Gazeta Nacional Albania

FETI ZENELI: BALADË PËR TAFIL BUZIN, POEME

BALADË PËR TAFIL BUZIN

…Që në Tanzimat e tutje,
Të mbeti palla mbi supe…

Larg në kohra tres vështrimin,
syve u hyn frika,
verbi, do të bëj më trimin,
lotët komb te gryka.

Thellë shpirtit fshihen mallet,
shpuzë brenda hirit.
Humbasin kujtesën varret,
jo qumësht i gjirit.

Për çdo jetë të këputur,
në terr e përballje,
si në katakombe futur,
pres të shoh ringjallje.

Në buste, në monumente;
ngujime pa gjaqe,
s’di pse shpirti, ca momente,
ende s’na gjen paqe.

Udhëve të historisë,
fati – dritë e terr,
Tafili në Qaf’ të Grisë1),
bronx përmbi mermer.

Rrezesh larë e dot s’e njoh,
dhe pse s’e kam larg,
nëpër zheg e nëpër llohë,
dyqind mote-varg.

Koha shkon e s’pranon gjyqe,
s’njeh asnjë marrëveshje.
Jeta, mbërthyer në kryqe,
lind e vdes në heshtje.

Jetë moj, ndër luftra mbetur,
për ty kënga flet!
Amaneti kurmpatretur,
gojë më gojë buçet.

Për Tafil Buzin më thuaj:
Ç’mban ai mbi supe?!
Folna troç e mos u druaj,
se janë kohra lufte!

Kush i dha shtat kryetrimi,
trupit një pëllëmbë?!
I lutej përditë agimi,
t’mos rrinte në këmbë.

Atë forcë prej ciklopi,
krahët për bina?
saqë pendë t’i dukej topi2),
ç’Zot toke ja dha?

Fjalë e besë Kostandini,
mos i kish në gen?
Pse në toka beduini,
kokën pas e kthen?

Po në terrin e një kurthi,
kush i bënte dritë?
besëprerja nxin si urthi,
dhe s’pranon shahit.

Pse e vari kokën Pindi3),
ç’kuje rrodhi Vjosës?
Dhe një hije porsi xhindi
shkon mbi teh të kosës.

Omer Pashë Vrioni, pse
befas ju kthen shpinën? 4)
Po në lindje ç’janë ca re,
që nxirojnë Janinën?

Ç’jetë bën trupi pa kokë,
pa sy për të parë?
Futet shtatë pash’ nëntokë,
turpi ndër shqiptarë.

Në Bagdat e në Messunë,
ç’e sëmbonte ijëve,
derisa haber i prunë,
për fatin e bijëve?

Fol dhe pak me historianët,
bëje një përpjekje!
Se ata i kemi tanët,
në lindje, në vdekje5)

“Që në Tanizmat e tutje…”
Këtej e dimë vetë.
Tregona me nge, pa ngutje,
se koha na pret…

Në të duhet ndonjë varg,
thuama ta shtoj,
sado kohët duken larg,
këngët, po njëlloj.

* * *

“Të sëmurit të Bosforit”,
dhe pse rënë në shtrat,
zemra fort ç’i rreh të gjorit,
për pak Tanzimat.

Bot e bot të mbahet gjallë,
ky ulok i vjetër!
Thellë kufomës si gërdallë,
lind një kohë tjetër.

Ashtu i rënë në kllapi,
zë dhe flet përçart.
Gjithë ajo perandori,
njollë do mbesë në hartë.

Nën kube të Gjylhanesë6),
vuloset dekreti,
Padishahu dhënka shpresë:
Të ringrihet shteti.

Ndaj kërkon nizamë më shumë,
taksa e xhelepe,
Rumelisë, bam e bum
vetëm “peqe e lepe”.

Në Egjipt Mehmet Aliu7),
një kopje fermani,
mbledh rreth vehtes si veriu,
shumë burra zamani.

S’mund që ta zenë gafil,
të tilla dekrete:
“E zgjidh unë, u çoj Tafil
të flasin me vete!

Dhe në natën e zezë pis,
mendjellamburitës,
çdo plan dhe çdo rrugë e nis,
nën besën e dritës”.

Me një të shkelur të syrit,
hopa Kapedani,
Ali Pasha i Misirit:
bir e soj luani.

Sarajesh pashai, rritur
me tituj e grada.
Pa u nisur, seç ka mbërritur
si nëpër balada.

Tafil Buzi një pëllëmbë
shfryn porsi murlani.
Nga Korfuzi, brof më këmbë,
sikur brof vigani!

Çoi lajm e tundi vendë,
thellë në Labëri,
dhjetëmijë e ca levendë,
mblodhi një ushtri.

Pranverën e sapo ardhur,
sheh te një lofatë,
prej Vlore ky trim i çartur,
drejt e në Berat8).

Në “Belgrad”9) Zylyftar Poda,
e pret buzë Osumi:
-Po s’i mbrojtëm këto porta,
le t’na marrë lumi!

Çelua dhe Veiz Vasjari,
krah për krah me ta,
dridhen si letër cigari,
turqit në kala.

Tik-tak lavjerës i frikës,
tre muaj me radhë,
më në fund i ranë pikës
trimat faqebardhë.

Ja nëntë kazatë e para,
nur e drit’ lirie,
gjithandej do mbillet fara,
farë Perëndie.

Por paqja s’gjen kudo paqe,
shqyen sytë dita
kapërcen të tjera pragje
plotë shtigje dhe prita.

Pavarsinë – Shqipërisë,
pa një dhe pa dy.
“Sekretari”10) shkruan e nis,
vdekja sy më sy.

Hamid Pashës i çon letër,
Tafil Buzi vetë:
-Neve s’na le zgjidhje tjetër,
Besëlidhja11) nuk pret!

Nën mustaqe qesh Pashai,
jashtë dielli djeg,
kurth-ftesën maskarai,
shkroi me dyfek.

Dymijë tyta hapin zjarr,
tej në Manastir12),
njëmijë vetë në një varr,
fute mor qafir!

Lëndina e Manastirit,
u vadit me gjak,
Mehmet Pasha i Misirit:
-Trima, merrni hak!

Bëjuani si në Janinë,
me Kaftan Agën13),
në të gjithë Rumelinë,
t’u rihapim plagën.

Në Kaza të Grebenesë,
dimri shton acarë,
dridhuni mor të pabesë!
Ju, or tradhëtarë!

Del Tafili në Tërhallë,
Zenelin ç’e pret,
dy robër i do të gjallë,
një tjetër e vret14).

Duket sikur mbin nga dheu
kudo, krejt papritur,
me fat e fuqi Anteu,
nëpër luftra rritur.

Në Janinë e në Korfuz,
me Jani Koletin15),
si gjithnjë flakë e shpuzë,
i tregon sekretin:

“Janinën me çallmë turku,
të zezë si nata,
ende pa rënë mirë muzgu,
terrin ta zbardh shpata!

Po zbres një qiell me yje,
për gjithë ushtërinë.
Ta këpusim atë nyje
lidhjesh me Turqinë!”

Tradhëtia kryet nxjerr,
pa mbërritur atje,
Tafil Buzi si skifter,
e shkreta More16)!

“Për kok’ të Çelo Picarit!
Në bëfsha dot bé,
vij u djeg me urë të zjarrit,
kashtë e kallame”.

Sapo kalon Tepelenën,
merr Vjosën për krahu:
-Mua me ke siç ke nënën;
mbahu, biro, mbahu!

Armët se ç’ia mpinë shpatullën,
rrugë e gjatë qe.
Ja te sheh dhe Alush Frakullën,
tej në Myzeqe.

Fushat mbjellë, mbushur pritje
fakir-fukarenjsh,
ndaj shpërthejnë kryengritje,
si tërbim lumenjsh.

Kryengritje, shkollë e dije,
në jug e veri,
dhe Rilindje Shqipërie,
Shemshedin Sami.

Para nderit të atdheut;
gjaku rrjedh rrëke,
që nga koh’ e Skënderbeut,
s’kemi tjetër fé.

Valiu i Rumelisë,
drejt e tek Sulltani:
“S’bëhet jo, mik i Turqisë,
Tafil Kapedani!”

Sulltanati zë i lutet,
Europës plakë17):
-Ky rrebel tek ju mos futet,
sa të marrim hakë!

Padishahu i tërbuar,
S’di ç’vendim të marë:
-Arnaut i mallkuar!
Me çdo kusht do vrarë!

S’ka dilema, por në letër,
asgjë nuk ka hedhur.
Pabesisht një zgjidhje tjetër,
bluan me të dredhur.

Do t’i ndajë një nga një,
si gjethe trifili;
Zeneli në Arabi,
në Irak Tafili.

Por plumbat që s’u shtinë,
s’i morën me vete,
për gërmat Shqipe u shkrinë,
nëpër alfabete.

Çelua mbetur Labërisë,
nga retë shkrep rrufe,
ndez luftën e pavarësisë
sikur të jenë të tre.

Njërën dorë te bubullimat,
tjetra shkreptin topa,
vë nën këmbë vetëtimat
bën të ndizet toka.

Zëri del krisëm pushke,
dhe shpirti mban rregull,
heq mënjanë ca thirrje lufte,
ylber nëpër mjegull.

Rrezen e fundit të Diellit,
harkon vetull syri,
të shoh dhe pa dritë të qiellit,
tutje, tej kufiri.

Kohën s’e lanë dot pa natë,
as pa errësirë.
Por kufijtë tanë në hartë,
janë si s’ka më mirë!

Aq mirë sa u bind dhe Zoti,
mos i lërë më tre,
se ca punë prej patrioti,
bëhen dhe nën dhé.

Bëhen pa duar e pa zë,
si nëpër legjenda.
I bën emri i mirë që lë,
dhe gjaku në rremba.

Por duhet të dishë një kod,
për të ndezur gjakun,
fjala “Atdhe” është në modë,
sapo kalon pragun.

“Gjithë me Tafil u ngrenë”18),
dallgë në stuhi:
Pushkës-besën, turkut-benë;
besë e trimëri.

Njëqind vjet me kodin tënd19),
luftrash “hyr e dil”,
gjersa të lirë këtë vend,
e bëmë, trim Tafil!

Sa herë nga varret, paqen
e nxorët në dritë,
aq herë na e zbardhët faqen
bashkë me perënditë.

* * *

Mblidhemi rreth bustit tënd,
çdo fillim tetori,
i bekuar qoftë ky vend,
ç’kapedan që nxori!

Buzin do ta kishin ëndje,
gjithë Shqiptaria,
që kur ranë në një mëndje,
Kapo dhe Shanija20).

Shtatë breza kanë ndërruar,
me këta tre emra!
Varr më varr duke kaluar,
shpirti edhe zemra.

Djep pas djepi edhe gjaku
që lëvrin ndër deje,
djalit, që i shuhet pragu,
s’është trim beteje.

Plot dy shekuj ngritur lart
emri edhe fama,
vjen një ditë që ka një cak,
i than si kallama.

Thahen po nuk ja vaditëm,
rrënjët historisë,
Tafilin në Buz kur pritëm,
u shtang prej habisë:

Të një vatre – bijë të bindur,
sot fate të ndarë,
vdesin atje ku s’kanë lindur,
prej vitesh pa parë!?

Morën vetëm ç’mbante shpina,
në rrugën e gjatë,
mbetëm pemë dhe djerrina,
sa për t’i thënë: fshat.

Humbën udhën dashuritë,
befas kur u ndanë,
po s’kanë faj as Perënditë,
as të parët tanë.

I mungon trokitja derës
druri hesht i mekur,
por jo ngjyrat e pranverës,
dhe vjeshtës së pjekur.

Ëndrrën s’ka kush mban më zgjuar,
se s’ka sy për gjumë,
një rrëkezë e harbuar,
nuk bëhet dot lumë.

N’arrati shpirtin munduam,
thinjëm amanetet,
shpesh herë atë që duam,
brenda shpirtit tretet.

Terr dhe harresë lëmë pas,
dhëmbin eshtra trimash,
kjo kohë ikjesh na u qas,
me shkrumb vetëtimash.

Me vetveten si osmanë,
nëpër sherre grirë.
“Tani duhen, po ku janë”21),
burrat emërmirë.

Trashur gjuha nga mallkimet,
bërë lesheli,
syt’ nga qielli për bekimet,
por veç diell e shi.

Edhe fryma bie erë myk,
s’është frymë njeriu,
kashtë e koqe, kashtë e byk,
ku e çon veriu.

“Ç’janë gjithë këto rrënoja;
mallkim prej të marri?
Më thoni, a s’ua nxë goja?
Pse kjo heshtje varri?

Pa m’i mbyllni sytë prapë,
që të gjithë sa jini,
në mënyrë që kur t’i hap,
përgjigje të kini”…

Në mos, e kam bërë lanet
dhe bustin në Buz.
Përmbi dhé s’paska xhenet
burrash me namuz

***
Për detyrën që na vure,
Tafil Kapedani,
s’duhen topa dhe kubure,
por ndjeshmëri xhani.

Verbërisht ty të besojmë,
dhe pse s’je Mesia,
por je drita që kërkojmë
nga anët e mia.

“Gjithë ata burrat e parë”22),
të pushkës dhe penës,
stërgjyshër e baballarë
rrotull Tepelenës.

Bij të plagëve të tyre,
me soj e me farë,
t’i ikim kësaj mënxyre,
që na mban të ndarë.

Gjaku – gjakun në çdo kohë
e do fare pranë,
se ndryshe nuk mund ta njohë,
as motra – vëllanë.

S’mund të mblidhet, jo ç’ka rrjedhur;
me çastet shkon jeta,
bustit tënd ne jemi mbledhur,
për ca të vërteta.

Mjafton shpresa të mos humbi,
besimi tek Zoti,
vijmë tek ti më shpejt se plumbi,
o Tafil Buzioti!
__________________________________________________________________
1) Emërtim në zhargonin popullor i Buzit.
2) E veçanta e periudhës së Tanzimatit
është topi i Tafil Buzit, që ai e mbante
vazhdimisht në krah.
3) Tafil Buzi në krye të një force prej 15
mijë vetë u vu në mbrojtje të Ali Pashës
18 muaj rresht, për të ndaluar ardhjen
e forcave osmane nga Gryka e Pindit.
4) Para Tafil Buzit komandën e forcave për
mbrojtjen e Grykës së Pindit e kishte Omer
Pashë Vrioni, por u tërhoq nga oferta turke
për pashallëkun e Beratit.
5) Historiantë ende janë të ndarë për vitin
i lindjes dhe atë të vdekjes se Tafil Buzit;
një pjesë shkruajnë se ka lindur në
vitin 1792 dhe të tjerët përmendin vitin
1798; sikundër dhe për vitin e vdekjes;
disa i referohen 1844-ës, kurse disa të
tjerë vitit 1866.
6) Në këtë sallë, më 3 Nëntor 1839, u
shpallën nga vezir Mustafa Reshid Pasha,
Reformat e Tanizimatit.
7) Sundimtari i Egjyptit në vitet 1805-1848.
8)Mars 1834.
9) Emri i Beratit në dekretet e Sulltanit.
10) Në nënshkrimet e letrave, dërguar me
cilësinë e personit të ngarkuar me
problemet e diplomacisë, Tafili e cilësonte
veten si “Sekretar i Shqipërisë”.
11 Beslidhja politike e vitit 1835, e krijuar në
Berat, e cila e ngarkoi Tafilin me detyrën e
drejtimit të forcave ushtarake dhe sigurimit
të lidhjeve me botën e jashtme.
12) Maskara e 8 gushtit 1830 në Manastir, ku
u vranë rreth njëmijë shqiptar.
13) I besuari i Sulltanit në Janinë, i cili u vra
nga Zenel Gjoleka me urdhër të Tafil Buzit,
në shënjë hakmarrje për ekzekutimin e
Ismail Pashë Vlorës.
14) Arresimet e shumta në vitet 1831-1833 të
disa krerëve të “Beslidhjes Shqiptare” çuan
në hakmarrjen e Tafil Buzit dhe Zenel Gjolekës,
që në Dymeqë e Catallxhë zunë robër dy
fuknsionarë të lartë osmanllinjë; Haxhi Hysen
Agën dhe Seit Beun, kurse në Grebene vranë
beun proturk, Veli Agën.
15) Kryeministër dhe politikan grek me origjinë
shqiptare, që nuk iu përmbajt marrëveshjes
me Tafil Buzin, por i bëri kurth në Janinë.
Ka jetuar në vitet 1773-1847.
16) Është fjala për Greqinë.
17) Kërkesa që Sulltani i bëri Austrisë, Anglisë dhe
Francës, të mos i jepnin strehim Tafil Buzit.
18) Varg i këngës poipullore për Tafil Buzin.
19) Deri tani, data e vdekjes zyrtare e Tafil Buzit
i përket vitit 1844, plotë një shekull para çlirimit
të vendit tonë.
20) Babi dhe nënë e Tafil Buzit.
21) Varg i këngës popullore për Tafil Buzin.
22) Varg i këngës popullore për Tafil Buzin.