Tregim
Babai vdiq.Na la.Vdiq në mes të një pranvere të thatë.Një pranvere që nuk premtonte asgjë të mirë.Babai iku,por ne na la keq.Madje shumë keq.Nuk kishim as miell në magje.
Tash fillonte faza e vështirë e mbijetesës.Nëna mori edhe rolin e babait.
Në një mbrëmje nënës i zbrisnin lotët faqeve,në heshtje.Në një heshtje vrastare.Ne fëmijët i shihnim lotët e saj dhe heshtnim.Kishte ditë që lotët e nënës rridhnin papushim faqeve të saj dhe ne tashmë sikur ishim mësuar me ata lotë.Vëçse lotët e asaj mbrëmjeje të vonë ishin disi ndryshe.
-Nesër duhet të shkoj tek dajët tuaj dhe të kërkoj ndihmë.Ndoshta do të na japin ndonjë thes me miell.Do të shkoj me njërin nga ju.
Atë natë e gëdhimë pothuajse pa vënë gjumë në sy.
Të nesërmen nëna më kishte zgjedhur mua që ta shoqëroja në rrugëtimin e gjatë.Do të na duhej një ditë e tërë deri sa të arrinim tek dajot.
Në nisje nëna e porositi motrën e madhe që të bënte si të bënte dhe të gjente pak miell tek fqinjët dhe të gatuante për të tjerët që mbetën në shtëpi.
Nëna dhe unë u nisëm për rrugë.Me vetëm gjashtë vjetët e jetës sime do të duhej që të ecja krahas nënës.Hapat e mi të vegjël nuk përputheshin me ata të nënës.Nëna bënte dy-tre hapa dhe ndalej të më priste mua.
Dita po ikte e ne ishim ende në rrugë.Urinë e shuanim vetëm me ndonjë pikë uji që e gjenim nëpër përrockat në luginat e maleve.
Dielli tashmë ishte fshehur pas kodrës së madhe e ne nuk kishim arritur ende në cakun e dëshiruar.Mua më kishte zënë një dhimbje barku,sikur diçka po më priste zorrët.Nuk mund të vazhdoja ecjen.Nëna më mori në shpinë dhe vazhduam rrugën.Tashmë ishte bërë natë.Yjet e shumtë sikur kishin shpërthyer qiellin.Unë bëja me gisht nga ta sikur po i numëroja edhepse me gjashtë vjetët e mija ende nuk dija të numëroja.
Nëna ecte ngadalë në një rrugicë që ngjitej malit përpjetë.Unë në shpinë të saj edhe më tutje bëja me duar drejtë yjeve në qiell.
Për një moment nëna e ndali hapin dhe u ul të pushonte.Ishim ende në përpjetëzen në mes të malit dhe errësira e mbrëmjes ishte bërë e frikshme.
Pas një pushimi nëna urdhëroi që të niseshim.Nuk më mori më në shpinë të saj por më zuri për dore dhe kështu vazhduam rrugën.Filluan të dëgjoheshin të lehura qensh.Në fillim të largëta dhe pastaj sikur afroheshin.Kjo tregonte se ne po i afroheshim fshatit të dajove.
Tek dajot arritën pas darke.Ata sikur u shqetësuan për arritjen tonë aq të vonë.E pyetën nënën se çfarë kishte ndodhur dhe pas shpjegimeve të saj ata sikur u qetësuan paksa.Na sollën pak bukë që u kishte tepruar nga darka dhe unë e nëna e hëngrëm sa qel e mbyll sytë.Nuk na e shoi urinë,por së paku mua më pushuan dhimbjet e padurueshme.
Dita tjetër agoi me një shi të imët që siç thuhet të lagë e të bën qull e ti nuk e vëren.Njëri nga dajot kishte ngarkuar në karrocë një thes me misër,të cilin në rrugë e sipër do ta bluante në një mulli dhe do të na e binte në shtëpi.Karrocën e tërhiqnin dy kije(qe).Ata ecnin ngadalë.Mua më kishin hipur mbi thesin me misër,ndërkaq nëna dhe dajua ecnin pas karrocës.
Në mulli arritëm diku nga mesdita.Dajua foli diçka me mullisin dhe ata që kishin ardhur dhe prisnin të bluanin.Dajua se bashku me një person tjetër e ngritën thesin me misër dhe e derdhen në një lloj katrori prej druri që ishte i vendosur mbi një gur që sillej vazhdimisht.Kokrrat e misrit binin nga nga lartë dhe thërmoheshin nga guri i rënd.Unë merrja nga pak miell me duar dhe luaja…
Me thesin e ngarkuar në karrocë u nisëm drejtë fshatit tonë.Rrugës nëna dhe dajua bisedonin për gjëra të ndryshme dhe për herë të parë pas gjithë atyre ditëve ,qëkur kishte vdekur babai,e pashë një buzëqeshje që i pëshkoi fytyrën…
Në fshatin tonë arritëm me terrin e parë.Motra,që siç duket na kishte pritur gjatë na doli përpara.Ishte e ngrysur në fytyrë dhe nën terrin që tashmë kishte mbuluar gjithçka dukej edhe më e pikëlluar.Pa u përshëndetur me dajon dhe me ne shpërtheu në vaj.Vaji i saj tregonte se se kishte ndodhur diçka e keqe.Nëna dhe dajua ju afruan duke e zënë nga krahët.Motra mërmëriti diçka,që unë me gjashtë vjetët e mi nuk arrita ta dëshifroja.
-Flaka u daltë!-mallkoi nėna dhe u zhgreh edhe ajo në vaj.-As këta nuk do të na lënë të gjallojmë!-dhe u lëshua apo u rrëzua në tokë.
Njerëz nga komuna na e kishin marrur edhe lopën e vetme.-Nuk e keni paguar tatimin e shtetit-kishin thënë dhe kishin marrë lopën me vete…
…vonë e mësova se e tëra kjo kishte ndodhur në pranverën e vitit njëmijë e nëntqintë e gjashtëdhjet e një…