Gazeta Nacional Albania

 DISA MENDIME SPONTANE NË LIDHJE ME EPIDEMINË E KORONAVIRUSIT. Opinion nga  Skënder SHERIFI, Bruksel

 

 

Më duket gati si diçka irreale e shpikur nga imagjinata e Stephen Kingut, nga studiot hollywoodiane, nga shërbimet e errëta, nga halucinacioni kolektiv, si diçka ironike, surrealiste, aq e papritur, por fatkeqësisht më tepër se reale dhe mjaft tragjike, kur e sheh objektivisht rezultatin praktik, me të gjitha dëmet frontale dhe anësore (kolaterale), sidomos në Kontinentin europian dhe amerikan. Kush e mendonte, pas vitit të ri, në janar 2020, që do ndodhte ky fenomen aq i papritur, i cili na pushtoi gati si një provokim grotesk ? Po çfarë është ky virus kinez, nga dreqin na erdhi dhe pse tani pikërisht te ne ? Në këto shtete emblematike dhe referenciale, aq të zhvilluara, në kulmin e shkencës, të kulturës dhe të civilizimit planetar, shembuj absolut për gjithë Botën! Sepse ëndrra e parë e njerëzimit është Europa dhe Amerika ! Waou shit ! Po, çfarë është kjo “Murtajë post-moderne e Albert Kamysë”? Po pse dhe si na mësyni, për ta destabilizuar gjithë Europën dhe Amerikën (dhe po e inkludojmë edhe pjesën tjetër të Botës) ? Ishim aq të papërgatitur ! Për fetarët dhe besimtarët e vërtetë, përgjigja do jetë evidente: Meqenë se jemi të mbushur me mëkate, tash sa vite, dekada dhe shekuj, ZOTI na ka dërguar këtë dënim kolektiv, si një lloj paralajmërimi dhe është një mesazh, një shenjë divin, i cili vjen nga lart, që duhet ta asimilojmë dhe ta kuptojmë si i tillë, për ta vnuar vetën në pyetje dhe për të ndryshuar komplet për së mbari. Dhe unë për veten time, intuitivisht edhe pse në thelb, jam siç e dini edhe ju, një produkt i post majit 1968 në Paris, pra një anarshist utopik dhe humanist, e perceptoj që në këtë interpretim ekskluzivisht fetar apo spiritual, ka diçka të vërtetë! Po, po, nuk kam nevojë për të qenë katolik as mysliman, për t’iu thënë, që jemi mëkatarë dhe fajtorë për shumë gjëra ! Por a na vjen virusi kinez për gjithë këto arsye, është pyetje tjetër ? Këtu jemi në fakt, mes racionalitetit alla René Descartes, logjikës puro me një distancë të ftohtë analitike dhe perceptimeve intime, luhatjeve, interpretimit të lirë të valëve dhe të energjive kozmike, çka e kanë zakonisht artistët autentikë, me besimet personale, pra gjithë çka është subjektive dhe sipas shkencëtarëve, irracionale, (ngaqë nuk e kemi provën në letër të vulosur, për t’ua faktuar, që edhe ne Poetët mund ta kemi me të drejtë !). Unë e dua dhe e çmoj shkencën, por e ka një kufi etik dhe human dhe nuk mundet shkenca për të na u paraqitur, si t’ishte vetë ZOTI ! Ndërsa, unë jam i sigurt në vete, që as racionalët puro, pra shkencëtarët, po as ne, nuk e kemi 100% Mirë … Duhet ta lëmë një pjesë të hapur, për një dyshim të shëndoshë, një pikëpyetje ? 1 Poet shqiptaro-frankofon i përfshirë në Fjalorin francez “Larousse”, në grupin e autorëve madhorë botëror dhe si ndër 26 autorët shqiptarë më i spikatur i të gjitha kohërave ( që nga formula e pagëzimit 1455 dhe deri sot ). Mua, intuitivisht, më kanë tërhequr gjithmonë, alkimitë, miksimet, kombinimet e disa elementëve të konsideruara, si të kundërta, paradoksale, antagoniste. E kam pasur përshtypjen, që e vërteta duhet të jetë dikund e fshehur në mes ! Prandaj, është gabim për t’i mohuar apo ekskluduar gjithë ata që nuk mendojnë si ne, ti dëgjojmë me plot shpirt ! Po, e kam edhe një afërsi shpirtërore evidente, (edhe pse e konsideroj vetën si person, mjaft logjik e racional) me universin e spiritualëve, të besimtarëve të sinqertë, të poetëve autentikë, muzikantëve gjigant, të artistëve të kallur, të ermitëve, dervishëve, e shamanëve dhe m’interesojnë në parim, për t’iu përgjigjur pak ndryshe shkencës omnipotente. Nëse na ndriçojnë patjetër gjithë klasikët europianë, të cilët kanë notuar gjithë jetën e tyre në oqeanin e logjikës matematike e shkencore: Montaigne, Montesquieu, Voltaire, e shumë të tjerë, po ashtu, do na ndihmojnë edhe Rumi, Krishnamurti, Hafezi, apo Kalil Gjibrani të ardhur nga Orienti i thellë. Dhe unë, ndoshta si “ Peshore e horoskopit ”, jam dikund instinktivisht mes të dyjave. A ecim me dy këmbë ? Pse jo atëherë, një këmbë me shkencën puro, e cila buron prej analizave objektive, nëpër institutet e hulumtimeve shkencore ? Pra, gjithë ajo çka shihet, konstatohet, faktohet dhe me këmbën tjetër, në botën e fshehtë, misterioze, të padukshme, të pashpjegueshme, por për mua, po aq reale ! Është bota paralele, të cilën se njohim ! Sepse siç dihet, o Lexues, në botën e gjallesave, çdo gjë nuk shihet, nuk duket, nuk preket dhe nuk faktohet me një formulë algjebrike ! A është, dita dhe nata, drita dhe terri, plusi dhe minusi, jingu dhe jangu, erosi dhe tanatosi, koshienca dhe subkoshienca, trekëndëshi i icebergut dhe pjesa tjetër, shumë më e madhe, e zhytur nën oqean, por e cila nuk shihet në shikimin e parë ? Kështu që, edhe misteri është pjesë intime e ekzistencës njerëzore mbi Planetin blu, dhe mua, më duket ky pozicionim, pak më i drejtë dhe i ekuilibruar. Prandaj ndoshta në aspektin absolut, kur dikush më sugjeron për ta zgjedhur një vijë, për t’u vendosur në një shinë precize: “ Fol o burrë, a je për këtë ideologji, apo për këtë tjetrën ? ”. Unë si anarshist i lirisë së lirë, pa vargonj as zinxhirë, jam instinktivisht kundër çdokujt dhe pro askujt. Sepse as një shkollë, as një familje, as një grup kulturor, artistik, filozofik apo politik, nuk më ka bindur sinqerisht 100%, për t’i thënë: “Okay, tani jam me ty dhe askënd tjetër!” Do e kisha ëndërruar një farë kokteji magjik mes orientit dhe oksidentit, mes racionales dhe irracionales, mes shkencës dhe poezisë, mes Ajnshtajnit dhe Sufistave, mes Spinozës, Kantit dhe Shamanëve, mes Bachut dhe muzikave të fiseve afrikane, mes inxhinierisë supreme dhe spiritualitetit të lindur. Jam 100% kundër çdo kujt, që pretendon, me një siguri ekstreme, që Bota është kjo, që po e afirmoj unë këtu sot, para jush dhe jam 100% pro çdo kujt, që e le çdo hipotezë të hapur, që mendon që mund të ketë edhe diçka tjetër, të cilën ende nuk e ka zotëruar dhe që mund t’i ketë shpëtuar. Sepse çdo mendim ka nevojë për pjekuri, modesti dhe sinqeritet ! Tani, nëse e shikojmë më tepër këtë fenomen epidemik, në aspektin shoqëror, politik e ekonomik, pra dikund mes sociologjisë, filozofisë dhe shkencave politike: dihet që njeriu i ka prishur tash ca shekuj, të gjithë ekuilibrat natyror planetar. Prandaj janë të fuqizuara sot për sot, kudo në Europë, por edhe në Amerikë e deri në Australi, të gjitha rrymat ekologjike, me këtë fenomenin aq befasues të adoleshentes suedeze Greta Tunberg. Kush e mendonte atë gjë ? Pse ndodhë ajo rrymë ekologjiste, ai angazhim gati në emergjencë, i iniciuar nga një vajzë e re, e asaj gjenerate, e cila mori pastaj shumë shpejt, përmasa botërore ? 3 | F a q e Sepse në koshiencën e njerëzimit, ka hyrë problemi i ekuilibrit ekologjik i Planetit tokësor dhe po përhapet me të drejtë. Sepse, çdo kush po e percepton sot, rrezikun, për mos me thënë katastrofën e ardhshme, nëse do vazhdojmë për të funksionuar siç kemi vazhduar deri tani, me të gjitha këto çrregullime të rënda ekologjike, të cilat do kenë më vonë për ne, por aq më tepër për gjeneratat e ardhshme, pasoja tragjike të panumërta. Dhe sot, kjo farë ndërgjegje për ta mbrojtur natyrën, ambientin, kjo dëshirë për gjelbërim, ajër dhe ujë të pastër, ka hyrë gradualisht në ADN-ën, e opinionit ndërkombëtar. Dhe mua, më kënaq fakti që vetë Rinia, e ndien vetën t’implikuar në këtë kauzë madhore ! Nëse e çojmë deri në fund këtë logjikë auto-shkatërruese: dikur do jetojmë në një Tokë, ku nuk mund të marrësh frymë, ku çdo gjë të infekton, ku do përfitosh gjithfarë sëmundje, nga akumulimi në natyrë i kimikateve të ndryshme, në ushqime, në atmosferë, pra do mbijetojmë si handikapë, në një Planet komplet jashtë përdorimit, thuaj më mirë e pa jetueshme. Ashtu siç e kemi konstruktuar ne në Durrës, si “arkitektë humanistë të multi diplomuar ”, një qytet delirant logosh betoni, pa asnjë kriter normal jete shoqërore. Betonizimi i gjithë Shqipërisë deri në overdozë ! Kjo është Dituria dhe Kultura e jonë ? Pse ? A nuk e durojmë harmoninë dhe të bukurën ? E kemi shpirtin e asfaltuar me beton ? Pastaj vinë: eksploatimi i pamëshirshëm dhe i paskrupullt i të gjitha pasurive tokësore dhe nëntokësore, ndotja e ajrit, shkatërrimi i mbulesës së Ozonës, shfarosja e tmerrshme e gjithë specieve të gjalla, vegjetale, reduktimi aq shqetësues i të gjithë maleve amazoniane, afrikane, ngritja e shpejtë e temperaturave, zgjerimi i shkretëtirave, tharja e ujërave, shkrirja e akullnajave në Polin e veriut, peshkimi agresiv dhe industrial në dete dhe oqeane, pollucionet e gjithanshme, në format e ndryshme … A nuk ju mjafton ? Dhe kur i akumulon gjithë këto krime ekologjike, më thoni: si mund të na përgjigjet Nëna natyrë ? Dhe pra, na kanë lajmëruar specialistët, që pas 50 vitesh, me këtë model civilizimi, aq zhvatësh, grabitqar, i pamëshirshëm dhe ultra egoist, nuk do gjejmë nesër, asnjë peshk të gjallë në det. Po gjithashtu, me ritmin aktual të shkatërrimit global i të gjitha ekosistemeve natyrore bazë, do na zhduken edhe shumica e kafshëve e zogjve, insekteve dhe bletëve. Pa folur fare për pesticidet, insekticidet, produktet industriale toksike që derdhën përditë, nëpër lumenj, dete dhe oqeane. Çfarë sensi mund të kenë gjithë këto veprime vetëvrasëse, për njerëz që pretendojnë, që janë referenca e civilizimit botëror dhe kulmi i kulturës planetare ? Do të thotë, që të gjitha këto fenomene, janë të shkaktuara nga vetë Njeriu, pra po them kolektivisht nga ne ( ta inkludojmë edhe veten, pse Jo, është pak më morale !). Nuk duhet me qenë profesor doktor i Oksfordit apo Harvardit, për ta kuptuar që nëse vazhdojmë kështu, me këtë ritëm dhe me këtë filozofi globale të përfitimit pervers të pamëshirshëm, të abuzimit gjeneral, të arrogancës, të egoizmit absolut, pa asnjë kufi, pa asnjë etikë, pra nëse veprojmë si të ishim vet ZOTI mbi këtë Tokë, të përjetshëm dhe pa pasur askujt për t’i dhënë kurrfarë llogarie, atëherë, do jemi vetë ne dikur, autorët e apokalipsit të ardhshëm, dhe do ua lëmë fëmijëve e nipërve tanë, një Botë të pa jetueshme, të pa ardhmëri dhe dikur do vetë-zhdukemi edhe ne, nga megalomania, nga deliri i absolutizmit, gjysmë njerëzor, gjysmë divin. Jam mbreti Diell … bëj çka të dua, sipas qejfit tim arbitrar, pa pyetur askënd e kam gjithë Botën dhe Njerëzimin në dorë, dhe pastaj, Mirësevjen katastrofa e paralajmëruar !

Çuditërisht, çdo bujk, çoban me bon sens edhe një analfabet i pa shkollë, por me një shkollë tjetër, po aq të rëndësishme, i lidhur intimisht me natyrën, me ciklet normale të stinëve, e di që duhet me i respektuar këto elemente, sepse janë esenciale për ekuilibrin global. Por ne, me 100 doktorata, pse nuk e dimë, apo pse nuk duam ta dimë ? A mos na dominojnë pulset e errëta, auto sabotuese e shkatërruese ? Atëherë, siç më thotë, nëna ime Xhevahire Sadria, me doktoratën e qiellit, ZOTI na çon një tërmet për t’na shkundur mirë, për t’na rikujtuar që nuk jemi aq të mëdhenj siç mendojmë dhe për ta rivendosur vetën në pyetje, siç e çoj para pak kohe, një muaj psikozë sizmike në Shqipëri. Por gjithë pyetja është: A na shërbejnë për leksion, gjithë këto Kataklizma ? Si i interpretojmë në thellësi ? A janë krejt të rastit, a është një loto, një fatkeqësi, ose si një aksident rrugor ? Nuk ma merr mendja, e ka një domethënie ky realitet dhe nuk na vjen kot. Nuk më besoni ? Më thoni pra: Pse po na shpeshtohen edhe janë në rritje e sipër, përmbytjet, cunamet, stuhitë, ciklonet tragjike, flakosja e maleve ? Pse po digjet vit për viti, Kalifornia, pastaj një pjesë e Amazonisë, e tash së fundmi për 6 javë me rrallë Australia (me territorin e Belgjikës dhe Holandës dhe më 1 miliard specie të zhdukura) dhe dihet që nuk mund ta ndalte askush atë zjarr apokaliptik, duke u lutur përditë populli, që Zoti tua lëshonte pak shi për shpëtim ! A s’është ky, një leksion i fortë për australianët, për ta vendosur vetën seriozisht në pyetje ? Pse po ndodhin gjithë këto fenomene aq të frikshme, të cilat nuk i kemi përjetuar aq shpesh më parë ? T’i pyesim prindërit dhe gjyshërit tanë ! Sepse, ua thashë, i kemi prishur ekuilibrat e të gjitha ekosistemeve natyrore, e kemi fëlliqur Planetin tonë, i kemi zhveshur malet, zhdukur speciet, infektuar tokën dhe ujërat, me një mijë produkte kancerogjene … Po atëherë, me një logjikë puro: duhet që të shpërblehemi për mirë, që të na thotë çdokush, “Bravo u qoftë, burra”, nuk e besoj ! Kështu që sipas meje, ose vetë Natyra do na hakmerret, duke u revoltuar me këto katastrofa të rregullta (ujëzjarri – tërmeti – vullkani – cikloni – tornado – etj.) ose ZOTI, do na i dërgon këto mesazhe paralajmërimi, nëse jemi në gjendje për t’ua kuptuar sensin e thellë dhe asimiluar në vete. Por sidoqoftë, sytë janë për të pa se çka po na ndodh përditë dhe dikur, është krejt normale, që do na vjen fatura, për ta paguar të gjithë kolektivisht ! Pse ? Sepse, unë mendoj që e kemi merituar, ja kemi bërë vendin ! Pra elementet natyrore, po na kthejnë këtë përgjigje të gjithëve, si pjesë e Njerëzimit ! Ju kam pas thënë disa miqve në vitin 90-91, kur isha në Shqipëri, se te ne edhe Toka vajton, është e sëmurë, dhe po na ankohet, e kisha atë intuicion ! Sepse dallonte shumë Natyra, te pjesa shqiptare, pra shpirti dhe ngjyra e saj, me atë të Kosovës apo Malit të Zi, shumë më e gjallë dhe e gjelbër ! Europa perëndimore dhe Amerika e kanë tash ca vite, një model shoqëror dhe politik dominues, e kanë një referiencial civilizimi deri dikund të përbashkët, sepse janë po europianët që e kanë formuar në sfond Amerikën (SHBA), kështu që dikund ekziston një bazament mes nesh edhe pse dallojmë në shumë gjëra, një model socio-ekonomik: Kapitalizmi, Liberalizmi, Globalizmi ! Trekëndshi magjik i tyre, tash ca dekada … Mirëpo, kur e sheh restrospektivisht historinë europiane dhe amerikane, shtrohet pyetja: Se si janë sjellë këto dy kontinente në gjithë Botën ? Si i kanë shfrytëzuar, asgjësuar disa Popuj të tjerë autoktonë, plaçkitur të gjitha mineralet nëntokësore dhe tokësore, duke i kolonizuar, malltretuar, torturuar, e ekzekutuar në masë . Po pastaj, Fiset indiane të Amerikës latine, si kanë përfunduar, po si janë trajtuar afrikanët ?

Thuhet që vetë Mbreti i Belgjikës, Leopoldi II-të, mund t’i ketë eliminuar 8 – deri 10 milionë kongolezë, për arsyet e tija arbitrare, nga që e kishte atë shtet si pronë private, po dua me ju thënë, që të dy Kontinentet tona, janë autorë të shumë tragjedive dhe padrejtësive në Planetin tokësor. Dhe kush ka pyetur për këto gjëra, kush ju ka kërkuar ndonjë llogari ? Historia e njerëzimit është e ngopur me mëkate të pafalshme, me krime, gjenocide, me veprime anti-njerëzore dhe me vuajtje tragjike … Pastaj, le ti shtojmë edhe të gjitha padrejtësitë e përditshme, absurditetet tragjike, mos funksionimet demokratike të çdo shteti ( Franca, Belgjika, Amerika, Spanja, Holanda etj.), ndaj popujve të tyre ? Pos aq më tepër, te pjesa lindore e Europës ( Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Bullgaria, Rumania, etjerë.) Të pyesim me plot sinqeritet veten : Po deri ku e kanë çuar demokracinë, drejtësinë, barazinë, solidaritetin, qytetarinë ? Si funksionon tek çdonjëri prej tyre, sistemi ekonomik, social, politik, juridik e kulturor A janë Popujt e tyre globalisht të kënaqur ? A është Rinia e tyre e trajtuar siç duhet ? A ua kanë plotësuar Pensionistëve, nevojat jetësore elementare ? Po punëtoria e tyre, fshatarësia, klasa e mesme (mësues, funksionarë, infermierë …) me cilin standard jete e mbyllin muajin ? Po artistët : Çfarë statuti kanë në shoqëri, si konsiderohen, me çka jetojnë konkretisht dhe si e ndiejnë veten ? Çfarë drejtësie individuale apo shoqërore gëzon çdo Qytetar i atyre shteteve ? Këto janë pyetjet e vërteta që duhen shtruar, e jo llafollogji sterile nga një ekran në tjetrin ! Dhe nëse fokusohemi vetëm në Shqipëri, apo në Kosovë, (që unë e dua aq shumë, ju e kuptoni vetë, edhe më mirë se unë) e keni eksperiencën, sepse e përjetoni çdo ditë … Si zhvillohet jeta e përditshme për gjithë Popullin shqiptar, por më tepër, për masën e gjerë ? Ju e dini përgjigjen, bile nuk ka nevojë për asnjë koment ! Pse një pjesë e madhe e rinisë kërkon të emigrojë jashtë shtetit amë ? Me pas qenë aq të lumtur, do kishin qëndruar në vend dhe do e kishin zhvilluar jetën dhe karrierën e tyre brenda atdheut ! Kjo do të thotë, që diçka nuk është në rregull ! Pastaj vjen pyetja: pas këtyre konstatimeve tragjike dhe shpeshherë ultra negative, nganjëherë edhe kriminale në realitet (ngaqë, kur e bën me plot qëllim), si mund të kërkosh falje ? Sepse ke shkaktuar dëme të pariparueshme, i nderuar zotëri ! A mund të falët për shembull qëndrimi i Asadit me klikën e tij në Siri ? Po Trumpi, po Boris Johnsoni n’Angli, apo Bolsonaro në Brazil ? Është një lloj arrogance, e përzier me injorancë dhe autoritarizëm primar, por që në praktikë, e shkakton një tragjedi të vërtetë, dhe kush do e pëson, populli i tyre së pari dhe pastaj disa popuj të tjerë përreth ! Nuk po nisem fare (më besoni) nga simpatia apo antipatia personale ndaj Iksit apo Ypsilonit, por vetëm nga faktet, pra nga veprimet e tyre kolektive. Tani kur i grumbullon të gjitha këto, e kupton që jemi kolektivisht fajtor, në raport me gjendjen aktuale, jo unë, ti, tjetri, por ne, si racë apo si specie njerëzore ! Pra jemi Ne, ata që e kemi katandisur Botën tonë, në këtë gjendje krize, egoizmi, nihilizmi e cinizmi ! Ku askush nuk beson realisht në asgjë ! Pos që ngopemi fiktivisht me pasuritë materiale, drogohemi me teknologji dhe ekrane dhe mbushim boshllëkun tonë, me konsumim dhe me dollarë ! 6 | F a q e Zoti-Dollar dhe Zoti-Euro … a të çon në një Filozofi të thellë spirituale, kjo rrugë ? A të afron nga epiqendra jote, nga gjithë vlerat e vërteta autentike ? Dikur, do jemi të detyruar, që t’i pranojmë gabimet tona, të shohim vetën në pasqyrë ! Kur e ndërron fjalën “Fajtor objektiv” me “Mëkatarë”, na del rezultati praktik njëlloj, nuk ka shumë rëndësi ! Dhe tani pra, mbi të gjitha këto, na erdhi ky farë virusi kinez i quajtur “ Kovid 19 – Koronavirus ” dhe çudi e madhe, të nderuarit Lexues, është qesharake, sesi një VIRUS i padukshëm, misterioz, ende i panjohur nga ne, na vjen si një armik i pa emër, na kërcënon Jetën dhe na destabilizon komplet, në mënyrën se si sillemi, si veprojmë përditë mes nesh, na vjen tinëzisht për të na i ndryshuar të gjitha sistemet e asimiluara me vite dhe funksionimet e rëndomta politike, ekonomike, sociale, shëndetësore dhe kulturore. Por, po na e ndryshon edhe mënyrën e të menduarit, filozofinë tonë bazë të përgjithshme ! Çka mund ta kishte arritur, vetëm një diktator absolut si Stalini, Hitleri, Enveri, Pol Poti, Kim il Sungu me disa shokë dhe askush tjetër në fakt : ja pra, e arriti pa asnjë zhurmë, asnjë protestë, me një lloj auto-pajtimi depresiv, një fatalizmi kolektiv, koronavirusi ! Nuk qenka një Hajgare … ti pyesim gjithë Viktimat e tij ( mbi 10.000 vetëm në ITALI ! ) ??? Si është e mundshme ? Sinqerisht është mjaft e habitshme kjo situatë, e cila m’u ka dukur fillimisht si irreale, gati surrealiste, por gradualisht mjaft tragjike, por edhe instruktive për ne, si Shoqëri njerëzore. Kështu, që po m’inspiron një ri pyetje të thellë me vetën, me Ju, dhe pastaj me gjithë Njerëzimin. Sepse kjo është Shuplaka më e fortë, që kam marrë tash ca dekada, që nga revolucioni i Majit 68 ! Dhe në vend se me shkuar te Prifti, Hoxha, apo te Psikologu me Woody Allen-in … po filozofoj më mirë me vetëvetën dhe me juve … Të zhytur për një kohë nëpër Dhomat tona, apo të dalur dikur nga kjo hipnozë kolektive, na duhet dikur ta rimendojmë botën, jetën tonë, të ulemi rreth agorave dhe sofrave moderne. Deri dje, si njeri human, afektiv, mesdhetarë i ngrohtë, kam qenë i afërt me djalin tim, me bashkëshorten, me nënën time 85 vjeçare, me shokët dhe shoqet, që i kam dashur, jam përqafuar me të gjithë pa rezervë, jam rrokullisur nëpër parqe dhe plazhe, por sot në Mars 2020, më duhet të qëndroj si një robot i ftohtë norvegjez apo islandez, me 1 ose 2 metra distancë, si t’ishin edhe ata Njerëz të afërt, që i dua parimisht “armiq potencial”, që mund të ma rrezikojnë jetën papritmas, ngaqë nuk kemi asnjë lloj sigurie në askënd, duke u nisur nga vetvetja ! Po kundër kujt, po luftojmë, o Lexues ? Të padukshmes ! The invisible Men ! Ironi e madhe, tragjedi kolosale, nuk do e kisha imagjinuar kurrë, që do ta përjetoj atë lloj realiteti. Ndoshta autori ASIMOV, në një roman modern Sciencë Fiction, po ! Por jo unë, si Poet humanist, totalisht i hapur ndaj çdokujt dhe fans absolut i lirisë së lirë ! Deri dje, kam dal çdo ditë nëpër kafe, bare, parqe, që kanë qenë për mua, sikurse shtëpia ime, vende intime, inspiruese dhe kam shëtitur nëpër rrugët e çdo qyteti, sidomos të Parisit, Londrës, Amsterdamit, Madridit dhe Brukselit … jam puthur me çdokënd që e kam njohur, e sot, na erdhi gati ora policore, si me qenë në gjendje lufte ! Nuk i gjen as ushqimet bazë nëpër supermaketet e qytetit, dhe kudo që të shkosh, e merr natyrisht një risk. Waouw … it’s crazy Men ! Por një realitet … Po, o Miq, po e luftojmë një virus, si t’ishte një Luftë me Gjermaninë e Hitlerit ! Ka shekuj që civilizimi njerëzor nuk e ka përjetuar këtë lloj gjendje të jashtëzakonshme ! Çka do me thënë, kjo punë ? Imagjinoje mirë : kur nuk mund t’i bësh të gjitha këto Veprime të përditshme normale dhe humane, kur je “Non stop” si Qytetarë i lirë, nën kontrollin permanent të një farë Big Brotheri, të Policisë dhe Ushtrisë, kur je i burgosur simbolikisht në Shtëpinë apo në Apartamentin tënd, i spiunuar nga një Dronë, kur heq keq për ta gjetur një oriz, ca patate dhe e makarona bazë në Qytet, kur nuk mund të shkosh as te Familja e jote për një vizitë  humane : Si mund ta kualifikosh këtë fenomen ? Sepse gjithë Gjërat e kanë një emër, o Lexues ! A ju kujtohet, kur e keni përjetuar në jetën tuaj, një realitet të tillë ? Unë mendoj që kemi hyrë pa e ditur, pa e kuptuar as vetë siç duhet, në një formë “totalitarizmi”, natyrisht për arsye humane logjike, për t’i mbrojtur njerëzit (nuk kam dyshim mbi këtë gjë !), mirëpo konkretisht po e përjetojmë një farë diktature totalitare, çdo ditë, sot e nesër, në jetën tonë shoqërore. Sepse, po i ndjekim natyrisht siç duhet, këshillat e shkencëtarëve dhe të politikanëve. Okay është normal, por dikund edhe Jo, kur ta analizosh pak më thellë këtë situatë të jashtëzakonshme ! A quhet demokraci ? Ngaqë, kjo kujtesë e totalitarizmit, do shënohet dikund në “hard diskun tonë trunor !” do hyjë në memorien tonë, si diçka e përjetuar dhe nesër, ose pas 10 ose 20 vitesh, nëse na vjen një sistem politik Iks, me një kandidat në zgjedhje pak atipik, i cili na propozon këtë lloj programi totalitar, kinse për ta mbrojtur Shoqërinë njerëzore nga të gjitha devijimet e mundshme … Kjo gjë, nuk do na befason aq shumë, sepse e kemi të integruar, gati si një normalitet, e kemi të njohur dhe të përjetuar, me rastin e koronavirusit. Kurse në realitet është një ekstremitet anormal, për çdo jetë humane normale ! Sepse, nuk mund të quhet demokratike në parim, çfarëdo shoqërie, e cila funksionon, mbi këtë referencial apo mbi këtë hierarki rregullash dhe vendimesh, eksepcionale, komplet jashtë normave logjike. Mirëpo, kur anormalja kalon gradualisht në diçka normale dhe është e pranuar “de fakto” nga shumica, atëherë mirë se të na vinë populistët, diktatorët e ardhshëm ! Sepse pak kush, do i kundërshton seriozisht dhe një pjesë prej nesh, do i mbështetë, ngaqë do i duket masës së gjerë, ky realitet i jashtëzakonshëm, për çdo Njerëzim të qytetëruar dhe demokratik, si diçka krejt banal dhe gati i rëndomtë, ngaqë Populli e ka pas përjetuar qetësisht, pa reaguar fare, të njejtën gjendje unike, në gjithë Historinë tonë kombëtare, me rastin ekspecional të Koronavirusit dhe tani, e ka të asimiluar psikologjikisht, si normë e mundshme politike ! Pastaj, në një Botë të pasigurt dhe në situata Krizash radikale, dihet mirë që kulti i “Shefit suprem”, e “Dorës së fortë”, funksionon për mrekulli, pra njeriu providencial i plotfuqishëm i cili do rregullon gjithçka dhe do mendon për ne. Kam pak frikë, që ky lloj terreni (ndaj të cilit jam më tepër se alergjik) është mjaft i para përgatitur dhe shpresoj sinqerisht, që nuk do na rikthehet përsëri Historia nga prapa ! Cikli delirant i Tmerreve të kaluara … Sot në vitin 2020, edhe pse kemi mjaft Kandidatë populistë, të ekstremeve të djathtë, nostalgjikë të fashizmit dhe nazizmit, apo të ekstremit majtë, nostalgjik të bolshevizmit dhe maoizmit … por asnjëri prej tyre, nuk do kishte mundur, me na imponuar këtë model jete aktual (pra totalitarë) të cilin, po e përjetojmë të gjithë, për shkak të Koronavirusit. E pra, ky virus kinez, ja arriti direkt qëllimit, na mësojë një sistem të ri shoqëror, jetësor, social dhe politik dhe na futi gradualisht, në një formë totalitarizmi, por pa na thënë, tinëzisht ! Tani, ky fenomen, duhet që të na i shtrojnë disa Pyetje mbi organizimet tona shoqërore e politike, e kjo vlen për politologët, filozofët, sociologët dhe psikologët. Në cilin model Shoqërie dëshirojmë nesër, pasnesër apo pas 30 vitesh për të jetuar ? A mos ka mbërri modeli “ kapitalist ultra liberal e globalist pa fre ” dikund në fundin e një cikli? Unë e kam intuicionin intim, që Po ! Okay, por me çka do e zëvendësojmë, apo mund ta përmirësojmë, sidomos kur nuk besojmë më, në asnjë ideologji politike ? Po e shohim, në zgjedhjet europiane, që të gjitha partitë tradicionale, që kanë sunduar Europën në 50 vitet e fundit, janë tani komplet të diskredituara. Mbijeton deri dikund ekologjia, si urgjencë bazë, sepse perceptohet intuitivisht me plotë të drejtë, rreziku për asgjësimin e një jete normale tokësore, për arsyet që i kam shpjeguar më sipër.

Dhe pastaj, i kemi të gjitha partitë ekstreme, të veshur me çfarëdo ngjyre, por të gjitha raciste, ultra nacionaliste dhe të mbyllura në vetvete, me një urrejtje ndaj çdokujt tjetër të huaj, i cili s’është pjesë e familjes së tyre. Praktikisht, shprehet nostalgjia e modeleve totalitare të vjetra, të cilat pra, i kemi provuar dhe ua kemi pa rezultatin tragjik, me afër 100 milionë viktima. Por siç duket, jemi përballë një Gjenerate egoiste e nihiliste, komplet amnezike, e cila nuk e posedon “ ABC-në ”, e kulturës historike apo politike bazë. Jemi para triumfit të kapitalizmit ultra liberal dhe t’injorancës, brenda Botës globale ! Pse ? Sepse, filozofia thelbësore e atij sistemi shoqëror dhe ekonomik është e inspiruar direkt nga psikologjia amerikane. Fitimi maksimal pa limit, me çdo kushte, biznesi, leku dhe bixhozi planetar, si t’ishte rruzulli tokësor, një supermarket, apo një bursë e “ Wall Street-it ”, gjigante (një lloj Katundi apo Park atraksioni i vogël planetar), ku të gjitha shkëmbimet dhe marrëdhëniet njerëzore funksionojnë vetëm, në parametrat e interesit dhe fitimit (pra ideja bazë është: sot, çka kam për të fituar, si kam për t’u pasuruar dhe çka kam për të shitur, blerë apo konsumuar ?) dhe punë e madhe, për gjithë ata që nuk ecin në këtë vijë dhe me këtë sistem … le të ngordhin mes rruge, si qeni endacak ! Kështu që të pasurit janë bërë shumë më të pasur dhe një numër i vogël familjesh, po them 50 deri në 100 familje (çiftet e Bill Gates, Warren Buffet, etjerë) e kanë thuaj 90% të botës financiare dhe ekonomike në dorë dhe pastaj manovrojnë siç duan me bursat, me krizat ekonomike, me rritjen apo zbritjen e çmimeve e të kurseve botërore, me punësimin apo pa punësimin, me lokalizim apo me delokalizimin. Oligarkia financiare internacionale ! Dhe kështu, me këtë logjikë të pamëshirshme dhe antinjerëzore, komplet amorale, ngelen kontinentet sikurse Afrika e disa të tjerë, në një varfëri ekstreme, prej të cilës, nuk do kenë shanse për të dalë, se dikush tjetër i ka komplet në dorë ! Ashtu, siç na kanë edhe neve … Kjo quhet zyrtarisht nëpër sferat e pushtetit : “ rregulli i ri botëror ndërkombëtar ” dhe në frëngjisht: “ le nouvel ordre mondial ”. Shefi i madh i këtij sistemi quhet Amerika dhe pastaj një pjesë e Europës, e cila e ka ndjekur këtë rrugë me plot qejf, që në kohën e Margaret Thatcher-it, e sidomos gjithë Shtetet e lindjes ish-komuniste, të etura për një kapitalizëm primitiv ekstrem alla Dickens dhe Zola, me një uri të pa kufi. Ose si kalohet nga Komunizmi totalitar, në Kapitalizmin bruto, amoral e të shfrenuar, alla “ Scarface- The Wolf of Wall Street – The Gangs of New-York ” ? Prandaj, i dua filmat amerikan edhe të zhanrit komercial puro pa asnjë pretendim, sepse pa e ditur as vetë skenaristët, e thonë të vërtetën, në një mënyrë delirante pak qesharake, si të ishte një Cirkus i pa domethënie, por për mua, si analist spontan i pa titull, apo si analfabet i alfabetizuar, e kam konstatuar me kohë që edhe “ Terminatori – Robokopi – Alieni ”, kanë brenda logjikës të spektaklit dhe show-t permanent amerikan, një tjetër domethënie, pak më të thellë dhe shpeshherë bile, na paralajmërojnë, çka mund të na ndodhin më vonë, pas 20 apo 50 vitesh ! Njëlloj, ka ndodhë me infeksionin planetar të Koronavirusit, të cilin me siguri, e ka pas parashikuar kinematografia popullore amerikane ! Mblidhen gjithë heronjtë e Hollywoodit për ta asgjësuar këtë armik, një mut virusi, sepse dihet që Amerika e madhe do triumfojnë më në fund gjithmonë, me filozofinë e saj aq të njohur. Thirren nëpër odat e New-Yorkut dhe Los Angelesit, urgjentisht Brad Pitti, Tom Cruise, Clint Eastwoodi, Harrison Fordi, Robert de Niro apo Al Pacino, Matt Damoni, Arnold Schwaertzenegeri apo Silvester Stallone, pse jo edhe Poeti marsian malësor Skënder Sherifi, nga Valbona, për të na nxjerrë simbolikisht nga kjo situatë kritike ! Por unë e kam dashur gjithmonë faqen B (anën tjetër të medaljes) të Amerikës, ajo që nuk ekspozohet shumë. Sidomos thesarin e saj fantastik në fushat e Muzikës, Kinematografisë, Letërsisë, Teatrit, Artëve plastike dhe Arkitekturës. Shumë larg botës së Donald Trumpit !

Ka mjaft gjenialitet bruto, në atë kontinent aventurierësh dhe ideja e aventurës më pëlqen, sepse lidhet me një farë lirie veprimi dhe shpikje. Ekziston një puls, një guxim fëminor, një entuziazëm adoleshenti, një kapacitet për të ëndërruar, për të besuar në forcat tua, pa asnjë dyshim, kualitete të cilat janë në zhdukje e sipër, gati në gjithë Europë. Sepse, ne këtu, i asfiksojmë Qytetarët me 1000 rregulla administrative dhe burokratike, norma, korniza, ligje, takse, të cilat na i prejnë Flatrat dhe nuk na stimulojmë për të fluturuar gjer në Hënë ! Prandaj, unë kam menduar, që na duhet urgjentisht, në Europë, në këtë kontinent të pasur por tepër i vjetruar, edhe pse super i konsoliduar me gjithçka, aq gjenial, me një thesar unik të pa imagjinueshëm, por pak në gjumë, sepse tepër i rënduar nga Historia shekullore, e kaluara madhore, por sot, me një pamje, apo një atmosferë muzeale, një Fytyrë gati si e fosilizuar … kështu që na nevojitet një rigjenerim energjetik, një stimulim i ri, një provokim, një ringjallje evidente … prandaj, na duhet sipas meje, një Revolucion moral, filozofik dhe kulturor në çdo 20 vite, vetëm për të na shkundur dhe zgjuar nga Letargjia e programuar. Nuk mjafton për të thënë: “ ishim dhe jemi ende, aq të bukur, të mirë dhe të plotësuar me gjithçka, por me e lëvizur bythën për ta imagjinuar dhe pasuruar të ardhmen evropiane !”. Çka do jetë Evropa pas 50 apo 100 vitesh, vetëm një muzeum gjigant nën qiell të hapur, si Pompei, si Venediku, Parisi, me gjithë shenjat e antikuitetit, apo diçka e gjallë dhe e re, plot dinamizëm, plot shpikje e liri ? Epidemia e koronavirusit, na dha për të kuptuar që, kapitalizmi ultra liberal, aq arrogant dhe globalizmi i shthurur pa kufi, e kanë patjetër një limit ! Na erdhi Katastrofa te dera … Po në situata krizash ekstreme : Shteti ku është, me çka merret, cili është roli i tij i saktë dhe çfarë përgjegjësie mban për Popullin e tij ? Aty ku mbaron Financa, bota e miliarderëve dhe e trederve, fillon përsëri shteti si SHTET, ose anarkia, kaosi apo lufta civile, sepse duhet që t’i analizojmë gjërat qetësisht siç janë ! Ja, na plasi sot kjo bombë epidemike, si të ishim si dikur, mes dy fuqive të mëdha (Rusia dhe Amerika) në një luftë bakteriologjike. E kush mund të na përgjigjet : Bill Gatësi, Abramoviçi, Bezosi i Amazonës, J-Z dhe Kim Kardashiani, Kenny Westi, apo Shteti ? Së pari, duhet shëruar intensivisht të gjithë të sëmurit e infektuar, sa për ti mbrojtur edhe të tjerët nga infektimi i mundshëm. Por në një shoqëri, ku janë me miliona njerëz, pa asnjë mbrojtje sociale dhe të cilët nuk kanë mundësi financiare, për t’u shëruar, apo së paku, për ta paguar një test, sa për ta ditur a janë të infektuar apo jo, si ke me vepruar ? Po si të veprojmë, me të pastrehët e rrugëve, ndaj miliona emigrantësh klandestinë, që jetojnë nëpër metropolet tona, me riskun e infektimit ? Do i lëmë për të ngordhur dhe për t’i infektuar dhe të tjerët ? Se përndryshe, sa për humanitet, pa qenë vetë ne të rrezikuar, as që do kishim pyetur mbi fatin e tyre. Ky është në esencë, sipas kritereve të sotme, humanizmi jonë post modern. Jemi robotizuar, teknologjizuar dhe dehumanizuar ! Na u kanë zbehur ndjenjat dhe sentimentet, kujdesi ndaj Njeriut ! Na duhet urgjentisht një Rilindje Humaniste ! Prandaj, i duhet sot edhe mixhës Donald, biznesmen ultra liberal, i pa asnjë mëshirë apo etikë bazë humane, si përgjegjës i fuqisë së parë botërore, që të kufizojë në maksimum përhapjen e epidemisë në popullsinë amerikane, ose do i zgjohet shumë shpejt gjithë populli kundër dhe do humbasë detyrimisht votat e ardhshme presidenciale. Viktimë kolaterale e Koronavirusit dhe Ekonomisë amerikane në prag të falimentimit ! Çfarë ironie. Kështu që, do na bëhet edhe ai vetë, pak më socialist me zor, sa për ta shpëtuar postin e tij, por edhe kapitalizmin amerikan, sepse urgjenca e gjendjes aktuale, nuk ta mundëson asnjë alternativë tjetër. Do marrish disa vendime të cilat i urren thelbësisht dhe që nu do i kishe marrë kurrë më parë ! Do çuditesh me vetën : a jam unë, ai që i kam vendosur, apo jo ?

Të jesh i varfër, kloshard, portorikan, meksikan, pastrues, një i asistuar, ose një punëtor i shkretë, i infektuar nga koronavirusi, ta imponon vetë realiteti, që ta dërgosh në spital dhe për ta shërosh me shpenzimet e shtetit. Po, po … ja kjo është dilema aktuale e Donald Trumpit, miliarder, por edhe e gjithë të tjerëve që mendojnë si ai, me një injorancë barbare moderne, aktualisht mjaft në mode dhe një egoizëm e narcisizëm ekstrem, por le të qëndrojmë më mirë te ne, në Europë ! Çka na inspiron situata italiane, spanjolle ose franceze aktuale ? Po shihen qartë mos funksionimet shtetërore dhe kufijtë evident të politikave liberale të palimit. Administrimi i spitaleve shtetërore, me logjikën e Firmave private, duke ua reduktuar tash ca vite, personelin e tyre, investimet dhe financimet e Shtetit. Ja rezultati ! Nuk kanë këto Shtete emblematike të Europës, shtretër të lira nëpër spitale për ta përballuar numrin e madh të të sëmurëve, nuk kanë shërbimet mjekësore, as maska mbrojtës aq sa ju duhet, as produkte hidro alkoolike, as aparate për frymëmarrje ? A është ironike dhe skandaloze kjo situatë ? Si mund të pranohet ky realitet ? Detyrohet Kuba postkomuniste, Rusia e Putinit dhe Kina e Pingut, për t’iu ardhur në ndihmë, duke e propaganduar paralelisht Regjimin e tyre, si model shembullor. Pse ? Sepse nuk kemi plane ose parashikime shtetërore në fushat strategjike, ngaqë, gati çdo gjë është sot e privatizuar dhe etika private është kudo në botë, përfitimi maksimal, e natyrisht jo interesi shoqëror global ! Sepse është problem prodhimi, shitje dhe spekulimi, nëpër gjithë tregjet ndërkombëtare edhe pse do lihen disa Popuj në mizerje … punë e madhe, pasi që Objektivi kryesor është që disa Biznesmen dhe Aksionerë, t’i mbushin xhepat. Kush luan sot, me kursin e naftës, kafes, bananes, lajthizave, drurit, çajit, grurit, në tregun ndërkombëtar ? Gandi, Mandela ? Filozofët e shekullit të dritave ? Kush mërzitet, nëse shuhet komplet një shtet afrikan apo aziatik dhe a mos vdesin nesër me mijëra apo miliona njerëz nga uria dhe varfëria, sepse një oligarki financiare në New-York, apo Frankfurt, ka vendosur që kursi i filan produkti, ka humbur gjysmën e vlerës ( kurse ka plot Shtete që janë të varura komplet nga eksporti i tij !) ? Me gjithë këtë padrejtësi themelore dhe anti-humanizëm: përse çuditemi që vijnë emigrantët me masë në Europë apo Amerikë ? Sepse i kemi shfrytëzuar egërsisht deri në pikën e fundit, i kemi zhveshur komplet dhe ua kemi bërë jetën e përditshme gati të pamundur në vendin e tyre. Por kush na e thotë aq qartë këtë gjë ? Si do kishim vepruar ne në atë situatë ekstreme? E konsideroj krejt të logjikshme, që ëndërrojnë për të ardhur te ne. Pos leksioneve të moralit, çka kemi për t’iu ofruar, që të rrinë aty ku janë ? Si mund të klasifikohet çfarëdo Shteti në botë, i cili nuk ka asnjë pikë mëshire për Popullsinë e tij ? E konsideron gati si bagëti, apo si skllevër të pa rëndësi ! Dihet që shtetet komuniste, eksportonin çka ishte më i miri për nga cilësia dhe pastaj populli i tyre, kënaqej me mbeturinat, tamam si në kohën e Babait tim: prisnin në emrin e mitit malësor emblematik të mikpritjes, mysafirët e gjithë vendit, si të ishin Mbreti, porse e linin familjen e tyre me bukë e lëng ! Çka mund t’i thuash pastaj Shqipërisë, Marokut apo Senegalit? Kur kriza del jashtë kontrollit si në Itali, to jesh pastaj i detyruar, sikurse në regjimet ekstreme fashiste apo komuniste, me vendos arbitrarisht, se kush do shërohet dhe kush Jo, se kush ka të drejtë për të mbijetuar dhe kush mund të vdesin lirisht ? Do të thotë, që nëna ime, do ishte direkt e programuar për të vdekur, sepse s’do e merrte askush në dorë, në një shtet super të qytetëruar europian, i cili ka prodhuar Danten, Fellinin, Pasolinin, Da Vincin, Umberto Eko-në, e plot të tjerë … Po kush mund ta marrë legjitimisht këtë të drejtë dhe mbi cilin princip moral, pasi që jemi të gjithë të barabartë, në të drejtat tona si qytetarë dhe si pjesë përbërëse e njërëzimit, si një student 20 vjeçar si një gjysh 90 vjeçar ? A është ky, sipas jush, dinjiteti njerëzor, apo simboli i demokracisë autentike ? Unë jam për një ligj të barabartë, i aplikuar për të gjithë ! Apo të vendosim filozofinë e Anglisë së Boris Johnsonit apo të Holandës: le ta marrin pa problem koronavirusin gjithë populli ynë, dhe do shohim pastaj, se kush e përballon dhe mbijeton, duke krijuar një auto-imunitet me antikorpe, dhe kush nuk do e përballon dhe vdes (sidomos, gjithë ata që janë mbi moshën 60 vjeçare, që janë pensionistë, apo pleq të panumërt, të cilët si duhen kujt asgjë, plus që i kemi në ngarkim permanent, duke harxhuar buxhetet sociale të shtetit, të cilëve ua akordojmë pensionet dhe të cilët, na kushtojnë miliarda euro me spitale, ilaçe dhe shërim, pikë së koti). Prandaj, pse mos të vdesin, si të ishim në xhunglat e para, të analizuara nga Darwini, e pse mos ta operojmë edhe ne këtu, një “ seleksionim natyror ”. Konkretisht në një popullsi si Anglia me 60 milionë banorë, do thotë që kemi rreth 500 deri në 700 mijë të sakrifikuar me qëllim ! Çfarë ekonomie për ministritë e punëve sociale ! Por jemi në Shekullin 21, o Lexues, dhe aspak me Hitlerin apo Pol Potin në pushtet, por një kloun populist, të cilin e kanë votuar ata vetë ! Me atë logjikë, pse nuk na vjen dikush nesër me vota, duke na paralajmëruar në programin e tij: le të jetojë “filani” dhe le të zhduket “fisteku”, sepse e vendosa unë arbitrarisht, me çfarëdo preteksti (duke e gjetur një fajtor ideal, simbolik, të cilin pas një propagande të studiuar, do të fillojë spontanisht për ta urryer, një pjesë e madhe e Popullit dhe po ai opinion publik, do na rekomandon vetë për ta eliminuar, ngaqë i duket e nevojshme !), pse jo çifutet, arabët, ciganët, çeçenet, homoseksualët, zezakët, aziatikët, shqiptarët, armenianët, të majtit, të djathtit, handikapët, etjerë me rrallë ? Ciklet historike mund të ripërsëriten ! Vjen në pyetje: cili është roli dhe vendi që kanë “ shërbimet shtetërore në një shtet ”, spitalet, institucionet shëndetësore dhe arsimore, shkollat, transporti rrugor dhe ajror, administratat ? Ose, çka i takon shtetit, dhe çka i takon privatit ? Si kalohet nga kritika e ashpër e djeshit, gjer tek idolatria e sotit ndaj Shtetit ? Filozofia liberale në ekonomi ka menduar gjithmonë, që sa më pak të ketë shteti aftësi për të vendosur, të ketë përgjegjësi dhe kontroll, sa më mirë do ishte, mirëpo sot, po shihet qartë, se ku po na çon kjo logjikë ! Për t’i ra kokës për mur, ngaqë kulti i Lekut, nuk do i jep askujt një zgjidhje serioze, në situata katastrofike … Mos të harrojmë që kriza shëndetësore e shkaktuar nga Koronavirusi, ka shkaktuar dëme kolaterale kolosale ! Jemi sot, para një krize sociale të paparë, një krizë ekonomike dhe financiare, një hap para Apokalipsit, plus edhe një krizë civilizimi, ose koncepti shoqëror ! Një pjesë e madhe e ekonomisë është në frenim total, do të thotë që numri i papunësisë dhe i të asistuarëve është në rritje e sipër, një pjesë e firmave të mëdha, të mesme dhe të vogla, do jenë shumë shpejt, me masat aktuale për ta luftuar virusin, në prag të falimentimit. Po si do jetojmë dhe me çfarë ? Mirëpo, nëse askush nuk intervenon: si do rregullohet ky kolaps ekonomik i paralajmëruar, duke ditur që çdo ditë, i kushton Botës, një shumë të paparë !

Sepse në realitet, jemi gati në situatën e krizës ekonomike të viteve 1929, ose falimentimi ekonomik e financiar i Europës dhe i Amerikës dhe natyrisht si pasojë edhe i botës. Shumë më e rëndë, sesa kriza financiare e vitit 2008 me Bankat amerikane “Lehman Brothers” e të tjerat me radhë. Bile, s’jam i bindur, që pjesa më e madhe e opinionit publik është plotësisht e vetëdijshme, se në çfarë gjendje të pa imagjinueshme jemi ? Nuk mund të merret mirë me mend, se për do kohë, na duket ende si abstraksion … por nëse plasë, është tepër vonë ! Me logjiken e kapitalizmit ultra liberal ku vendos vetëm tregu: do ishte punë e kryer dhe e pa zgjidhje: i forti, le të fitojë e të sundojë dhe i ligu, le të mbijetojë ose të zhduket, siç është ligji i vetë natyrës. Pse na duhet që t’i asistojmë dhe të kemi mëshirë për të tjerët ? Pastaj erdhi edhe kriza financiare me zhytjen përditë në minus, e të gjitha bursave botërore (Paris – Frankfurt – Londër -Tokio- e New York), të cilat kanë humbur për një kohë rekord, me rastin e koronavirusit, me miliarda dollarë apo euro ! Mirëpo, deri kur ? Dhe siç iu thash më parë : kush do i përgjigjet krizës së trefishtë shëndetësore, ekonomike, sociale dhe financiare ? Rita Ora, Dua Lipa, Ava Maksi, Bleona Qerreti, Noizi, Sabri, Fejzullahu, Oso Kuka, Azem Bejta, Qamili i vogël, Analistët tanë nëpër ekrane, Arian Cani, Alban Dudushi … Personazhet VIP të gazetave shqiptare, apo Fauna konsumuese and fashion, e Bllokut ? Shtrohet natyrisht pyetja, mbi seriozitetin, kredibilitetin dhe profesionalizmin e shoqërive, por edhe atë shqiptare, mbi shkallën hierarkike të vlerave. Kush jemi, si veprojmë dhe çka vlerësojmë ? Në çka besojmë dhe cilat janë prioritetet ? Nëse askush nuk na përgjigjet, do të hyjmë në pragun e një lufte civile mes nesh, me çfarëdo preteksti: nevoja për bukë apo mbijetesë, urrejtja, racizmi, hakmarrja, gjetja e një fajtori ideal, nacionalizmi ekstrem i verbër dhe më vonë në një luftë më globale, mes shteteve dhe kontinenteve, dhe do hymë patjetër gradualisht, në një cikël të ri barbarie post-moderne … e mos ta marrim fare për hajgare ! Mos të harrojmë, që sado që jemi të qytetëruar, jemi po ashtu në thelb, kafshë të drejtuara nga instinkti. Dhe nëse na hapet drita e gjelbër e gjithë pulseve primare, dihet që çdo gjë është e mundur. Shumica prej nazistëve kanë qenë të rafinuar, të kultivuar, adhurues të filozofisë, shkencës dhe muzikës klasike, mirëpo nuk kanë hezituar për të marrë pjesë, në holokaustin më të tmerrshëm të historisë së njerëzimit ! A ju kujtohen Auschwitz, Treblinka, Mathauzen, Sobibor, pse e qysh ndodhën ? Më afër nesh, a i kemi përjetuar 10 vite luftë të përgjakshme nëpër ish-Jugosllavi ? Unë po ju them, që në këto raste eksepcionale dhe aq të rralla, nuk ka magji as loto që vlen, por vetëm një Shtet serioz, dinjitoz dhe me profesionalizëm, i cili me plot përgjegjësi, mund të na përgjigjet, si babë, si nënë, si prind, si garant i vlerave esenciale të njerëzimit dhe të demokracisë ! Ose, pastaj më mirë ta kapim të gjithë pushkën dhe të aktrojmë mes nesh, si në një Western të Sergio Leones. Këtu po shihet shumë qartë, se çfarë roli të rëndësishëm mund të ketë Shteti me institucionet e tij, nëse funksionon natyrisht siç duhet, për të mirën e përgjithshme, e jo për ta plaçkitur Kombin ! Emmanuel Macron-i, zhbllokoi 300 miliardë Euro, sa për ta ndihmuar ekonominë franceze, falimentimin e firmave, ndihmën sociale për numrin e madh të gjithë njerëzve të papunë, garancinë shtetërore për të gjitha kreditet bankare, etj. Po ashtu veproi edhe Gjermania, me disa shtete të tjera, ndërsa Banka europiane, ka propozuar 700 miliardë euro si mbështetje globale. Ndërsa, Presidenti amerikan 2000 miliardë dollarë ! Pse ? Sepse, jemi para një kaosi global botëror dhe në urgjence absolute, me pasoja që dihen mirë, por nuk mund të thuhen qartë, për mos me krijuar një panik komplet dhe irracional 13 | F a q e te popujt, me reagime të pakontrolluara. Se pastaj, hapen gjithë Portat e çmendurisë ! Ju po e shihni aktualisht, se çka po ndodh nëpër Supermaketet e vendit ? Do të thotë, që Shtetet (edhe ultra kapitaliste në esencë), nuk mund të rrinë pasiv dhe pa asnjë reagim praktik, para apokalipsit të paralajmëruar ! Jemi në një kontekst global mjaft të rezikshëm. Kur frenohet progresivisht prodhimi industrial, prodhimet shtetërore, kur humbim përditë me miliarda dollarë, kur rritet numri i të vdekurve dhe i të sëmurëve nëpër spitale, kur duhet mbajtur gjallë një Popullsi e papunë, e mbyllur nëpër shtëpi: në një moment të caktuar IKS, kur situata ju shpëton nga dora dhe nuk mund të kontrollojnë asgjë, çka mund të ndodhë sipas jush ? E pikërisht ky është ankthi i të gjitha Shteteve, i cili i shqetëson në maksimum, i streson dhe nuk i le të qetë për të fjetur gjumë. Kështu që janë prezent dhe i përgjigjen krizës dhe rasti i koronavirusit, po na i rikujton me ashpërsi dhe urgjencë, të gjitha këto realitete më se elementare. Mund të kemi menduar gabimisht, që gjithë gjërat do vazhdojnë si gjithmonë pa lëvizur fare. Ja pra, na erdhi një epidemi aziatike e papritur dhe na i prishin Planet, na nxori me zor prej letargjisë pseudo borgjeze, nga kjo qetësi apatike rutinore ! Siç ua thash më parë, duhet thënë që moda ishte në triumfin absolut të “ Kapitalizmit ultra liberal dhe global pa limit ”, triumfi i fitimit, i lëvizjeve dhe i spekulimeve financiare, i bixhozit ekonomik dhe lufta kundër çdo intervenim të shtetit ! “ Le të na autorizojnë për të bërë çka të duam dhe mos të na përzihet Shteti askund, se e menaxhojmë ne vetë Privatët situatën !”. Mirëpo sot, ne po e konstatojmë përmes kësaj krize shëndetësore, por edhe ekonomike dhe financiare, që kjo logjikë të çon direkt drejt murit, në një lloj vetëvrasje. Jemi në filmin “Crash” te David Cronenberg-ut ! Në këto rrethana ekstreme, na duhet patjetër një politikë sociale dhe shtetërore, duhet për t’i rifuqizuar shtetet dhe gjithë shërbimet publike, duhet për ta rimenduar pak ndryshe sistemin ekonomik botëror dhe kjo idé, nuk ka fare lidhje me sistemet e quajtura socialiste apo komuniste, por me logjikën e shëndoshë normale njerëzore, vetëm me “ bon sensin ” elementar, me njerëzinë, me parimet esenciale të një Shoqërie t’ekuilibruar ! Unë, personalisht, nuk jam fare kundër kapitalizmit, botës së biznesit dhe tregut të lirë, mendoj se duhet të qarkullojnë lirisht leku dhe ekonomia, të inkurajohen investimet në të gjitha fushat dhe iniciativat private, porse duhet një kuadër ligjor dhe shtetëror pak a shumë strikt, me një etikë ! Fitimi pse jo, por jo me çfarëdo kushti dhe si objektiv në vete, por me disa limite, rregulla parimore, sidomos në fushat strategjike apo sociale, të çfarëdo Shteti. Pse nuk mund ta krijojmë një Kapitalizëm modern, i cili të pasuron legjitimisht pasi që ke marrë disa risqe investimi dhe hapur vende pune, por paralelisht edhe njerëzor e social, duke e caktuar një kufi moral, diçka që del nga shekulli i kaluar ? Personalisht jam alergjik ndaj kapitalizmit të egër, cinik, egoist, i pa skrupull, i pa mëshirë, as normë ! Kam menduar spontanisht, që Shtetit i takon të jetë përgjegjës për, energjinë elektrike, gazi, ujë, nafta, armatimin, produktet farmaceutike, arsimin, shëndetësinë, transporti rrugor dhe ajror, pa harruar dhe bujqësinë, për të ushqyer Popullin e tij. Logjika e shëndoshë, do ishte për të qenë, sa më i pavarur në të gjitha këto fusha ! Pastaj për mua, si parim bazë dhe si shenjë kredibiliteti: çdo Shteti serioz dhe dinjitoz, i takon patjetër edhe pjesa sociale, për të gjithë të asistuarit, të papunët, handikapët, të sëmurit, pensionistët, pra gjithë atyre që janë për cilëndo arsye, jashtë sistemit ekonomik e social normal. Është një shenjë humaniteti dhe një obligim moral ndaj çdo qytetari ! Prandaj, admirohen pa diskutim gjithë Shtetet skandinave, pikërisht për humanizmin e tyre, ngaqë çdokush trajtohet me të njëjtin respekt dhe të drejtë si Njeri ! 14 | F a q e Pra duhet domosdo edhe në Shtetet ultra liberale, (sa për ta shpëtuar pikërisht kapitalizmin e tyre, çka ndoshta nuk e kanë kuptuar aq mirë deri tani, nga etja e tyre për një fitim të pa fre, megalomania absurde dhe patetike e miliarderëve), të ketë një politikë të fortë shtetërore në degët strategjike dhe sidomos në fushën sociale, ose do iu plasë dikur Pushteti në dorë dhe do iu vjen Sherri te dera, pa e kuptuar as ata vetë sepse ? Nuk mund të lihet, për shkaqe ideologjike aq banale, një pjesë e Popullsisë, pa asgjë pas shpirti, si me pas qenë të lindur në Kalkuta të Indisë, për të ngordhur nën shikimin tonë indiferent, nëpër rrugët e metropoleve ! Ku është Humaniteti jonë mbi këtë realitet ? Kur më kujtohet debati i ashpër amerikan, mbi “Obama Care”, kur Presidenti dëshironte për ta vendosur një mbështetje shëndetësore për 50 milionë qytetarë, të cilët nuk kishin as të drejtë për t’u shëruar në një spital të Shteteve të Bashkuara, mu duk gati e pabesueshme, që mund të debatohet me një agresivitet të tillë, mbi një të drejtë aq elementare ! Ja pra, shembulli i kulturës bazë dhe i psikologjisë të thellë amerikane ! A është normal, po sot, me Koronavirusin, si do veprojnë ultra-liberalët ? Për mua, ky është kulmi i anti-humanizmit dhe asgjë nuk e justifikon. Jemi të ngopur me gjithë këto padrejtësi të përditshme ! Dikur do na vjen fatura e hidhët dhe do na kushton super shtrenjtë, prandaj, kam qenë gjithmonë për një farë ekuilibri, mes Kapitalizmit normal, me rregulla ligjore dhe Politikave sociale të fuqishme. Krejt spontanisht, si qytetar i lirë, do isha pak më i afërt me sistemet social-demokrate skandinave, sepse kam kritika reale, si ndaj kapitalizmit puro të shthurur, si ndaj sistemeve ultra socialiste dhe të afërta me komunizmin, ku shtypet dhe kufizohet çdo iniciativë e lirë individuale dhe ku luftohet parimisht, nga një lloj xhelozie subkoshiente dhe një dogmë tepër e ekzagjeruar mbi barazinë fiktive, çdo sukses individual fenomenal (si çiftet e Richard Bransonit, Elon Must, apo Zuckerbergu), prandaj jam diku në mes ! Pra, e dua dhe e respektoj pa dyshim, Suksesin individual, por e dua edhe Shtetin social maksimal, që nuk e le askënd në mes të rrugës, për të lypur 5 Lekë për një copë bukë, dhe që e shëron çdo Qytetar, si të varfrin si të pasurin me të njëjtën ndërgjegje ! Nuk mund të tolerohet Mizëria absolute rreth nesh, si të ishte diçka krejt normale. Qysh jetojnë sot 70% të Shqiptarëve, nëpër periferi të qyteteve, në fshatra apo në zonat e largëta malore, dhe kush preokupohet seriozisht për ta ? Dhe kjo epidemi planetare, po na detyron për t’ia shtruar vetës gjithë këto pyetje. Erdhi ky virus muti dhe na destabilozoj komplet në të gjitha pikat, të cilat i kishim pra të integruara deri dje, si me qenë 100% normale dhe të sigurta. Por ky fenomen është një revolucion total për ne të gjithë, sepse na imponon për të menduar ndryshe, mbi shoqërinë, mbi psikologjinë totalitare, mbi rolin e rëndësishëm të shtetit, mbi botën ekonomike, sociale, financiare dhe politike, mbi rolin e globalizmit botëror, mbi dialogun mes nesh, etj. Sot, me këtë krizë multidimensionale, gati si krizë civilizimi, po konstatojmë, që jemi të varur njëri ndaj tjetrit dhe që për shembull, gjithë Europa është varur ndaj Kinës, deri në 70%, në prodhimet e ilaçeve farmaceutike. Po në fushën e prodhimit automobil, aviacionit, armatimit, astronomisë, çka ndodh ? Kjo pjesë e makinës na vjen nga filan shtet, ndërsa kjo tjetra nga një shtet tjetër. Po me energjinë: me gazin, me naftën, me energjinë elektrike, me ujin, me mineralet nëntokësore, ku i marrim ? Po me bukën, me produktet ushqimore bazë, me tekstilin, me transportin: pse na duhet me qenë pa nevojë, aq të varur, kur mund t’i prodhosh gjërat vetë, pse duhet për t’ia blerë të tjetrit ? Çka kemi sot konkretisht, made in Albania ? Ose çka prodhojmë, çka importojmë dhe çka eksportojmë ? Me çka jetojmë ? 15 | F a q e De Goli thoshte për Europën : “Nuk mund të rrimë përjetësisht nën çadrën atomike amerikane, se dikur do na mbyllin çadrën dhe do na lagë shiu !”. Sot na duhet më shumë se kurrë, një Europë e bashkuar dhe e fuqishme, e harmonizuar në aspektet ekonomike, financiare, sociale, juridike, bujqësore, industriale dhe kulturore. Dhe kjo nuk do thotë për mua, që shtetet anëtare, do kenë rrezik për t’u shkrijë brenda kësaj “çorbe unike”. Përkundrazi, nëse e kanë një identitet real, një specifikim të fortë kulturor e historik, do e ruajnë për krenari dhe dinjitet, por paralelisht edhe do pasurohen ne kontakt me Popujt e shteteve të tjera, anëtarë të të njëjtës familje. Porse, na duhet patjetër edhe një Europë e mbrojtjes ushtarake të përbashkët, për të qenë në gjendje për t’iu përgjigjur Amerikës, Rusisë dhe Kinës, nëse na nevojitet. Pra, duhet gjetur ekuilibri praktik mes sovranitetit legjitim të çdo shteti brenda kufijve të tij, sesi e qeverisë popullin e tij brenda shtëpisë dhe sovranitetit global europian, i cili i përgjigjet interesave të përbashkëta të gjithë familjes europiane, pra të Kontinentit ! Cilën politikë dhe strategji, do e ndjekim ? Te jemi koshient, që nëse veprojmë çdonjëri për vete në qoshen tonë, pra çdo Shtet individualisht, pa u konsultuar fare me të tjerët, nuk do kemi asnjë peshë serioze në Botë, dhe do na hanë dikur Kalukënxha, do na dominojnë apo kolonizojnë fuqitë e mëdha, më të homogjenizuara ! Nuk do dëgjohet, si sot në dosjet e mëdha të politikës ndërkombëtare, në pikat e nxehta të Globit, zëri i Europës. Dhe do jemi shumë shpejt, pavarësisht se çka pretendojmë, Shërbëtorët e amerikanëve, të rusëve dhe të kinezëve, vetëm një Treg i lirë dhe asgjë tjetër ! Prandaj, befasohemi ndaj gjithë këtyre që veprojnë kundër unifikimit të Kontinentit Europian dhe pranimi parimor i Shqipërisë si kandidat është një lajm gjenial ! Të gjitha këto fenomene, do pleqërohen seriozisht pas kësaj krize ! A duhet me i delokalizuar disa prodhime industriale të firmave Iks apo Ypsilon ? Pse ? Për një fitim maksimal, për t’i pasuruar aksionerët e huaj, të cilët nuk e kanë derdhur një pikë djerse në këtë Firmë, edhe pse do i fusin me manipulimet e tyre, me qindra Punëtorë tanë në asistencë ! Kush po mërzitet seriozisht për fatin e gjithë atyre Familjeve, të cilat do na zhyten në një varfëri të ardhshme ? Janë viktimat kolaterale të bixhozeve dhe të spekulimeve financiare planetare, të orkestruara nga kapitalizmi ultra liberal dhe global. Ja pra, ky është rezultati super praktik i kësaj ideologjie ! Dhe çdokujt, ju ka dukur kjo punë, gati si normale, siç na është dukur neve në vitet 1996-97, loja e piramidave, me gjithë pasojat që vijuan. Po nesër; A mos na duhet për t’i rilokalizuar disa prodhime në vend, për të qenë pak më të pavarur, për gjërat kryesore apo strategjike ? Edhe globalizmi i ka disa kufi dhe mjaftë të meta ! Nuk është ajo ëndërr ekonomike e bukur, të cilën na kanë shitur me vite, gjithë mediat perëndimore dhe amerikane. Dikur, çdokush del prej narkoze dhe i sheh gjërat objektivisht qysh janë ! A mos do jetë fillimi i një ri ndërgjegjësimi të ri planetar ? Jam i bindur, që kriza e koronavirusit ishte për ne, një e papritur dhe na shpërtheu gati si një revolucion i pa shpallur, i pa programuar, na erdhi befas, si një surprizë surrealiste, si një provokim tragjik. Kjo është një Sfidë madhore për ne, një revolucion me pasoja mjaft gjigante për të ardhshmen, nëse marrim leksion ! Çka nuk është natyrisht e sigurt, sepse me opiumaninë globale të njerëzve, ka mundësi që të thonë Popujt, pasi që ta kemi kaluar këtë krizë epidemike të rëndë planetare, “ kalova lumin dhe ta dhjefsha kalin ! ” dhe çdo gjë do vazhdojnë si më parë, me të njëjtën logjikë absurde ! Por fatura do jetë dy herë më e rëndë ! Sot për sot, me rastin e kësaj epidemie, nuk e di sepse, por e kam intuicionin e thellë, që do ketë ndryshime serioze, ndoshta edhe pse, si idealist utopist, kam besuar gjithmonë në imagjinatën, në ëndrrat madhore të njeriut, në energjinë pozitive, në gjithë çka na bën 16 | F a q e për të ecur përpara dhe jo mbrapa ! Pos asaj, ma ka pas ndie shpirti që ky vit 2020, do jetë special, me mjaftë shkundje dhe vendime kapitale ! Pos faktit, që do bien shumë Maska ! Mund të thuash “është pranvera arabe e jona”- dhe nuk i dihet, se çka do të dalin prej kësaj krize, por është e sigurt që shumë gjëra kanë detyrimisht për të ndryshuar (a për mirë, a për keq, do shohim, por ndoshta për mirë ?) Dikush mëson nga e kaluara, nga gjithë fenomenet e jashtëzakonshme, dikush rrinë “ Non stop ” në amnezi dhe trullografi dhe kjo është mjaftë tragjike në fakt. Mund ta fitojmë dhe konsolidojmë të gjithë së bashku, një koshiencë shumë më sociale, një vetëdije pak më tepër ekologjike, një respekt më të madh për të tjerët, ndaj Planetit tokësor, një psikologji më solidare, një sjellje pak më gjeneroze, një logjikë ekonomike më tepër të reformuar, ku do i lihet një rrugë edhe politikave sociale më se të nevojshme në çdo Shtet, e aq më tepër në shtetet e varfra, dhe pos asaj, një analizë më të thellë mbi Njeriun, mbi të drejtat e tij individuale dhe shoqërore, mbi sensin e jetës, të familjes, të shoqërisë, mbi qytetarinë, etikën, hierarkinë e vlerave reale ! Deri ku do tolerohet dhe do kontrollohet Liria e jonë individuale ? Deri kur dhe qysh, do iu rezistojmë të gjitha formave të Totalitarizmit ? Si mund të rishpiket një Humanizëm i ri, një Shoqëri solidare post-moderne ? Ndërkohë, jam i burgosur në Shtëpinë time, me një kontroll policor në çdo lëvizje, një lloj Leje qarkullimi – Ausweis, i lëshuar nga ndonjë Komandant IKS, ha … ha … ha … po e marr me humor dhe pak provokim, se serioziteti i tepërt, të nderuarit Lexues, do na plumbosë ! A mos jam në një film të Terry Gillian-it, ose Stanley Kubrickut (“Orange Mecanique”)? Ku fillon Realiteti dhe ku mbaron Fiksioni ose e kundërta ? Mos është romani i Georges Orwellit dhe Aldous Huxley-it, i transpozuar papritmas në Jetët tona të përditshme ? E kam ditur me kohë, që herët apo vonë do na sundojnë shkenca, Gjenetika, Kimia, Fizika, Robotika, Teknologia dhe që dikur do jemi të gjithë, mes realitetit dhe tele-realitetit … ( Klonat tragji-komik, e një skenari të hartuar posaçërisht për ne !) nën Syrin e të padukshmës, si Masë shurdhë-memece dhe konsumuese, e pa referenca, e pa kujtesë, e pa histori, e pa të kaluar, e pa mendim, e pa pyetje as përgjigje … Po, po, do na vjen ajo kohë, mbajeni mend prej meje ! Në ditët normale, do iu kisha përqafuar, ftuar në një kafe apo një tarracë, por sot, më duhet me qëndruar 2 metra larg Jush dhe ndoshta i maskuar, si me qenë anëtarë i ndonjë grupi terrorist, apo një bandit pas një plaçkitje bankare ! A mos dola me pahir nga një film i Martin Scorcezës, me mafien italo-amerikane ? E imagjinoj duke qeshur, Rembonë, Bodlerin, Nitçen, Van Goghun, Mozartin, Jimmy Hendriksin, në këtë situatë groteske ! Për fat, po na ngelet kultura, librat, filmat, muzika, imagjinata, ndonjë herë telefonat dhe e-maili. Po ju përqafoj, si një i auto-internuar në Gulagun e Brukselit, pa Soljenitsinin, apo Sakharovin, me shumë respekt, duke e lexuar biografinë e një ish-miku parisian, që ka zhvilluar një jetë të paparë, zoti Marek Halter. Jam i rrezikuar si çdo kush, për çdo ditë, nga ky fucking virus, kjo është jeta futuriste e sotme ! Jam person me risk, nga e kaluara ime shëndetësore, nëpër Kampet e Gerovës në Kroaci, por shpresoj që do shihemi sa më parë, në Shqipërinë aq të dashur, në Kosovën nostalgjike, që ma rikujton çdoherë Ibrahim Rugovën. Ta heq kapelën, o Mik i rrallë dhe i përjetshëm, që i vjen si dhuratë Kombit, një herë në shekull ! Mendoni edhe Ju pak, mbi të gjitha këto elemente, që ua propozova, përmes kësaj letre shpirtërore. Është një rast unik, që ta shohim njëri-tjetrin siç jemi, pa hipokrizi ! 17 | F a q e Për mua, ekziston vetëm një Gjuhë : gjuha burimore e shpirtit transparent të filtruar ! Të tjerat gjuhë më irritojnë, më hyjnë në njërin vesh dhe më dalin nga tjetri, pa ma lënë asnjë gjurmë. Po pra, na erdhi kjo Tragjedi ubueske e Koronavirusit dhe na çorientoj, na çregulloj Busulën tonë të përditshme. Por edhe mund të ketë ca aspekte pozitive ! Të mësuar “ non stop ”, në një ritëm delirant, një shpejtësi marramendëse, në lëvizje permanente, këndej dhe andej, takime dhe veprime me lidhje apo pa lidhje, në një funksionim gati mekanik dhe robotik, më tepër si qenie shoqërore sesa si qenie individuale, sot po detyrohemi ta mësojmë “elozhin e ngadalësisë”, të Milan Kunderës dhe Carl Honoré, heshtjen, durimin, zbrastësinë, mbushjen me diçka tjetër, meditimin, budizmin, sufizmin, kontemplacionin, koncentrimin, raportin më intim me vetveten, me familjen tonë, me shokun apo bashkëshorten, me fëmijët, me gjyshërit, me miqtë autentikë, me të cilët ndoshta nuk kemi komunikuar sa duhet dhe siç duhet, duke u kënaqur me fraza klishé, sipërfaqësore, sa për ta kaluar rrallën. Por, a kemi pasur seriozisht diçka me rëndësi për t’iu thënë ? Veç ne e dimë ! Më kujtohet vetja para Babait tim, me gjithë respektin që e kam për figurën e tij, por me një komunikim aq katastrofik e patetik brenda familjes, si në një film të Michaël Hanekes, torturimi psikologjik, autoburgimi në rregulla, zakone, apo rite të lashta, por tepër të dëmshme dhe më në fund, si rezultat përfundimtar ose si kujtesë, absurditeti gjer në kulm ! Çka na ka ngelur pa ia thënë njëri-tjetrit dhe a mund t’ia themi, apo ta mbajmë sikur Samurajt japonez definitivisht për vete, gjer në varrezë ? A ja vlen apo nuk ja vlen ? E përshëndes këtë Mik të shtrenjtë, aq sentimental dhe romantik, i dashuruar përjetësisht një të njëjtin Person, universal në dije dhe i cili pothuaj përditë, tash ca vite, i flet Shoqes së tij të ikonike, kaluar në bregun tjetër. A s’është sinqerisht diçka e fuqishme ? Shpeshherë te ne, flet diploma, titulli, funksioni, por jo kurrë Njeriu intim brenda tyre, duke e harruar komplet zemrën dhe shpirtin e tij, në marrëdhëniet shoqërore, prandaj edhe nuk kalon në 90% të rasteve, asnjë Komunikim esencial mes nesh, sepse flet vetëm kostumi, roli, postura, por jo qenia e vërtetë ! Më ri vijnë në memorie ca kryevepra të Bergmanit dhe të John Cassavettes, po, sot jemi të zhytur brenda vetvetes, përballë vetvetes, pak a shumë nudo, deri dikund të demaskuar dhe detyrimisht, do ja shtrojmë dikur vetës, pyetjen esenciale mbi sensin e thellë të ekzistencës tonë ? Po, po, e kemi një takim vendimtar me vetën dhe me gjithë të afërmit tonë, ose kalon, ose dështon dhe asgjë nuk do na falet … do i paguajmë të gjitha Faturat menjëherë ! Kam lexuar që në Wuhan (qyteti kinez, epiqendra e epidemisë) nga mbyllja gati absolute nëpër apartamentet e tyre e të gjithë Banorëve, për dy muaj të plotë, ka eksploduar numri i divorcit mes çifteve. Dhe po flasim për Kinezët super të disiplinuar ( imagjinoni tani latinët, francezët ultra kapriciozë apo amerikanët, që ndahen për një Po ose Jo, si me qenë krejt JETA e tyre, një lojë e rëndomtë në ruletat e Las-Vegas-it !) Si përballohet tërë kohën, një Njeri depresiv, alkoolik, i dhunshëm, egocentrik, i frustruar, të cilit i del papritmas gjithë negativiteti i tij i kamufluar me vite ? Prandaj edhe shpërthejnë disa bariera … Në periudha normale, funksionojmë sipas disa normave rutinore dhe çdo Gjë mund të kalojnë, ngaqë jemi gjithë të okupuar, me një program preciz në Punë apo në Shkollë, i cili na merr pjesën më të madhe të Ditës dhe pos asaj na lodhë, kështu që edhe nuk na len shumë kohë, për t’u thelluar në Subjekte të tjera, të natyrës pak më intime. Por ku gjendesh 3 muaj, 24 në 24 orë, përballë Partnerit tënd, apo Familjes, dihet që raporti ndryshon komplet, sepse shihen direkt të gjitha të mirat apo të këqijat e çdokujt, fiksohemi në detaje, në çka nuk na pëlqen, dhe në çka nuk jemi kujtuar kurrë më parë ! 18 | F a q e Gjithë kjo Kohë e lirë në dizpozicionin tonë, na autorizon për t’ia formuluar njëri-tjetrit automatikisht disa pyetje dhe kërkesa të tjera, të reja, komplet jashtë programeve të rëndomta dhe të zakonshme, të cilat na i kishte diktuar dikur, Rutina e mëparshme. Kurse ky realitet i ri, mund të krijojnë disa “ elektroshoke psikologjike ” mes Çifteve, ngaqë është diçka që ju vjen krejt e papritur, dhe nuk janë të parapërgatitur, për t’iu përgjigjur siç duhet ! Si me futur një Marksist të Koresë veriore në logijikën e Trumpit ! Mirëpo në të kundërtën, kjo krizë ndërkombëtare, mund të na shtyjë për ta zbuluar vetveten në maksimum, por edhe personat që i duam me shpirt dhe mund të përjetojmë momente fantastike, tepër të pasura. Mund t’iu kushtohemi me më shumë vëmendje gjitha Pasioneve tona reale, ose të afërmve tonë. Prandaj, kjo kohë është mjaft delikate në fakt : ose gjeniale, ose e pamëshirshme ! Sepse, në një burgim shtëpiak të imponuar nga Virusi, nuk kemi sesi t’i ikim njëri-tjetrit, duke u fshehur, kinse pas okupimeve aq të shumta, të cilat i kemi objektivisht, apo që i shpikim vetë ne, për t’iu larguar esencialës. Kjo i ngjan dramës së Sartrit “ Huis-Clos ” ku tre personazhet janë të destinuar për ta kaluar gjithë jetën e tyre së bashku në një Ferr të mbyllur, pa rrugëdalje dhe e kalojnë krejt kohën duke u urryer, duke i kërkuar llogari apo duke fajësuar njëri-tjetrin, mirëpo gjithë kjo psiko-analizë, del natyrisht e pa asnjë zgjidhje, ngaqë janë të dënuar përjetësisht në Ferr. Do mësohemi me qytete fantomatike, si me qenë duke bredhur në një tablo të Giorgio de Chirico-s, do përqafohemi me hijet, me këngën e shpendëve, do ushqehemi me pastërtinë e ajrit, në një raport krejt tjetër me elementet përreth nesh, e së pari me Kohën, e cila mund të simbolizohet me veprën mitike surrealiste, “Orët e qulltë” të Salvador Dalit. Çka është KOHA, si matet, si përjetohet, si kufizohet, është një revolucion komplet ! E imagjinoni veten tani në New-York, apo të mbyllur, me lëvizje ultra të kufizuara në Fier, Deçan, Kumanovë, Tropojë, Has, por edhe në Tiranën e marsit, e prillit 2020 ? Nuk është fare e njëjta kohë, e njëjta ditë, e njëjta javë ! Koha e një Hinduisti në Uta Pradesh, apo një Beduini në shkretëtirën e Saharasë, nuk është fare koha e një Trederi në Bursen e Londrës apo e një kushëri të KERVIEL-it, apo e MADOFF-it, në Tokio apo Hong-Kong ! Koha e Shote Galicës apo e Ali Binakut, nuk është koha e Drejtorit gjeneral të Bankës botërore, apo të Boing-ut ? Ndoshta ishim krejt të hutuar, jashtë vetvetes dhe virusi kinez, na riktheu te esencialja, te epiqendra, te jeta, vdekja, dashuria, dhembshuria, durimi, nostalgjia, romantizmi, te e mira dhe e keqja, te vlera dhe antivlera. Ky është një leksion i paparë për ne, dhe ja vlen për të gjithë aktorët e “ Gjeneratës së Bllokut ” shumë larg nga “ The Beat Generation ” me mikun tim të dikurshem Alan Ginsbergun, William Burruksin apo Jack Keruakun ! Çka ka fshihet, pas gjithë kësaj teatrologjie (Fashion-Show and Hi-Phone)? Çka dhe kush ishim dje, por sot çka jemi, por nesër e pasnesër, çka do jemi ? Çfarë roli kemi luajtur, çka kemi përfaqësuar ? Çka i kemi sjellë të tjerëve dhe së pari familjes sonë ? Çka kemi kuptuar dhe asimiluar mbi këtë Tokë ? Po kujt, i kemi transmetuar diçka me rëndësi, prej diturisë dhe eksperiencës sonë ? Ndoshta na duhet për ta falënderuar dikur Koronavirusin, që na detyroj t’ia shtrojmë vetës, por edhe të tjerëve, gjithë këto Pyetje, të cilat në një Diskotekë, me një cigare kanabis apo një vizë kokainë, nuk do ishin për ne, aq parësore … Më tingëllon tani në një vesh “ Lose Yourself ” të Eminem-it, ndërsa në tjetrin “ The Future ” të Leonard Cohen-it ! Por unë jam mesdhetarë, o Lexues, e dua qiellin blu dhe detin, energjinë e valëve dhe të bjeshkëve … të rezistojmë me dinjitet, e mos të dorëzohemi ! 19 | F a q e Por kjo epidemi do ketë Viktimat e saj, si Zotërat antik që donin dikur ca Sakrifice njerëzore Dikush do e paguaj këtë paralajmërim dhe më vjen tepër keq, për t’i vajtuar me lot, se askush nuk e meriton, por është FATUMI i lashtë që flet dhe na dikton këtë realitet ! Na ka ardhur prej Zotit, prej Qiellit, prej dikund tjetër, si parashikim i Oraklëve ! Tani, detyra jonë është për t’iu përgjigjur dhe për t’u pozicionuar si Njerëz plot klas, të rafinuar dhe dinjitoz ! Janë ca prova, për t’i kaluar … 12 Sfidat e Herkulit ! Edhe një gjë e fundit, të dashurit Lexues : në këto rrethana të jashtëzakonshme, na duhet për t’i admiruar dhe respektuar maksimalisht të gjitha “ Bluzat e bardha ” pra gjithë ekipet shëndetësore, me mjekët, kirurgët dhe infermierët, të cilët sot për sot, janë shembulli absolut i humanizmit dhe krenaria e species njerëzore. Nuk merret me mend, implikimi, vullneti, profesionalizmi, puna e tyre titanike, 12 deri në 15 orë në ditë, për t’i shëruar apo shpëtuar Njerëzit nëpër spitale. Këta janë heronjtë anonim të kësaj kohe dhe që nuk i vlerësojmë aq sa e meritojnë, kur dihet që në Francë, një infermiere starton karrierën e saj me 1200 euro net rrogë mujore dhe tre vite shkollë të lartë, si një proletare e thjeshtë … është diçka absolutisht skandaloze ! Nga ju vjen në këto kushte mizerabël, gjithë ai Shpirt human aq i madh, gjithë ajo Energji kolosale në shërbimin e të tjerëve ? Dijeni prej meje, që një SHTET, i cili nuk është një gjendje, për t’i respektuar mjekët e tij, infermieret, mësuesit e fillores, profesorët e gjimnazit, pra të gjithë ata që na shërojnë, që na i edukojnë dhe na i formojnë fëmijët përditë, për mua është një Shtet i dështuar, e që s’meriton asnjë respekt ! Do i kisha përqafuar të gjithë një nga një, sa për t’ua shprehur pa rezervë Mirënjohjen time dhe për t’i falënderuar, sepse ma përforcojnë, me qëndrimin dhe etikën e tyre, besimin global, që kam pasur gjithmonë intuitivisht, por edhe si naiv-utopist, ndaj Njeriut. Ju uroj juve por edhe vetës, ta kalojmë këtë Krizë delirante, me sa më pak dëme dhe të ri takohemi përsëri me një Sy dhe një Energji krejt tjetër, shumë më pozitive ! Këto ishin përshtypjet e mia të rastit, por nuk jam as filozof, as sociolog, as psikolog profesionist, i diplomuar në Harvard, por një farë Poeti në shpirt, i lindur me disa antena, predispozime pak a shumë speciale, që m’i ka dhuruar ZOTI apo Natyra, ndoshta dikund edhe nëna Xhevahire. Nuk mund t’iu flas si një specialist i multi-diplomuar, i Sorbonës apo Oksfordit, se nuk më shkon, nuk përputhet me çka jam unë n’esencë si Njeri ! Në realitet, jam vetëm një farë Mjeshtri autodidakt i Kaosit tim, një lloj “ Von Karajani ” i një simfonie timen të improvizuar, pa nota të njohura, as solfezh, por me veshin dhe syrin e tigrit. Një primitiv i lashtë, paradoksalisht avanguardist, i ushëqyer në një mënyrë tepër të misterëshme, nga Memoria shekullore e Njerëzimit dhe nga Zëri i të parëve. Jam diçka tjetër, o Miq, komplet jashtë shinave, e jo çka pritet ! Diçka ndoshta para emrit dhe pa emër ! Dhe nuk jam i lindur për të qenë dikusht tjetër … ju kërkoj falje për këtë ! Kam qenë gjithmonë, për nga Natyra ime thellësisht anarshiste, jashtë kodeve, normave, rigoroziteteve dhe disiplinave universitare edhe pse i kam dëgjuar me shumë vëmendje. Në këtë letër pak të gjatë me siguri, ju kam folur,vetëm si Skënder Sherifi, me gjuhën time, me universin dhe sensibilitetin tim subjektiv, me çka kam përjetuar unë shpirtërisht ! Asgjë nuk na ndalon, për të filozofuar me vetveten apo me të tjerët dhe unë mendoj që edhe punëtorët, minatorët, bujqit, taksistët, duhet që të filozofojnë mbi jetën njerëzore, sikurse profesorët e universitetit, të specializuar në atë fushë. Për mua, filozofia, arti dhe kultura i takon çdokujt, pa asnjë dyshim dhe nuk është pronë private e atyre që quhen profesionistë. 20 | F a q e Le ta fitojmë luftën kundër këtij Virusi, por edhe kundër të gjitha Shkatërrimeve dhe Padrejtësive botërore, të cilat po na helmojnë jetën, tash ca kohë. Sepse, dikur as Toka nuk do na mban … se dikur, do jemi aq të ngopur me miliarda mëkatesh, saqë askush nuk mund të na falin për asgjë … dhe do na vjen patjetër dënimi, dhe pas ca shekujve, edhe fundi tepër i merituar ! Mos të shndërrohemi edhe ne, në Dinauzorët e Civilizimit njerëzor ! Le ta celebrojmë Jetën dhe Dashurinë mes nesh, o Lexues ! Rroftë kultura, imagjinata, ëndrra, poezia, muzika, spiritualiteti, humanizmi njerëzor, dhe vlerat esenciale, të cilat na e zbukurojnë përditë jetën tonë shoqërore ! Ndoshta, a mos na duhen sot, ne si Shqiptarë, që të pajisemi të gjithë, me nga dy universitete : njërin, për ta ushtruar një profesion dhe tjetrin, për t’u kompletuar dhe për t’u pasuruar si Njeri, për ta ditur se çfarë përgjegjësie mbajmë mbi këtë Tokë dhe ndaj njëri-tjetrit, duke u nisur ndaj të afërmve ? Kjo ishte porosia ime, ju dua shumë, kalofshi sa më mirë, të jeni sa më të lumtur dhe autentikë ! Realizoni mundësisht gjithë ëndrrat tuaja dhe ju uroj plot suksese ! Përshëndetje vëllazërore gjithë bashkatdhetarëve të mi në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Planetin tokësor dhe po ashtu dyshit tim në kozmos (sepse nganjëherë flas unë, por nganjëherë flet edhe dikush tjetër brenda meje, Shpirti binjak qiellor, divin, galaktik, diçka që do ngelet për ne përfundimisht misterioz dhe i paemër !), por unë, i besoj ! Aurevoir mes chers amis et amies, connus ou inconnus de moi … Faleminderit shumë dhe mirë u pafshim ! Salut mes amis et à bientôt, j’espère ! Skënder SHERIFI “ Po e inauguroj me këtë shkrim, një Pranverë speciale dhe tepër atipike ! Çka nuk ka ndodhur ndoshta kurrë në gjithë Historinë e Njerëzimit ! “ Hapeni një shishe verë Bordeau ose Bourgogne, me një asortiment Djathrash francez ! Gëzuar ! A votre santé ! Bruksel, me 21 mars 2020