Gazeta Nacional Albania

Federico Garcìa Lorca: KËNGËZA E DËSHIRËS SË PARË, POEZI. Përktheu: Angela Kosta

– Poeti dhe dramaturgu i shquar spanjoll Federico García Lorca me ciklin poetik në gjuhën shqipe.

Federico Garcìa Lorca lindi më 5 qershor 1898 në Fuente Vaqueros, (Spanjë) dhe vdiq i pushkatuar më 19 gusht 1936 në Vìznar të Spanjës. Federico García Lorca ishte një poet, dramaturg dhe regjisor spanjoll, i cili arriti njohje ndërkombëtare si një figurë emblematike e gjeneratës së vitit1927, një grup kryesisht poetësh që futën avangardat artistike si simbolizmi, futurizmi dhe surrealizmi në letërsinë spanjolle me rezultate të shkëlqyera, në atë që quhej de Plata Eda. Një mbështetës i deklaruar i forcave republikane gjatë luftës civile spanjolle, ai u kap në Granada, teksa po qëndronte në shtëpinë e disa miqve dhe u qëllua nga një skuadrilje e forcave nacionaliste. Trupi i tij më pas u hodh në një përrua disa kilometra në të djathtë të Fuentegrande. Eshtrat e tij për fat të keq nuk u gjendën kurrë.

SHPIRTI

Ka shpirtra tek të cilat dëshiron të shikosh si në një dritare me diell.

SA TË RËNDA JANË DITËT

Sa të rënda janë ditët,
në asnjë zjarri nuk mund të ngrohem,
nuk më qesh tashmë asnjë diell,
gjithçka është bosh,
gjithçka është e ftohtë dhe e pamëshirshme,
e edhe të dashura yjet e qarta
më shikojnë pa ngushëllim,
që kur mësova në zemrën time,
se edhe dashuria mund të vdesë.

NUK ËSHTË DASHURIA JOTE QË DUA

Nuk është dashuria jote që dua.
Unë thjesht dua të të kem afër
ue pafjalë dhe e heshtur,
herë pas here të më zgjasësh dorën tënde.

ZEMRA

Zemra
që kisha në shkollë
në alfabetin
ilustruar me ngjyra,
e ke ti
natë e zezë?

Puthja e parë
që kishte shije
si një puthje
e ishte për buzët e mia rinore
si shi i freskët,
e ke ti natë e zezë?

KËNGËZA E DËSHIRËS SË PARË

Në mëngjesin e gjelbër
doja të isha
Zemër.

Doja të isha zemër.
Zemër.

Dhe në mbrëmjen e thellë
doja të isha bilbil.
Bilbil.

Shpirt,
bëhu ngjyrë portokalli!
Shpirt,
bëhu ngjyrë dashurie.

Në mëngjes ende gjallë
unë doja të isha unë.
Zemër.

Dhe në mbrëmje tashmë të rënë
doja të isha zëri im.

Bilbil.

Shpirt,
bëhu ngjyrë portokalli!
Shpirt,
bëhu ngjyrë dashurie!

NËSE DUART E MIA DO TË MUND TË SHFLETONIN

Shqiptoj emrin tënd
në netët e errëta,
kur yjet ikin
për të pirë në hënë
dhe flenë pemët
e pyjeve të errëta.
Dhe unë ndihem bosh
i pasionit dhe muzikës.
Orë e çmendur që këndon
orë të vdekura të lashta.

Shqiptoj emrin tënd
në këtë natë të errët,
dhe emri yt tingëllon
më larg se kurrë.

Më larg se yjet,
më dhimbshëm se shiu i qetë.

Do të të dua akoma?
si atëherë?
Çfarë faji ka zemra ime?
Nëse ngrihet mjegull
çili pasion i ri më pret?
Do të jetë e qetë dhe e pastër?
Të mundeshin duart e mia
të shfletonin hënën!

DËSHIRË

Vetëm zemra jote e ndezur
dhe asgjë më shumë.

Parajsa ime një fushë
pa bilbil
as para
me një përrojskë dhe një burim të vogël.

Pa përkëdheljen e erës
në degëza
pa yllin
që do të jetë gjethe.

Një dritë e madhe
që ishte xixëllonjë
e një tjetre,
në një fushë
vështrimesh të ndërprera.

Një qetësi e ndritshme
ku puthjet tona,
në tingujt
e jehonës,
do të përhapeshin larg.

E zemra jote e ndezur
asgjë tjetër.

Përgatiti dhe përktheu: Angela Kosta
3 gusht 2023