NË DIALOG ME ARTIN E MADH LETRAR
– Përkitazi me dy librat të Anton Nikë Berishës: “Mbi disa kryevepra të letërsisë botërore” (2022) dhe “Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë”( 2023)
Anton N. Berisha vitin që shkoi dhe këtë vit botoi dy libra të rrallë: “Mbi disa kryevepra të letërsisë botërore” (2022) dhe “Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë”, na e dha, për herë të parë, një referencë udhërrëfyese të leximit e studimit letrar. Puna e tillë kurorëzohet pas një veprimtarie të shumëfishtë si studiues i letërsisë shqipe me dhjetëra e dhjetëra studime monografike letrare, me vëllime të tëra të mendimit teorik letrar e të vlerësimeve kritiko-letrare, pas një vargu përkthimesh të disa nga këto kryevepra të letërsisë botërore, duke i përcjellë ato me punime studimore. Po ashtu, këta dy libra vijnë edhe pas dhjetëra e dhjetëra përzgjedhjesh të veprave poetike nga poetes shqiptarë, që iu ka bërë ky autor, gjithnjë duke i argumentuar me nga një studim të mirëfilltë letrar për secilin poet të përzgjedhur. Kur e kemi parasysh edhe faktin se punimet që përfshihen këtu, janë shkruar prej viteve ’70 të shekullit të kaluar e deri në vitet e fundit, do të vërejmë se këta dy libra janë tejet të rëndësishëm për letrat tona, për shkak se për herë të parë ofrohet modeli më serioz e pamja më e kompletuar e vlerave letrare ndër ne. Duke i emërtuar të dy vëllimet me referencën nocionore “kryevepra”, autori ka pasur parasysh ato krijime letrare që nuk bëjnë mort, që janë të përhershme, që kanë një rrezatim leximi e receptimi të veçantë, që kanë, mbi të gjitha, siç shprehet disa herë autori, shtjellim të lartë poetik, vepra që “dallohen si tekste poetike, si mënyra të lartësuara shtjelluese dhe si shumësi shprehëse dhe kuptimore”. Përgjithësisht, një kryevepër ose magnum opus, siç njihet në teoritë letrare, është një vepër e krijuar me mjeshtëri të mahnitshme ose vepra më e madhe e një artisti; është një vepër madhështore dhe e përsosur, me vlerë të madhe.
Nga ana tjetër, i ndërgjegjshëm se vlerësim-studimet nuk mund të jenë fjala e fundit, nuk mund të jenë mbyllura, pikërisht për shkak të pluralitetit artistik e të tipologjisë së leximit e lexuesve, autori nënvizon:
“Kushdo që në punën e vet në fushën e letërsisë dhe për letërsinë gjakon të japë gjykime të prera, mendime që nuk lejojnë mundësinë të thuhet edhe ndryshe, ai ose nuk e njeh mirëfilli natyrën e artit të fjalës, të letërsisë, ose mbështetet në krenarinë e tij në qenësi vetë rrënuese. Në qoftë se nisemi nga fakti tashmë i pranuar nga disa nga studiuesit më të shquar botërore se tekstin poetik e cilësojnë kuptimësi të shumta e të ndryshme, ndonjëherë të pafund, atëherë mbështetesh në diçka mirëfilli të qenësishme, ndërsa t’i përcaktosh gjërat në tekstin e një vepre letrare poetike si mundësi e vetme, t’i sjellësh në një kuptimësi, domethënë ta sjellësh tekstin e tyre në atë rrafsh që nuk i përket atij, të synosh ta zhbësh atë.”
E, pra, autori gjithçka e lë të hapur. Së këndejmi, edhe përkufizimi e referenca për lexim që në titujt e librave “Mbi disa kryevepra” ose “Rreth disa kryeveprave”.
Të dy veprat, secila prej tyre, ndahet në dy pjesë: “Vepra në poezi” dhe “Vepra në prozë”.
Kësisoj, te libri i parë autori përfshin
- “Mbi disa kryevepra të letërsisë botërore”:
vlerat e amshueshme letrare
Kështu, te libri i parë, studimet e tij i nis me veprën e parë të letërsisë botërore “Epi i Gilgameshit”, të cilën autori e ka përkthyer e botuar më 1984, ndërsa në Shqipëri ajo ka pasur edhe dy botime të tjera, ndërkohë që pikërisht për këtë përkthim ai ka fituar edhe shpërblimin “Asdreni” në Korçë më 2009. Për këtë kryevepër të letrave botërore, autori veçon temën e përjetshme të ballafaqimit të njeriut me vdekjen, me tmerrin e saj e me karakterin kalimtar të jetës, preokupimin e njeriut me përjetësinë e rininë e përhershme, ashtu sikundër veçon edhe vlerat artistike, siç janë mënyra e rrëfimit krijimi tablove e imazheve, apo transponimi i botës së brendshme të personazheve e, duke dhënë edhe një varg cilësish të tjera që e bëjnë të jetë kryevepër. Do të thoshim se tek secili punim kërkohet e veçanta e veprës. Autori i shquar francez i lëvizjeve avangarde të shekullit XX, Jean Cocteau, do të thoshte: “Një kryevepër është një betejë e fituar kundër vdekjes”, kurse francezi tjetër i shuar, Albert Camus, nënvizon se “Një kryevepër e vërtetë nuk thotë gjithçka.” Vlera të tilla, të veçanta e të spikatura të artit poetik, autori, pra, gjen që nga lashtësia. Dhe, në këtë drejtim, ai na i sjell edhe katër punime që kanë të bëjnë me katër vepra të tjera të shquara , siç janë punimet “Psalmet – “Kopsht i simboleve dhe i përfytyrimeve” (që i përktheu vetë shqip e ku veçohet qenësia e psalmeve për njeriun e secilës periudhë, si dhe shprehja poetike e përvojës religjioze), pastaj “Kënga e këngëve” – kryevepër poetike e dashurisë dhe e jetës” (po ashtu përkthim autorial e ku brenda këtij libri ky punim përbën një studim monografik më vete), “Poema Gjeorgjikat – dëshmi e artit të madh” (ku spikatet bukuria e natyrës, e punës, si dhe shtjellimi mjeshtëror i strukturës tekste, si dhe mjeshtërinë e jashtëzakonshme të përkthimit të kësaj vepra nga ana e Gjon Shllakut), dhe “Kënga e Nibelungëve – një vepër e qenësishme e letërsisë gjermane”(ku autori shqip ka përkthyer këngën e parë e të pestë dhe ku, te ky ep gjerman, përveçon unitetin e veprimit epik, me përshkrimet e bukurisë). Këto janë ballafaqime të mendimit të tij kritik e studimor me vepra të të veçanta, gjithsesi me ato vepra që në shqip nuk kanë ndonjë receptim a histori leximi, siç e kanë, bie fjala, veprat e Shekspirit apo të Dostojevskit. Vepron kësisoj, duke u nisur gjithnjë nga premisat e artit të madh, art që e hulumton ndryshe, duke e befasuar edhe lexuesin: e gjen te një vepër, por e gjen edhe vetëm te një poezi, siç është, në këtë rast poezia “Duke e harruar një ëndërr” e Jorge Luis Borges, e përkthyer shqip nga don Robert Kolaj. Gjithnjë i preokupuar me të bukurën, me ndjesinë e dashurisë, apo me ballafaqimet e njeriut me realitetin dhe kohën, edhe kësaj radhe autori e gjen ëndrrën si objekt të vështrimit poetik të Borhesit, me forcën e ndikimit estetik që ka kjo poezi. Në këtë rast, autori përdor metodën e interpretimit letrar e ku qëllimi i interpretimit është zbërthimi e zbulimi i kuptimeve të tekstit, jo atyre të autorit, në këso rastesh, studiuesi Berisha merret gjithnjë me shumëkuptimësinë e tekstit, një përligje teorike, të cilën ai e ka zbërthyer e zbatuar që në vitet ‘70, siç ëna e thonë edhe veprat e tij Përkime poetike. Kritika letrare. “Rilindja”, Prishtinë 1978. “Teksti poetik” (1984) apo “Shumësia kuptimore” (1990).
Këtë metodë interpretimi ai e përdor edhe në pjesën e dytë të kësaj vepre, për krijimet në prozë, siç janë interpretimet për veprën “Silvia” të Nervalit që cilësohet si një kryevepër poetike e dashurisë së trazuar, apo për tregimin “Manteli” i Gogolit me titullin “Dramatikja dhe tragjikja e zhbërjes shpirtërore dhe e paqenësisë shoqërore “, për novelën “Histori të mërzitshme” të Çehovit që autori e përkufizon si një kryevepër poetike. Në këtë drejtim, si kryevepra i trajton edhe tregimin “Sytë e vëllait të përjetshëm” të Stefan Cvajgut dhe romanin për fëmijë “Princi i Vogël” – botë komplekse poetike në perceptimin e fëmijës”. Ashtu sikundër vërehet, kryevepra cilësohen jo vetëm një poezi, por edhe një tregim, edhe një novelë, edhe një roman për fëmijë. Thelbësore, në këso rastesh, janë artistikja, gjuha poetike, pasuria e botës së ndërliqshme të ideve, kuptimeve etj. Më se njëherë ai kryeveprat e tilla i quan vepra të mendjes, d.m.th. analizat, shtjellimet dhe interpretimet do t’iu përgjigjen edhe pyetjeve: çfarë do të thotë të jesh krijues, ku e ka burimin të menduarit krijues, a është kjo një prirje që mund të mësohet apo më shumë një tipar i lindur. Ky gjeni krijues është edhe një vetmitar, edhe një ëndërrimtar. Janë shkrimtarë që krijojnë një realitet të dytë e që quhet realitet artistik.
- Vëllimi “Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë”
Me këso premisash teoriko-letrare autori na e sjell edhe veprën e dytë “Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë”. Kur tek këto punime përdor nocionet personalitet krijues dhe individualitet krijues, ai ka parasysh se të tillë mund të quhen jo të gjithë ata që shkruajnë e krijojnë letërsi. Së këndejmi ai na i sjell në tryezën e leximit poetë si Nikollë Filja, Anton Santori, Zef Skrioi, De Rada, apo Ndre Mjeda e Fishta nga autorët e traditës; apo poetë bashkëkohorë si Mark Krasniqi, ndërsa kur shkruan për poetët Azem Shkreli, Mirko Gashi, Frederik Respja, Ali Podrimja, Ramadan Musliu, Sabit Rrustemi apo Prend Buzhala, ai këtë e bën në cilësinë autoriale të librave poetikë që janë përzgjedhje e tij për këta autorë. Nga autorët në prozë veçon veprën “Pasqyrat e Narçisit” të Ernest Koliqit, “Dranja” të Marton Camaj, “E madhe është gjëma e mëkatit” e Miteush Kutelit, romanet “Qyteti i fundit” të Petro Markos, “Lumi i vdekur” të Jakov Xoxes, “Kronikë në gur” të Kadaresë, tre romane të Nasi Lerës, romanin për fëmijë “Zogu i bardhë” të Rifat Kukajt, romanin “Funerali i pafundmë” i Visar Zhitit, romanin “Pikëpjekja” të Ymer Shkrelit; si dhe vëllimin me tregime “Dënesje në dru” të Lazër Stanit. Vazhdon me metodën e tij të interpretimit, për tregimet “Re e mllefun” të Hivzi Sulejmanit dhe tregimit “Kulla” të Anton Pashkut.
Çka përligj tek këto krijime që autori i cilëson si disa nga kryeveprat e letërsisë sonë? Dhe cili është koncentrati artistik që na e sjell këtu.
Kur shkruan për veprën poetike “Këngëtorja arbëreshe” të , Anton Santorit, autori citon thënien e studiuesit japonez Yukio Mishina, se thelbi i kulturës është forma, që, në mënyrë metaforike, mund të përshkruhet si një kristal nëpërmjet të cilit mund të shohim shpirtin e një kombi, atëherë në veprat e përzgjedhura shihet shpirti i shkrimtarëve në veprat që krijuan. Secila vepër, secili krijim i përzgjedhur, është i denjë për përfaqësim, sepse vjen pas puna e tillë vjen pas një përvoje jashtëzakonisht të pasur në lëmin e letrave, me përkushtimin e madh studimor, si dhe me kontaktet e shumta studimore me qendrat e literaturës botërore, siç i ka bërë këto autori në Gjermani, Kroaci apo Itali. Përgjigjet ai nuk i kërkon vetëm te vepra përkatëse, por edhe te kjo literaturë e cituar, që na shfaqet kaq e gjerë, pothuajse e pafund, e një universi të dijes përmasash kolosale. Është ai ndërkomunikim i teksteve që kërkon përgjigje të shumanshme për secilën fenomen, ide, dukuri, motiv apo veçori artistike. Ky ndërkomunikim shfaqet jo vetëm në cilësinë e citateve shteruese, të pasura e zhdrivilluese, por edhe në dialogun letrar me këto tekste, me tekstet që i merr në trajtim e me ato të teoricienëve, kritikëve, studiuesve, krijuesve, dijetarëve të profileve të ndryshme, qofshin ata të huaj apo shqiptarë, me veprat e tyre nga shumë fusha të dijes letrare.
Ashtu sikundër vërehet, verat dhe autorët iu takojnë kohëve të ndryshme dhe hapësirave kudo ku jetojnë shqiptarët. E bukura, arti i madh, qenësia artistike, magjia e fjalës, kumti poetik, rrafshi kulmor poetik etj., nuk njohin vetëm një hapësirë e vetëm një kohë. Kështu, kur shkruan për poezinë e Azem Shkrelit, të cilën vlerëson si një shqiptim poetik thellësor të shpirtit e të botës së njeriut tonë, ai vë në pah: “Për të vënë komunikim me këtë poezi kërkohet një ndjenjë e ngritur për lexim të kujdesshëm dhe të thelluar… Secili lexim i ri i kësaj poezie, siç ndodh me veprat e mëdha artistike, të thellon dhe t’i shpalon cilësitë e saj…”. Kurse për romanin “Lumi i vdekur” të Jakov Xoxes, thotë: “Përbërësi kryesor që e bën romanin ‘Lumi i vdekur’ të Jakov Xoxes një nga kryeveprat e letërsisë sonë, është gjuha dhe të shprehurit e pasur poetik…”.
Studiuesi A. Berisha gjuhën poetike nuk e kërkon vetëm në poezi, e kërkon te secili zhanër, si te romanet e e larttheksuara, si te tregimet, si te vepra “Jerina ase mbretnesha e luleve” e Fishtës, si te veprat për fëmijë etj. kjo është e përbashkëta e veprave që trajton, por ato kanë edhe atë që Edgar Moren do ta konsideronte diversitetin si thesar të të jetës së njerëzimit, e, gjithësi, edhe të artit letrar.
Autori, mbase, na shkakton habi me qëndrimin e tillë, por kështu nuk ndodh, pasi t’iu biem në fund leximit të këtyre dy librave. Do të thoshim se qasjet autoriale ndaj këtyre veprave, i takojnë kundrimit të brendshëm kritik. Ai na dëshmon se nuk ka paragjykime të emrat e njohur a më pak të njohur, te hierarkia e zhanrit letrar apo te vepra e krijuar në regjimet totalitare apo të lirisë së shprehjes. E veçanta, jo vetëm tek këta dy libra, por edhe tek librat tjerë, është qëllimi tij që të shkruajë për autorë e vepra kulmore, të ballafaqohet me majat e artit, me artin e madh e artin e mendjes, siç thotë ai, dhe, nga këto thellësi e lartësi piketimesh estetike, ta kundrojë veprën letrare. Leximi i tillë është sfidues shumëfish. Në letërsi përdoret edhe nocioni klasik, së sipas Enciklopedisë kroate, shënjon “çdo gjë që ka vlerë të përhershme, të pakalueshme, dhe të njohur botërisht (sidomos në letërsi dhe art).” Kur Hegel i vlerësonte kryeveprat i shpirt i kombit, për Gëten ai thoshte: “Në këngët e Gëtes ne gjermanët zotërojmë pa dyshim kompozimet poetike më të përsosura, më të thella dhe më me ndikim të kohëve moderne. Nëse janë tërësisht shprehje e poetit, ato janë njësoj thesari i popullit të tij; dhe, në fakt, si rritje e mirëfilltë e tokës së tij të lindjes, janë plotësisht në përputhje me tonet themelore të jetës dhe gjenialitetit tonë kombëtar.” (shih Hegel: “The philosophy of fine art”, vol. IV, London, 1920, version elektronik).
Sado që janë në modë sajimi i antologjive, Anton N. Berisha nuk i përfill ato me zhurmën mediatike a akademike që e prodhojnë; sepse përkushtimi do punë, flijim dhe investim të madh intelektual e mendor. Autori na bind se një kryevepër letrare përfshin trajta të ndryshme të zhanreve letrare, me vlerat jo vetëm artritike, por edhe me ato që ngërthejnë me shtresime komplekse artistike, që ngërthejnë vlera të fshehura mendore, që kanë përvoja të pasura shpirtërore. Këtë flijim, si ajo vazhda e ndritur lasgushiane e nositit, autori ynë e dëshmon qe disa dekada. Fryt i këtyre leximeve të thella janë edhe këta dy libra.

