Gazeta Nacional Albania

Enver S. Morina: TRIPTIKU VENDOR I ECEJAKEVE NËPËR AT(Ë)DHE, TREGIM

Tregim nga Enver S. Morina

(Në mes takimit me Fadil Bajraj në Tetovë dhe telefonatës së Agim Zogaj nga Gostivari apo vargjeve të B. Springsteen nga kënga “Hija e Tom Joadit” dhe shpresës së shpëtimit nga vdekja të Halil Matoshi…)

FRIKA
(nga Gllareva në fundin e parathënies)

(…)
Q – Ju kuptoj. Mund të ma rregulloni?
G – Përse e bëni këtë?
Q – E filluam që të mos shkojmë deri në fund.
G – Do të thotë që ju do të mbeteni në gjysmërrugë?
Q – Nuk do të flas.
G – E heshtura nuk ju shpëton.
Q – Nuk do të qesh.
G – E qeshura nuk ju bën aktor.
Q – Më mëso çfarë të bëj me fytyrën time?!
G – Gabuat. Unë jam njeri tepër i thjeshtë. Punoj në teatër e asnjëherë s’kam vallëzuar në skenë.
Q – Si të sillemi?
G – E tepruat.
Q – Po më torturoni.
G – Jo aq sa vetja. Do të përgjigjemi.
Q – Kur?!
G – Pas vjeshtës kur do të më harroni.
Q – Të gjithë ju jeni të çmendur!
G – Më keni mahnitur zotëri akademik me deklaratat apologjike që i bëtë në pranverë.
Q – A do të keni besimin e ruajtjes së fshehtësisë?
G – I betuar kam qenë para prindit të vdekur. Do të jeni i sigurt në plazhin e liqenit. Do të ndërroni edhe lëkurën siç i ndërroni mendimet bashkë me vendqëndrimin. Mbrëmjen e parë me shi do të takoni njeriun që e kërkoni.
Q – Faleminderit.
G – Do të kalojnë dy stinë viti pas lufte e mjegulla dhe të reshura nuk do të ketë. Stinët kanë ndryshuar në fundshekull…
Q – Mjaft!
G – Nuk jeni memecë?! Edhe bërtisni?! Sytë të janë harxhuar. Kot e keni t’i ndryshoni. Kam humbur tërë familjen. Edhe të afërmit. Miku më është vrarë. Ju kërkoni të maskoheni, siç bëtë nga Liqeni të QafëThana …
Q – Mos flisni!
G – Do të veproj përderisa ju keni ikur nga liria. Do ta keni të vështirë kthimin.
Q – Nuk ju kuptoj!
G – Do të kuptohemi kur të takohemi pas legjendave tuaja. Ju kujtohet, në prani të koleges Tuaj, kur ju thashë se kam besim tek Ti: Edhe nëse merrni anën e armikut jam pas jush!
Q – Nuk ju shoh me sy!
G – E di!
Q – Do të doja t’i harroni të gjitha!
G – Ashtu qoftë, zotëri!

LETRA
(nga Bllaca në prologun e papërfunduar)

E kemi marrë udhëtimin në sy
Kokulur pas bashkatdhetarëve
Vetëm lot…
E përshëndes z. Bajraj e z. Matoshi aq sa Minir Isa Zhakun
nuk më lejuan të kthehem
i pari në kohën e barbarisë
i dyti në memecllëk
(-Pse?! A gjallë jeni?!- më kanë folur në ÇukëSukën e Gllarevës.
-Foshnja pesëmuajshe më shpëtoi. Do të dëshmojnë gjurmët e përtej grilave?)
i treti në mëshirën e fundshekullit…

Gjaku i të rënëve sfidoi frikën e ikjes
Paskemi kohë të grindemi sot e mot
Flasim për të kaluarën
Gjithmonë harruam të nesërmen
Flisnim fjalashpër nëpër kafiteritë e Prishtinës
Edhe kemi dashuruar
Pa e ditur se në front gërvishtet një vashë
Inatet janë ngrirë
Murimi plasi nga informacionet
Thuhet se s’kishte agjent…

Në tokën e askujt vrasje
Vdekja pa njollë
Fjollat e FushëKosovës dritësonin
Cepat e majëbjeshkëve…
Antigona vraponte në ëndërr
Ditën e parë i kërkonte 33 anëtarët e familjes
Ditën e nëntë i lajmëronte 22 emra
Ditën e dymbëdhjetë i humbi 11 miqtë e ngushtë
Bashkë me Mua…

Varret jashtë At(ë)dheut nuk do t’i harrojmë…

LAJMI
(nga Dollogozhda në fillimin e pasthënies)

Duhet të mësohemi t’i njohim edhe të gjallët që meritojnë
Me vdekje na duan
Që të njohim vetveten
Mos u tallni pse i keni larg
Ata do t’ju ndihmojnë

Ndoshta edhe ka të bëjë ky qershor
Me vitin 1878
Kosova e kishte fillimin

Nuk kishim liri Ne të dëbuarit
Pa Ju
Ishit në tokën Tuaj

Lajmi kryeneç mori dhenë

E meritove shpëtimin
Sepse nuk kishim liri edhe Ne të dëbuarit
Pa Ju

P. S.
Mesi i Artë i dyzuar në mes Frikës, Letrës dhe Lajmit, si Post Scriptum Çelës i rrëfimit

MISI DHE LOTI I FUSHËVDEKJEVE (Statuja me fustan të lagur dhe vrasja e bukurisë së majëÇukë- Sukës së Katundit)

… Ka ditë që kërkohet nga njerëz të panjohur Venera. Konsiderohet vajzë e humbur. Bukuroshja e luftës ka humbur At(ë)dheun. Buzëqeshja dhe sytë e kanë mahnitur jurinë. Dyshohet se ajo e ka ngulitur virgjinitetin në një cep të vendlindjes. Kaloi Drinin e Bardhë dhe Drinin e Zi. Ishte lagur edhe në ujëvarën e Mirushës. Ëndrra e shpëtimit e dërgoi në sfilatë. Shpejtësia e aksidentit nuk e nxori jashtë makinës! Lejdi Di(ana) ishte rastësi. Venera shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe e tregoi lëkurën. Flokët ngjyrë gruri të pjekur shndritnin fustanin e rinisë. E zbathur ecte pranë fushës së minuar nën fijet e barit pranveror. Pas të gjitha kërkimeve të zbehta kompjuterike u zbulua e tëra. Njollat e gjurmëve të cullakut humbnin në leshin e pangjyrë. I kishte hije e folmja. E kërkuara e mëngjesit u gjet në mbrëmjen e Miss-it. Ajo shikonte një njeri i cili duartrokiste në heshtje. Ia njohu syrin. Vërejti se prania e tij mund ta ketë çmendur më parë. E dinte se revole nuk kishte. Truproja lëvizte anekënd cirkut për të kërkuar gjarprin e ngordhur që shkaktonte çrregullim tek magjistari. Çasti i fundit iu kujtua se i kishte ndodhur kur ishte fëmijë. Askush nuk mendonte se bukuria dhe krimi ishin aq afër sa ishte e pamundur të zhduket pa u takuar. Frika e çastit tashmë lëkundët mes aktit të vënies së kurorës dhe goditjes së shenjës.
Të martuarit menduan vetëm për të. Thuhet se interesohet për shtratin e saj edhe një diplomat i huaj. Një polic serb hoqi armën dhe maskën përgjithmonë. Në vend të shpresës anonime, katarsisi i ngjau në televizion. Në një cep të tokës së djegur lakuriq ndërroi mendjen. Hodhi përsëri armën dhe maskën tjetër dhe u kthye në familje. Iu betua gruas se nuk do ta tradhtojë, sepse miss-i i kishte shpëtuar nëpër shi. Sa herë e kujtonte Venerën, i dukej vetja më i bukur përkrahë gruas në një fotografi të rinisë. Ishte mplakur dhe ëndrrën për atë e tregonte vazhdimisht. Më fëmijën e saj ishin takuar në një udhëtim me anije 17 ditë para se të varroset.
Këtë shkrim mbi frikën e syrit e shkroi autori anonim, në një mëngjes të hershëm, dy ditë para shpalljes së bukuroshes së luftës, ku rrezet e diellit paralajmëronin ditë të nxehta. Vasha me pamje të virgjër, që vetëm sa e kujtonte, djersitej nën tendën e najlontë, vendosur në një kamp përtej qytetit të shpresave.

Dollogozhdë, Prill-Qershor 1999

Shënim: Tregimi është shkëputur nga libri “Rr’nimi i Arbërit” (“Buzuku”, Prishtinë, 2021). Tregimi botohet edhe në shenjë përkushtimi të ngritjes së Pllakës memoriale në Strugë me 13 shkurt 2023 për nder të pritjes së qytetit të Strugës për të zhvendosurit nga Kosova në periudhën e fillimvitit 1999.