Gazeta Nacional Albania

Flet per gazeten Nacional poetesha dhe përkthyesja holandeze Hannie Rouweler. Intervistoi: IRMA KURTI

Hannie Rouweler: E RËNDËSISHME ËSHTË QË TË TREGONI ORIGJINALITETIN E ZËRIT TUAJ

“Mos e humbni kohën duke u përpjekur të bëni diçka që tashmë është bërë me sukses nga dikush tjetër.”

Hannie Rouweler (Holandë, Goor, 13 qershor 1951), poete, përkthyese dhe botuese jeton në Leusden të Holandës që nga fundi i vitit 2012. Ka jetuar në vende të ndryshme në Holandë dhe përpara kësaj ka qëndruar jashtë vendit për një periudhë të gjatë kohore.
Burimet prej nga e merr ajo frymëzimin janë natyra, dashuria, humbja, kujtimet e fëmijërisë dhe udhëtimet. Në vitin 1988 debutoi me librin e saj të parë Regendruppels op het water (Pika shiu mbi ujë). Që atëherë, ka botuar më shumë se 40 përmbledhje me poezi si dhe dhjetë libra të pëkthyera në gjuhë të ndryshme.
Poezitë e saj janë përkthyer në rreth 35 gjuhë. Ajo ka ndjekur gjithashtu mësime për pikturë dhe histori arti në Akademinë e artit (Belgjikë) për pesë vjet. Hannie trajton tema të ndryshme në shkrimet e saj. “Poezia është ngado, rrëmbeje atë”, është një shprehje që ajo e përdor shpesh. Poetesha përzien vëzhgimet nga realiteti me imagjinatën dhe u jep një shtysë ndjenjave dhe gjetjeve të saj poetike. Fantazia dhe imagjinata luajnë një rol të rëndësishëm në veprat e saj.
Hannie Rouweler është nderuar me çmime të ndryshme në Holandë si dhe jashtë saj. Mund të përmendim: “Poeti më i mirë i vitit 2021” nga komiteti ndërkombëtar i institutit IPTRC në Kinë.
Hannie Rouweler ka ndjekur kurse të shkurtra gjuhësore në institutet e gjuhës (Arnhem, Amsterdam, Hasselt BE). Ajo ka botuar disa tregime (duke përfshirë edhe në gjininë e shkurtër – thriller) si dhe është redaktore e disa përmbledhjeve me poezi.

Ju jeni një poete dhe përkthyese e njohur dhe keni në arkivin tuaj 40 libra me poezi. Çfarë ju ka sjellë deri këtu: talenti, puna dhe përkushtimi juaj?

Motivimi. Mund të kesh aftësi ose talent për diçka, por nuk mjafton. Nxitja dhe pasioni për gjuhën si dhe të gjitha mundësitë e saj shprehëse nevojiten për ta zhvilluar atë më tej. Është një proces që zgjat gjithë jetën. Mund të ecësh përpara vetëm duke qenë i pëfshirë në aktivitetet letrare.

A ka patur ndonjë ngjarje apo episod të veçantë në fëmijërinë tuaj që ju ka afruar me të shkruarit?

Po, si shumë krijues të tjerë, edhe unë fillova të shkruaj poezi në adoleshencë, kur isha në shkollë të mesme. Në fakt, të shkruarit për mua ka filluar më herët. Më ka pëlqyer gjithmonë të shkruaja letra dhe të mbaja ditarë, ndoshta më shumë nga nevoja: në moshën 12-16 vjeç kam qenë në kolegj. Tani, pasi ka kaluar shumë kohë mund ta konsideroj atë si një lloj burgu. Liria ishte e kufizuar dhe ndodhesha gjithmonë mes fëmijëve të tjerë. Pas kësaj kam patur gjithmonë vështirësi të jem mes grumbujve me njerëz dhe jam përpjekur t’i evitoj ato. Me përjashtim të festave argëtuese, natyrisht.

Në vitin 2008 ju themeluat Shtëpinë Botuese Demer Uitgeverij/Demer Press, që boton kryesisht antologji dhe përkthime. Sa i rëndësishëm është për ju promovimi i poezisë ndërkombëtare?

Poezia ndërkombëtare i kalon kufijtë dhe udhëton përtej asaj që njohim. Është shumë e rëndësishme të njohësh lloje të tjera të poezisë që shërbejnë gjithashtu si pasqyrë e shkrimeve tona. Në fund të fundit, ka gjithmonë plot gjëra për t’u zbuluar përreth nesh.

E keni përjetuar ndonjëherë bllokun e shkrimtarit? Çfarë mendoni në lidhje me të?
Nuk mendoj se e kam provuar ndonjëherë. Sigurisht, ka pasur raste që në një periudhë të caktuar nuk kam patur dëshirë të shkruaj, pasi kam qenë e zënë me aktivitete të tjera. Sidoqoftë, ndërkohë shkruaja tregime të shkurtra. Nuk kalonte shumë kohë dhe unë i kthehesha përsëri poezisë.

Çfarë do të thotë të përkthesh për ju: t’i qëndrosh besnik origjinalit apo të jesh shumë më tepër krijues?

Përkthimi është leximi i plotë i një poezie, duke e kthyer atë në gjuhën tënde. Është një punë e saktë dhe e rëndësishme të përvetësosh kuptimin, formën dhe përmbajtjen origjinale, ta transportosh atë sa më tepër që të jetë e mundur, në gjuhën tënde. Shpesh duhet të përballesh me zgjedhje. Kuptueshmëria është tepër e rëndësishme.

Nga përmbledhja juaj e parë me poezi (1988) “Pika shiu mbi ujë” deri në librin tuaj të fundit: A ka ndryshuar poezia juaj? Nëse po, si?

Po, ka ndryshuar. Në fillimet e mia shkruaja poezi me rimë, të cilat i braktisa shpejt për shkak se ndihesha e kufizuar. Poezitë e mia ishin gjithashtu më të shkurtra dhe koncize. Vitet e fundit kam përfshirë më shumë aspekte dhe rrëfim në poezi. Prandaj ato janë shumë të ngjashme me poezinë në prozë.

Çfarë rekomandimesh mund t’u jepni poetëve dhe shkrimtarëve të rinj?

Mbi të gjitha lexoni, lexoni sa më shumë përveç të shkruarit në mënyrë të përditshme. Duhet të mësoni nga paraardhësit dhe gjithashtu nga poetët bashkëkohorë. Mos e humbni kohën duke u përpjekur të bëni diçka që tashmë është realizuar me sukses nga dikush tjetër. Gjëja më e rëndësishme është të tregoni origjinalitetin e zërit dhe tingullit tuaj.