Gazeta Nacional Albania

Dibran Demaku: KRISMA, Tregim

Nuk bëri as gëk as mëk,por u rrëzua si lisi kur i priten rrënjët.Jehona e krismës së pushkës u dëgjua në të katër anët e fshatit! Jehonen e saj e përqafuan edhe majat e maleve dhe e shpërndan gjithandej.E dëgjuan ata më pleqtë dhe thanë:-Kjo është krismë e mortjes! Kjo është krismë e vdekjes! Kjo është krismë e zisë! Dikend sot e shitoi pushka!
Dita u thye në mes! Të gjithë sa ishin në fshat u drejtuan andej nga u dëgjua krisma që me zhurmën e saj të frikshme mbushi çdo skutë të fshatit! Gjithçka që deri në atë moment ishte në vijë horizontale u kthye pingul! U kthye vertikalisht! Lumi i gjatë i njerëzve mbushi rrugicat e fshatit! Lumi i gjatë i njerëzve mbushi lëndinën e fshatit! E aty në mes të lëndinës i rëni nga krisma e pushkës!I rëni i shtrirë në mes të lëndinës në vijë horizontale! Të gjithë të tjerët rreth e rreth tij në vijë vertikale!
Erdhën edhe më të vjetrit e fshatit!Ata që hapat i kanë më të vegjël se fëmijët dyvjeçarë! Deshën t`i afrohen të vrarit, por nuk i lanë! Të vrarin e morën ata që erdhën nga qyteza!
Pleqtë të indinjuar me njerëzit nga qyteza morën rrugën e kthimit në shtëpitë e tyre.Dikush nga ata tha se fshati duhej të niste ceremoninë e varrimit!-E si t`i nisim ceremonitë e varrimit kur kufomën na e morën ata të qytezës?!-pyeti dikush tjetër.-Ne nuk mund të hapim varr derisa nuk e dijmë se kur do të kthehet kufoma!-thanë njëzëri disa të tjerë.
-A dihet vrasësi?!-pyeti dikush tjetër?!-Cili ishte ai dhe a e ka parë dikush?!…Të gjithë rrudhën krahët.Vrasësin nuk e kishte parë askush.Ai kishte bërë krimin dhe kishte ikur!Prapa kishte lënë Frikë! Kishte lënë ankth! Kishte lënë pasiguri!…
Dikur vonë pas dite u takuan strukturat udhëheqëse të fshatit.Ishte kjo një mbledhje urgjente e ndikuar nga krisma e pushkës.E pushkës që kishte lënë një të vdekur një bashkëfshatar të tyre!Dhe aty në mbledhje ata do të diskutonin për krismën e pushkës! Do të diskutonin për të vrarin! Do të diskutonin për vrasësin!
Vendimi i udhëheqësve të fshatit, pas përfundimit të mbledhjes, ishte edhe më i frikshëm se vetë vrasja! Ishte më i ftohtë se vetë vdekja!
Fshatarët i dëgjuan vendimet e mbledhjes dhe sikur nuk u besonin veshëve të tyre! Sikur nuk donin të besonin se ishte marrë një vendim i tillë! Një vendim që ishte më i keq edhe se vetë vrasja!Një vendim që ishte më i keq edhe se vdekja!…
Por?!…
Vendimin kobzi e dëgjuan njerëzit dhe u stepën! Sikur u ndaluan zemrat! E dëgjuan rrugët dhe u zbrazën! E dëgjuan zogjtë dhe e ndaluan këngën! E dëgjoi qielli dhe lëshoi shi të rrëmbyer! E dëgjuan pleqtë dhe plakat dhe filluan gjëmën!
Verndimi me pak fjalë ishte ky:I vrari e kishte hak vrasjen!Ai e kishte mbushur kupën dhe vrasja e tij, eleminimi i tij ishte më se i zakonshëm! I vrari ishte një renegat dhe tradhëtar i atdheut! Andaj kishte marrë atë që kishte merituar!
Ndërkaq vrasësi, që nuk dihej, ishte një patriot dhe ushtar i devotshëm i atdheut!Për veprën e bër ai duhej të dekorohej?!
Të parët e fshatit nuk ishin mjaftuar me kaq.Ata kishin vendosur:Në varrimin e të vrarit nuk duhej të merrte pjesë asnjë anëtar i partisë së tyre!As familjet e tyre! Nuk duhej të merrnin pjesë as anëtarët e partive të tjera! As familjet e tyre!Në të kundërtën ata që do të merrnin pjesë në varrim do të shpalleshin tradhëtar! Dhe ata që shpallen tradhëtarë dihet për fatin e tyre?!…
Sips kësaj në varrimin e të vrarit duhej dhe mund të merrnin pjesë vatëm ata që nuk ishin anëtarë të ndonjë partie politike!…Vetëm se në fshatin e tyre nuk kishte të tillë!…Ata që të gjithë fshatçe ishin dhe merreshin me politikë?!
Zija dhe heshtja kishin mbuluar fshatin!Askush nuk bëzante! Nuk nxirrte fjalë nga goja!
Vetëm ata më pleqtë e plakat e fshatit kur bëheshin dy e dy me zë fare të ulët thonin:-Ç`është kjo katrahurë e zezë që na ra mbi kokë?! Të mbetet i vdekuri i pa kallur në dhe?!Kjo as është parë e as është dëgjuar ndonjëherë! Kanë ardhur në këtë vend tonin dreqi dhe i biri dhe ne i kemi vazhduar e ruajtur zakonet tona! Traditat tona! Dhe as kemi dashur të dijmë për ndalesat që na i bënin të huajt!…Ndërkaq, kur tash dhe këtu në token tonë i kemi tanët?! Ç`janë këto urdhëra dhe ndalesa të çoroditura?! Si ore ta lëmë të vdekurin të pa kallur në varr?! Si ore mos të shkojmë tek familja e të vrarit për ngushëllim?! Ç`është kjo gjëmë e zezë që na gjeti?! A mos është ky një mallkim?! Një mallkim i ardhur nga shekujt?! Një mallkim që i prishë zakonet dhe traditat tona?! Një mallkim që e shuan emrin tone?!…
Ditët dhe netët në vazhdim sillnin frikë! Sillnin ankth! Sillnin zhgënjim! Jeta në fshatin e të vrarit u thye në dysh.Tash secili në fshat fliste për jetën para krismës dhe jetën pas krismës!…
Pas ca ditësh, në një natë të errët dhe në qetësi të plotë,punëtorët e komunalës e sollën kufomën e të vrarit dhe e varrosën në varrezën e fshatit! Të nesërmen ata që do të kalonin afër varrezës së fshatit do të vërenin një varr të ri! Dheu i shkrifët i varrit të jipte të kuptoje se ai varr ishte bërë para pak orësh! Secili nga fshatarët në mendje dhe në zemër e dinte si i kujt ishte ai varr dhe i varrosuri në të, por asnjëri nuk nxirrte zë nga goja!Pas tërë atyre ditëve plotë frikë, tension e ankth, secili nga fshatarët sikur e ndiente se ishte liruar nga një barrë e rëndë! Vetëm frika dhe ankthi për jetën vazhdonte edhe më: Që nga krisma e pushkës sikur kishte ndaluar gjithçka; edhe jeta edhe gëzimi edhe fjala!…