Site icon Gazeta Nacional Albania

Fatbardha Kaci: KËPUCËT E VJESHTËS, POEZI

HUTIMI I FOLJEVE

Në shteg gabimesh të shekujve,
hutohen foljet.
Muret e kohës lëvizin,
në shkëmbinj përsëritjesh
shkërmoqen orët e dritës.
Ja, buzë oqeanit të jetës
guacka durimi të popujve.
Në fundshpellë Platoni,
një dritëz fton besimin,
por fytyrë mjegullore e dyshimit,
e kthen në far të largët.
Fari loz me dallgët.
Dallgë historie, dhembjeje, emocioni…
Zhveshin lëkurën e ëndrrave tona,
ardhur anktheve, netëve të vona.
Në ag të prushtë, e ardhmja ngurron.
Në paterica fjalëzat ” do të”,
e kthejnë në dëshirore:
-Ah të çajë mjegull mashtrimi
ania e së vërtetës së LIRISË!
Dhe përplasen meridianet e mendimit.
-Do të bëhet, duhet të bëhet!
tringëllojnë paralelet e guximit.
Sy i zemrës së BOTËS vetëtin…
…të djegë nyjen e hutimit të foljeve…

HINGËLLIMA

Shoh kalin
të zbresë nga piedestali,
në natë të hënës së madhe.
Zgjohen brënda meje Erinitë.
Zgjohen me hingëllima.
Ngre kas patkojtë,
mërishëm hingëlloj
në sheshin nën hipnozë…
Të godas fantazmat shumëkatëshe,
përçudim gjaku e djerse
në mbiekzistencë të fukarait.
Hingëllij e rrah ajrin…
Rrah dhembjen e zemrës…
Faji i hënës?
Faji i mëndjes çakorduar?
I netëve lodhur,
nga rrengjet me kalin historik?
Në bunacë të hënës,
zverdhur tronditjeje,
i hingëllij një koke të stërmadhe:
-A je , ti imzot, Skënderbe?
A je?…
Pres mijra këmbë,
mijra kuaj,
të trokëllijnë,
të hingëllijnë,
në zëmërim- guxim,
të zgjimit…

NJË GOTË DASHURI

Drithëronte moti,
kollitej qielli,
përtej xhamit të lokalit.
Nga një gotë verë në tavolinë.
Mbushur gotat zëra yjesh…
Got’ e verës kuqëlim,
fytyr’ e vashës prushërim.
Ndjesitë e ëmbla, grishje…
Jashtë trokëllinin kuaj shiu,
brënda sytë vetëtima…
…Stërkala shpirti
buzë gotëverë,
brënda gotës, stuhi…

KËPUCËT E VJESHTËS

Në qoshe të shtëpisë së bisedave,
këpucët e vjeshtës.
Shtëpi e mbyllur,
shtëpi pa mure, çati,
derëhapur…
Duhma e verës sahariane,
ka përplasur kanatet e shpresës.
Tash heshtja frymon brënda,
hiçi syakrep jashtë.
Stinë zhuritëse e pabesisë
shkriu qiellin.
Shkretëtira, shtrirë gjymtyrët,
gëlltitur ujë të jetës.
Këpucët, në këmbë të vjeshtës,
në kurth të heshtjes…

PUNËTORI

Dor’ e rreshkur
kapur pas makinës.
Si shpend trupi riosh.
Koka mbi mjet.
Djalosh i punës
“kirurg” i qytetit
plehrat mbledh.
I buzëqesh ditës së re.
I ndritin sytë e moshës së bukur.
Vështrim i shkujdesur…
Ka për të humbur?
Përshëndetje e mëngjesit
i ngroh rrugën…
Ç’halle ka hedhur
pas shpinës shperfillëse?
Familje shumëgojëshe?
Apo e dashura e pret?
Djaloshi punëtor
me buzëqeshje të ngrohtë,
shpërbën përbuzjen
e kokëve bosh….

Exit mobile version