Gazeta Nacional Albania

ERDHI “ARMIKU I PADUKSHËM”. POEZI NGA KALOSH ÇELIKU, SHKUP

 

(Mjafton t’ua shoh fytyrën

e di se kush jeni)

 

Eci rrugës, vetë me duar në xhepa

“Bit-Pazarin”, e ka zënë gjumi.

Mëkot, sot kërkoj raki rrushi

Birrë “Rrapi”. Nuk gjej askund.

Dje, i shpalli “haram” Kur’ani”

Sot, i ka burgosur Koronavirusi.

 

Eci rrugës, vetë me duar në xhepa

Rrapin, e kanë shti në Karantinë:

Mecet. Qentë, nëpër Qytet. Liri…

 

 

(Politikë e zhveshur lakuriq

nga Dashuria platonike)

 

Imzot, kurrë deri më Sot. Unë,

Nuk kam parë politikë qorre:

Të zhveshur lakuriq pa brekë

Rrugës, nga Dashuria platonike

Me rraçe hadumi për mejdani.

 

Populli Shqiptar me lodra. “Fitore”

Sesi, i shkon përmbrapa Dudumit:

Mos vall i bien, pahiri diku rrugës…

 

 

(Masat e Qeverisë)

 

Masat e Qeverisë. Koronavirusi

Dhunshëm, ndanë nga të gjallët

Vdekurit: Nana. Babai. Gruaja.

Rrapi. Tavernat. “Parku i Grave”.

 

Qeveria. “Armiku”: Koronavirusi

Më ndanë edhe nga Gruaja besnike…

 

 

(Kohë e lirë)

 

Gjatë masave të Qeverisë

E cila e mbronte popullin:

Kufizime. Panikë. Dënime.

E lërova Kopështin me lopatë

Dhe, e mbolla vetë me barë.

 

Kohën e lirë me koronavirus

Edhe librit, i hudha pak farë…

 

 

(Arusha me dajre)

 

Qeveria, burgosi njerëzit në shtëpi

U dha liri në verandë. Dritare:

Duartrokisni, Arushën me dajre

Magjupin. Serenata para dritareve.

 

Spektatorët, përdridhen. Heqin valle

Arusha, bredh në rrugë me dajre…

 

 

(Burri i botës nuk e dëgjoi

Gruan e tij besnike)

 

Kalosh Çeliku, i tha: Koronavirusit

Grua, po dal pak në Kopësht. Diell.

Ajo dyshoi: Po shkon te një grua tjetër

I tha: Rri, në shtëpi! Grua tjetër, kurrë

Nuk mund të gjejsh më të mirë se Unë.

 

Nuk e dëgjoi burri botës Gruan besnike

Iku te “Parku i Grave” pas një Poezie…

 

 

(Koronavirusi më pyeti

çka do marr me vete)

 

Koronavirusi pyeti: Çka merr me vete

Gjatë 85 orëve burg, në Karntinë?

Iu përgjigja: Një ibrik me raki rrushi

Një fletore. Një lapës kimik. Një libër

Dhe, Dy shtamba me verë të Mikes.

 

Jo! Rri, në shtëpi! Laj duart me sapun

Mbaj  distancë dy metra larg Mikes!

 

Ani. E marr koronavirusin në karantinë…

 

 

(Erdhi “armiku i padukshëm”

dhe më trokiti te dera)

 

Kalosh Çeliku, jeni në shtëpi?

Jo, iu përgjigja: Kam vdekur.

Jetën, e vazhdoj mes varreve.

 

Nuk ma vuri veshin. Iku pas porte

Unë, vazhdova jetën mes poezive:

Bibliotekë. Dhomën time me libra…

 

 

(Parashikim përtej

Ditës Nesërme)

 

Thashë: Mos bëni panikë. Mos kini frikë

Mos u besoni politikanëve! Qeverisë:

Hajdutëve. Sot, që u lanë në mëshirën

E “armikut të padukshëm”. Karantinë.

 

Koronavirusin do ta përcjellim me raki

Dy shtambat me verë të Mikes Di:

Diellin me rreze. Mjekun e Natyrës.

 

Ashtu, dhe ndodhi. Majëmali, lindi Dielli

Iku, në theqafje “armiku”: Koronavirusi…

 

 

(Hë për hë iku edhe ky

“armik i padukshëm”)

 

Netët i prita me panikë. Dhe, Frikë

Emisione televizive. Porosi politike:

Si, të sillemi: Lajm duart me sapun.

Distancë të mbajmë, dy metra larg

Edhe me Gruan besnike, në shtrat.

 

E përzumë, edhe këtë Grua “armike”

Athua, Qeveria do na japë një Mike?…