luhatej, para e prapa, si feder i vërtetë, duke dridhur bythët, herë djathtas e herë majtas. Në mes të Parnasit mbeta duke e vështruar këtë gobi groteske si po më hidhte në koshin e her(m)etikëve si të gjithë krijuesit e tjerë para meje. Mbeta i shituar në vend, me një p. scriptum pas: Do të vijnë e do të shkojnë gjenerata që do të merren me “binja­kun” tim i cili për Zot e pat Andrej Zhdanovin, po pra, do të vijnë e shkojnë rrugës së tyre të gjithë, e kur në fund, i Lumi Zot do të na mble­dhë të gjithëve në një kosh, askush s’do të dijë si t’ia lidh kryet kësaj të vërte­te abstrakte pse në Manualin e Zoo­logjisë Fantastike Maestro s’e kish emëruar këtë krijesë-krea­turë si edhe të tjerët me emër e mbiemër, por e kish lënë pa adresë. Po, kish mbetur prototip i xhandarit sërp, katil i murrëtyer si thiu, duke e lënë të Vërtetën Binjake pa Dëshmi, atë krijesë që i ka fosilizuar të gjithë shahirët e dy epokave, kaq kontrastive brenda dy mileniumeve, me zbrazëtirën e emrit, një zbrazëtirë që në vend të fjalëve, mjetit të vetëm të muzës poetike, s’ka asgjë tjetër pos tulla prej m…