Site icon Gazeta Nacional Albania

Dr. Durim Çaça: Lexim i  “Teutana”, roman nga Alfred Duka

 

KUJTESA E GJALLË E THELLË E ASHKUT TË QENIES

 

Si një ligjërim i frymëzuar jo vetëm prej unit të pastër intelektual, dhuntisë dhe vullnetit të afirmimit të tij krijues, jo veç prej entusiazmit estetik, ëndjes prej ndikimit të një narracioni mbi një tjetër, apo ritmit të një rrëfimi tronditës e ngazëllyes, përmes të cilit ndan një ndiesi jete që e prek thellë, në një frymëzim për t’i parë gjërat siç janë, për të gjetur të vërtetën nga faktet që përdorim nga përjetësia, në një fiksion të tanishëm, të ri, të vrulltë, artistik, – shpërfaqet proza e bukur e letrares së prozatorit Alfred Duka. Një narrativë impresionuese që të sugjestionon e të përmbush me një hov të paepshëm jete, si në këtë vepër të shquar letrariteti, romanin “Teutana”, (botimet “Mediaprint”, 2025, Tiranë, promovimi i të cilit u bë këtë javë në sallën e Akademisë së Shkencave), si një ashk i kujtesës së gjallë më të thellë të qenies trupore e shpirtërore, një ajth ekzistencial personazhesh jetësorë grash dhe të një bashkëshorti e burri të dashuruar mes tyre, ngërthyer në një pasion të ethshëm dashurie e moraliteti, narrativë që shpërfaqet, herë-herë, po aq e pabesueshme sa dhe ajo reale, për nga ankthi erotik dhe dinjitetit të familjes, mes situatash njerëzore dramatike në zgrip, në një botë të sotme të drejtash universale dhe lirie fërgëlluese të individit n’ekstazën e këtij çlirimi, dhënë kjo përmes shenjash kohore, si shenja semaforësh, nëpër mjegullën psikologjike të subkoshoencës, intensës së rrëfimit dhe bio-grafemash gjallësore të jetës së kësaj epoke të re, me të cilat Duka yjëzon tekstin e tij të një literariteti moderniteti.

Përmes një gjetjeje syzheti origjinal, tensioni të brendshëm suspanse, përshkënditës, artistik (sa “bizar”, të çuditshëm, aq dhe të mistershëm), të thellësisë së ndiesive njerëzore në fiziologjinë e intimitetit, me të gjithë kurmin dhe afshin e gjallë jetësor të qenies, gjer dhe në atë të kujtesës së organeve gjenitale për njeri-tjetrin, të burrit dhe gruas, krijuar dhe ruajtur gjatë pathosit seksual të dashurisë bashkëshortore, Alfred Duka, ky prozator tashmë i fuqisë së thellësisë të rrëfimit artistik dhe të një letërsie të shquar, krijon këtë kryevepër të vogël, (për nga numri i faqeve narrative), me këtë “ashk të paepshëm, të fshehtë, të dhembshëm, të përjetshëm të kujtesës intime” respektive dhe njëherësh të dinjitetit të një gruaje të re, Teutës, për t’i qëndruar besnike afeksionit, ashkut të parë seksual, “gdhendur” në ndiesinë, thellësisht vetjake, personale, në “memorien” për organin e parë gjenital të Nikos, afeksion të cilin s’ia “kujton” më transplanti i të shoqit pas aksidentit, (por që për të dashurën e tij, Anën, edhe transplantimi i jep të njëjtin ngazëllim të hareshëm, ngaqë intimiteti i saj nuk ruan këtë “kujtesë fiziologjike”, por ndihet e lumtur prej personalitetit njerëzor të të dashurit), duke ia hequr kështu vetes, Teuta, përngaherë, bukurinë, ëmbëlsinë dhe ekstazën e afeksionit intim femëror, dhënë kjo, me një densitet të lartë përjetimi dhe ndriçmi humanist. Siç shihet, ndryshe nga frojdizmi i subkoshiencës së personazheve neurotikë apo histerikë të një pasionaliteti obsesiv dhe patologjik të Cvajgut, te kjo protagoniste e romanit të Dukës, kemi një lartësim të brendshëm të subkoshiencës së ndiesisë së intimitetit, drejt një dinjiteti dhe vetmohimi thuajse sublim.

(Na vjen ndërmend, në këtë rast, kryevepra e famshme e Xhon Gollsuorthit, (1867 -1933) “Saga e Forsajtve”, ku e gjithë familja e madhe e fuqishme shekullore londineze merr rrokullimën dhe arrin fundin e rrënimit të saj, nga braktisja që Irena, dashuruar me arkitektin pasionant, Bosini, (sepse dashuria krijon, në të shumtën e herës, veç zjarrit pasional të jetës, edhe perfeksionin e intimitetit), braktisje që i bën të shoqit, Soms Forsajtit, (i cili, nga ana e tij, thjesht e konsideron si pronën e vet trupore private personale “pasurore”, si çdo pasuri të vlefshme tjetër të tij dhe që mund ta thyej derën e dhomës së saj të gjumit, që ajo ia mbyll, në çdo kohë që ai ka për të dëshirë), shkaku i së cilës merret vesh nga letra e saj e privatësisë që lë për Somsin, para braktisjes së tij, të të shoqit, dhe që ishte mos-shijimi, mospëlqimi seksual i saj për të, në marrëdhënien e tyre shumëvjeçare martesore, (që bëhet e ditur për lexuesin vetëm në fund të romanit, të vëllimit të tretë), letër ku ajo shprehet me kurajo, (për një grua që konsiderohej e paturpshme të shprehte një gjë të tillë, në shekullin XIX), për mospërputhjen e saj të intimitetit me bashkëshortin, (një martesë borgjeze, ku shikohej fuqia dhe pasuria dhe jo një gjë e tillë “e vogël”, por që përbën, në thelb, fuqinë dhe bukurinë e një martese, lumturinë e së cilës nuk e sjell dhe as nuk e mbron nga shkatërrimi, as pasuria më e madhe dhe as pushteti më i fuqishëm).

Por, ndërkohë që nobelisti anglez (1932), në sagën e tij të shquar romanore, (1906 – 1920, për të cilën mori dhe nderimin letrar botëror), vetëm aludon, (se s’mund të guxonte më tej, me personazhet e tij të shtresës së shoqërisë së lartë londineze perandorake britanike, në puritanizmin e ngurtë e të rreptë fetar të kishës anglikane të moralitetit të epokës viktoriane të Britanisë së Madhe të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX), për këtë kurajo të epërme emancipimi të gruas së një bote civilizimi, (për të zgjidhur lidhjen martesore me të shoqin shumë të pasur e shumë të pushtetshëm, për shkak të mospëlqimit të saj seksual për bashkëshortin e vet), Duka, me romanin e tij, shkon akoma dhe më tej, në shkallën më të lartë të dinjitetit të intimitetit të një gruaje, të thellësisë më të skajshme së ndiesisë së saj, duke marrë kështu, Teuta, kjo grua lartësore, si qenie humane, një përmasë mitike e madhështore.

Dhe, për të kaluar nga bota e trillit fiksional letrar gollsuorthian, në realitetin tonë të përditshëm shoqëror e social, në shumë zgjidhje martesash që ndodhin çdo vit në familjet shqiptare të krijuara, veçanërisht, me mblesëri e ndërmjetësime, apo ndarje të partnerëve, apo të bashkëjetuesve, një pjesë e konsiderueshme e tyre, të cilat mbulohen, fshihen, apo përligjen si “mospërputhje karakteri”, “mospërputhje temperamenti”, apo “mospërputhje nivelesh kulturore”, në të vërtetë janë ndarje bashkëshortësh, apo bashkëjetuesish, për mospërputhje të ndiesisë së intimitetit gjatë marrëdhënies fiziologjike erotike, por që nuk do të mund ta shprehin publikisht edhe për shumë kohë të së ardhmes, një “argument” të tillë, për shkak të një poshtërimi e “linçimi” publik, madje, gjer dhe krimi, veçanërisht ndaj gruas, nga opinioni i ashpër, mizor, maskilist mizogjen, (që nuk mund të pranojë dhe të lejojë kurrë që një grua të mos pëlqejë një burrë për shkak të seksualitetit të tij), dhe kjo jo vetëm në botën e moralitetit zakonor shqiptar, por, thuajse, te të gjithë popujt e qytetërimet, edhe të modernitetit të shek. XXI.

Parë në këtë këndvështrim, romani i Dukës, “Teutana”, është një akt emancipimi i lartë, që buron nga një thirrje e thellë e subkoshiencës dhe qenies së gruas së sotme, në këtë rast, shqiptare, si madhështi humane, në një mënyrë të drejtpërdrejtë e të fuqishme përmes një arti të epërm letrar.

Dhe mu në këtë komunikim të pashterrshëm, fitimtar, të vendeve dhe kohërave, afirmohet zotësia e përgjithshme e letërsisë së fuqisë së bukur. Ndonëse artistët nuk janë të vetëdijshëm, vepra finale vjen si pasojë e një dëshire të madhe emancipimi. Ngaqë arti i krijimit është përpjekje për të hyrë në një botë të brendshme, të fshehtë, (sepse bota e arsyes është e ngushtë dhe e mbushur me kufij, ndërsa bota e pashfaqshme shpirtërore është e pakufishme dhe e pashterrshme) dhe sfidon veten të ndajë atë që sheh, në atë mënyrë që i lejon të tjerët të jetojnë shpirtëroren, me një fuqi dhe sinergji të re. Ngaqë, nëse besojmë tek njerëzimi, do të besojmë dhe tek arti, në një akt-besimi të shenjtë. Ku, shpërfaqja e një modeli të lartë të njerëzores, është çmimi i lirisë sonë, duke soditur tek arti, si te kjo vepër e admirueshme e Dukës, të përkohshmen, të epërmen dhe të përjetshmen flakë të krijimit dhe të ajthit humanist…

 

 

 

Exit mobile version