KADENCË, 1
ermimi që vjen uji i detit si lule kadifeje
kur nis fryn musoni verës së vonë
thuajse më vjen turp që shkruaj poezi
mes bletësh të pyllit e luleshtrydhesh t’egra
në qershor
Ukraina, krimet, thonjtë me manikyr
të kuq të stilistes së bukur, nën dhe’, në gropën
e predhës
profetët, paratë, ledët, bombat
e shpirti im i fshehtë, ah, i humbur
“që këndon Rembonë e tretur
dhe kërkon dashurinë e vet të parë
midis shtresash të borës së re”
tartarët, thundrat, principata e mesnatës
vargjet kuantike, akordimi i heshtjes
lepujt, ketrat që fshihen në bar, teksa
trupat e tyre me pah t’gjelbër
pulsojnë në diell
Gaza, fëmijët e vrarë, genocidi, spastrimi etnik
profetët, paratë, bombat, ledët, dronët
thuajse më vjen turp që shkruaj poezi
si t’ishte një padrejtësi e kohës sonë
e aroma që mban uji i detit si lule rezendeje
kur nis fryn musoni verës së vonë…
KADENCË, 2
e vetmja mënyr’ për të par’ trembëdhjet’ mëllenja
njëherësh
veç n’qarrin e pjergullës së tajgës së artë
kur nis të pikojë mushti i pjekjes
(si trembëdhjetë mënyrat për të parë
mëllenjën e vetme të Uolles Stivens-it)
e burri që kthehet në vendlindjen e vet
prej emigrimi në një dritë të butë gushti
shikon që nuk ësht’ më ai që ka qenë
teksa ecën nëpër korijen e kumbullave
nëpër mjedra e bljuz në muzg
si një vegimtar që përshkon një peisazh me
krahë hapur
e gjithë çfarë ai prek bën pjesë n’ëndrrën e tij
kasollja e largët ku fshihej me të dashurën
nga shiu e dhembja e drenushave që vdisnin
para syve të gjahtarëve kokëshkretë
zëri i dhembshur i nënës që e thërriste për darkë
ndërsa ai vraponte çunëri nëpër fushën me drithëra
pjergulla në qarr po lëshon tani gjethet e saj
para pragut, si puthje, mbi këpucët e tij
e sëmbimi që e ndjek n’heshtje ngadalë
si drita e hënës nga pas një fëmij’ të humbur
në çeltinë…
KADENCË, 3
përvar këmishën blu në të kaltër
midis lestingjesh e pëlhurash resh të qiellit
të butë të majit që gjith’ vetëton
fytyrën time me përqethje malli
teksa përreth rrjedhin vitet e dritës
si një sagë vrundulli shkulmi vrujues
më valëzon zëri ndezullor në gjoks
në një qetim që nden tisin e bruztë
mbi frashërishte mbushullish blerore
o melankoli me emrin e bukur të së dashurës
si deti i përtërirë i pranverës, me përvojën
e lëvizjes së ngjalës e shkumën e qashtër
porsi qumështi i fikut të njomë
si tingujt, peisazhet, ritmet që sjell udha pa mesazh
që, ashtu siç humbim, humben, treten
e mbetesh veç atdhe i puthjes, vis i ajthit
palc’ e kadencës, frym’ e eklogës
shndërruar i gjith’ shtalp turri përmalljesh
shelf ashku i paepshëm
ahti afsh e hov
shpirt pa praj
oh…
KADENCË, 4
dita vrapon si një peshk i artë
nata lundron si një delfin ngjyr’ oniksi
në Himarë
qyteza përndrit e zogjt’ fluturojn’ si valë
e valët shkasin si zogjtë
e vajzat, paj, si vajzat
gjerdani i plazheve mbuluar nga dantella
e hollë e azhurit
të dallgëve
gjall’ prekja e brendshme e krahut të një burri lehtë
si kujtimi, besimi, dëshmimi i bukuris’ së tij
të burrërisë
prej një gruaje të kthjelltë
gëzimi kur hap shegët e rrotullon shkëlqimin e tyre
mes gishtash
si vetë bukuria e fjalës shegë që mban
brenda vetes shkëlqimin e mëngjesit
stuhitë e deteve të jugut, vetëtimat me flakë
gjithë si brymë e yjeve
gjall’ prekja e një burri thjesht n’harkun e
fundshpinës së tij
si prania, gëzimi, guximi për fuqinë e tij të burrërisë
e një gruaje të ndritshme
vetëm zemra sheh mirë e sheh thellë
se thelbi ësht’ i padukshëm për sytë
e padukshmja që përbën bukurin’ e një shtëpie
të një shkretëtire, të një ylli, një burimi
gjall’ prekja e një burri qetë pas gjurit, pas
t’padukshmes së vet
si lëvdimi, nderimi, ndriçimi i madhështis’ së tij
të burrërisë
prej një gruaje të dielltë
ah, se parajsa ësht’ hapësira
që zëmë n’zemrat e njerëzve të tjerë
galdimi plot shend trondit ajrin e ri
si një verbim zogjsh n’agimin e qetë…
KADENCË, 5.
Spille’, Kavajë, korrik
shtëpi me mure agimi
shtëpi me frymë yjesh
me zemër krahësh e poleni
kurm flauti e kundërmimi pishash
me duar valëzuese deti
me atdhe drite buzësh
ndriçimi ritmesh e gjinjsh
me karkalecë lodrues
mjegullimë mistike
shtëpi me shi pjalmues burrëror
me zjarre perëndish malli
shi pjalmimi të dashure
besoj te gjunjët
besoj te sytë
dal, eci lumturisht, pa ëndrra
shkulm i kulluar, i kthjellët
nëpër dunat e rërës
gjer larg, në Grethin e Madh
pa brenga, hareshëm
qoftë gjithçka e bukur para meje
qoftë gjithçka e bukur pas meje
e bukur gjithçka poshtë meje
e sipër meje
e me bukuri u përmbylltë…
KADENCË, 6
plagët dhembin më shum’ në pranverë
kur lulet zhvirgjërojn’ ngjyrat dhe aromat- flladet
zgalemët- rimat e detet – sonetet
ah, se jam me plagët që na mbajnë gjallë
me mallimin e ri, vuajtjen e re
me ashklat e afshta të ashkut të valë
plagët dhembin më ëmbël në pranverë
kur gazelat ngazëllojn’ agimet e ndriçimet- fjalët
zgalemët-rimat e detet -sonetet…
KADENCË, 7
po ndihet aroma e fushave me karafilë të kuq
ësht’ koha për dashuri në Malaga
saqë mund t’përfytyrosh njëherësh në t’njëjtën kohë
një poemë, një sekuojë, një tingull
me sa mall
tek rri në shtëpinë e gruas kurmqumësht
të qetë si agimi n’kanapenë me kadife t’alltë
me palcën e puthjes në gushë
mes refleksesh drite ujërash t’lumit që përplasen
n’muret e dhomës me valë të dridhshme
n’heshtjen e dashurisë që ësht’ mu si jeta e përjetshme
se nuk flitet në përjetësi
i kam kënduar të gjitha këngët e gëzimit
të gjitha sonetet e shendit
nëpër trupin e saj me sa ajth
hija e shpirtit, të ushtruarit e jetës
paqësia ajrore e lëvizjes, si krahu i rregullt i kondorit
si kurba e qetë e vezëve
si dunat e vogla me bruka që rrethojn’ si mburojë
plazhin e gjerë kum të Bashtovës sime
atje larg
po ndihet aroma e fushave me karafilë të kuq
ësht’ koha për dashuri në Malaga
saqë mund t’përfytyrosh njëherësh në t’njëjtën kohë
një poemë, një sekuojë, një tingull
me sa mall…
KADENCË, 8
motiv popullor çam
e në të putha
se çë të bëra
vetwm zemrën time
secc dogja
ata gjinj t’vakët
paj, gjith’ bardhorë
si dy pëllumba
qysh syt’ e mi verbova
se dritë, se lot
të pikon gjith’ mall
pikë-pikë në hov
se në të putha
e çë të bëra
veç zemrën time, ah,
që dogja…
KADENCË, 9
Hymn për Ahura Mazdën
çdo emër të përmendësh
në këtë botë të gjallë
përmend flakën, o buzët
përmend gjinjtë, o zjarrin
ose mallin, ose dritën
ose detin, ose fjalën
duke u ulur, duke u ngritur
përmend dallgën, o duart përmend qiellin, o krahët
ose lotin, ose seksin
a poemën, a flakën
duke ndalur, duke ecur
ose rimën, ose sytë
ose buzët, ose Zotin
duke ngjitur, duke zbritur
të përmendësh çdo emër
në këtë botë të gjallë
përmend dallgën, o gjinjtë
ose zjarrin, ose mallin
duke rënë duke u ngritur
duke kënduar, duke qarë
duke ndalur, duke ecur
duke u errur, duke aguar
duke dashur, duke urrejtur
përmend dallgën, o duart
ose mallin, a poemën
duke u ngritur, duke u ulur
duke zbritur, duke ngjitur
ose dritën, ose dhembjen…

