Gazeta Nacional Albania

Emin Azemi : POETI BEQIR MUSLIU I (PA)NJOHUR (Gjilan,1945 – Prishtinë,1996)

BEQIR MUSLIU I (PA)NJOHUR
(Gjilan,1945 – Prishtinë,1996)

Ditëlindja e shkrimtarit ytonë emblematik, simbolisti më i kultivuar i letrave shqipe, Beqir Musliu.

Nga Emin Azemi

Ai erdhi në botën tonë letrare si një banor tepër i vaçantë që e zhvilloi ‘habitatin’ e vet krijues brenda një sistemi dhe jashtë kodeve e kanoneve që i kishte caktuar koha e shkrimit të viteve 60 e këndej, kur edhe u formua dhe u zhvillua si emër dhe si fenomen letrar.
Beqir Musliu është ndër emrat e rrallë në letrat shqipe që la një trashëgimi të pasur e komplekse krijuese, e projektuar mbi një sistem autonom e autentik letrar. Ai nuk ndoqi rrymimet e formimit letrar të kohës, por u përpoq të sjell një autorësi origjinale shkrimi që do të bazohej në promovimin e një leksiku pak a shumë atipik poetik, me një përkufizim të avancuar kulturologjik mbi resemantizimin e botës mitike dhe shkrirjen e saj në një areal të pasur simbolikash poetike krejtësisht novatore, si për kohën kur u krijuan por edhe për të sotmen që ende nuk po mundet ta tejkalojë kondicionin e shprehjes dhe të gjuhës që ai la si gjurmë të pashlyera.
Fuqia magjike e fjalës së tij, i jep hirit të metaforës përtëritjen që ka zjarri i fjetur brenda deklishetizimit të fjalëformimit kontrastiv poetik, të tipit BUKURIA E ZEZË, DARKA E MAGJISË,TRENDAFILI I DRUNJT, MURIMI I BUTËSISË, DAULLET E QETËSISË etj.
Për të fjala më shumë se prodhim leksikor e gramatikor, ishte vetë pjesa organike e qenësisë, dhe mbi këtë postulat estetik Beqir Musliu projektoi një dimension të veçantë receptiv, i cili herë del si bashkëpjesmarrës në eksplorimin e kujtesës arkeologjike e paleologjike ndaj historisë dhe aktualitetit, ndaj individit dhe kolektivitetit dhe herë del si fushë magnetike ku ndeshen alkimia e fjalës me horizontin e koduar kontemplativ të ironisë së gjuhës dhe simbolikës së saj.
Nëse dikur shkrimtarët i kishin shkruar veprat e tyre jashtë vëmendjes aktive të lexuesit dhe të kritikës letrare, kjo a mund të vlejë edhe për Beqir Musliun, ndaj të cilit më pak se vëmendje lexuesi, pati mungesë vëmendjeje nga studimet tona letrare, qofshin ato të autorëve e studiuesve , qofshin edhe të katedrave tona universitare e shkollore, (kush e njeh atë, bie fjala, në Shqipëri?) ku Beqir Musliu ende trajtohet vetëm si një shkrimtar hermetik.
Ka ardhur koha (madje jemi vonuar) ta njohim më tepër Beqir Musliun. (e.a)

Beqir Musliu

VDEKJA E POETIT NË KURORËN SONETIKE
(FUNDI APO FILLIMI)

Fundi apo fillimi o cili do të jetë prap në këtë fund e fillim
Nëse nuk do të mundem të qëndroj i pathyeshëm gjer në fund
Për vdekjen do të këndoj aq fuqishëm si askush nuk ka mundë
Gjersa të trimërohet vet koka ime duke më ngrënë në trishtim
Nuk po i mbeten më botës as këngëtarë që ia ruajnë o ngjyrën
E as kalorës që fushës së gjerë po e nxjerrin nëpër simbolet
Memeci më lehtë do ta ketë sepse fjala vet në brendësi i flet
E druri i vetmuar do të barazojë gjakun e zi me lulen natyrën
Sepse: lehtëështë tani kur nga gjaku zbulohet hiri udhëtimet
Që nuk çojnë askund ose të lënë që tëëndërrosh edhe të blerë
Vetën e vogël e strukur si thërmi nën hijet e ditës ka mbetë
Apo të barazuar me të vetmen mrekulli që më pruri edhe në verë
Për të shetitur nëpër vete duke pyetur kështu nëpër zbrazëti:
Alfabetin kush e zbuloi nëpër vatrën e zjarrtë përplot hi?

(KËNDIMI I HIDHUR)

Alfabetin kush e zbuloi nëpër vatrën e zjarrtë përplot hi
Mbeti të ndëgjojë muzikën e bimëve që kanë varë kryet në farë
Drunjit i kthjnë urtësitë gurë e ato i rrethojnë n’zjarr
Në çdo shkëmb gjejnë nga një kokë të fortë për t’u përtërirë
Erdhi koha ja këngëtimet në kokën e secilit të hidhura e të vuaj
Nuk është njësoj as kend kënga e ka ngrënë e kë ka ndriçuar
Nëse për florën zbërthen sërish pranvera e artë apo e shëmtuar
Atëbotë nga gjaku kënga për kohën e vet me jetë do të paguajë
Kështu lehtë mund të krijohet këndimi ngapak i zi ngapak i butë
Tani më as lulja nuk do të guxojë që të ikë nga vera në crrule
Nëse për kohën e vet Kali i Trojës tepër o tepër qenka ngutë
Kush do ta nxjerrë shpirtin e barazuar në botë vetëm me lule
Do të mbetet para kohës i njëjtë aq i ftohtë i ngrohtë në shi
Zëri i Orfeut do të shpupurishi kohën e vet nëpër lashtësi

(RECITAL I SHURDHËR)

Zëri i Orfeut do të shpupurishi kohën e vet nëpër lashtësi
Po fillon murimi dhe flet: të dalë nga lëkura ai që do mundë
Trupi i fjetur në luginëëndrron të zbresë gjer në atë fund
E të mos mbesë më për këngën as një dhëmbje e as fatkeqësi
Ja po shpalohet pluhuri: ku mbetën ato madhështi në ngurzim
Shihni bjeshkët po zbresin me tërë peshën e tyre në kraharor
Nëse vdekjet tona mbesin pa varre e varret pa kurorë
Ndizni zemrat: ja aty jemi duke u aromuar me këtë balsamim
Le të fillojë edhe tragjika e soneteve të recitohet nëpër gurë
Ai që heshti ai më së miri dijti të këndojë dhe në këtë vjeshtë
Kur pas këngës filloi të ndërrohet çdo gjë flora myshku në mur
E murimi nuk mori fund as pas këngëtimit të zi e të thjeshtë
Banorët që e çpikën këtë tokë mbetën ta arrijnë nëpër harrim
Leni pluhurin eshtrat urnën si barrë të ngarkuara për Amshim

(MAGJIA E VDEKUR)

Leni pluhurin eshtrat urnën si barrëtë ngarkuara për Amshim
Të zgjohet gjaku dhe të tjerrë magjinë e re dhe të zezë
Gjer te lëkura që mbet në gjysëm të udhëtimit që tani u ndez
Bashkë me natën që buzët e mia m’i kafshoi rëndë pa përdëllim
Çilet përsëri bota para meje si çudi pa këndim dhe e pa uratë
Për qetësinë e shpirtit nuk mbet asnjë fije shprese as fjalë
Nëse vdekjen mund ta quaj një magji ajo po më vjedh ngadalë
Në goditjen e thikave të territ a do të shëndritë edhe kjo natë
Ku mbetën gjurmat që i bënë bubrrecat e uritur nëpër murin e zi
Aspak nuk po i ngjan kohës që ka dijtur të varroset në shpinë
Kush ka mundur të përbirohet nga ky ferr po këndon është në liri
Mund ta barazojë krejt udhëtimin me këndimin e qytetin me
magjinë
Qëshirtërat për shkëmbij e shkëmbijt për shpirtra i mbërthen
Infinitoja në lojën e zezë me vdekjen e re tani po e përkryen

(LOJA TRAGJIKE)

Infinitoja në lojën e zezë me vdekjen e re tani po e përkryen
Filloi ëndrrimi të çlirohet nën lëkurë në mish dhe nëpër gjak
Trëndafili të mbyllë tani botën lakuriqe në shuplakë
Gjersa sezamet e veta të gjitha sendet në magji i mbërthyen
Kështu fluturimi i ri mori krahë tani ngapak dhe hapësi
E u ndërrua në zog: në botë u zbulua e fshehur ajo legjendë
Që lehtë ka mundur të personifikohet me një simbol në këtë vend
T’i ngjajë vdekjes së mundur në lojë që më tepër është magji
Nëse lirohet mendimi i zi prej këngës që s’po këndohet lehtë
Nëpër këtë zbrazëti ku unë jam: o edhe zbrazëti edhe plot
Jugu do të ndërrohet në zili në një meridiane të re të nxehtë
Duke u shikuar me vetveten a do të mbes i pavdekshëm në botë
Aty ku gjërat i marrin dimensionet e veta hirin e shëmtisë –
Guri trillon lashtësitë e mëson të flasë në gjuhë të magjisë

(SIMBOLI MË I VËRTETË SE VDEKJA)

Guri trillon lashtësitë e mëson të flasë në gjuhë të magjisë
A to të mund të qëndroj edhe një natë gjersa kënga mbretëron
Tani nga çdo gjë le të krijohet ky qytet i zi që po më dëbon
Apo vetëm mendimet e helmuara po shetisin gjurmat e marrisë
Por mbi majën e majës po ndrit tani vetëm edhe ai simbol si mbi rrasë
E krejt gjërat i kthen të përsëriten nëpër vetvete e në gjak
Magjia ndërrohet në urtësi: lulen e kthen në dru në zambak
Kush guxon tha druri për këtë metamorfozë në zili le të flasë
Por bota a do të mundet t’i mbesi bukurisë së vet pa u falë
E të kalojë përmbi këto ura që akoma po mbesin pamundësi
Gjysëmrrugës së vdekjes mbet simboli shumë më i madh se fjalë
Nëse do të mungojë koha e këngëtimit për Orfeun që u përtri
Që do të ndërrohet në simbolin e vërtetë i ikën madhështisë
Rëndë është për të vërtetë gënjeshtra t’i shëmbllejë bukurisë.

(LASHTËSIA E ZGJUAR)

Rëndë është për të vërtetë gënjeshtra t’i shëmbllejë bukurisë
Udhëtimet marrin rrugë kah flaka e zezë në sende e pasiguria
Nëse për jetën nuk mbet metaforë e vërtetë vetëm dashuria
Atëbotë – kush do t’i zbulojë nga ajo jetë kupat e idhëtësisë
Nuk i duhet më kohë as zjarrit për t’i ndezë gjërat në flakë
E as gjelbrimit pranvera që ka ardhur përherë e shëmtuar
Nëse nuk kemi për të pasur trimëri çka t’i bëjmë hirit të zgjuar
Që na i zbulon eshtrat e varret e gjakun të gjallë në shuplakë
Himnizimi i lashtësisë fillon në kohë që akoma është e sëmurë
Nuk është mjaft që nëpër fijet e barit të zgjohet o pranvera
Ai që u çmend mos e kërkoni më askund në lëkurë po bën mur
Për balsamimin e ri që nga vetvetja për vete po e ruan vera
Prometheun nga gjaku të dëbuar përsëri në gjak të ri e kthyen
E diellin ngritur në simbol kombëtar në madhështi e përlyen

(HIRI OSE ASGJË)

E diellin ngritur në simbol kombëtar në madhështi e përlyen
Gishtat mbetën të çpikin nga çdo tingull edhe ca këngë lira
Gjersa të mbarojë i kuqremti dielli e pas detit o shkretira
Magjinë e vdekjes e zbuluan sfingat e në vdekje e mbërthyen
E hiri u zgjua si njeri i qetë me pak trimëri dhe aq urtësi
Nisi të flasë për zjarrin qëështë parë një herë në atë verë
Me kullat e ngritura bregut të përhimtë në hir dhe atëherë –
Vetë folën banorët për historinë e shpuzën që i kthyen në shëmti
Në këtë mënyrë gjersa këndohej zjarri s’i mbet asgjë o hirit
Të përsëritet ndoshta vetëm me ato faqet e historisë që sillen
Sikur ajo zbrazëti ku jam nëpër të cilën trupi im në flak ndrit
Ja thika është kthyer kah unë dikush e detyron që të më harrojë
(Krejt gjërat rreth boshtit të vet e diellit po mbështillen)
Inferior para vdekjes sime as vdekja më nuk mun të më qëndrojë

(SHPUZA E GJALLË)

Inferior para vdekjes sime as vdekja më nuk mund të më qëndrojë
Nëse do të prekë në hirin tim të gjallë që akoma është zjarr
Ai që një herë hyri në këtë sezam kthehen nëpër të vetin o varr
Le të mësojë gjuhën e zezë të shpuzës apo para gjërave të vajtojë
Kështu: e vërteta mësoi gjuhën e rreme nuk mbet kurrë
Bukuria nuk i tradhëtoi gishtat e vet edhe pse i ka parë në flakë
Nëse ky qiri nuk do t’i bëjë dritë shpirtit gjer te i imi prak
Merre zemrën time që ndërruar është në kandil që po ndrit nur
Shih: gjërat mbetën të flasin vetë për kohët e tyre e trimëritë
Që të zbehta janë gati asgjë kanë mbetur vetëm hi dhe shpuzë
Guxo dhe preki të thotë lulja nga to krejt koridori po shëndrit
Dita e rëndomtë do të zbrezë në ballë mërdhezet lulja në buzë
I hutuar pyetjen time do ta bëjë edhe ai i humbur – udhëtari:
Ç’është më e tmershme në këtë natë të sprasme: nata apo litari

(NATA VRASËTARE)

Ç’është më e tmershme në këtë natë të sprasme: nata apo litari
S’mund të përgjigjem unë as Jesenini që dinakërisë së saj shkoi
As për lulen që pranvera e vet nuk e zbërtheu por e helmoi
Mbet që prore tëëndërrojë kullën e vet të zezë mu majë zjarri
O askush nuk e nxori në kupë të hidhur dhe dobësinë e vet dot
Vetëm krenaria e nxori përsëri kryet dhe mbet në lartësi
Ndodh që askush për dimrin s’ka mundur të flasë me aq ftohtësi
Le të zbrezë në të e të këndojë symbyllur pa zemër në këtë botë
Atëbotë shpirti i ngriu sendet pëlcitën për një herë në vete mëria
Përcolli në korin e ri vdekjen e stolisur edhe në këtë natë
Për duart pa trup e gjymtyrë mbet të orkestrojë vetëm zbrazëtia
Të tresë athua gjurmëve të natës pa strehë pa gjumë dhe pa uratë
Mbetet që gjërat të flasin në ditën time që nuk po më lëshon
Emërin gjaku lëkurës së vet n’Abetaren e jetës në urtësi e meson

(SHTEGTARI APO LYRA)

Emërin gjaku lëkurës së vet n’Abetaren e jetës në urtësi e mëson
Tani duhet të ec rrugës që as për kthimin nuk ka atëëndërrim
Ndodh që nuk përcillet gjer këtu kënga pak verë ruajni për amshim
Ajo pak verë e ndryrë në këndin e zemrës athua nuk e tradhëton
Sepse: në vend të zemrës së mërdhirë lyra po e krijon në lyrë
Shihni: po çelet përsëri bota dhe gjërat po ndërrohen në verë
Askush nuk guxon tha lulja të kërcej gjer në atë pranverë
Që e shëmtuar do të qendiset pamundësisë së gjakut në fytyrë
Ngadalë vetë gjerat po e zbulojnë detin e murrmë të pamundur
Që lundrimi të fillojë gjersa nuk ka më fjalë dhe udhëtime
Edhe këndimi i zi do të fitojë kohë dhe do të bëhet i mundur
E ky udhëtim po kthehet në tragjikë dhe po e han kokën time
Bashkë me fushën e bozhureve që në lëkurë e zbuloi vetëm zjarri
Veli e krijoi vendin e dëbuar që nga errësira e nxori udhëtari
(FERRI I NDRIÇUAR NË SHUPLAKË)
Veli e krijoi vendin e dëbuar që nga errësira e nxori udhëtari
Dikush pyet: ku mbet udhëtimi ku është koha e dehur e ku fundi
Apo vetëm tani janë në fill fillet që asnjeri askurrë nuk mundi
As për madhështinë e vdekjes të flet me magjinë e zezë as varri
Ai që një herë e pa ferrin e keni në të duke klithë e shkumzuar
Lulet vera i vyshku nëpër lëkurë po fillon të lulëzojë thartia
Të humburit prapa dyerve të humbura kush do t’i shpjerë në shtëpia
ai që u shpall i gjetur kanë për ta emërtuar me florën e shëmtuar
Nëpër këtë koridor të errët në të njëjtën ngjyrë ja edhe Ndriçimi
Ferri rrugën e vet do të godasë të ndëzur me qiri në shuplakë
Pas këngës së vet të vdekur kokën do ta gëllëtisë në turp pikllimi
Atëbotë për secilin popull do të thuret nga një përrallë me gjak
Tragjika do t’i zbulojë duart e veta prapa skenës në shpuzë a hi
Cili dru është ai që me vete po më bart solemn për varrimin e ri

(FILLIMI APO FUNDI)

Cili dru është ai që me vete po më bart solemn për varrimin e ri
Le të kërkojë fillimi zanafillën e vet nëpër fund e në fillim
Koha do të mbyllet në metaforë gjërat udhëtojnë vetë në harrim
Sikur shpuza e gjallë që i krijon banorët e vet si bozhuret në hi
As unë as ti nuk mund të krenohemi me natën e ftohtë e të zezë
Që me veten ngjesh edhe pafuqinë e simbolit nëpër atë tradhëti
Askush prej nesh nuk do të kërkojë të mbetemi vetëm në lashtësi
Vetë lashtësia Bozhuret në fushat e Kosovës është duke i ndezë
Fillimi vet po i ha gishtat e vet nga koha ngapak lazdranë
Nëse pas Uliksiadës së re do të zbutet vetë Uliksi në metaforë
Më kërkoni në eshtra nën lëkurë apo ndër gurë në ndonjë muranë
As pas vdekjes vdekja nuk kërkon shpërblim as emër o as kurorë
As kjo natë nuk do të kërkojë shpëtimtarë se ata i ka mu në gji
I mbetet Trojës së Re të shtrijë natën e vet mbi qytetin e zi
(VDEKJA NË BOZHURET E KOSOVËS)
I mbetet Trojës së Re të shtrijë natën e vet mbi qytetin e zi
E të lajmërojë errësirën që akoma fronin ta ketë në këtë vend
Vdekja e Bozhurit nëse shpallet tragjikë duhet të hyjë në legjendë
Atëbotë kush do të mundë të më krijojë të plotë nëpër këtë zbrazëti
Për bozhurin e gjorë nuk ka më as verë shpuzë hi dhe as kohë
Për vdekjen nëse askush nuk do të gjejë shërim o asnjë bar
Atëbotë fshehtësisë së saj i humbur mbeta mes mureve apo në litar
Në këtë vend të ftohtë vetë dimri im nën lëkurë e gjak më ngroh
Kur shqiponja arriti në ëndërr mbi kala atëbotë u deh vetë
A vlen të mendosh për poezinë më si për shejtërinë, o marri
Gënjeshtrës iu thyen tërë urat që të arrijë të bëhet e vërtetë
Shih: në një qytet u shpall edhe dëshmitari e ai krejt u shkri
Në të njëjtën metaforë që bozhuret i krijoi të mbesin Amshim
Fundi apo fillimi o cili do të jetë prap në këtë fund e fillim
MAGJISTRALI
Fundi apo fillimi o cili do të jetë prap në këtë fund e fillim
Alfabetin kush e zbuloi nëpër vatrën e zjarrtë përplot hi
Zëri i Orfeut do të shpupurishë kohën e vet nëpër lashtësi
Leni pluhurin eshtrat urnën si barrë të ngarkuara për amshim
Infinitoja në lojën e zezë me vdekjen e re tani po e përkryen
Guri trillon lashtësitë e mëson të flasi në gjuhë të magjisë
Rëndë është për të vërtetë gënjeshtra t’i shëmbllejë bukurisë
E diellin ngritur në simbol kombëtar në madhështi e përlyen
Inferior para vdekjes sime as vdekja më nuk mund të më qëndroj
Ç’është më e tmershe në këtë natë të sprasme: nata apo litari
Emërin gjaku lëkurës së vet në Abetaren e jetës n’urtësi e mëson
Veli e krijoi vendin e dëbuar që nga errësira e nxori udhëtari
Cili dru është ai që me vete po më bart solemn për varrimin e ri
I mbetet Trojës së Re të shtrijë natën e vet mbi qytetin e zi
( *Botuar në revistën ,,Jeta e Re” nr. 1 janar-shkurt 1971)
MBRETËRIA E RRËNUAR E KOSOVËS
Zemra kemi mundur t’i nxjerrim në secilin trëndafil
Derisa bozhuret të ligjërojnë mbi atë mbretëri
Që është rrënuar deri në gurin e fundit të themelit
Përse nuk arritën ka krijojnë as pamjen e mykur
Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë
As beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata
Zllapohet tash gjaku e bozhuret hanë vetveten
Në mungesë të bukës që e sosi mbretëria e marrë
Luftëtarët i varëm për degët e historisë
Kemi mundur t’i kërkojmë fëmijët tanë nëpër luftëra
Të cilët na i mësuan emrat si të stërgjyshërve
Apo i ndrydhën në këtë ditë që është jatagan
Nëse prapë zë fill beteja atëherë ku jemi ne
Do të ktheheshim në zanafillë apo do të mbylleshim
Në zemrat e bozhureve si në zemrat tona robër
Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë
Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar përveç nesh.
SYTË NË PERON
Për çdo ditë vijnë autobusat n’kët qytet të vogël:
Sjellin lotin e ndamjeve n’takimet e patakueme kurr.
Ose buzëqeshjet n’takimet e ndamjeve. Njisoj.
Si kangën. Si dashuninë. Si ofshamën e lodhun…
Vijnë autobusat… me ta edhe njerzit me caqet e botës,
E flakën e dëshirave n’sy: Dhe harrojnë dashuninë
E dashunisë. Dhe dashunojnë dashuninë e harrimit.
Vijnë njerzit me barrët e jetës t’ngarkueme n’shpinë…
*
Përditë e përnatë vijnë edhe trenat n’kët stacion,
Dhe rrëshqasin nëpër sytë e kalimtarëve të ditës:
Ata e mbyllin plogështinë e kohës e të rrotave —
N’peronin e fundit t’gjykimit dhe t’dashunisë…
Ecin trenat që sjellin kangën e lindjes e t’vdekjes.
Dhe me udhtarët e lodhun e t’rrahun nga vetë koha —
Kthehen përherë n’udhtimin e tyne kah largësitë e lulet,
E t’untit n’rrugën e fillueme deri te buka dhe kanga…
*
O, përditë vijnë edhe qerret e Çergarëve n’kët qytet:
E na dalim dhe i presim ata që ende s’janë kthye,
Ata që kahmot janë nisë mbas hapave të bukurisë —
Me hasë trandafilin e lulzuem në skaj t’botës.
Përditë vijnë njerzit: Të panjoftun dhe të largët.
Udhtojnë nëpër dritë dhe terr. Kah jeta.
Kah dashunija dhe mënija. Kah gishtat dhe gjymtyrët.
Kah njerzit. Na dalim me i pritë ata që s’janë mes nesh…
MBASLOJA E PRIZRENIT
Unë jam në Prizren edhe kur s’jam në të
Ti më merr dhe m’i zhvesh rrobat The Të jesh
I pastër ma rregullon grimin dhe krejt atë
Që shkon me të Prizreni më mbeti matanë Them
Më kthejnë sërish aty ku isha Prizren Unë
Jam Ai Që (S) Jam Kur Jam Prizreni Imzot
Nga dora ime krijuan një statujë antike
Më lanë në Muzeum që e pushtonte qetësia Thanë
Këtu çdo gjë që (s) ishte Lojë vazhdon të jetë
Si diçka që shekujt e sfiduan nëpërmjet teje
Zbrit më poshtë Ja Ku Jam Në Prizren
Aty më ke edhe mua A nuk të thashë se unë jam Ai
Që (S) Jam Mund të më ngatërrosh me engjëllin tënd
Tekanjoz që shëtit në vend teje nëpër muret
E qetësisë Kërkon një afreskë që të gjason ty
Të mund të të shenjtërojë në mënyrën e vet
Vishni rrobat e mia të vjetëruara Dua ta shijoj
Bukurinë ashtu siç është Loja mbaroi
Edhe për një milienum të heshtjes Ajo që po
Ndodhë këtu është vetëm një variant i saj
Që njëherë ka ndodhur Ç’ u bë Prizreni
Ai është në mua Thashë Prizreni
( Prizren, 11 janar 1986)
SYTË E ZEF SEREMBES
(triptik poetik)
(VDEKJA E POETIT)
Me lulekuqet e Kosovës do të dal o shumë më i ri
A është kjo dëshirë edhe kur zogu fluturon
Në qiell edhe kur lulja në dimër nis frymon
Verën e vet e unë në gjak kala do të ngre përsëri
Në pikëllim s’kemi ditur t’i vizatojmë brigjet e detit
Por deri në dekje të këngës është edhe një dëshirë
Për t’u kthyer në epokën e gurit të fortë martirë
Që të kuptoet ajo verë e lules dhe Vdekja e Poetit
E tash si ta shëroj prej fjalëve gjakun tim
Që po ndizem i tëri kur jam në të parin varg
Që s’po mund të më kthejë as deri te emri im
Prej gjakut më duhet të udhëtoj edhe më larg
Ta vizitoj verën e humbur nëpër këto zbrazëti
Prej kohës të ndaj për vete një kohë e histori
(SYTË E ZEF SEREMBES)
Shikojnë apo shikohen në një pikë nëpër natë e errësirë
Zgjohet pluhur e historia e legjenda nëpër këto metafora
Mbas mbeten gërmadhat varret emrat e pluhuri në muzé
Koha ruan urtësinë mendimin e shpata shekullin e verdhë
Këmbët udhëtimin që filloi në zanafillë të botës
Horizontet mbeten vetëm e udhët shndërrohen në Oqean
Mbi natën që të gjithë e kanë në lëkurë sytë e trillojnë
Shikimin për atë Pikë ku çelën edhe në dyll e në hi
Vallë, a e vërteta mbeti të luhatet në luhajën e vjetëruar
Nëse s’e kapërdinë aventurat me një hurbë atë valë të kuqe
Gjithçkah e ndanë deti mbeten zgavrat e zbrazëta për varkën
Për të depërtuar matanë natës që është edhe pafundësi
Gjithçka mbete e afërt në sytë që Pikën e Shndërrojnë në Arbëri
(VARRI I ZEF SEREMBES)
Nata përsëri kërkon shtegtarë të rinj të fortë
Se në pjesën tjetër të natës bishat pinë gjak
Matanë vdekjes e dashura këndon në kroin më të bukur
Ende zgjasin ëndrrat e Polifemëve dhe Bajlozëve
Përkundër muzave që me flijime e gdhijnë këtë natë
Zemra qëndron mbi të gjitha simbolet madhështore simbol
Kjo natë përsëri kërkon shtegtarë të rinj të fortë
Që do ta përbironin flakën nëpër gishta
Pra, më kot bie shi kur zjarret mbeten të ndezura
Kalorësit e çalë nëpër planet kërkojnë vend të lirë
Në atdheun e lulkuqeve duke ëndërruar një shtegtar
Varri mbeti të shikojë vetëm atë pikë drithëruese kah qielli
A do të më njohë mua së paku në metaforë Arbëria
NATA E BARTOLOMEUT
Duhet të kalojnë mbi trupat tanë
që të mund të arrijnë atje ku je ti
Jeronim De Rada
Tokë të stuhive që lozin me zjarr e rrufe e quajtën
Thamë Bukën e shkollojmë dhe orën e gjakut
Varret i stolisën me duart tona të mbetura udhë
Merrni nga një pasqyrë dhe shikoni mrekullinë
Shiu ra e pasqyrat u shndërruan në ujë që rrjedh
Luftëtari zbuloi një lis të madh shumëdegësh
Tha Do të ngjitem deri nën zbrazje të rrufeve në qiell
Fusha iu rriti bozhuren deri në lule të ballit
Kulla mbeti zbrazët por në fshehtësi çeli zogj
Të gjithë folën gjuhën e tokës që është nën ne
Kush zbriti shkallëve të ferrit të shtatë në tokë
Mund të qëndrojë edhe në të tetin dhe të nëntin
Treguan me gisht për muranat që rrinë në lëndinë
Thamë Bukën e shkollojmë dhe erën e gjakut
METAFIZIKA E PRISHTINËS
Ky qytet shtrihet në ëndërr si të ish
I vërtetë e në Gazi-Mestan humbi qetësia
Anatema A
Është trilluar edhe një udhëtim në shuplakë
Në maje të gjuhës na ka zbritur bukuri
Prapa na kanë ndjekur një mijë e një mrekulli
Asgjë s’mund të marrësh më tepër se ç’ke
Edhe një farë të është mbjellë ndër grushta
Deri në vere balsamin e mban nën sqetulla
Nëpër këtë portë u përbiruan edhe engjujt
Që i shpikëm në hyrje për të na ruajtur O
Nga trëndafilat që i kemi në gjuhë e na flasin
Edhe mbi të gjitha magjitë që na dëbuan
Është trilluar një udhëtim i ri në shuplakë.
NOKTRUNO. KTHIMI I MARATHONOMAKUT
Kush e përmendi Marathonomakun. Ai vërtet u kthye
Pa një dorë. Unë ia fal një këmbë që të mund të eci
Por imzot ai në ngarendje harroi edhe këmbën tjetër
Ç’të bëjmë? Mund ta ndjekim edhe ne, për aq sa ai
Të arrijë në atë vend të lashtë prej nga edhe doli
Pastaj të kthehet në vete dhe në ne po aq i panjohur
Për udhëtimin që na krijoi ne shumë më të mëdhenj
Jo vetëm se ai, por edhe se vetë udhëtimi
Unë i kam zgjatur duart kah gjëra të njohura
Kah ajo bukuri që më lindi edhe mua në rrugë vetiu
Ç’tha Homeri plak për atë që ndodhi pastaj vallë
Asgjë – Pastaj u krijua edhe Ai Marathonomaku
Ndër sheshe të blerta përmendorja e tij flet vetë
Edhe për mungesën tonë në fletët e grisura të historisë
Që hëngër vetveten derisa s’na kishte ne të tillë
Siç dhe i shkelëm në kërthizën e zgjebosur
Nga epshet tona të mbyllura ndër shtyllat e gjakut
Lindi gruaja që do t’i krijonte pastaj fëmijët tanë
T’i shohin fjalët e historisë që s’na tupëroi
Globin e shndërrojnë në një top llastiku imzot
Dhe e sjellin ndër pole si diçka të pavlerë
E thonë: Hajt, po qe se mund ta zini kohën
Dhe atë lulëzim të lulekuqes në atë shishe të mbyllur
Shihni si është kthyer kah fytyrat që e njohën
Dy mijë vera më parë. Ashtu i shndërruar në purpur
Kumbonaret e qytetit të botës rrahën në mesditë
Thonë ata. Si janë ngulur të gjithë në shtiza si Issai
Në Golgothë. Dilni të gjithë nga shtëpitë tuaja
E dashuroni thellë dashurinë o deri në gjak
Një sihariq të vogël Atij Marathonomaku
Që njerëzve do t’ua dhurojë unazat e Ademit e të Havës
Për t’i krijuar edhe një herë nga epshet e ndaluara
Për ta mbyllur prapë djallin në gastaren e qelqtë
E unë i fala edhe këmbën tjetër atij Marathonomaku
Ai shpalli nokturnin në botë e Unë mbeta pa këmbë
Ç’të bëj këtu mes këtij lulëzimi që s’po më njeh
Dhe asaj që ëndërrova dy mijë vjet më parë
Kështu si njollë e shenjtëruar në midis të majës
Që e krijoi pikëllimi im edhe tri pëllëmbë mbi mua
Të eci edhe për një hap më tej historisë
Që s’u trupërua nga unë edhe pse Ai Marathonomaku
U kthye për t’i marrë të gjitha ato gjëra
Që njëherë i la këtu. Shkoi të mundë vetëm vetveten
U kthye duarthatë të lotojë së bashku me mua
Për atë që e pata dhe tash më është kthyer në harresë.