Site icon Gazeta Nacional Albania

Dr. Mujë Buçpapaj: Për librin “Portrete dhe monografi të Xhelal Markut, gazetarit që ndërton kujtesën e kombit

 

Të nderuar pjesëmarrës, studiues, krijues dhe miq të kulturës shqiptare,

Sot jemi mbledhur për të ndarë një përvojë të veçantë leximi e meditimi, për të folur mbi një vepër që, në thelb, është një akt kujtese kombëtare.
Bëhet fjalë për veprën “Portrete dhe Monografi (Vëllimi i parë)” e shkrimtarit Xhelal Marku, një autor që për dekada të tëra ka qenë pjesë e ndërgjegjes sonë mediatike, letrare dhe qytetare.

Në çdo faqe të kësaj vepre, lexuesi ndien pulsimin e një përvoje jetësore të gjerë, të përftuar në terren, përmes kontakteve me njerëz realë, me ndërtues, arsimtarë, mjekë, dijetarë, minatorë, poetë e misionarë të shpirtit.
Këta janë njerëzit që kane ndërtuar dhe ndertojne  çdo ditë Shqipërinë e vërtetë, dhe që shpesh mbeten jashtë kujtesës zyrtare.
E pikërisht këtu qëndron misioni i autorit: të ruajë kujtesën e virtytit shqiptar, përmes artit të fjalës dhe sinqeritetit të rrëfimit

 

  1. Hyrje: Gazetari që ndërton kujtesën e kombit

Në traditën e letërsisë dokumentare dhe të publicistikës shqiptare bashkëkohore, emri i Xhelal Markut qëndron me dinjitet në radhën e autorëve që kanë ditur ta kthejnë përvojën profesionale të gazetarisë në një formë arti dhe dëshmie kulturore.
Me një përvojë mbi pesë dekada në Median Kombëtare, në shtypin e shkruar, në radion dhe në televizionin publik shqiptar dhe televizionet private,  Marku e ka ushtruar profesionin e tij si një mision qytetar dhe estetik: për të njohur, regjistruar dhe përjetësuar njerëzit e punës, të dijes, të shpirtit krijues dhe të sacrifices kombetare.
Kjo frymë përshkon tërë krijimtarinë e tij, që nga veprat studimore dhe dokumentarët televizivë, deri te ky botim madhor, “Portrete dhe Monografi” (Vëllimi i parë), (botim i “Arte graphic”, Tiranë,  një libër që vjen si sintezë e jetës dhe përvojës së tij, si gazetar dhe si shkrimtar.

Në fjalën hyrëse të vetë autorit, ai pohon se ky libër është një dedikim për njerëzit më të mirë që ka njohur në udhëtimin e tij professional, njerëz të punës e të përkushtimit atdhetar e patriotik, që kanë ndërtuar vlera me duar, dije e ndershmëri. Kjo ndjesi falënderimi dhe respekti njerëzor është pikënisja etike e gjithë veprës: një akt mirënjohjeje ndaj brezave që ndërtuan Shqipërinë me mund, dije e shpirt fisnik.

 

  1. Karakteri i veprës dhe struktura e saj

Libri është ndërtuar si një mozaik monografish portretizuese, ku secila faqe sjell në qendër një figurë reale, të njohur ose të harruar, që me jetën dhe punën e vet ka lënë gjurmë në historinë e shekullit shqiptar.
Në këtë vëllim të parë, autori ka përzgjedhur 25 portrete që shtrihen gjeografikisht në hapësirat e Dibrës, Mirditës, Lurës, Kukësit, por edhe më gjerë, duke ndërtuar një hartë njerëzore të Shqipërisë punëtore e mendimtare.
Nga mësuesi i përkushtuar Nikoll Pjetër Doçi te mjeku human Dr. Mehdi Cani, nga ndërtuesit dhe inxhinierët si Nuzet Xheneti, Idriz Kukeli e Dod Legisi, deri te figurat e gruas shqiptare si Hane Mena Vladi, Marjana Sulejmani dhe Vera Gjonaj, libri përbën një galeri të gjerë personalitetesh që mishërojnë dignitetin, humanizmin dhe përkushtimin qytetar.

Këto portrete janë më shumë se biografi; ato janë narrativa morale, ku faktet e jetës shkrijnë kufijtë me artin e rrëfimit.
Siç vëren me të drejtë studiuesi Zekeria Idrizi në parathënien e tij, vepra mund të klasifikohet si një “enciklopedi kombëtare” për nga gjerësia e fushave që përfshin dhe për nga finesa e stilit përshkrues.

 

  1. Dimensioni stilistik dhe figuracioni letrar

Një nga veçoritë më të spikatura të këtij libri është gjuha e pasur figurative dhe stili i qartë publicistik, që e dallon Markun si autor me formim të dyfishtë, letrar dhe dokumentar.
Në portretet e tij, përshkrimi i natyrës, i peizazheve shqiptare, i odave e i kullave, i njerëzve në punë apo në meditim, është i ndërthurur me një lirizëm të përmbajtur dhe një estetikë vizuale që të kujton përvojën e autorit si regjisor, dokumentarist dhe kameraman.
Në tekstet e tij, fjala merr funksionin e kamerës, që ndriçon hollësi dhe jep ngrohtësi emocionale. Figura njerëzore nuk është statike, por lëviz në një hapësirë reale e shpirtërore, duke u bërë simbol i qëndresës, dijes dhe dashurisë për atdheun.

Marku e ndërton portretin me kujdes si një skulptor i fjalës, që skalit karakterin përmes detajeve të vogla: një gjest, një fjalë, një kujtim.
Ky është stili i realizmit etik, ku nderimi për njeriun nuk kthehet në retorikë, por në dëshmi konkrete. Në çdo portret ndjehet “drita morale” e personazheve, ajo që autori e sheh si thelb të qenies shqiptare.

  1. Konteksti letrar dhe krahasimi

Në horizontin e letërsisë shqiptare, “Portrete dhe Monografi” lidhet me traditën e prozës dokumentare dhe të portretit realist që e kanë ushtruar autorë te tjere te njohur.
Megjithatë, Marku e pasuron këtë traditë me përvojën moderne të gazetarit dhe dokumentaristit, duke e bërë tekstin një urë midis letërsisë, historisë dhe sociologjisë.
Në një plan më të gjerë,vepra e Markut nuk është thjesht një arkiv emrash, por një mendim estetik mbi njeriun shqiptar si bartës vlere dhe identiteti.

 

  1. Vlera kulturore dhe dimesioni kombëtar

Sipas studiuesit Zekeria Idrizi,  te cilin e pergezoj per punen e shkelqyer  te redaktimit dhe paratheien e librit, Marku ndërton në këtë libër një “kështjellë fjalësh”,  një metaforë që përmbledh misionin e tij për të ruajtur themelet shpirtërore të kombit.
Në fakt, veprat e tilla janë akt ruajtjeje të kujtesës kombëtare, në një kohë kur shumë figura të punës e të kulturës rrezikojnë të humbin në harresën publike.
“Portrete dhe Monografi” rikthen dinjitetin e njeriut të zakonshëm, të specialistit, të mësuesit, të minatorit, të mjekut e të poetit, duke i bërë ata protagonistë të historisë shqiptare.

Në këtë kuptim, libri është një kontribut në sociologjinë e kujtesës dhe në letrat dokumentare shqiptare. Ai ndërton ura midis brezave dhe e fton lexuesin të reflektojë mbi vlerat që mbajnë gjallë kombin: puna, modestia, besa, dashuria për dijen dhe për tokën.

  1. Përfundim: Letërsi e ndërtuar mbi nderimin e të tjerëve

Të nderuar pjesëmarrës

Xhelal Marku zë një vend të veçantë dhe të qëndrueshëm në historinë e publicistikës dhe gazetarisë shqiptare të pesë dekadave të fundit, si një ndër figurat më përfaqësuese të medias kombëtare dhe të kulturës dokumentare shqiptare. Si gazetar, redaktor, autor dhe dokumentarist në Radio-Televizionin Shqiptar dhe televizinet private, apo edhe në shtypin prestigjioz të vendit, ai ka ndërtuar një model profesional të gazetarit të formuar intelektualisht, që ndërthur informacionin me analizën, kronikën me reflektimin, reportazhin me artin e rrëfimit. Kontributi i tij është i gjithanshëm: nga lajmi dhe kronika e terrenit, te dokumentari televiziv e reportazhi hulumtues, nga publicistika kulturore e deri te letërsia dokumentare, që e kulmon me veprën “Portrete dhe Monografi”, një testament letrar i kujtesës shoqërore shqiptare. Krahas kësaj veprimtarie të gjerë mediatike, Marku është dalluar si studiues dhe ekspert i turizmit, autor i librit themelor “Turizmi Shqiptar” (2012), duke kontribuar në zhvillimin e mendimit bashkëkohor mbi trashëgiminë dhe identitetin kulturor kombëtar. Figura e tij është e njohur dhe me ndikim të ndjeshëm edhe në hapësirat shqiptare të rajonit e më gjerë, ku njihet si një zë i urtësisë, profesionalizmit dhe ndershmërisë intelektuale, siç e dëshmon dhe botimi monografik kushtuar atij, “Xhelal Marku, gazetari akademik me penë e kamera” (Fran Lleshi, 2024).

Në përmbyllje, mund të thuhet se “Portrete dhe Monografi” është një libër me mision, një dokument kulturor dhe etik që dëshmon se publicistika mund të jetë po aq art sa edhe letërsia e mirëfilltë.
Në duart e Xhelal Markut, gazetaria bëhet akt kujtese dhe akt dashurie për njeriun, ndërsa fjala e tij,  e thjeshtë, e saktë, e ngrohtë, i jep artit të portretit një dimension të ri: atë të mirënjohjes.

Ky vëllim, i pari në një seri që pritet të vazhdojë, dëshmon për forcën e kujtesës krijuese së autorit dhe për misionin e tij të pandalshëm për të dokumentuar e ndriçuar vlerat e kombit shqiptar.
Në një kohë të ndryshimeve të shpejta shoqërore e kulturore, vepra të tilla na rikujtojnë se historia e një kombi shkruhet jo vetëm nga pushtetarët dhe figurat publike, por nga njerëzit e ndershëm të punës dhe të dijes.

Kjo është edhe thelbi i mesazhit të Xhelal Markut:

“Të gdhendim me fjalë kujtesën e njerëzve që kanë ndërtuar jetën, sepse pa kujtesë nuk ka identitet, e pa identitet nuk ka komb.”

Shume urime miku im Xhelal Marku!

Ti që ke nderuar dhe përjetësuar gjithë jetën të tjerët, me shumë dashuri dhe idealizëm , qofsh i nderuar dhe i vlerësuar për jetë,  Ti bashkë me familjen, fisin dhe njerëzit tu që të duan dhe të mbështesin të bësh të tilla vepra të rëndësishme kombëtare!

Nuk thonë kot në Dibër  “I nderuari të nderon”!

Ju faleminderit!

Tiranë, 1 nëntor 2025

*Fjala është mbajtur në promovimin e librit të Xhelal Markut, në selinë e Amasadës së paqes në Tiranë.

Exit mobile version