Gazeta Nacional Albania

Disa poezi nga autorja e shquar izraelite, Zelda.Perktheu: Mimoza Erebara

Disa poezi nga autorja e shquar izraelite, Zelda

NDIZNI NJE QIRI

Nga ZELDA (1914 – 1984)

Nje nga emrat me te shquar te poezise hebraike. Nga te parat poete qe e orientoi poezine drejt eksplorimit te vetvetes.

ME DUKET SI ZEMRA IME

Zemra ime është si një fëmijë budalla,
që nxiton në zhurmën e detit të takojë valën,
vëllai i saj i mrekullueshëm – një rrip i zjarrtë
që pyet gjithnjë Krijuesin e tij:
“Çfarë? Dhe si?”
Zemra ime është si një fëmijë i fortë
Që e sigurt flet me çdo të panjohur
dhe i qahet për hallet e saj.
Zemra ime është si një djalë i vogël
që e merr malli për të luajtur para gjumit
dhe vrapon dhe bie, vrapon e rrëzohet.

ÇDO NJERI KA NJE EMER

Çdo njeri ka një emër
dhënë nga Zoti,
nga babai dhe nëna e tij.
Çdo njeri ka një emër
propozuar nga shtati,
nga buzëqeshja e ngritur
dhe nga ajo çka vesh
Çdo njeri ka një emër
që i dhanë malet
dhe muret rrethuese
Çdo njeri ka një emër
shqiptuar nga yjet
dhe shqiptuar nga fqinjët
Çdonjeri ka një emër
dhënë nga mëkatet
dhe shkaktuar nga malli
Çdo njeri ka një emër
të caktuar nga armiqtë
dhe nga dashuria
Çdo njeri ka një emër
dhuruar nga pushimet
dhe nga zanati
Çdo njeri ka një emër
besuar nga koha
dhe nga ana e errët
Çdo njeri ka një emër
dhënë bujarisht nga deti
dhe nga vdekja

NUK ME LIDH ME LARG

Ajo u përkul drejt shpirtit tim
për të prekur klithmën në fyt,
të përhershmen klithmë
Prekja e saj më bën copë-copë.
Errësira dhe fjalët më dërmojnë
për zemrën e humbur nuk bëjnë
Mos më largo nga prania jote!
se kur zgjohem nga ëndrra ime,
mobiljet e vjetra dëgjoj në errësirë,
tingujt e tyre të hollë, kërcitës –
Mos ma fshih fytyrën tënde!
Kur zgjohem, pyes veten
nëse historitë e shqisave të mia
janë vërtet kaq të ëmbla për shpirtin tim –
(A janë historitë kështjella ime?)
Oh, në një orë zie, që digjet
edhe bukuria e butë e një luleje
më ka prekur me ashpërsinë e lajkave!
Kur zgjohem duke qarë, vetëm sikur ta dija
ku të çon parajsa, jeta ime.

NDIZNI NJE QIRI

Ndiz një qiri, e pi verë edhe ti,
Butësisht ardhja e së shtunës më ka këputur
dielli që fundoset tej në det ma sjell
më pranë të shtunën që ngadalë zbret,
si trëndafil i qiellit në dorën e time.
Si mundet e shtuna të mbjellë
një lule të madhe dhe të ndritshme
në një zemër të verbër dhe të ngushtë?
Si mundet e shtuna të mbjellë
sythin e engjëjve në një zemër të përgjumur?
A mund të rritet trëndafili i pavdekësisë
në një brez të robëruar deri në shkatërrim,
në një brez të robëruar deri në vdekje?
Ndizni një qiri! Pini, pini verë!
Ngadalë- ngadalë e shtuna po zbret
dhe në dorën time lulet, dielli
që fundoset thellë në det,
të shkoj me të po më thërret !

DY ELEMENTE

Flaka i thotë selvisë:
“Kur shoh sa e qetë,
sa plot krenari je,
diçka brenda meje shkon e egër –
Si mund të jetosh një jetë të mrekullueshme
pa një prekje çmendurie,
të shpirtit,
të imagjinatës,
të lirisë,
vetëm me një krenari të zymtë, të lashtë?
Po të mundja, do të digjesha
Që nga themelimi,
kur ne i njohim stinët,
së bashku me varësinë tënde të mallkuar
në tokë dhe ajër dhe diell,
në shi dhe vesë.”
Selvia nuk përgjigjet.
Ajo e di se ka marrëzi në të,
dhe në lirinë,
dhe në imagjinatë,
dhe në shpirt.
Por flaka nuk do ta kuptojë,
flaka nuk do të besojë.

ME GJYSHIN

Ashtu si babai ynë Abraham
që numëronte yjet natën,
Ai i thirri Krijuesit të tij
nga zjarri,
dhe e lidhi të tijin djalë
në altar –
ashtu ishte gjyshi im!
I njëjti besim i përsosur
në mes të flakëve,
i njëjti vështrim- vesës
dhe mjekër me kaçurrela të butë.
Jashtë binte borë,
jashtë, ata gjëmuan:
“Nuk ka drejtësi,
asnjë gjyqtar nuk është këtu”.
Dhe në rrënojat e dhomës së tij,
kerubinët kënduan në kor këngë
të Jeruzalemit Qiellor.