Gazeta Nacional Albania

DO TË BJERË NATA… POEZI NGA SLLOVENIA.Përktheu: Anton PAPLEKA

Srecko Kosovel, 1904-1926

E QESHURA E MBRETIT TË DADA-SË

Urdhër dite nr. 35 :
Befas u duk
Se kuqëlimi i mbrëmjes
Është i rrezikshëm për shtetin,
Prandaj do ta shtien në burg
Kuqëlimin e mbrëmjes
Sa herë që do të shfaqet,
Në detin e zi.
Në mozaikun e praruar të varrezës
Ndrit kuqëlimi vezullues
I mbrëmjes.
Një kalë vetmitar
Shëtit nëpër fushë.
Magjia e kuqëlimit të mbrëmjes.
Kali është melanolik.

Jozhe Udoviq, 1912-1986

PIKAT E ERRËSIRËS

Mbi duart e mia përvëluese
Pika-pika bie
Errësira.

Nën tokë,
Oshëtin
Gongu i thellësive.

Asnjëherë ndonjë ujë
Nuk do të jetë më i cemtë,
Asnjëherë ndonjë puhi
Nuk do të jetë më e dëlirë
Asnjëherë ndonjë gjak
Nuk do të jetë më i kuq
Asnjëherë ndonjë pemë
Nuk do të jetë më e gjallë
Asnjëherë ndonjë farë
Nuk do të jetë më e blatuar.
Zërat do të jenë të vdekur.
Rrënoja
Qielli
Atje tej.

Matej Bor

TI DO TË SHTRIHESH SI TASHTI

Ti do të shtrihesh si tashti,
Por pakëz më thellë,
Me tokën do të jetosh si tashti,
Por pakëz më thellë.

Vetëm pakëz më thellë,
Megjithatë mjaft thellë,
Aq sa dora jote
Të mos e prekë dot barin e gjelbër.

Dhe koha do të rrjedhë me shpejtësi
-Si furtunë kalon një shekull-
Dhe pranë teje do të shtrihet
Ajo që jeton dhe ajo që ndiejmë.

Pra, kush do ta çajë kokën
Për atë që do të mbetet prej nesh,
Pas nesh, sepse në të vërtetë
Do të mbetet pakogjë.

Një gjurmë e hijeve tona
Dhe ndoshta ca kafka atje poshtë,
Në të cilat do të futet brenda dheu,
Para se t’i bëjë copë-copë.

Para se t’i mbushë, siç i ka mbushur
Mendja jonë me shqetësime,
Kohë më parë kur ajo vështronte
Botën e pakufishme.

Dane Zajc, 1929

ERA E VERDHË

Era e verdhë mbi një fushë të hirtë
Mbi një lumë me një ngjyrë të gjelbër të mbyllët.
Era dhe vera me krahë të ngarkuar
Me korba të sfilitur.

Pema e kuqe në një fushë të hirtë.
Pema vetmitare nën një qiell të kaltër.
Pema e heshtur në një fushë të heshtur.

Era e verdhë hodhi një grusht stërqoka
Te pema e kuqe.
Për një çast, ato mbetën të varura në degë
Si bistakë të rëndë e të zinj.
Pastaj duke frushullitur nëpër erën e verdhë
Ato kapërcyen ballin
Kapërcyen kraharorin
Dhe kapërcyen krahët e pemës së kuqe.

Koha priret drejt vjeshtës, stërqokat klithin.

Era dhe vera në një fushë të hirtë.
Pema e kuqe në një erë të verdhë.
Pema e kuqe, e vetmuar
Dhe ca stërqoka
Në fytyrën e ditës së vonuar.

Veno Taufer, 1933

VAJZA E VOGËL FLOKË BORE

Vajza e vogël fut në gojë
Flokë bore që lodrojnë

Kur në gjuhën e saj
Shkrihet një nga këta flokë që bien
Ajo rrezaton ftohtësi
Dhe lumturi.

Në të vërtetë, ajo shkruan
Me shkronjat e para
Që ka mësuar

Emrin e saj
Unë e shkruaj
Në borën e bardhë

Me një qiri të ngrirë
Edhe më të bardhë e shkruaj
I lumturuar nga përjetësia që shkrihet.

Mariyan Kramberger, 1938

DINOSAURI

Ti ende je aty, dinosaur i moçëm, vetmitar,
Hije e vetvetes, diçka që mbeti nga ajo krijesë
Që ishte lëshuar në botë, çelik i akullt
Dhe i ashpër që nuk shkatërrohet kurrë.

Prej kohësh ti nuk rron më, prej kohësh ke vdekur
Dhe je groposur, bujtës në viset matanë kujtimit,
Makth i qëmotshëm për sytë e habitur:
Diç që nuk ekziston më. Ti nuk duhej të ekzistoje,
Megjithatë ti je aty dhe rreth e qark, i patrajtë,
Siç ishte dikur universi që ta morën,
Por ti nuk di çfarë të bësh me këtë univers
Dhe vërtet, dinosaur i moçëm, vetmitar,
Ti bie në gjunjë te bari ku në heshtje
Rriten luleshqerrat dhe ti qesh fshehurazi.

Erika Vouk, 1941

DO TË BJERË NATA…

Do të bjerë nata, por pulëbardhat e mëdha
Ngjiten lart në ajrí,
Pak më parë, ato kishin një bardhësi verbuese,
Tashti, në prarimin e venitur të muzgut
Duken si zogjtë e zymtë e të hirtë të legjendës
Në anijen e vdekur të timonierit plak.
Batica zgjon kutërbimin e algve të vdekura.
Një hënë e vjetër me hundë të hollë e të gjatë.

Tomaz Salamun, 1941

KUFIRI

Ti e di, edhe vuajtja merr fund
Dhe mbetet veç pluhuri.
Kufiri është trupi im i gjallë.
Aty, fshatari ua vë zjarrin thëllëzave të tij.
Ai grabujit. Ai grabujit.
Për të pastruar tokën.
Ai djeg barin e thatë.
Ai pret dru dhe i shet.
Fëmijët i sjellin qumësht me ca karroca të vogla,
Me qëllim që kooperativa t’i paguajë gazin.
Ai i gëzohet shiut kur ka nevojë për shi.
Ai i gëzohet diellit
Kur dielli nuk i pëlqen atij, por u pëlqen grunjërave.
Ai është i lirë.

Meta Kusar, 1952

STINËT KALOJNË NË TRUP…

Stinët kalojnë në trup, siç kalojnë retë e zeza
Në një zymbyl.
Zemërimi lulëzon dhe e fishk kohën.
Gëzimin. Vargun. Gjithçka !
Vallë, si lulëzon mimoza te lënda yjore ?
Deri ku durimi e ka zili dritën e tij ?
Si të vësh rregull në depon kozmike të një kombi
Pa e prishur rendin e yjve të tij ?
Ku janë ata njerëz
Që asnjëherë nuk qenë fare afër dënimit ?
Atëherë është origjinale
Pavdekësia e tyre.

Ales Steger

KËPUCËT

Ato të mbrojnë
Me qëllim që të bashkohen sa më butësisht me rrugën.
Lajmëtarë që kërcasin midis teje dhe botës
Gjurmët e së cilës zhduken vazhdimisht.
Lëkurë dhe ca të qepura.
Edhe këpucët e tua janë qepur
Me fjalë lëkure dhe me të qepura.
Mbroji.
Ti mund të jesh lakuriq dhe i skamur,
Por me këpucë në këmbë kurrë nuk do të jesh i varfër.
Ato kurrë mos mbetshin të fshehura,
Të kthyera përmbys nën shtrat,
Të futura në dollap, të harruara në pullazinë.
Fli bashkë me to. Lahu bashkë me këpucët e tua.
Bëj dashuri i mbathur.
Ato të sjellshin në mendje përherë
Se këtu ti je vetëm përkohësisht.
Së shpejti duhet të vazhdosh rrugën më tej.
Mos i hiq nga këmba asnjëherë.
Kur t’i zbathësh, udhëtimi do të ketë marrë fund.
Si një cigan do të të shtien në dhé,
Këmbëzbathur e pa emër.