Site icon Gazeta Nacional Albania

     DHIMITER POJANAKU: Për romanin, ” Ftesë në rrethin e dhjetë”  të Flutura Açkës

 

 

“KUR QYTETI I TREMBEJ DRITES”

Nuk janë vetëm tre. Trekëndëshi mund të lëvizë brinjët lehtësisht e mund të jem unë, ti, ajo…ai, ato!

Në shkallët e amfiteatrit ku luhen nëntë kapituj e jetës, mund të jenë të tjerë, në fillim- të tjerë, nga mesi – të tjerë, afër fundit- të tjerë në fund e përtej…të gjithë, nga shkallët, kthehemi në aktorë e anasjellas.

Eshtë një trekendësh që rritet, zmadhohet si një objekt përreth  një lumnaje pasqyrash. Veç nuk janë pasqyra skenike nga ato që t’i vrasin sytë por pasqyra ku gëlon vetë jeta.

 

Kush jam unë, kush je ti? Pyetje që therin brenda nënvetëdijes…më tepër se ” të jesh a mos jesh”! .

Brenda trekëndëshit mund të vendosësh çdo emër shqiptari, ndërsa ata, të huajt, nuk besoj se do ndryshonin.

Se ne, lëvizim si nomadët, me çadra në shpinë, kuturu,pa atdhe, si pa eshtra.

 

Fishkëllimat e trenave intercity, linjat ajrore Tiranë – qiejt e Europrës e kthim, uturima e trageteve, lëvizin fletët e librit si ngjyrat e rrugëve nëpër harta, të gjitha rrugë larg atdheut dhe në kërkim të dheut!

Këtu është tragjikja që këndon qyqshëm: cilin kemi atdhe?!

Se atdheu nuk është vetëm vendi që të lind por që të jep lirshëm frymë, dhe Açka këlthet sa trondit qiejt e Evropës dhe hesht për çudi vetëm qielli i saj, qielli i saj veç dridhet si një kasolle pa çati.

 

Se atdheun e nënës, që sapo i lënë varrin ende të ngrohtë e ikin se atdheu tjetër nuk ua ka njohur nënën më parë dhe u kërkon përpikmëri, ikin të futen me zor në trupin e të tjerëve atdhe.

Atdheun e tyre e kanë zënë kuçedrat, i kanë bërë pusi ajrit dhe s’ke ku të fluturosh!

Dhe ikin, dhimbja fshihet si hajduti që fsheh nën xhaketë një thesar dhe ç’bëhet njeriu…dhe tretet atdheu…

 

Açka klith, ajo s’mund ta fshehë eklipsin njerëzor shqiptar, kërkon me çdo kusht ta shpëtojë  si arkeologët një antikë të vyer…

 

Linjat ajrore, tokësore e detare të udhëtimit mund t’u duken të zakonshme atyre që largohen nga atdheu për ditë mjalti në Karaibe, për një parfum politik në Paris “që t`i pranojnë në sallonet e Europes”,…. por pasi të kenë lexuar romanin, nëse kanë qoftë sadopak  thërrime ndjeshmërie, nuk mund të shikojnë trenat pa parë më parë shkëndijat e metalit mbi shina, nuk mund të shikojnë avionët, pa parë më parë peshën e mallit brenda, tragetet, pa parë më parë, sesi detet madhohen ditën nga brengat e se si natën, vogëlohen e nxijnë nga frika e atyre që nuk dinë se ku shkojnë.

 

Ajo e di se kuçedrat duhet mbytur që në vezë, se ato pas çdo koke të prerë kanë gati tjetrën se  jo vetëm kanë zënë ujin, por  vrasin edhe dashurinë, kockat,  plagosin.

 

Se kur “ demokracia vjen si dhuratë nga diktatura”  le sakatllëqe për një kohë të gjatë.

 

Nuk ka dhjetë rrathë, më tepër, rradhë në çdo faqe, rradhë ku atdheu i Saj dhe yni merr frymë nën beton për të hapur krahët pashallarët qeveritarë, dhe askush nuk i ndih, vetëm Ajo me personazhet e saj vënë zemrën si minë nën beton, për t’i hapur atdheut sadopak një të çarë, për të parë në mos qiellin të paktën bijtë…

 

Rrathë shekspirianë ku ati i vret atin e së dashurës dhe i shtie dashurisë vaj të nxehtë në vesh, rradhë gogolianë ku përgjohen ëndërrat brenda telave me gjemba për të ridënuar ata që ngritën apo ngrejnë edhe gishtin kundër sarajeve të pashallarëve sa të vjetër aq të rinj.

 

Açka, në mënyrë mjeshtërore hyn në personazhet e saj, u lexon shpirtin gjer në pejzat më të holla ,ndaj gdhend karaktere të pashoq e figura mahnitëse, me një leksik fort të pasur, që njëherazi pasuron edhe gjuhën shqipe.

” kishte kohë kështu, zor ti’a hapte derën ndonjë gruaje pa i injektuar elektrone hutimi arsyes”, “kishte frikë të gëzohej, gëzimi i dukej si një kurth”, apo  ” kjo grua merret me frenimin e ndjeshmërisë së saj aty në platformë…”.

 

Pse frenim?!

Sepse një atdhe i ndrydhur nga skamja, ndrydh edhe kërthinjtë e vet. Edhe në skena, në dukje të kthjellta, shkrimtarja këlthet, godet me tehe shpate që i përndriten nga dielli i shpirtit të vet, nga dashuria e pamatë për atdheun!

 

“Tani ishte më shumë burrë dhe më pak mashkull. Shqiptarët e gjinisë së tij dhe moshës se tij, ishin më shumë meshkuj sesa burra.” E pra, një filozofi gati shekullore…

 

Shihni sa me finese e ironi të thekur fishkullon ajo edhe rregjimin e komunizmit,…

“shkoi te Vila vejania historike, atje ku tridhjet vjet më parë,ai, i pandreqshmi, e kish lënë të ve atë, të ve partinë”. U ku ku! “Të ve ,partine”! Të qash a të qeshësh me lot!

 

Tre fjali sa për të ngritur dhjetra muze diktarure!

 

Penela të tjera hedh për dashuritë e vockla, ngjyra Bukowski derdh për dashuritë e mëdha, madje i përshkruan me ngjyrat nga më të thekshmet. Se dashurisë, nëse i shkruan fshehur, me politesë të tejskajshme, zëre se nuk e do…dhe ajo e kyçur brenda një kafazi gjoja të kulturuar, vyshket edhe në art.

 

Dhe ikën identiteti si një xhaketë e harruar në tren.

 

Emrin që ta kanë vënë për të kujtuar gjyshërit, katragjyshërit, emri që në djep të lidh me atdheun, lihet peng në të tjera dhera. Dibrani Altin Hagra, vesh lëkurën e Stavri Zoraq rrugëve të Follorinës, kostumin napolitan të Roberto Gallons,dhe përsëri  është i etur të ” pijë shqip”!

Ajo ka dhimbje. E di se atdheu i saj nuk mund të përparojë siç ja do zemra popullit të vet, se qeveria ndjek vijën e artë për popullin: ” dhisë i duhet kruar koka, ajo kënaqet dhe ecën shpateve me rrezikshmëri dhe nuk e sheh rrezikun kur është e përkëdhelur dhe në humor”!

 

Por deri kur?! – duket se thërret Açka shpirtplasur tashmë!

 

“Ajri i përcëlluar në oborr,ngriu …kishte ardhur nje kohë kur qyteti i ruhej dritës…

“Çfarë zjarrmi mendimi të përshkruash 97- ën e çmendurisë shqiptare!

Po t’i rruhesh dritës a nuk është si të jetosh nën guvë! A nuk është përtej ferrit?! Po Açka e di se të përjetoje atë tmerr nën guvë  ish parajsë nga  pallatet e mbretit, ku syri i lebetisë do qëllonte së pari. Po ku gjendeshin guvat?! I kishin zënë pashallatët.

Kur them se rrathët e ferrit janë në çdo fletë nuk gaboj aspak.

I ka ndërtuar skenat me durim e mjeshtëri se vetë diktatura ja ka dhënë si mbi duar bëmat e vet:  ” nëpër natë askush nuk do ta dallonte ngjyrën ndryshe të tymit në oxhakun e tij…”

A nuk ju duket ky pasazh dantesk?! Të djegësh në zjarr provat e një dyshimi që diktatura ta fut me zor në placë e të bën të dridhesh si purtekë nga azgjëja?!

 

Ajo ringre një skenë shekspiriane kur rrëfen se në marsin e 97-ës, “ kur nga shkërmoqja e shtetit anohej kombi”, “plakësia e mbledhur diku në një si farë Matroneumi të përzishëm qytetar” merrnin vendime të rëndësishme për qytetin.

 

Nuk janë thjesht plaka, janë si nga koret e tragjedive greke, që parathonë kobet,vrasjet, mënxyrat…

 

“Tërë fisi,tërë jeta,ra, e zuri gjumi.Mbretëroi në katër anët errësësira… (L.Poradeci)

 

Po tani?!

Le të flenë sikur thotë mes ahengut ministror Ministri i Kotësisë… Gjumi rrit si të riun edhe plakun. Nuk e di nëse është ende ne qeveri kjo ministri si në kohën kur u shkrua romani.

 

Ju solla veç një degëz nga lumi që rrjedh në roman, që edhe në fushë të hapur shkon rrëmbyer e dallgëzon.

Jo për t’u treguar krejt lumin por për të gjetur sa më lehtë rrugën drejt tij.

 

Tiranë-Pogradec, 2026

 

 

Exit mobile version