Gazeta Nacional Albania

FJALA E PRESIDENTIT BEGAJ ME RASTIN E 115-VJETORIT TË DITËS SË ALFABETIT (KONGRESIT TË MANASTIRIT)

Dëshiroj ta filloj me një falënderim për autoritetet e qeverisë qendrore dhe vendore të Maqedonisë së Veriut për mundësinë e festimit të një dite të shënuar për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen. Ky është një tregues se fqinjësia e mirë bazohet në respektimin e simboleve dhe simbolikave të njëri-tjetrit.
Çdo komb ka në historinë e vet disa ngjarje të veçanta që dallohen, sepse me kalimin e kohës ato fitojnë gjithnjë e më shumë domethënie si pjesë e trashëgimisë historike dhe kombëtare. I tillë është Kongresi i Manastirit. Ai tregoi lartësimin e shpirtit të shqiptarëve, përcaktoi frymën e identitetit tonë dhe hodhi themelet e formimit të ndërgjegjes dhe të unitetit kombëtar.
Rilindasit tanë të shekullit të nëntëmbëdhjetë e kishin kuptuar se çdo komb ka nevojë për identitetin e vet dallues, një identitet që pasqyron jo vetëm vlerat, doket e historinë, por edhe thelbin e gjuhës së shqiptarit. Për rrjedhojë, unifikimi i gjuhës dhe i alfabetit nuk ishin teknikalitete për të standardizuar një mjet komunikimi, por parakusht për të përcaktuar një komb të ndërgjegjësuar dhe të aftë për një shtet të lirë e të pavarur.
Pas kuvendeve që u mbajtën gjatë Lidhjes së Prizrenit dhe Lidhjes së Pejës, kjo ishte hera e parë që shqiptarët mblidheshin për të punuar, siç shkruante Mit’hat Frashëri, “jo me barut e armë, por me pendë e kartë”. Kongresi i Manastirit nisi si mbledhje gjuhësore, por rezultoi një manifestim politik kombëtar.
Edhe pas 115 vjetëve e kuptojmë se shqipja është gur themeli i identitetit shqiptar dhe i shpirtit të popullit tonë. Në një farë mënyre, është si e kuqja e flamurit që mban shqiponjën dykrenare (dhe përkrenaren e Kastriotit).
Sa e sa patriotë kanë sakrifikuar edhe jetën e tyre për të mbrojtur shqipen, jo me armë, por duke e folur dhe shkruar shqipen me përgjegjësi historike. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për figurat e njohura të historisë, por edhe për shqiptarët e thjeshtë, ata që në jetën e tyre të përditshme nuk e harruan lëvrimin e gjuhës së të parëve dhe i rezistuan tundimit për t’u asimiluar.
Sot ne e marrim si të mirëqenë ekzistencën e shqipes. Në një ditë historike si kjo e sotmja, nuk duhet të harrojmë luftën dhe përpjekjet që na sollën deri këtu. Në fakt, po të lexosh historinë dhe gjithçka ka pasur kundër, është mrekulli që shqipja mbijetoi dhe sot flitet nga miliona shqiptarë anembanë botës.

Kjo më sjell te çështja e mirëmbajtjes së gjuhës shqipe.
Është fakt që gjuha nuk është statike dhe e fosilizuar. Ajo jeton, pasurohet dhe zhvillohet. Ajo influencon dhe pasqyron rrjedhën e historisë së popullit tonë.
Megjithatë, ajo duhet mirëmbajtur, që ndikimet nga jashtë ta bëjnë më të larmishme dhe jo ta deformojnë e ta varfërojnë. Gjuha është me rëndësi, sepse ajo vendos jo vetëm kufijtë e botës që shohim, por përcakton, në një farë mase, se si e shohim atë. Sa më e kufizuar gjuha, aq më e varfër edhe bota që njohim, shprehim dhe kuptojmë.
Shqipja është e pasur dhe shpreh pa vështirësi edhe koncepte të vështira. Mjeshtëria nuk qëndron në zëvendësimin e fjalëve tona me fjalë të huaja për të treguar epërsi intelektuale, por në punën e vështirë të gjetjes së fjalëve në shqip dhe lëvrimin e drejtë të gjuhës sonë.
Çështja e ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës nuk mund të jetë monopol i gjuhëtarëve. Të gjithë që punojnë në profesione nga më të ndryshme dhe sjellin fjalë apo koncepte të reja, duhet të japin kontributin për një shqipe më të mirë, më të shumëllojshme dhe më elastike.
Ta ruash dhe ta lëvrosh gjuhën shqipe nuk është thjesht një thirrje për ruajtjen e një trashëgimie kulturore. Kjo është thirrje për të ruajtur identitetin personal dhe kombëtar, është thirrje që fëmijët shqiptarë të rriten duke përdorur të gjitha aftësitë e tyre njohëse. Psikologjia zhvillimore na konfirmon se njohja më e mirë e gjuhës amtare është thelbësore për zhvillimin e fëmijës dhe bazë për njohjen e gjuhëve të huaja.
Sot shumë fëmijë shqiptarë mësojnë gjuhë të huaja në vegjëli. Çdo gjuhë e huaj të hap horizonte të reja, por nuk duhet lënë pas dore gjuha amtare shqipe, sepse kështu pengohet edhe arritja e potencialit.

Të nderuar të pranishëm!
Në kuadër të përpjekjeve për ruajtjen e gjuhës tonë, unë kam ndërmarrë një nismë për mbrojtjen e gjuhës dhe zhvillimin e librit shqip. Besoj se është një kontribut, i cili, në modestinë e vet, do të mbështesë lëvrimin e shqipes, sidomos te brezi i ri.
Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos kur mendoj për takimet që kam pasur me Arbanasit e Zarës dhe Arbëreshët në Abruco e Kalabri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Unë do të mundohem me të gjitha forcat personale dhe kapacitetin institucional të promovoj dhe të mbështes promovimin e arbërishtes. Historia e Diasporës së vjetër shqiptare tregon sa mund, kulturë dhe pasion duhet për të ruajtur identitetin shqiptar dhe sa e rëndësishme është ruajtja e gjuhës shqipe në të gjithë larminë e saj.
Në këtë kontekst, besoj se ruajtja dhe mirëmbajtja e Muzeut të Kongresit të Manastirit duhet të jetë në qendër të vëmendjes së qeverive tona. Përkujdesja për ruajtjen e simboleve tona kombëtare, si ndërtesa e muzeut, duhet të jetë prioritare. Kjo është përgjegjësia jonë përpara historisë dhe përpara së ardhmes.

Në mbyllje, dëshiroj të përmend dy fakte interesante: Në Kongresin e Manastirit erdhën 50 delegatë, por në total ishin afërsish 160 pjesëmarrës nga trevat shqiptare, SHBA-ja dhe Egjipti. Po të shtojmë edhe banorët e Manastirit, studentët, intelektualët e tjerë, ishin afërsish 400 shqiptarë, të cilët, pavarësisht rreziqeve nga armiqtë e shumtë, pavarësisht dallimeve fetare, krahinore apo botëkuptimore, arritën të bëhen bashkë për interesin e përbashkët.
Vendosja e interesit publik mbi atë personal përbën një shembull që duhet të orientojë edhe mënyrën e qasjes së politikanëve të sotëm ndaj çështjeve me interes kombëtar.
Nga ana tjetër, dëshiroj të përmend faktin se Kongresi vendosi përdorimin e alfabetit latin. Ky ishte vendim jo thjesht gjuhësor, por edhe politik. Shqiptarët e ndjenin që atëherë se destinacioni i tyre ishte Europa dhe qytetërimi perëndimor. Kjo ka qenë edhe busulla e orientimit të popullit shqiptar, ndaj është e natyrshme që kjo aspiratë shumëshekullore të mishërohet nëpërmjet rrugëtimit tonë drejt Bashkimit Europian.
Faleminderit dhe gëzuar Ditën e Alfabetit!

Lajmi

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh. T. Z Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e 115-vjetorit të Ditës së Alfabetit Shqip të zhvilluar sot në Manastir.
Kreu i Shtetit bëri thirrje për ruajtjen, lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës amtare, për unitet dhe gjithëpërfshirje në nismën kombëtare të identitetit shqiptar.
Në nderim të përpjekjeve të bëra 115 vjet më parë nga atdhetarët tanë, Presidenti Begaj, gjatë fjalës së tij, vlerësoi rëndësinë e Kongresit të Manastirit, si një lëvizje jo vetëm gjuhësore, por edhe politike, vendimtare për ekzistencën e shqiptarisë.