Site icon Gazeta Nacional Albania

ERA.Tregim nga Mevlyde Mezini Saraçi

ERA

Tregim nga Mevlyde Mezini Saraçi

Muzgu kishte shtrirë krahët në horizont, nga shkëlqenin rrezet e arta të cilat premtonin shpresë për ditën e re. Era qëndronte e strukur pranë sobës së zjarrit duke u përballur me ethet që e kishin kapluar krejt papritmas. Ishte mbuluar këmbë e kokë. Maçoku po mjaullinte sikur mundohej që ta ndihmonte pasi pranë saj nuk ndodhej njeri. Errësira mbuloi qiellin ndërsa hëna ishte rrethuar nga yjet që ndriçonin. Një cep i perdes kishte mbetur pa e mbuluar mirë dritaren e vogël në atë dhomë të vjetër e të pa mobiluar nga futej drita nga ndriçimi i fortë i yjeve. Era e lodhur dhe e pikëlluar, e shtrirë në shtratin e saj kishte fjetur dikur vonë pas mesnate.
Kishin kaluar vite duke pritur të birin që ia kishin rrëmbyer kriminelët serbë gjatë luftës nga pragu i shtëpisë dhe e kishin dërguar në drejtim të panjohur.
Ende shpresonte se një ditë e bardhë do të vjen edhe për të sepse e kishte të vetmin bir dhe zhdukja e tij e kishte dërmuar. Ditët e saj kalonin me shpresa se do të dëgjoj ndonjë lajm apo do të kuptojë vendin ku ndodhej i biri, ndërsa natën e mbante derën e ç ‘kyçur sepse nuk kishte zemër që ta linte të birin jashtë apo të trokiste në derë duke pritur deri sa t’ia hapte derën e ëma.
Në një kënd të dhomës në mur qëndronte e varur fotografia e birit të Erës dhe figura e tij ngjante sikur po fliste me heshtjen e thellë që e kishte mbuluar atë shtëpi. Mëngjesi zbardhi dhe kënga e gjelit e zgjoi nga gjumi Erën e cila e hutuar po e shikonte orën nga frika se kishte fjetur kaq shumë dhe mund t’i ketë ardhur i biri nga ajo rrugë e humbur.
Pasi lau faqet, vendosi një xhezve për të vluar kafen e mëngjesit, u ul pranë fotografisë dhe po bisedonte me portretin e të birit sikur ta kishte pranë.
E pyeste si nëna që e pyet të birin për të gjitha me radhë, ndërkaq që shikimi i tij nga fotografia ngjante sikur po i thoshte se jam me ty, në shtëpinë tonë të vjetër. Era ishte lodhur duke fshirë lotët të cilët deri më tani mbase ishin shndërruar në një lum të gjatë e të pafund. Mollëzat e faqeve iu kishin bërë si gropë dhe rrudhat ia kishin përfshirë ballin dhe fytyrën e saj të mplakur para kohe. Tani loti i saj i valë nuk e gjente rrjedhën e humbur por ishte shndërruar në ofshamë të thellë. Maçoku i cili po e shoqëronte Erën, sillej e mbështillej rreth saj dhe mjaullinte duke ia përkëdhelur dorën dhe i ngjante si lutje që ajo të ngrihej sa më parë, të dilnin bashkë në oborr, të uleshin në shkëmb tek dera dhe të prisnin si çdo ditë tjetër. Era lëvizi nga vendi, i bëri shenjë maçokut dhe të dy dolën bashkë.
Në oborrin e saj qëndronte një zonjë e cila kishte ardhur pak minuta më parë, kishte shtypur sustën e ziles por askush nuk e kishte dëgjuar. Pasi u takuan dhe u përshëndetën së bashku, zunë vend në karrige rreth tavolinës duke filluar bisedën. Zonja kishte ngulitur shikimin në rrudhat e fytyrës së Erës dhe kishte rënë në pikë të hallit, duke mos gjetur dot mënyrën si t’ia shpjegonte qëllimin e ardhjes së saj. Era, një grua inteligjente, e zonja, e shkathët, e kuptoi se një zonjë e panjohur nuk vjen për së koti pa e pasur ndonjë qëllim. Më thuaj, zonjë e nderuar, cili hall të solli në shtëpinë time?
Ajo e hutuar belbëzoi…sepse mendonte që pasi të bisedojnë rreth halleve të jetës, lajmin e hidhur ta lërë për fund të bisedës! Por Era nuk i la fare hapësirë ndaj edhe u desh t’i përgjigjet sa më parë.
-Erë e dashur, erdha të takoj dhe të lutem bëhu e fortë, prano ngushëllimet e mia nga thellësia e shpirtit tim. Biri yt sot kthehet në arkivol por shpirti i tij është ngjitur në qiell dhe do të na shoqërojë përherë!
Bija ime, nëna, e kam lindë, rritë e edukuar birin tim që t’i dalë zot kësaj toke! Sot kam festë në shtëpinë time pasi im bir do të vjen i mbuluar me flamur. Ai prej sot do të pushon i qetë në tokën e lirë dhe nëna më nuk do të qajë. Kam qarë pa pushuar duke mos e ditë ku gjendet. Tani jam më e fortë se asnjëherë më parë. Hapni dyert, zonjë dhe thuaju le ta sjellin birin tim! Le të shtrihet nën hijen e pishës dhe le të pushojë deri sa të vjen koha që ta përcjellim në shtëpinë e tij të përjetshme. U dëgjua tërheqja e dy krahëve të dyerve të drurit dhe oborri i shtëpisë së Erës u mbush me njerëz, si asnjëherë më parë.
Mbi krahët e shokëve të tij bartej arkivoli i të birit atdhetar, i mbuluar me flamurin kombëtar dhe i stolisur me lule pranvere. Nëna u ul pranë të birit dhe i foli si dikur kur ia lëmonte flokët e artë duke e bekuar trupin e tij dhe duke ia dhënë lamtumirën e fundit. Radhët sa vinin e shtoheshin ndërsa nëna çdo sekondë bëhej edhe me fortë. Era mbajti fjalën dhe besën e dhënë se në momentin kur ta zbulojnë vendin e të birit dhe ta kthejnë në atdhe, ajo më kurrë nuk do të qajë.
Dyert e hapura mbetën derisa u nisën në përcjelljen e birit të Erës, pastaj u mbyllën sërish si më parë duke lënë prapa një dhimbje e madhe por krenare e cila e forconte Erën çdo ditë e më shumë. Tani më nuk e shqetësojnë ethet dhe pikëllimi por qëndron krenare për të birin, varrin e të cilit e viziton pothuajse çdo ditë.
Maçoku i Erës u bë miku më i madh i saj me të cilin bisedonte kurrë nuk kishte njeri tjetër pranë sepse ai e kuptonte më mirë se askush tjetër shpirtin e saj human. sepse Era e kishte strehuar brenda në shtëpi kurrë maçoku kishte mbetur i braktisur në rrugë, i vogël, i pafuqishëm dhe i pa mbrojtur. Era e kishte dëgjuar tek mjaullinte një maçok i vogël, i uritur dhe e futi brenda në shtëpi duke i ofruar kushte për mbijetesë. Madje shpeshherë e ndante kafshatën e gojës vetëm që të mos mbetet kafsha e gjorë e uritur. Në fakt, maçoku shpejt e kishte marrë veten dhe ishte mirënjohës për shërbimin që ia kishte bërë Era.
Në qytetin ku banonte Era u përhap lajmi se kjo grua është lodhur dhe nuk kishte fuqi të mbijetojë e vetme në atë shtëpi të vjetër.
Me të dëgjuar njëri nga shokët e ngushtë të të birit, erdhi në shtëpinë e Erës, u përkul para saj, ia puthi duart e përqafoi fort si dikur i biri dhe u ul pranë saj.
Era sikur ndjeu aromën e të birit kur e përqafoi djaloshin dhe një drithërimë e përfshiu të tërën. Djaloshi kishte ardhur me makinën e tij dhe pasi që biseduan gjerë e gjatë me Erën, u pajtuan të dy që Era të bëhej anëtarja më e re e familje së djaloshit, shokut të birit të saj.
Dyer e shtëpisë u kyçën me dry dhe Erës i mbeti koka me shikim pas, aty ku kishte heq vellon e nusërisë, aty ku kishte përjetuar dashurinë e jetës, aty ku kishte dëgjuar vajin e parë të birit, aty ku ia kishin rrëmbyer kriminelët të birin, aty ku për herë të fundit e kishte përcjellë të birin për në shtëpinë e fundit dhe pikërisht edhe vet po përshëndetej me shtëpinë e saj.
Sirena e makinës dha sinjalin që po hynte në rrugicë, kur para tyre u shfaqën familjarët e djaloshit i cili po e zvogëlonte shpejtësinë e makinës.
Një vajzë me flokë të gjatë e të lidhur me një fjongo të kuqe i doli Erës para dhe e përqafoi ngrohtë duke i dhuruar një tufë lule si mirëseardhje. Pastaj e kapi për krahu dhe u nisën rrugicës deri sa arritën në shtëpinë e tyre. Në shtëpinë përdhese me një korridor të gjerë, në ballë ishte e vendosur fotografia e birit të Erës, me dimensione të mëdha që të jepte përshtypjen se i biri po i dëshironte mirëseardhje nënë së tij. Era i buzëqeshi djaloshit dhe shikimi i saj u ngulit në sytë e të birit në fotografi. Djaloshi i ofroi Erës që të ulej të pushonte por Era e hutuar vetëm po sillej nëpër korridorin e asaj shtëpie. Duke e ndjerë gëzimin që i solli fotografia e të birit dhe ndjenja e gëzimit që u bë sërish me familje, Era e luti djaloshin që ta dërgonte tek dhoma e saj. Pastaj vajza e mori për krahu Erën dhe e dërgoi në dhomën e saj, të cilën ia kishin rregulluar që më parë. Pasi u shtri për të pushuar pak, Era kërkoi që ta sjellin edhe maçokun e saj, siç tha ajo mikun e vjetër me të cilin u rrit i biri dhe i cili e plaku moshën në shoqërim të saj qysh se ia kishin rrëmbyer të birin. Maçoku zu vend tek Era dhe filloi ta dredhë bishtin në shenjë mirënjohje. Pasi e ndihmoi vajza që t’i shpalosë rrobat nga valixhja e saj, Era nxori fotografinë e të birit dhe e luti vajzën që ta var në mur përballë shtratit të saj, sepse siç tha ajo ishte kujtimi i vetëm që i kishte mbetur nga i biri.
Më vonë u shtrua tryeza me ushqime dhe të gjithë u ulën bashkërisht për të drekuar duke i uruar Erës mirëseardhje në shtëpinë e saj të dytë!

Exit mobile version