Gazeta Nacional Albania

Fjalët e fundit të poetit Havzi Nela para varjes:”Kam 910 lekë dhe kërkoj që t’i jepen nënës”

 

 

 

Nga Kastriot Dervishi

31  vjet më parë, regjimi komunist, pas procesit gjyqësor, vari poetin Havzi Nela. Më 9 gusht 1988 ministri i Punëve të Brendshme, H. Isai, nxori urdhrin për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, me varje në litar të Havzi Nelës, më 10 gusht ora 3.30. Ky urdhër mbërrin në Degën e Punëve të Brendshme Kukës. Ekzekutimi u bë publik te sheshi i agjencisë së udhëtarëve në Kukës. Kufoma qëndroi ashtu për të ngjallur frikë. Në fjalën e fundit, Havzi Nela tha:

“I dënuari në fjalët e tij të fundit tha: “I keq kam qenë dhe ashtu po shkoj. Të këqijat e mia i mora me vete. Kërkoj që të afërmit e mi të trajtohen mirë, mos të merren nëpër këmbë. Kam 910 lekë dhe kërkoj që këto t’i jepen të afërmve të mi (nënës)”.

Dega e Punëve të Brendshme informonte sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së Punës në Kukës, Miti Nito, se varja e Havzi Nelës kishte ndikuar në rritjen e vigjilencës ndaj “elementit armik”, por të dhënat thoshin se veprimi nuk ishte miratuar nga populli në mënyrën që ata prisnin. Disa nga komentet e popullit ishin:

-Kjo është një vdekje burrërore. Po i bëjnë roje nderi si me qenë Enveri.

-Për fat të keq, ditën që është varur Havzi Nela isha në Kukës. Ky veprim është sa për t’i futur popullit”.

-Shteti nuk është mirë me popullin, sepse po sillet shumë keq. E keqja më e madhe u pa në publik, varja e shpëtuar e Havzi Nelës. Kjo ishte një gjë shumë e keqe. Ky ishte një veprim për t’i futur frikën popullit. Më mirë ta kishin pushkatuar, mos ta shikonte kush.