PRITJA
Mos e mat harresën
Me kuti
Kur hija bëhet xhuxhe
Në udhëkryqin pa shigjetë
E humb numrin dhe adresën
Edhe malli
Thellë paska rrëshqitur dita
Në humbëtirën e pritjes
Askush nuk sjell haber
Pritja ç’u bë me njeriun
Pse fishkëlloi e uluriti
Nga inati që e pickoi në mbrëmje
BIRIT TË DREQIT MOS I BESO
Mos e nëpërkëmb vetveten
As atëbotë kur të merr hilja
Se – mëkati para teje ka lëshuar shtat
Birit të dreqit kurrë mos i beso
Nëse të zatet njëherë në rrugë
Atëbotë të torturon heshtja
Dhe gaca e fshehur
Ik sa të mundesh në boshësi
Për ta takuar mashtrimtarin
Duke dhënë shpirt
Çfarë torture ndodhë
Në mes fjalës dhe shikimit
ËNDRRËS MOS I SHKRUAJ LETËR
Mos e mashtro vetveten
Kur të prek dita në palcë
Trurit i jep ilaç
Për ta rikthyer ëndrrën
Që ta shkurtoi tri herë gjumin
Ëndrrës mos i shkruaj letër
Se nuk ka adresë
Merre vetëm hijen
Dhe hapin e parë në ditë të re
Në nafakë të re
KËMISHA E NATËS
Nuk e gjete sekretin e ëndrrës
Kur duart u ngatërruan
Nën këmishë
Terrë e fut në dhomë
Edhe këmisha e bardhë futë
Natës nuk i shkurtoheshin këmbët
As këmishës s’i duhej arna
Uratë bëhej pasi shfaqej mëkati
THIKA
Mos iu mat fjalës tri herë
Se e merr frika
I këputen rrokjet
Pastaj, po pastaj ç’ndodhë
Vdes fjala
E thika përgjaket.
BRENDA MUREVE
E kërkove gjëllimin
Edhe brenda mureve
Kur të pickoi trishtimi
Tuta lindi para njeriut
Po njëherë vdiq para tij
Kur në dyluftim doli
Brenda katër mureve në ring
Ishte burg i zi në Mitrovicë
Pas të nëntëdhjetave…
FOTOGRAFI E MALL
Ishte nana në mes të mesit
Katër me katër anash
Bojës i kishte humbur shkëlqimi
Motet e kishin lëbardhë ngjyrën
Nëna ishte shndërruar në hije
Bardhezi e plot mall
PAK MË VONË
Në album radhitet heshtja
Ofshama bën seancën e vet
Kur zatetet me mallin
Vera kalli vetveten
Shirat zunë fundin e stinës
Nëna mungonte në fotografi
Pyetjet mbetën të nemitura
Unë e motra shikimin dogjëm
Loti hyri tinëz në kujtesë…
Preshevë, 2008
PS.
I nderuari Mujë Buçpapaj. Ja një shkrim të Ali Podrimjes dhe një timin.
U morëm vesh me Alinë që unë ta postoj përmes postës elektronike timen.
Qofshi mirë e me shëndet. Ju urojmë mbarësi e të mira: Aliu dhe Jonuzi