Gazeta Nacional Albania

 Dr. Mujë Buçpapaj: SHKRIMTARI SHEFKI KARADAKU, INDIVIDUALITETI KRIJUES DHE NJERËZOR

Në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta të mikut tonë Shefki Karadaku kemi rast për të risjellë fuqinë e veprës së tij letrare, si një korpus origjinal prej 35 veprash ne prozë dhe poezi, e cila mendoj se pati dhe ka një ndikim  në letërsinë tonë kombëtare.

Si studiues, kam vënë re se vendi i Shefki Karadakut  në letërsinë shqiptare nuk është përcaktuar kurrë në mënyrë të kënaqshme nga kritika letrare dhe historianët e letërsisë dhe kjo mendoj për shumë arsye.

Së pari Karadaku ishte një poet dhe prozator i rrallë që shkroi jashtë rrjedhave zyrtare dhe metafizka e harmonisë së tij krijuese nuk u vinte për shtat koncepteve të kritikës standarte të realizimit socialist.

Kjo kritikë nuk i dha vendin e merituar, por edhe Shefkiu ishte nënçmues si ndaj kritikës ideologjike ashtu edhe ndaj asaj klanore dhe të çorientuar të pas viteve 1990.

Së dyti Shefkiu ishte një individualitet i fortë njërëzor dhe poetik, ishte një lirik i ciltër, mjeshtër i vargut dhe i teknikës poetike dhe këto i mjaftonin për të qëndruar larg poezisë së angazhuar dhe brohoritëse që siguronte shpesh privilegje, karrierë dhe shpërblime zyrtare.

Shefkiu  qysh me librin e parë me poezi “Kënga e karrove të drithit”, botuar më 1967 shenoi një kthesë në lirikën e kohës, duke marrë admirimin e mijëra lexuesve. Ky origjinalitet vijoi i pazbehur deri në vitet 2010 kur ai e pasuroi më tej këtë poezi duke mbetur besnik i stilit të tij, teknikave dhe metrikës së tij klasike. Ashtu si Poradeci pati një inspirim të përjetshëm liqenin edhe Shefkiu e pati Elbasanin e tij, të cilit i kushtoi katër libra me poezi.

Së treti, mendoj se Shefkiu si poet nuk ishte i rehatshëm për kritikën. Ai ishte në zë i pagabueshëm poetik dhe lirika e tij mistike nuk kishte parasysh këtë kritikë, gjithmonë të njëanshme, por një liri individuale universale si një vepër me ndikim të gjatë si një eksplorim gjuhësor dhe përvojë e rrallë njerëzore që i drejtohet sa bashkëkohësave aq edhe  së ardhmes.

Së katërti gjuha, leksiku, ligjërimi, lënda, teksti, nënteksti, kuptimet dhe nënkuptimet, inteligjenca dhe filozofie krijuese,  ishin shumë përpara mediokritet që përgjithësisht kishte mbytur kritikën nga njëra etapë në tjetrën.

Qenderimi ndaj vepres letrare te Shefki Karadaku ka zbuluar humnerën e madhe që ndan këtë kritikë dhe trupë studimore në përgjithësi me vlerat e mirëfillta letrare që i qëndruan dhe do t’i qendrojnë kohës jo falë vlerësimeve të jurive klanore, nisur me kritere jashtë letare dhe jashtë estetike, por për shkak të fuqisë artistike dhe lidhjeve me të ardhmen. Shefkiu mbetet si poet lirik në historinë tonë të letërsisë, si vijues dinjitoz i kësaj tradite dhe  brenda kësaj tradite të madhe poetike shqiptare, me një numër të konsiderueshëm të poezive  të tij të përzgjedhura nga librat: “Kënga e karrove të drithit”, botuar më 1967, “meloditë e Shkumbinit” 1968”, “Ylberi” 1973, “Mozaik lirikash”, 1977, “Toka e etërve 1980, “Ujëvarë” 1983, “Feniks” 1972, 1985, 1993 si dhe “perëndimi i gjatë”, 1994.

 

 

Së pesti Shefki Karaduku dhe vepra e tij në prozë janë një një monument i vuajtjes dhe inspirimit të thellë lirisë. Karadaku  që nga romani “Puthja e ngrirë” 1993, deri tek “Vila e magjepsur”, ka evokuar fatet tragjike njerëzore në kohë okupimesh ideologjike, moniste.

Ai përmes ndërthurjesh të jetës bashkëkohore në liri me historinë tronditëse të totilatarizmit, ka pasuruar prozën bashkëkohore dhe rritur atë, pavarësisht heshtjes  së kritikës. Shefkiu ishte një mjeshtër i prozës, ishte një shkrimtar i lirisë, pra edhe “një shkrimtar pa leje” siç thotë një miku im. Ai mbijetoi vetëm falë talentit të tij duke i dhënë akses jetës njerëzore përmes një rrëfimi të sofistikuar dhe magjepës.

Ndryshe prej shumë krijuesve, Shefkiu si poet dhe shkrimtar ishte rezistent dhe indiferent ndaj strukturave të pushteteve në të gjitha kohërat. Në të gjithë prozën e tij si: “Rrugët e para “ novelë 1968, “Kur kërrasin bocet e piashave, novelë 1973, “Puthja e ngrirë” roman 1993, “Arkavia e largët”, novelë 19993, “Njëmijë vjet dashur” roman pjesa e parë 1994, “Argonautët”, roman pjesa e dytë 1994, “Gjenerali nuk deshiron të vdesë kot”, roman 1995 “Vila e magjepsur 1996 etj, ai është një mbrojtës i fatit të individit.

Ai, shumë zhgenjime dhe disfata të njeriut shqiptar i sheh si pasojë keqpërdorimit të lirisë nga strukturat abuzuese të pushtetit, prandaj  si itelektual, si shkrimtar dhe njeri erudit, ishte spketik i përhershëm ndaj tij. Në të gjithë prozën e tij ka revoltë të fuqishme, ndaj devijimeve të shoqërisë, të kthesave dramatike të qytetrimit tonë, pasi ai ishte një eksplorues i shoqërisë së aryes, humanizmit dhe lirisë, tipare këto që e bëjnë atë një shkrimtar të gjithëkohshëm.

Së gjashti Shefkiu ishte një shpirt melankolik i qytetit të origjinës së tij Elbasanit, një qytet ku ndërthuren kultura, mite dhe  trashëgimi të forta të botës shqiptare. Kjo i ka mjaftuar për të qënë një poet sfidues nga zhurmave dhe ndikimeve jo estetike.

Kur lexojmë Shefkiun ai na detyron të dalim nga zhurmat e përditshme të ekzistencës tonë të kërcënuar nga varfëria, semundjet, epidemitë dhe luftrat, për të hyrë në magjinë e lirikave të tij, plot ndjesi muzikore dhe zëra që vijnë nga një botë tjetër mistike , ideale që ai është përpjekur të krijojë dhe rikrijojë për ne dhe për lexuesit që do të vijnë pas nesh.

Vepra e tij në prozë, si një faqe plot dramë e historisë, e shkruar me një zgjuarsi të madhe gjuhësore dhe e shrehur në forma të panumërta, sjell revoltën, protestën e njeriut të pafuqishëm kundër arbitraritetit të historisë tonë.

Ai i bën një shqyrtim të pakorruptueshëm kësaj shoqërie  që është vetë jeta e tij,  që është vetë jeta jonë, por edhe më tej është një histori e gjithë njerëzimit.

 

 

 

 

Bordi Editorial Ndërkombëtar i gazetës “Nacional”

 

I jep shkrimtarit Shefki Karadaku  “Çmimin për vepër jetësore” me motivacion:

 

 “Vepra e tij, si një shprehje e vuajtjes dhe guximit krijues, ndërthur bukurinë lirike, me narrativën tragjike të ekzistencës,  fuqinë epike me kërkimin e së vertetës, e cila ka ushtruar ndikimin më të madh  në letërsinë bashkëkohore shqiptare, me mesazhe të forta për të gjithë njerëzimin.”

 

Për Bordin Editorial Ndërkombëtar të gazetës “Nacional”

 

 

Kryetari

 

Dr. Mujë Buçpapaj