Si e njoha Mehdi Byberin
Mehdi Byberi erdhi në nëntor në gjimnazin “Asim Vokshi” Bajram Curr, sepse nuk i kishin dhënë të drejtën e studimit për shkak të biografisë. Më në fund Seksioni i Arsimit e lejoji të vazhdonte shkollën nga shtëpia e tij në Shoshan, pa të drejtë konvikti pas disa kërkesave të përsëritura prej tij.
Familja e tij ishte një familje punëtore, bujare, fisnike në hallin e në punën e vet. Kishte ca kushërinj që ishin arratisur në Jugosllavi pas vitit 1948. Ç’faj e përgjegjësi kishte Mehdiu, i cili kishte lindur pasi ata ishin arratisur. Komunistë sektarë, ziliqarë e dembelë në Shoshan çfarë nuk shkruanin e nuk thonin për familjen e tij.
Kur e pamë për herë të parë në klasë nuk na e mbushi syrin. Bisedat tona për të vërtiteshin rreth asaj: A do ta vazhdojë shkollën deri në fund dhe nëse e vazhdon a do ta marrë klasën? Megjithëse erdhi dy muaj me vonesë e shkollën e kishte dy orë larg në këmbë nga shtëpia dhe vinte në borë e në acar, brenda një muaji na e kaloi të gjithëve në mësime, veçanërisht në shkencat e natyrës. Edhe pse të gjithë nxënësit e klasës sonë ishin zgjedhur nga më të mirët në rreth. Nga 34 nxënës gjithsej, 30 shkuan dhe mbaruan studimet e larta.
Fillimisht ishim indiferentë ndaj tij, por me kalimin e kohës u miqësuam me të. Na ndihmonte në zgjidhjen e ushtrimeve e problemave të matematikës, fizikës dhe kimisë, por edhe ne e ndihmonim në letërsi e filozofi, me literaturë për to. Ishte shembullor në aksione dhe në përgatitjen ushtarake. Fjalë pak, modest dhe i papërtuar në kryerjen e detyrave.
Mbaroi gjimnazin me rezultate të larta, por përsëri organizata e përtisë e fshatit dha mendimin të mos shkonte në shkollë të lartë, edhe pse shkolla i bëri një karakteristikë të shkëlqyer për procesin mësimor dhe sjelljen e tij. Në atë kohë, Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit ishte Hysen Papa, daja im, një drejtues me vizion, shumë punëtor, që i donte dhe i mbështeste njerëzit e punës dhe të dijes. Me të unë kisha marrëdhënie të shkëlqyera. I shpjegova rastin e Mehdiut. Më dëgjoi me vëmendje, më besoi dhe dha miratimin që ai të shkonte në shkollë të lartë. E dërguan në Institutin Pedagogjik të Shkodrës për Matematikë-Fizikë, ku edhe aty pati rezultate të shkëlqyera.
Mehdi Byberi – mësues i talentuar i matematikës, autor i teorisë së nxjerrjes së rrënjës kubike dhe drejtues i institucioneve arsimore
Edhe pse mbaroi shkëlqyer studimet e larta, e caktuan mësues në shkollë 8-vjeçare në Zonën e Nikaj-Mërturit, shumë… shumë larg shtëpisë. I duhej një ditë për të shkuar atje. E ndoqi hija e biografisë kudo. Pati përplasje me drejtuesit e partisë atje, bile bënë përpjekje edhe për ta futur në burg. Nuk u dha, punoi fort dhe puna e tij filloi të dalë në pah nga viti në vit. Erdhi mësues në shkollën e natës industriale në Fierzë e më vonë në qytet. Ishte dhe mbetet mësuesi më i aftë për matematikë në rrethin e Tropojës. Shkoi në specializim pasuniversitar për matematikë, të cilin e mbaroi me rezultate të shkëlqyera. U kërkua për pedagog, por biografia e ndiqte pas si hije. Në atë kohë paraqiti punimin shkencor me temë: “Teoria e nxjerrjes së rrënjës kubike dhe rregulla praktike”, pranuar nga autoritetet shkencore të matematikës, brenda dhe jashtë vendit. U caktua metodist në Kabinetin Pedagogjik të rrethit, me drejtor Idriz Logun, kuadri më i aftë i arsimit të rrethit, i cili e njihte shumë mirë Mehdiun, se e kishte patur nxënës dhe kishte punuar edhe më parë me të.
Mediu si mësues solli ndryshim në përvetësimin e njohurive të matematikës nga nxënësit, solli një hop cilësor. Të arrish të sjellësh ndryshim në jetën e nxënësve kërkohet: kujdes, përkushtim dhe pasion, si edhe njohuritë intelektuale të nevojshme për ta realizuar këtë. Këto cilësi i kishte Mehdiu.
Përforcimi i aftësive dhe i lidhjeve ndërlëndore brenda dhe jashtë orës së mësimit e ndihmuan atë të sillte e të zbatonte një qasje të re në lëndën e matematikës. Përdorimi i materialeve, i metodave të reja mësimdhënëse, dhënia e lëndës në thellësi, duke sjellë shembuj, në të cilat vepron i njëjti koncept, dhënia e një baze të shëndoshë njohurish faktike, qartësia si një element i përhershëm në procesin e ndryshimit – ishin veçoritë e punës së tij, çka e bën një mësues të suksesshëm e për t’u marrë shembull. Kështu nxënësit në orën e tij ndiheshin mirë dhe jo të tensionuar, siç ndodh shpesh në lëndën e matematikës.
Mehdiu i porosiste nxënësit: Mos i mësoni formulat përmendësh, por kuptoni nga vijnë. Ushtrohuni çdo ditë, zgjidhni ushtrime e problema për të forcuar kujtesën. Mësoni logjikën dhe procesin e përfshirjes në zgjidhjen e një problemi, përpiquni të kuptoni konceptet e matematikës. Kur mëson matematikë, të kuptuarit pse diçka funksionon dhe si lidhen idetë i ndihmon ata të ngulitin konceptet.
Mehdi Byberi i kishte të qarta proceset matematike: zgjidhja problemore, komunikimi matematik, paraqitjet, arsyetimi dhe vërtetimi matematik, lidhjet konceptuale dhe përdorimi i teknologjisë. I transmetonte te nxënësit në orën e mësimit dhe kërkonte prej tyre zbatimin. Albert Ajnshtajni thoshte se edukimi nuk është të mësuarit për faktet, por trajnimi i mendjes për të menduar. Nga kjo frymëzohej e udhëhiqej Mehdi Byberi.
Zhvillimi i aftësisë për të menduar në mënyrë kritike është një element i rëndësishëm për qasjet dhe modelet moderne në fushën e arsimit. Shkolla e ka për detyrë të zhvillojë mendimin abstrakt, logjik dhe kritik, si dhe të reflektojë në mënyrë kritike mbi punën e nxënësve dhe të tjerëve jashtë shkollës.
Mehdi Byberi pas viteve `90 u emërua drejtor i Drejtorisë Arsimore të rrethit të Tropojës dhe Drejtor shkolle në disa gjimnaze të Tiranës. Modelin e tij e transmetoi edhe te mësuesit e tjerë. Sipas tij, ndryshimi nuk mund të ndodhë në shkallë të gjerë, në qoftë se mësuesit e njehsojnë veten vetëm me klasën e tyre dhe nuk janë të shqetësuar po aq edhe për sukseset e mësuesve të tjerë dhe të gjithë shkollës.
Mehdi Byberi – intelektual jokonformist dhe jo servil i pushtetit
Mehdiu familjarisht u përfshi në lëvizjen demokratike të viteve `90 me shpresën se do të vendosej demokracia e vërtetë. U bënë pjesë të strukturave më të larta të PD-së në rrethin e Tropojës. Mehdiu u caktua drejtor i Drejtorisë Arsimore të rrethit Tropojë, kurse vëllai i tij, Rexha u zgjodh kryetar i Komunës së Margegajt disa legjislatura.
Njeriu, veçanërisht intelektuali për të qenë i lirë duhet të dijë: çfarë beson, çfarë kërkon e çfarë bën. Mehdiu besonte në lirinë e individit. Kërkonte që njerëzit të vlerësoheshin mbi bazën e meritokracisë e jo të biografisë. E kishte hequr vetë mbi kurriz këtë. Nuk mund të bënte çfarë e urdhëronin drejtuesit ekstremistë pedeistë. Personi plotësisht i lirë është personi, i cili nuk është lirë të zgjedhë të keqen. Mehdiu e kuptoi se të humbësh lirinë do të thotë të humbësh edhe të drejtën për t’u mbrojtur. Fan Noli thoshte: “Liria mbrohet nga shkelësit e huaj me trimërinë e pushkës, nga shkelësit e brendshëm me trimërinë e shpirtit, me kurajo civile, e cila është më e lartë se e para”. Njeriu i lirë është i përgjegjshëm. Mehdi Byberi u tregua i përgjegjshëm dhe me kurajo. I kundërshtoi urdhërat e drejtuesve të PD-së për largimet dhe emërimet e drejtuesve të shkollave. Nuk mund të pranonte zëvendësimin e luftës së klasave në shtetin komunist me një luftë të re klasash në shtetin demokratik, më të egër dhe krejt absurde e të pakuptimtë, kur ata thërrisnin: “Liri-Demokraci!” U divorcua përfundimisht me PD-në. U zhgënjye prej saj. Zgjodhi rrugën e duhur. Ndjenja e lirisë dhe e realitetit, mbrojtja e tyre na bën të ndryshojmë drejtim, mjaft që t’i mbetemi besnik realitetit dhe shpirtit vetjak. Intelektuali servil ndaj pushtetit e humbet pavarësinë e mendimit. Një intelektual i tillë të kujton Gregor Zamzen, personazhi kryesor i romanit “Metamorfoza”, për të cilin Kafka thotë se është pjellë e padronit, një njeri pa shtyllë kurrizore, i trashë, që zvarritej përtokë si një gjymtyrë pa jetë. Intelektuali i pavarur ka një vizion shumë herë më të madh për ndryshimin, sesa intelektuali servil i pushtetit. Mehdi Byberi punoi për ndryshimin dhe u sakrifikua për ndryshimin. Humbi kolltukun e ngrohtë, pagën e mirë, makinën e benefite të tjera, për të qenë e për të mbetur vetja, një njeri me karakter të fortë. Ishte ndryshe nga pseudointelektualët, që mendojnë se lirinë mund ta blejnë me para. Në të vërtetë atyre u merren paratë dhe nuk u jepet liria. Se liria është vlerë, e cila nuk mund të paguhet me kurfarë parash.
Mehdi Byberi nuk ishte pjesë e klaneve të PD-së. Në PD, ashtu si edhe në sistemin komunist më parë është qeverisur dhe qeveriset mbi bazën e klaneve. Ishin ato që të jepnin certifikatën e të aftit apo të paaftit dhe që përcaktonin ecurinë e karrierës tënde. Çakejtë që i drejtonin ato ishin të pamëshirshëm, të shqyenin. Të dilje jashtë torishtës së tyre fillimisht gërmohej në biografinë tënde, sikur nuk ishe ai i mëparshmi, pastaj diskreditoheshe në publik si tradhtar i partisë, të përzinin, të hidhnin si leckë e shtrydhur e të braktisnin përfundimisht. Duhej të punoje për ta dhe vetëm për ta, të zbatoje një për një urdhërat e tyre, t’u shërbeje deri në vetmohim, të mos ishe vetja dhe të humbje identitetin tënd.
Me PD-në u divorcua edhe vëllai i tij, Rexha, i cili është Kryetar i Bashkisë së Bajram Currit, që nga viti 2019. Një kryebashkiak i suksesshëm. Askush nuk ka punuar aq sa ai në Tropojë që nga viti 1990. Është një nga drejtuesit më të zotë e më të aftë ndër vite në Tropojë. Me vizion, punëtor, me vullnet, ku të gjitha energjitë i ka shpenzuar në shërbim të komunitetit. Në bisedat me Mehdiun, ai më thoshte: “Unë Skënder jam për shkencë, kurse Rexha është administrator dhe menaxher i shkëlqyer edhe pse nuk ka mësuar sa unë”. Koha i dha të drejtë. Çfarë nuk shpifën e nuk thanë për të, për ta baltosur e për ta bërë pis si veten e tyre eksponentët e PD-së. Ziliqarë për njerëzit e punës e të dijes. Familja e Mehdi Byberit mbetet një familje e nderuar në rrethin e Tropojës. Jam krenar që i kam patur e i kam miq.
Epilogu
Të gjithë në Tiranë e thërrisnin “Profesori”. Ishte vërtet Profesor edhe pse zyrtarisht nuk kishte grada e tituj shkencorë. Nga duart e tij kaluan me mijëra nxënës e studentë nga bankat e shkollës e kurset private, të cilët u bënë të njohur në vitet në vazhdim në shkencë e në funksione të rëndësishme shtetërore. Ditën që nga mëngjesi deri në darkë e kishte të zënë, kërkesat për të ishin pafund. Kishte fituar besimin e nxënësve, të prindërve e të komunitetit. I kishte dalë nami për mirë në gjithë Tiranën. Të gjithë thonin dhe e pranonin se po të të mësonte Mehdi Byberi, matematikën e kishe në xhep.
Mehdiu u martua me Fatmira Meminë, mësuese fizike, e aftë në profesionin e saj dhe e përkushtuar ndaj familjes. Kanë tre djem, secilin më të mirë se shoqin, të gjithë të talentuar. Shkëlqyen në Kolegjin turk “Mehmet Akif”, fituan bursë të plotë gjatë gjithë viteve dhe morën çmim të parë në olipmiadat kombëtare të matematikës. Evarist Byberi fitoi vendin e dytë në Olimpiadën e Matematikës Ballkanike në vitin 2002. Mbaroi studimet në SHBA. Punimi i tij shkencor “Mbi teorinë e nyjeve virtuale” është botuar në revistën shkencore “Communications Contemporary”. Aktualisht punon në fushën e financës dhe të energjisë dhe jep edhe mësim. Elis Byberi mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës dhe është profesionist i fushës së teknologjisë dhe zhvillimit në Tiranë. Eiler Byberi ka mbaruar studimet Master në SHBA në vitin 2020. Është matematikan i njohur atje. E tillë është familja e Mehdi Byberit, me kontribute reale, origjinale në fushën e studimeve të matematikës. Nuk e dinë as tropojanët, as shqiptarët, as ata që merren me matematikë. Duhej të ishte shkruar shumë për ta dhe duhej reklamuar puna e tyre. Le të shërbejë ky shkrim si një thirrje për të reflektuar… asnjëherë nuk është vonë. Po të kishte pasur mundësinë të punonte në Universitet e të specializohej jashtë, si shokët e tij, do të ishte pjesë e elitës intelektuale, jo vetëm shqiptare, por edhe asaj europiane.
Para pak kohësh më ra zilja e telefonit… Ishte Mehdiu. Më tha se ishte kthyer nga SHBA dhe se i kishte dalë bashkimi familjar me djemtë dhe pas disa ditësh do të kthehej atje. Kishte dëshirë të pinte një kafe me mua. Kisha shumë dëshirë të rrija e të bisedoja me të, por edhe u mërzita. Po më largohej një shok shumë i mirë, një Profesor shumë i zoti, një intelektual me integritet të lartë moral e profesional. Po na ikin këto vlera, kur sot më shumë se kurrë kemi nevojë për ta. U ndamë me mall e si miq të përjetshëm…

