Site icon Gazeta Nacional Albania

DY TREGIME NGA BURHANEDIN XHEMAILI: ZËRI I BRENDSHËM DHE MAGJISTARJA E TRENTË

 

 

 

ZËRI I BRENDSHËM

 

 

Duke e kërkuar të vërtetën reale, nuk e kuptova nga më erdhi ajo forcë magjike që ma vuri në lëvizje mendjen dhe intuitën, për të dalë nga labirinti i mistereve të kohës aktuale…?!

– E vërteta reale, kjo pasqyrë me dy fytyra dhe me një mijë figura, është sikur parajsa e ëndërruar, por të gjitha rrugët nuk të shpiejnë atje, më tha zëri i brendshëm dhe heshti sikur nata pa hënë…

Ky përjetim magjik mʹi përkujtoi ëndrrat dhe vizionin për botën ideale që e ëndërroja për çdo natë si diçka të mrekullueshme, por që në mëngjes më tretej sikur fluturat e lazdruara në flladin pranveror…?! Kjo gjendje e zymtë dhe neveritëse, kishte edhe anën pozitive: ajrin dhe natyrën që na mundësonte tʹi perceptojmë psherëtimat dhe zhurmërimat e ditës…!!

Për shkak të kësaj rrëmuje, i aktivizoja idetë e mia për botën e imagjinuar, për atë botë të mrekullive magjike, ku nuk do të endeshin hijet e zeza dhe mistrecët e shfrenuar që po e pështyjnë qiellin e kaltër dhe rrënojnë bukuritë e natyrës…

– Shumë po kërkon nga jeta e pak po jep, më tha zëri i brendshëm…

Në atë çast të ndjeshëm, kur m’u duk se bota u shemb mbi mua, për çudi kujtesa mʹu çel te Borhesi dhe te Alefi

Duke e kërkuar dritën e hyrjes në  këtë novelë të përsosur dhe të ndërlikuar mʹu çelën shumë dyer, por intuita më orientoi te dashuria e përjetshme, te mendimi kritik dhe te shkronja e parë e alfabetit të shenjtë… Mbasandej, sikur të dilja nga porta e ëndrrave aktive, imagjinata më ktheu te takimi me mikun tim në P…

Atje, duke pirë kafe në një lokal të përshtatshëm, aq keq u humba duke vështruar një pamje të turbullt që mʹu krijua përnjëherë, saqë vështirë e pata të vij në vete nga mjegullimi i të pamurit…!! Por, kjo gjendje e tendosur nuk zgjati shumë, sepse shumë shpejt më shkrepi drita e të pamurit dhe, befas, sytë e mi, si dy shkëndija, tani e vështronin nga larg një plak të kërrusur që ecte duke u luhatur, e kalavitur, për t’u rrëzuar e për të thyer qafën në atë teposhtëze tmerruese… Në atë moment dramatik, nuk e pashë nga doli ajo bjondinë tërheqëse me syze të errëta që e kapi për dorësh dhe e drejtoi kah kafeneja, afër udhëkryqit…

Kur erdhi aty, ku pija kafe me mikun tim, u binda se ky njeri që ishte afër të shtatëdhjetave kishte rënë në depresion të madh…!! Bionden e bukur që nuk e lejonte të pijë konjak plakun e shqetësuar, nuk e njihja edhe pse më ngjante në aktore…

Konjakun e preferuar e harxhoi me dy gllënjka…!!

– Edhe një gotë më sill, i tha me zë trishtues kamerieres, dhe heshti derisa u ngritën…

– E njohe plakun, më tha miku im fytyrëzbehur…

– Jo, nuk e njoha…

– Ishte prindi i Gencit, profesorit, që humbi gjurmët në përballjen e afërt me stuhinë e keqe që i rrëmbente dijetarët, sikur lumi i trazuar…!!

Kur e merr malli për të birin, e kërkon kudo që e drejton parandjenja shpresëdhënëse dhe kurrsesi nuk pajtohet me fatin e të zhdukurve… Madje i beson edhe vizionit mistik për ta gjetur djalin, në mos në këtë botë, atëherë në botën e amshimit…!!

-Nuk të kuptova, u zhduk në luftë, apo…?!

-Të zhdukurit kanë të njëjtin fat… Ky u zhduk para luftës, kur bëheshin përgatitjet përfundimtare për dëbimin e ushtrisë barbare, që bënte zullum të madh…

– Do të thotë në ndonjë aksion…?!

– Po…!! Mirëpo, disa dëshmitarë e kanë parë të gjallë pas aksionit… Po ashtu edhe në luftën çlirimtare…!!

– Po, tani ka rënë në ndonjë gjurmë shpresëdhënëse…??

– Prindi si prindi më, me të drejtë po beson se diku jeton i gjallë, por nuk mendon se gjendet në mesin e të zhdukurve masiv, që janë histori më vete…!!

– Do të thotë e mbanë shpresa se ka shpëtuar…??

– Për këtë rast kemi dëgjuar shumë rrëfime, por më bindës është rrëfimi për largimin e tij në ujdhesën e qetësisë apsolute, aty ku nuk mund të shkojnë vizitorët e huaj…?!

Rrugës për në shtëpi, përfytyrimet e turbullta dhe dritat vezulluese, ma rëndonin mendjen dhe të pamurit..!! Duke e tërhequr vëmendjen në një vijë, m’u përfytyruan qytetarët e brengosur që protestuan atë ditë në P… për t’i gjetur familjarët e zhdukur, që i humbën gjurmët në prag të luftës nga përbindëshat e ushtrisë serbe, të diktatorit me pamje iriqi…

Protestën, për njerëzit e përjashtuar nga jeta, nga dashuria dhe harmonia familjare, si dhe nga pritja e aktit të vdekjes së natyrshme, e transmetuan edhe kanalet më të njohura televizive të botës…!! Por, për fat të keq, akoma po vazhdon agonia e pritjes…?!

 

 

 

 

 

MAGJISTARJA E TRENTË

 

 

Atë ditë të paharruar vetëtonte dhe murmuronte pa ndërprerë, por nuk binte shi…?! Ndërkohë, kur doli fërfëllima e frikshme me pluhur ngjyrë hiri, u mbështjell rreth trupit tim, dhe në ikje më ra syve…!! Sytë më thernin sikur t’mi shponte dikush me gjilpërë, ndërsa flokët e mia nuk u mbushën me pluhur por me pendla të zeza të korbave që bënin hata në qiellin e mrrolur…?! Pastaj u përpoqa të strehohem në ndonjë vend të sigurtë, mirëpo nuk më dëgjuan këmbët e ngatërruara, prandaj mbeta fillikat vetëm në rrugën e vetmuar… Në gjendje  shqetësimi, e pashë se vinte me tërbim një hije e errët, sikur të kishin rënë retë e zeza nga qielli, apo sikur të vinin me fërfëllimë të frikshme zogjtë e tërbuar…?! Pastaj, pasi kaloi furtuna pështjelluese, rraptima e shiut e trazoi lumin e shpresave tona nga shtrati i vet, dhe hyri nëpër çdo shtëpi duke bërë rrëmujë e rrëmet derisa u shterr qielli…

Dolëm me frikë e trishtim te sheshi i fshatit, por nuk kuptuam çfarë mallkimi na kishte prekur në hise…!! Kur arriti imami i fshatit te sheshi, ia zgurdulluam sytë për të kuptuar të vërtetën reale, por, ai, pa vrarë mendjen, tha:ʺUnë, si besimtar i madh i Zotit, po ju them se e lëshuam rru-gën e tij, sikur që po e lëshon lumi shtratin e vet, prandaj Zoti po na sprovon kështu…!!ʺ Ndërsa pleqtë e fshatit, njëzëri mërmëritën:ʺZoti ka bë emër kështuʺ

Sapo u ndalë rraptima e shiut, na befasoi mbi urë magjistarja e trentë, që ishte më e përfolura nga gjithë banorët e fshatit për punët djallëzore… Ajo ishte në gjendje të mjerueshme, ndërsa turma e fshatarëve kur u afruan te ura e lumit njëzëri kënduan me zë të lartë, duke e përsëritur refre-nin:ʺDigju, digju, se mjaft na dogje!!ʺ

Lumi kishte marrë me veti njërën pjesë të urës, ndërsa në pjesën tjetër ku kishte ngelur magjistarja e trentë kishte rënë shumë afër përçuesi elektrik… Ajo kërkonte ndihmë, por të shkretës kurrkush nuk shkonte për t’i ndihmuar, sepse niveli i ujit rritej aq shpejt, saqë gati ishte për të hypur mbi urë…!! Ndërkohë, sapo u përhap lajmi se po digjej magjistarja, dolën me vrap edhe të rinjtë dhe të rejat që ishin çmendur nga magjitë e saja…!! Kur e panë flakën e rrymës elektrike mbi trupin e saj, u çliruan tërësisht nga shtrëngimi i magjive të zeza…

Magjistarja kishte arritur t’i bëjë pikë e pesë të rinjtë e të rejat, dhe t’i ndajë nuset e reja nga burrat qysh në fillim të nusërisë…!! Nga kjo lemeri, kishin shkuar tek hoxhallarët më në zë, për t’ju shkruar hajmali…!! Edhe në teqe kishin shkuar, por më kot… Magjitë e zeza të magjistares së trentë e kishin kryer punën e vet si është më keq, prandaj kishin frikë të rinjtë dhe të rejat të martohen, sepse i trenonte magjistarja me magjitë e bëra qysh në natën e parë të martesës, saqë disa i nxirrte cullak nga dhoma dhe i shëtiste në rrugën kryesore të fshatit, si është më keq… Kështu, një ditë, ishte përhapur lajmi se ʺpa thirrë hoxha i sabahit, haxhinjtë e fshatit e kishin parë cullak nusen e djalit të duqanxhiut në rrugën kryesore dhe ishin tmerruar nga ajo pamje, ndërsa njëri prej tyre në shpejtësi e kishte zhveshur xhemperen dhe, ia kishte dhënë nuses për t’i mbuluar gjinjtë dhe kofshët e zverdhura..!!ʺ

Kur e dëgjova këtë ndodhi të vërtetë nga haxhinjtë, e besova tregimin për fqiun tim që u sëmurë në natën e parë të martesës…!! Një javë nuk i doli nuses përpara, meqë i dukej me pamje të shtrigës…?! Të shkretin e çuan te hoxha i fshatit‚ por nuk i doli ilaçi… E çuan në teqe, në kishë; e çuan edhe te mjeku‚ por nuk i doli ilaçi…?! Pas shtatë ditëve e shtatë netëve, ia largoi magjitë e zeza një njeri i largët që shkruante hajmali… Ky njeri kishte përjetuar të njëjtin fat; në natën e parë, kur kishte hyrë dhëndër, ishte trembur keq nga nusja që ishte tjetërsuar në shtrigë, prandaj kishte kërcyer nga dritarja për të mbetur tërë jetën i gjymtë…!! Në gjendje të tillë e kishin rrëmbyer xhindet e natës, e kishin rrahur mirë dhe i kishin dhënë për detyrë që t’u shkruaj hajmali nevojtarëve, por pa të holla…

Pasi u shërua fqiu im, e donte nusen, familjen, por për fat të keq rrinte krejt mbyllur…?! Vetëm një orë flinte me nusen‚ pastaj dilte në dhomën tjetër dhe mbyllej me çelës, ndërkaq ditën rrinte me anëtarët e familjes, por nuk dilte në mëhallë, as në rrugë kur mblidheshin moshatarët e vet…

Pas shtatë vjetëve për herë të parë doli nga shtëpia, dhe kur e pa magjistaren e trentë që po digjej nga flaka e rrymës, u çlirua tërësisht nga magjitë e zeza, dhe nga frika që të flejë me nusen…!!

 

 

 

Exit mobile version